I DASHUR MIK!

– Jokl-i në letërkëmbim me Çabejn –

 

Nga Bardhyl Demiraj

Këtë shkrim të konceptuar në zanafillë si homazh ndaj albanologut hebre gjermano-austriak Norbert Jokl (1877-1942) si njëra ndër milionat viktima të politikës nacional-socialiste në Gjermaninë e shekullit të kaluar, shumëkush mund ta përcjellë edhe si paralajmërim ndaj gjykimeve dritëshkurtra të natyrës historike-sociologjike që rreket të paraqesë sot ndokush lidhur me zhvillimet e derisotme në albanologji si shkencë komplekse rajonale, e ndikuar thellësisht prej politikave periferike imperialiste dhe bazave ideologjike hegjemoniste, fashiste e nacionaliste deri edhe komuniste që ka përjetuar faktori shqiptar në kohë dhe hapësirë. Që ky gjykim është krejt i gabuar dhe pa asnjë lloj mbështetjeje historike, këtë e dëshmon më së miri jeta dhe aktiviteti i Norbert Jokl-it, sikurse veprimi i gjithë botës intelektuale albanologjike të kohës në momentet më të vështira të jetës së tij. Ecim kështu në të njëjtën hulli me atë çka na kumtoi në Peizazhe para do kohësh z. Alibali mbi Joklin e para do ditësh z. Vehbiu me gjykimet e tij të mprehta ndaj personalitetit të Çabejt.

Kontakti im i parë me emrin dhe personalitetin e Norbert Jokl-it daton në vitet e rinisë së parë, fillimisht me lexime të do shkrimeve përkujtimorë që botoheshin atëbotë herë pas here e rast pas rasti në shtypin periodik shqiptar. Shkas bëheshin – siç edhe pritet këso rasash – vite jubilare të lindjes dhe të mortit të Jokl-it (1877-1942) e shkas për to gjente gjithherë Eqrem Çabej si ish-nxënës i tij gjatë kohës së studimit në Vjenë (1929-1933). Që leksionet, seminaret, sikurse vetë prurjet e Jokl-it si studiues dhe njohës i patëmetë i shqipes dhe i kulturës shqiptare paskëshin ndikuar aq fuqishëm në formimin e tij shkencor-universitar, për këtë rrethanë shkruesi i këtyre radhëve erdhi e u ndërgjegjësua më vonë dhe në vazhdimësi përgjatë viteve të studimit dhe të karrierës profesionale në fushat e albanologjisë historike dhe të filologjisë shqipe. Dhe është fakt që emri i Jokl-it rezulton të jetë  jo vetëm më i cituari në opusin e Çabejt; mes sish përkojnë plotësisht edhe fushat e kërkimit albanologjik: gramatikë historike-krahasuese (fonologji, fjalëformim e sintaksë), etimologji dhe etnolinguistikë, filologji e përgjithësisht kulturë e letrave shqip. Të dy ndajnë së bashku aparatin e nevojshëm shkencor dhe metodat në hulumtim e si mësuesi po ashtu edhe nxënësi i përkushtohen njëlloj dinamikës së zhvillimit të shqipes qoftë si gjuhë e gjallë europiane me një mozaik të pasur dialektor, ashtu edhe historisë së saj ballkanike (Balkansprachbund) sikurse asaj indoeuropiane (familja gjuhësore indoeuropiane), duke e vështruar atë njëherësh edhe si derivat i një realiteti gjuhësor të Ballkanit antik.

Parë nga perspektiva e historisë së zhvillimit të albanologjisë si shkencë komplekse rajonale në hapësirën shqipfolëse, shpresojmë të mos gabojmë, në rast se përsiasim tash bashkëlidhjen mësues ↔ adept, të sendërtuar natyrshëm në marrëdhënien Jokl ↔ Çabej, si urën lidhëse që përcolli natyrshëm ndryshimin e paradigmës shkencore në studimet albanologjike në Shqipëri aty rreth gjysmës së dytë të viteve 30’ të shekullit të kaluar, periudhë kjo që përkon po aq natyrshëm me kthimin në atdhe të Çabejt si edhe të shumë studentëve të tjerë shqiptarë në universitetet austriake të kohës.

Asgjëmangut, tematizimi i kësaj bashkëlidhjeje në kohën tonë – bash 80 vjet pas zhdukjes mizore të Jokl-it (maj 1942) e më shumë se 40 vjet pas largimit të Çabejt prej nesh (13 gusht 1980) – parakupton një shqyrtim më të thelluar të përmasave të saj në aspektin shoqëror-human, çka mundëson njëherësh të njohim më mirë ‘njeriun’, më saktë pamje deri sot të panjohura ose pak të njohura të natyrës dhe karakterit të Jokl-it, deri edhe mënyrën se si i përjetoi Ai në trup e në shpirt vitet e përçudnimit antisemit. E këto tipare, sidomos ndër njerëz fjalëpakë, por mendje- e punëshumë, përshfaqen zakonisht rrallë dhe vetëm në komunikim mes miqsh që i besojnë gjithçka njëri-tjetrit, çka vjen me thënë, që në rastin tonë bashkëlidhja mësues ↔ adept, e sendërtuar në marrëdhënien Jokl Çabej të kishte arritur ndërkohë një pikë kulmore si miqësi e vërtetë dhe e pazgjidhshme mes sish.

Në rastin e Norbert Jokl-it, këto tipare të karakterit të tij e sidomos atë përjetim vuajtjesh shpirtërore ndaj dhunës naziste ne arrijmë ta përfytyrojmë sado mjegullueshëm kur lexojmë korrespondencën e tij të njohur me ish-mësues dhe kolegë të ndryshëm të kohës, si p.sh. Paul Kretschmer, Carlo Tagliavini etj., të cilët i shteruan të gjitha mundësitë me shpëtuar ‘njeriun’, sikurse sosh me ish-nxënës, intelektualë e politikanë shqiptarë të të gjitha rrymave, që i vunë vetes si detyrë sa morale aq edhe patriotike të shpëtonin përpos ‘njeriut’ edhe ‘albanologun’ e madh. Këto përfytyrime, qoftë edhe si pjesë e së vërtetës, kushtëzohen deri diku me faktin se në shumësinë e rasteve lexojmë dhe njohim vetëm kumtin ose letërkëmbimin e njëanshëm të kolegëve gjithfarësh dhe të miqve shqiptarë, ndërkohë që vetë Jokl-i hesht, domethënë që edhe në ato pak letra të shkruara prej tij ai kufizohet të shkruajë vetëm për mundësitë me u shpërngulur gjetkë e për të çuar gjetiu një jetë sado të thjeshtë, por të paqme, të cilën s’arrinte ta perceptonte ndryshe larg bibliotekës dhe tavolinës së punës.

“Udha e jetës së N. Jokl-it është e thjeshtë, siç ishte njeri i thjeshtë edhe ai vetë”, kumton nxënësi i dikurshëm Eqrem Çabej në fjalën e vet përkujtimore në “Colloquiumin Albanologjik në përkujtimin e Prof.-univ. dr. Norbert Jokl” (Innsbruck, më 28.9.-3.10.1972; f. 3). Andaj nuk bëjmë çudi që në hapësirën plot 21 faqe të asaj kumtese ngjërojmë gjithë-gjithë 13 rreshta që portretizojnë kursyeshëm për të parën e ndoshta të fundit herë karakterin e Norbert Jokl-it:

“E kam të pamundur të përshkruaj karakterin njerëzor të këtij dijetari. Me aq sa kam pasur nderin ta përjetoj nga afër si nxënës i tij prej një njohjeje – e madje mund të them miqësie – shumëvjeçare, Norbert Jokl-i ishte njeri i parimeve.[…], në marrëdhënie të përditshme me kolegë dhe nxënës gjithmonë dashamir, i gjindshëm dhe tejet korrekt. Në mënyrën e vet të jetesës ai përçohej prej atij parimi, të cilin e kishte bërë pjesë inventari [jetik] qysh në vitet e rinisë prej leximit të Kant-it dhe Bacon-it: de nobis ipsis silemus. [për veten tonë ne heshtim.] Në leksione përkujdeste me dëshirë zbatimin e metodës dialektike në pyetje-përgjigje… Në kritikën shkencore ai ndiqte kryesisht parimin:  Suaviter in modo, fortiter in re [I butë në mënyrë, i fortë në thelb]”.   (f. 19)

Sa i përket kësaj njohjeje deri miqësie shumëvjeçare, për të cilën Çabej ndihet i nderuar, këtë konstatim nuk e hasim më gjëkundi në shkrimet e tij. Pas gjase edhe Çabej i mbetet besnik parimit: ‘de nobis ipsis silemus.’ E këtë rrethanë e rëndonte dikur edhe mosnjohja e një letërkëmbimi të mundshëm me Çabejn në trashëgiminë epistolare të Jokl-it që ruhet sot e gjithë ditën në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (ÖNB).[1] Një rrethanë fatlume përjetojmë gjithsesi në arkivin e familjes Çabej (Tiranë), ku ky letërkëmbim është i pranishëm, edhe pse i njëanshëm, meqë në të ruhen vetëm letra të Jokl-it drejtuar Çabejt. Janë shi këto letra që i dhanë formë e shtat edhe realizimit të këtij shkrimi.[2]

Për arsye vendi do të përqendrohemi në vazhdim në do pasazhe që përcjellin dhunti të natyrës dhe karakterit njerëzor të Jokl-it, sikurse edhe gjendjen e tij shpirtërore nën trysninë e dhunimit të çdo të drejte humane, deri edhe episode të përjetimit të një miqësie shumëvjeçare, të skalitur në bashkëlidhjen mësues ↔ nxënës/adept.

Disponojmë ndërkohë gjithë-gjithë 6 letra të Jokl-it drejtuar Çabejt në një hapësirë kohore prej thuajse 5 vitesh (30 mars 1937 – 27 shkurt 1942), që përkon pak a shumë me fazën e fundit të jetës së Jokl-it, bash kur iu nënshtrua përfundimisht përçudnimit nazist. Përjashtim bëjnë nga kjo fazë dy letra që datojnë vitin 1937, pra në një periudhë kur Austria nuk i ishte bërë ende pjesë e Gjermanisë naziste. Ndër këto letra, 5 rezultojnë të dërguara prej Jokl-it me rrugë postare, përpos letrës së fundit, dhënë dorazi prej Carlo Tagliavini-t që ndodhej atë kohë në Vjenë. Siç pritej atëbotë, letrat hapeshin dhe kontrolloheshin prej organeve përkatëse: Oberkommando der Wehrmacht.

Madje nuk kemi përse bëjmë çudi që Jokl-i si adresues ishte i detyruar sipas rastit të bënte të dallueshme origjinën e tij hebrease, duke i shtuar emrit llagapin ‘Israel’.

Bashkëlidhja e letrave në përmbajtje me njëra-tjetrën na lejon të mëtojmë se së paku pesë të parat të kenë qenë edhe i gjithë numri i atyre të hartuara prej Jokl-it. Ndërmjet letrës së pestë dhe asaj të gjashtë mund të ketë ndonjë boshllëk që duhet hulumtuar më hollësisht. Numri i letrave, kartolinave dhe i kartave postare të dërguara nga Çabej duhet të ketë qenë shumë më i madh (pa rrokur këtu edhe dërgesat e materialeve të botuara prej njërit apo tjetrit autor), madje këto të fundit rezultojnë të jenë dërguar mote para vitit 1937, ndoshta menjëherë pas viteve 1933/34, kur Çabej promovoi në Vjenë dhe u kthye për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.

Letra nr. 1: 30.03.1937

[Përgjigje letrës dhe telegramit të Çabejt më dt. 21 dhe 24 mars 1937]

Këtë situatë mësojmë së paku në letrën e parë të Jokl-it, ku ai merr shkas prej një letre të mëparshme të Çabejt dhe një telegrami urimi me rastin e 60-vjetorit të lindjes së tij:

„Shumë i nderuar zoti Dr.![3] | I dashur mik! | Prej kohësh, mund të them, prej vitesh kam dashur t’ju shkruaj me hollësi dhe faj është pikërisht ngarkesa ime e jashtëzakonshme [në punë], ajo çka nuk e përmbushi këtë detyrim. Pra jo se nuk kam menduar shpesh e më shpesh për ju; përkundrazi nuk kalonte e kalon thuajse asnjë ditë që unë nuk çoj mendjen te ju, dëgjuesi im më i dashur dhe miku i vyer. Ja që tash më vjen telegrami juaj i dt. 24 mars dhe letra juaj e ndjerë dhe dashamire e dt. 21 mars. Do të ishte thuajse mëkat, po të doja të shtyja më tej letrën e hollësishme të planifikuar prej kohësh. Shpresoj të mos ma merrni për keq këtë heshtje të tejzgjatur; shpresoj shumë për këtë,  sepse besoj pikërisht që ju më njihni shumë mirë.“ (f. 1)

Në këtë letër Jokl-i skicon thukët me dorën e vet tipare të natyrës e të karakterit të tij  njerëzor:

„Që ju në letrën tuaj përcillni tone ndjenjash, kjo më ka prekur shumë. Ju e dini që unë gjithnjë, në mos thuajse gjithmonë përçohem prej parimit, të cilin e kam përvetësuar si pjesë inventari [jetik] në rini, shi në një kohë kur në një farë mase merresha edhe me lexime filozofike prej Kant-it dhe Bacon-it: De nobis ipsis silemus. Veçse këso rasash, siç është 60-vjetori, njeriu detyrohet të mos i qëndrojë besnik një devize të tillë…“ (f. 1-2)

Në këtë letër Jokl shprehet ndër të tjera për angazhimin e dyfishtë që ndikon në njëfarë mase edhe në kërkimet e veta shkencore:

„…Ngarkesa e dyfishtë: si bibliotekar… dhe puna shkencore është [kockë] e fortë. Puna shkencore duhet t’u përmbahet detyrimisht caqeve të fiksuara si të tilla, meqë kapacitetet e punës nuk mund të rriten sipas rastit. Tani unë jam 60 vjeç; e ndërsa më parë nuk kishte kuptim, të gjykoja në këtë pikë për fatin tim, kjo gjë do të ishte tash shumë më pak e dobishme, meqë unë aty nga fundi i vitit 1938 e përmbush kohën e angazhimit tim si bibliotekar.“ (f. 2)

Ja që këto punë nuk erdhën e u kavërdisën më pas, bash ashtu siç parashikonte Jokl-i atëbotë, pas daljes së tij në pension. Përndryshe ai informon në këtë letër mikun e tij të dashur kryesisht me çështje të natyrës specifike shkencore, duke përcjellë natyrshëm edhe prirjet e tij ndaj detyrimeve në punën e mirëfilltë shkencore, si vijon:

„Ndërkohë jam i zënë kryesisht me punën mbi Historinë e hulumtimit të trakishtes, frigishtes dhe ilirishtes, të cilat i kam marrë përsipër mbi [projektin] Bazat e Gjuhësisë Indoeuropiane në vend të prof. Kretschmer (me dëshirën e tij urgjente). Meqë unë kisha për të trajtuar të njëjtën temë, edhe pse nga një tjetër perspektivë, për Eberts R[eal]-L[exikon], ndjehem ndonjëherë si bjerraditës. Për shkak të kësaj pune mbi historinë e kërkimit [shkencor] jam i privuar të përmbyll punë të tjera që i kam gati për shtyp, por që kanë thjesht nevojë të rihidhen në [letër] të pastër e të plotësohen me të dhënat e fundit.“ (letra nr. 1, f. 2-3)

Domethënës në këtë letër është edhe shënimi postscriptum mbi fotografinë e një viti më parë (1936) me rastin e pranimit të tij si anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencave në Kopenhagë, ndërkohë që në vetë fotografinë lexojmë në fund përkushtimin:

„Zotnís së Tij prof. dr. Eqrem Çabej për shêj miqësie edhe kujtimi. Dr. Norbert Jokl.“

Letra nr. 2: më 29. dhjetor 1937

[= Përgjigje letrës së Çabejt më dt. 23 dhjetor 1937]

Në këtë 3-faqe-letër Jokli i përcjell Çabejt përjetimet e paharrueshme që pati gjatë vizitës së tij të parë dhe të fundit në Shqipëri (Tiranë, fundi i nëntorit 1937) me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë e më pas të kthimit të tij drejt Vjenës (30.11.-3.12.1937), pasi kishte kishte vizituar ndërkohë edhe Tagliavini-n në shtëpinë e tij (Bologna), ku i kishte lënë mbresa të forta biblioteka e tij tejet e pasur. Në këtë letër përjetojmë edhe ndonjë çast humori – paçka se nuk ishte gjithmonë e vetëkuptueshme në natyrën e Jokl-it (!!!) –, sa i përket lodhjes që pati gjatë kësaj vizite dhe se ç’punë e priste në bibliotekë:

„Po të shkonin punët sipas dëshirave të mia, atëherë do t’ju kisha shkruar me kohë. Veçse pas kthimit në atdhe më priste një baticë e tillë pune, saqë m’u desh, edhe pse me keqardhje, të spostoja të gjithë korrespondencën… Në orën 4 pasdite vijova udhëtimin [nga Bologna] për në Vjenë, ku mbërrita të nesërmen më dt. 3 [dhjetor] në orën 8 të mëngjesit. Unë shkova në shtëpi, u ndërrova dhe u nisa menjëherë drejt e në bibliotekë. Pasdite mbajta leksionin tim dhe isha pastaj sigurisht i vdekur prej lodhjes.

Pasi në Vjenë, sidomos në Bibliotekë m’u desh të përballem me një mal punë, thashë se: dardha ka bishtin mbrapa…“

Jokl-i e mbyll letrën e tij të dytë me urimet e përzemërta për vitin 1938. Të njëjtat urime i kishte shkruar, pas gjase, më parë edhe Çabej në letrën e tij më dt. 23.12.1937.

Viti 1938

Që ky vit i gllabërimit të Austrisë në Rajhun e 3-të (mars 1938) Jokl-it sikurse – në rast se të dhënat përkojnë me realitetin – thuajse gjysmës së personelit të Universitetit të Vjenës nuk u solli fat fanmirë, me këtë rrethanë është mirënjohur prej kohësh bota shkencore albanologjike. Sa i përket korrespondencës në fjalë, vërejmë se ky vit dëshmon një boshllëk në letërkëmbim, pa qenë se arrijmë të identifikojmë ndonjë arsye të caktuar.

Gjithsesi, në rast se i përmbahemi angazhimit social të Çabejt në këtë kohë, vijmë natyrshëm në përfundimin, që ai mundi dhe diti të pikasë jo vetëm fatin e pafat që e priste Jokl-in në ato rrethana të rënduara që përjetonte atëbotë e gjithë Austria, por edhe të përsiaste atë detyrim qoftë edhe moral të botës shqiptare për t’i shpëtuar Jokl-it jetën, përkatësisht për t’i krijuar atij mundësitë me vijuar pa shqetësime të rastit kërkimet e tij në albanologji.

Prashtu, lejohemi të ndjekim Eqrem Çabejn in personam në shkrimin „Prof. Norbert Jokli“ në revistën e kryeqytetit „Përpjekja Shqiptare“, pikërisht në fletoren e saj të muajit prill (nr. 16, viti 1938), që vjen me thënë dy-tri javë pas asaj ngjarjeje, kur Çabej lëshon thirrjen e parë të alarmit, si vijon:

„…Pasojat e rrymës antisemitike – parim nga më kryesorët të Nasionalsocializmit – që hyri, me realizimin e Anschluss-it [Bashkimit] edhe në Austri, u duknë qysh në mëngjezin e 12 marsit të kaluar, dit’ e aneksimit të Austrisë Shtetit Gjerman. Nj „halt“ ju dha që n’atë çast aktivitetit ebré. …Si përfundim i të gjithave vjen vetiut spastrimi i jetës së ebrejve në tokat austriake. Një është për ta udha e shpëtimit: shpërngulja…

Prof. Jokli, si çdo tjetër ebré i Austrisë, pas kaqë kohësh shërbimi të vlefshëm në degën e tij, ikën nga Austria. Është tani një irrident që as ai vetë nuk di të vendosë për ku po e merr drejtimin.…

Gjëjmë rast për të shfaqur edhe né një lutje t’onën që është pa dyshim ajo e gjithë intelektualëve të vëndit. Në një kohë kur jemi duke bërë hapat e duhura – siç e kemi relatuar edhe herë tjetër – për ngrehjen e një Instituti Albanologjik në Tiranë, na duket e arësyeshme e shum me vënd se thirrja e prof. Joklit për t’a vendosur në krye të këtij instituti do të ishte një vepër nga ato që s’mbeten pa lënë gjurmë në fushën e përpjekjes kombëtare… Për neve një vepër e tillë nuk do të ish vetëm një hap drejt realizimit për çka duam të bëjmë, por do të quhesh – me plot të drejtë – edhe një shënjë e shquar respekti e shqipëtarëve të lirë kundrejt atit të Albanologjisë, atij që i ka konsakruar pjesën më të madhe të jetës së vetë kësajë diturije.…“

Kjo thirrje e parë e Çabejt u shoqërua më pas – deri ditën e arrestimit të Jokl-it më 3/4 mars 1942 – me përpjekje të vazhdueshme prej të gjitha rretheve intelektuale shqiptare qoftë në Shqipëri, qoftë në diasporë, sidomos në SHBA. Përjetojmë këtë kohë dhe vitet në vazhdim (deri në fund të shkurtit 1942) një lloj gare në jetën sociale-intelektuale shqiptare, se si dhe kush mund t’i shpëtonte jetën Jokl-it, duke i përmbushur atij të gjitha kushtet me vijuar punën e tij shkencore. Kemi të bëjmë pa ekzagjeruar aspak me unikat në historinë e kulturës shqiptare, se si ish-nxënës të tij, studentë shqiptarë në Austri e gjetkë, intelektualë, klerikë, qeveritarë dhe ente ministeriale të rrymave ndër më të ndryshmet, politike-ideologjike dhe kulturore-fetare, deri edhe fashistë të deklaruar u bënë njësh me synimin për të shpëtuar njëherësh “njeriun” dhe “studiuesin albanolog” prej përndjekjes naziste: gjithçka rezultoi e pamundur![4]

Meqë këto përpjekje janë dokumentuar ndërkohë shterueshëm në historinë e kulturës shqiptare, le të vijojmë me letërkëmbimin tonë për vitet në vazhdim.

Se si e priti Jokl-i pushimin e tij nga puna pak para daljes në pension e çfarë traume përjetoi bibliotekari ynë kur iu mohua e drejta për të shfrytëzuar shi bibliotekën e universitetit[5], këto rrethana i mësojmë sado kalimthi në letrën e tretë që datohet më 19 janar 1939.

Letra nr. 3: 19 janar 1939

[= Përgjigje ndaj letrës së Çabejt të dt. 8 janar 1939]

Krahas urimeve për Vitin e Ri 1939 dhe shkëmbimit të kurdogjendshëm të mendimeve dhe botimeve shkencore vërejmë në këtë letër një keqësim të dukshëm të gjendjes shpirtërore të Jokl-it. Kështu, ai shkruan ndër të tjera:

„Sa i përket asaj çështjeje që ju përmendni në letrën tuaj, ju mund ta mendoni, se kjo gjë më preokupon seriozisht prej kohësh. Në punë shkencore këta dy muajt e fundit nuk kam mundur të punoj shumë, për shumë arsye. Deri në kohën e përmendur gjithçka ishte ndryshe…“

Jokl-i përgjigjet në këtë letër edhe lidhur me mundësitë e punësimit në Shqipëri, të cilat i vinin pas gjase nga shumë drejtime:

„Lidhur me çështjen në fjalë unë për fat të keq nuk jam shumë i qartë. Prej planit zanafillës (Institut) duket që të jenë përftuar ndërkohë kushtet e nevojshme. [Veçse] së paku në fund të dhjetorit [1938] erdhi një propozim krejt tjetër (anëtar i Komisionit Tek[nik]) Në përgjigjen time – gjithsesi pa dorëzani – ndaj propozimit të parë unë ju kisha përmendur edhe juve. Përgjigja e dhjetorit heshtte për këtë, si edhe për të gjithë propozimin e parë, i cili ishte bërë spontanisht prej posteve kompetente. Kështu që përkohësisht gjithçka mbetet e paqëndrueshme.“ (f. 1)

Letra nr. 4: 17 prill 1940

[Përgjigje ndaj letrës së Çabejt më dt. 10 janar 1940]

Krahas ngushëllimit të thellë dhe fjalëve të ngrohta mbi vdekjen e të atit të Çabejt, përballemi në këtë letër me momente emocionuese lidhur me vuajtjet shpirtërore që përjeton ndërkohë Jokl-i, duke vlerësuar njëherësh edhe marrëdhënien miqësore me nxënësin tij:

„Së fundi edhe do lajme mbi gjendjen time. Që unë rrekem sa mundem të vijoj punët e mia, për këtë nuk kam nevojë të të shkruaj; një jetë pa punë kërkimore do të ishte për mua e padurueshme. Veçse ju mund ta mendoni, që kushtet aktuale me vijuar punët e mia nuk janë të përshtatshme. Andaj ju falënderoj me gjithë zemër ju, mik i dashur, dhe gjithë ata zotërinj, bash Shkëlqesinë Dr. [Ernest] Koliqit, dhe prof. A[leksandër] Xhuvanit, të cilët përpiqen njëlloj si ju të më krijojnë kushte pune të përshtatshme dhe shpërnguljen në vend[in tuaj]. Me gjithë pasigurinë ndrydhëse dhe gjymtuese të të gjitha kushteve të mia të punës unë nuk dua asesi të humbas durimin. Për mua ishte një kënaqësi e madhe të mësoja [prej jush], që vitet tuaja të studimit në Vjenë kanë lënë mbresa përzemërsie dhe miqësie ndaj meje. Kujtimet e mia i përcjellin shpesh e me kënaqësi ato vite bashkëpunimi me ju lidhur me bisedat e shumta e nxitëse për çështje të gjuhësisë dhe të historisë shqiptare, të cilat bënin të fluturonin orët. Letra juaj nxit të shfaqen po aq gjalla këto kujtime.“ (f. 2-3)

Letra 5: 22 shkurt 1941

[Përgjigje ndaj letrës së Çabejt më dt. 8 dhjetor 1940]

Letra e radhës adresohet në banesën e Çabejt në Romë, ku ndodhej ndërkohë si bashkëpunëtor shkencor në projektin Atlasi dialektologjik i shqipes, me detyrën për të zhvilluar kërkimet në terren tek arbëreshët në Italinë e Jugut dhe në Sicili.

Kjo letër lë të kuptohet qartë, që gjendja e rënduar shpirtërore e Jokl-it ka arritur një pikë kulmore:

„Në rast se përgjigjem tash, kjo ka të bëjë me faktin që unë gjithë kohës e sidomos javët e fundit përjetoj trysninë e problemeve ndër më të vështirat, të cilat nuk i kam njohur më parë. Një gjendje e tillë paralizon çdo lloj fuqie vendimmarrëse.“ (letra 5: f. 1)

Gjithsesi në këtë letër nuk mungojnë kumte fatlume lidhur me suksesin e parashikueshëm të nxënësit dhe mikut të tij në karrierën e vet si historian albanolog, çka e gëzon tej mase Jokl-in në rolin e mësuesit të dikurshëm:

„Veçse kjo nuk do të thotë aspak, që mua lajmet tuaja nuk më bëjnë përshtypje dhe u qëndroj  me mospërfillje. Gjithçka që ju më kumtoni lidhur me angazhimet dhe planet e reja, zgjoi tek unë, me gjithë hallet e mia të rënda vetjake, gëzimin më të ndjerë. Dorëzania me hulumtime albanologjike për atlasin gjuhësor është detyra shkencore më tërheqëse, më e rëndësishme dhe më frutdhënëse për zhvillimin tuaj, një detyrim, i cili as mund t’i përcillej më bukur një albanologu të ri në përgjithësi. Që kjo detyrë ju besua pikërisht juve, mikut tim të dashur, një adepti të shkollës vjeneze, në formimin e të cilit, kam edhe unë pjesën time, kjo është pikërisht ajo çka e lehtëson sadopak atë hidhësi të tejmase, që përjeton ndërkohë fati im.“ (letra 5, f. 1)

Veçse me këtë fat të pafat Jokl-i nuk pajtohet asesi, andaj vazhdon:

„Sa fatlum do të isha unë, sikur të mund të vlerësoja rezultatin e hulumtimeve tuaja leksikore, dialektore dhe etnografike edhe për fjalorin etimologjik. Veçse a do të ma lejojë ky fat përpunimin dhe përfundimin e kësaj vepre, për të cilën unë, siç e dini mirë, kam mbledhur prej dekadash aq shumë material dhe kam realizuar punë paraprake (në fund të fundit thuajse të gjitha punët e mia janë parapërgatitje për këtë libër)? Nuk e di, veçse dua të përpiqem edhe njëherë t’u bëj ballë pa u thyer  të gjitha vështirësive…“ (letra 5, f. 1)

Asgjëmangut fraza „t’u bëj ballë“ për Jokl-in do të thotë: Puna kërkimore vazhdon në çdo rrethanë!, si vijon:

„Sado e vështirë që është [bërë] jeta ime, unë kam punuar megjithatë përgjatë gjithë dimrit, vetëm kohët e fundit nuk kam mundur të vijoj aspak këtë punë. Bëhet fjalë për një kontribut mbi shpjegimin e emrave të pjesëve të trupit dhe për dukuri gjuhësore gjegjëse, një trajtim ky, për të cilin kam përpunuar deri tani një sasi prej 40 faqesh në makinë shkrimi; mungon ende aty te një e treta, kështu që – parakupto që do ta kem atë fat ta përmbyll këtë punë – do të rezultojë prej saj një monografi më e gjerë me rreth 60 faqe. Unë besoj se kam mundur të ofroj një aradhë rezultatesh dhe shpjegimesh të reja, të cilat në fakt edhe për fjalëformimin janë të rëndësishme për t’u njohur.“ (letra 5, f. 1-2)

Jokli shprehet gjithashtu në këtë letër se nuk e ka humbur shpresën, që shqiptarët sikurse edhe kolegët e tij italianë (Tagliavini etj.) po shfrytëzojnë të gjitha mundësitë me i siguruar atij një vend të sigurtë në Shqipëri ose në Itali. Andaj ai lutet ndoshta për të fundit herë për mbështetje të mëtejshme edhe prej nxënësit të tij:

„Prashtu po kaloj në problemet e mia. Prof. Tagliavigni. Më shkroi më dt. 18 shtator 1940, që si ai ashtu edhe shkëlqesia dr. Koliqi po përpiqen dhe do të përpiqen më tej në entet [zyrtare] përkatëse në Romë dhe Tiranë, në mënyrë që mua të më lejohet qëndrimi në Shqipëri; ai shkroi më tej se Konti C[iano] është shprehur parimisht dakord. A nuk mund ta nxisni ju lutem këtë çështje. Në rast se Shqipëria vjen tash në shqyrtim, unë do të isha i kënaqur me një qëndrim të përkohshëm në Itali. Edhe Àt Fishta, i cili për keqardhjen time e ka bekuar jetën [= kohën], ishte i angazhuar për një leje qëndrimi të kësaj natyre për mua[6]. A mund të hyni ju p.sh. në koordinim me Prof. Bartoli-n dhe Prof. Tagliavini-n? Ose eventualisht të ndërhyni, nëmos të nxisni ndërhyrjen pranë Sekretarisë së Shtetit për Shqipërinë? Unë nuk do të guxoja t’ju drejtohesha juve me këtë lutje, në rast se Prof. Tagliavini në letrën e përmendur më lart nuk do të vinte në pah, që sipas informacioneve të tij autoriteti përkatës do të ndërmerrte për mua të gjitha lehtësimet e mundshme. Veçse ndihma urgjente bëhet kur të zë halli; bëhet fjalë për bazat e gjithë ekzistencës sime, edhe për ato të miat shpirtërore; dhe besoj të kem qëmtuar prej nëntorit [= ndërmjet rreshtave] të letrës suaj të dt. 8 dhjetor, se edhe ju e dini ta ndjeni këtë.“ (letra 5, f. 1)

Respekt e mbresë të veçantë mirënjohjeje meriton në këtë letër paragrafi përmbyllës, kur Jokl-i përshkruan edhe një përjetim fatlum prej nxënësit të vet:

„Ju falënderoj me gjithë zemër për dërgesën e librit të Kutelit. Në të njëjtën kohë me ekzemplarin tuaj u erdhi edhe një ekzemplar i dërguar prej Gerold-it, përkatësisht Lumo Skëndos. Një ekzemplar unë ia kalova mikes sonë, znj. Prof. dr. Wahrmann, për çka besoj, se edhe ju, siç mendoj, do të jeni dakort. Znj. Prof. dr. Wahrmann ju bën të fala të përzemërta; ne kemi lexuar shpesh së bashku, sa kohë që për mua ishte ende e mundur, tekste shqip, duke pasur kështu një lloj ditë diskutimesh albanologjike.“ (letra 5, f. 2)

Letra 6: 27 shkurt 1942

Letra e gjashtë dhe e fundit e Jokl-it daton më 27 shkurt 1942. Atë do t’ia dorëzojë Çabejt dorazi Carlo Tagliavini, i cili ndodhej ndërkohë për vizitë në Vjenë. Kjo letër të lë fillimisht përshtypjen, se kemi të bëjmë ndoshta me një ndërprerje të letërkëmbimit përgjatë vitit 1941 e fillimit të vitit 1942. Me siguri mund të shtojmë këtu  kemi në rastin konkret një letër shoqëruese për dy separate punimesh të Jokl-it, të cilat do t’i dorëzonte gjithashtu Tagliavini:

„Mik i dashur!

Unë po shfrytëzoj praninë e prof. Tagliavini-t në Vjenë, për t’ju mundësuar dy separate („E folmja e Borgo Erizzo-s në Dalmaci“ dhe raportin e letërsisë albanologjike në Indogerm[anisches]. Jahrb[uch], bl. XXIV). Punën e pritur fillimisht jua dërgova ndërkohë në gusht 1940, d.m.th. pas botimit e nëpërmjet z. Konsull Rrota.

Për fat të keq ky ekzemplar nuk ju ka rënë në dorë, ndërsa për ekzemplarët e tjerë – unë dërgova atëbotë 20 copë – të adresuarit pjesërisht më kanë miratuar mbërritjen e dërgesës. Me shkas të [pranisë së] prof. Tagliavini-t po ju dërgoj ekzemplarin e dytë.

Shumë, shumë falemnderit për të gjitha letrat tuaja dhe për kutinë shumë praktike që solli me vete prof. Tagliavini. Letrën time të fundit ndoshta do ta keni marrë. Gjithçka tjetër do t’ju tregojë prof. Tagliavini.

Me përshëndetje të përzemërta
I juaji tejet i devotshëm
Norbert Jokl

Me urgjencë.“

Mbi gjendjen e Jokl-it ato çaste e nëse Çabej do të mund të ndërmerrte diçka për të, kjo lë vetëm të kuptohet në fjalinë e fundit para përshëndetjes ndarëse: „Gjithçka tjetër do t’ju tregojë prof. Tagliavini.“ e ndoshta edhe fraza më e fundit e nënvizuar: „Me urgjencë“.

Përfundim

4/5 ditë më pas, më datë 3 a 4 mars 1942, Norbert Jokl-i u arrestua në banesën e tij në Vjenë (VII Neustiftgasse 67-69) duke u dërguar fillimisht në kampin e grumbullimit në Wien-Leopoldstadt, Castellezgasse 35, për t’u transportuar më vonë në kampin e shfarosjes në Maly Trostinez pranë Minsk-ut. Ai nuk arriti ta shohë më banesën e vet me dhomën e punës dhe me fondin e pasur albanologjik që kishte mbledhur prej thuajse katër dhjetëvjeçarësh.

Pas 30 vjetësh, miku i tij i dashur dhe nxënësi besnik Eqrem Çabej përshkroi me afërsi zhdukjen e tij mizore:

“Unë nuk i njoh në detaj rrethanat e Golgotha-s së tij; ato ndoshta do të mbeten edhe në të ardhmen të panjohura dhe është po ashtu e vështirë të përsiatësh, atë çka ai mund të ketë vuajtur nën trysninë e rëndë shpirtërore para fundit të vet. Këtu sendërtohen rishtas fjalët e Martial-it: Ille dolet vere qui sine teste dolet. [Vuan vërtet ai që vuan pa dëshmitarë]” (Çabej [Innsbruck, am 28.9.1972] 1974, S. 4 f.)

(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Së paku nuk na kumton gjë njohësi më i plotë i saj, Lazar Dodić, që emrin e Çabejt e regjistron vetëm në ndonjë material në dorëshkrim, ku Jokl-i  e falënderon shprehimisht për ndihmën e dhënë.

[2] Falënderoj me këtë rast përzemërsisht vajzën e prof. Çabejt e kolegen e çmuar Brikena Çabej për ndihmën e pakursyer, duke më vënë në dispozicion materialin arkivor që i dha formë e kuptim këtij shkrimi.

[3] Rasti i parë dhe i fundit që Jokl-i përdor këtë frazë në korrespondencën me Çabejn.

[4] Në letërkëmbimin me Jokl-in sikurse në diskursin publik shfaqen emra intelektualësh dhe zyrtarësh të të gjitha rrymave në kulturën dhe politikën shqiptare të kohës, ndër të tjerë: Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Selman Riza, G. Shoshi, Rexhep Krasniqi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, A. Gashi, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, Luigji Marlekaj, Lef Nosi, Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Mustafa Merlika-Kruja, Kolë Rrota etj. deri te pushtetarët fashistë të kohës si: Jakomoni, Konti Ciano deri edhe Benito Musolini

[5] Kërkesa e dikurshme Jokl-it për të vizituar bibliotekat shkencore të kohës si „hebre i përzier në gradën e dytë“ nuk pati gjithashtu sukses.

[6] Vdekur më dt. 30.12.1940.