VJELËSIT E QERSHIVE (III)

Te kjo pjesë e tretë do të sjell shembuj të tjerë të çfarë në zhargonin akademik anglo-sakson njihet si cherry picking: një rrejshmëri logjike (logical fallacy) e quajtur edhe rrejshmëria e provave të paplota dhe që ndodh kur një studiues përdor shembuj individualë, të dhëna ose referenca specifike që duket sikur konfirmojnë një pozicion të caktuar, por njëherazi lë jashtë një pjesë tjetër shembujsh, të dhënash ose referencash të ngjashme, që e kundërshtojnë atë pozicion.

Kultura e Komanit

Kjo kulturë është e rrallë për nga vlera, sepse dëshmon për një periudhë fare pak të njohur, të Mesjetës së hershme, në trojet arbërore. Studiues të ndryshëm i kanë dhënë interpretime të ndryshme – duke e identifikuar si parashqiptare (post-ilire), kalimtare (nga protoshqiptarët te shqiptarët), ose romane.

Sipas historianit Noel Malkolm (Kosovo, a Short History),

Disa arkeologë shqiptarë janë përpjekur shumë që të provojnë se kultura e qytezës së fortifikuar të Komanit, në shekujt VII dhe VIII, përbën provë thelbësore të vijueshmërisë iliro-shqiptare; por gjetjet materiale nuk na thonë se ç’gjuhë flisnin njerëzit që banonin aty […], dhe afëritë kulturore kryesore, në këtë rast, duket të kenë qenë me qytetet romake-bizantine, latinisht-folëse, të shekujve të mëparshëm.

Pa u futur në hollësitë e argumenteve që i ndajnë arkeologët dhe historianët në të paktën dy grupe, kur vjen fjala për identifikimin e kulturës në fjalë, këtu po dua vetëm të vërej se, për ligjërimin historik divulgativ dhe kombëtarist, merret tashmë si e mirëqenë që kultura e Komanit ka qenë “arbërore” ose e “shqiptarëve të hershëm”, dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Cherry picking? Është karakteristikë e ligjërimit me rrënjë në ideologji (konkretisht e ligjërimit kombëtarist) që të mos i tolerojë çështjet e pazgjidhura, qëndrimet e kundërta, problemet e hapura; dhe ashtu të zgjedhë forcërisht mes alternativave, duke e prezantuar pastaj zgjedhjen si zgjidhje.

Ilirishtja apo trakishtja

Pozicioni zyrtar i dijes albanologjike shqiptare është se shqiptarët rrjedhin prej ilirëve dhe shqipja prej ilirishtes; në një kohë që teza alternative, se shqiptarët rrjedhin prej trakëve dhe shqipja prej trakishtes (dakishtes) është gjykuar në rastin më të mirë si e pambështetur dhe në rastin më të keq si “antishqiptare”.

Sërish, nuk dua të hyj në hollësitë e debatit dhe as të peshoj argumentet e njërës palë ose të tjetrës – personalisht e gjykoj tezën ilire si më të mbështetur me argumente. Dua vetëm të vë në dukje se teza që shqipja rrjedh prej ilirishtes (përkatësisht trakishtes) nuk është shkencërisht e provuar, sa kohë që këto dy gjuhë, edhe ilirishtja edhe trakishtja, mbeten të padokumentuara.

Arsyeja pse establishmenti akademik në Shqipëri dhe pastaj edhe në Kosovë kanë përqafuar unanimisht hipotezën ilire nuk është aq shkencore, sa ideologjike. Sot kjo hipotezë merret si e konfirmuar dhe vënia e saj në dyshim i damkos njerëzit si “të paguar nga sllavët”. Për shkak të ideologjisë – ose më mirë, nevojave të ideologjisë për narrativa (pseudo)historike – është lejuar cherry picking të sundojë në mënyrë absolutiste, duke e kthyer hipotezën në dogmë.

E vetmja hipotezë që mund të gjykohet si e konfirmuar, për prejardhjen e shqipes, është ajo që e sheh si gjuhë të familjes indoeuropiane (nëse ajo do të dobësohet në të ardhmen, kjo me gjasë do të ndodhë po të dobësohet edhe vetë hipoteza e familjes indoeuropiane dhe modeli i përhapjes së gjuhëve të kësaj familjeje). Edhe pse ka pasur autorë, këtu e 150, 200 a më shumë vjet më parë, që e kanë nxjerrë shqipen si gjuhë të Kaukazit, ose si të rrjedhur nga hebraishtja, këto hipoteza tashmë janë rrëzuar dhe injorimi i tyre nuk përbën cherry picking. Sërish, paraqitja si e vërtetë, e një hipoteze e cila bashkëjeton me alternativat e veta, i bën dëm shkencor hipotezës vetë, duke e kaluar në dogmë.

Ndikimi i latinishtes në strukturën gramatikore të shqipes

Shumë autorë tanët nguten të citojnë këtu Holger Pedersen-in, për të konfirmuar se ky ndikim ka qenë “baras me zero”; dhe ashtu vendosin, me vetëdije, të shpërfillin të gjitha argumentet kundër, provat se latinishtja ka lënë në fakt gjurmë në gramatikën e shqipes – veçanërisht në disa zhvillime të sistemit foljor, përftimin e kohës së kryer analitike me anë të foljes kam (kam punuar) dhe të së kryerës së pësores-vetvetores, me anë të foljes jam (jam larë në lumë), sjelljen e trajtave të shkurtra të përemrave vetorë që paralelizon gjuhët romane (khs. shq. e kam parë, it. l’ho visto; shq. merre, it. prendilo) dhe të tjera dukuri që nuk është vendi t’i përmend këtu.

Edhe turqishtja, që pati me shqipen marrëdhënie kontakti për një kohë shumë më të shkurtër se ç’pati latinishtja dhe romanishtja ballkanike me proto-shqipen, përkatësisht me shqipen, ka lënë gjurmë jo të papërfillshme në strukturën gramatikore të shqipes – duke filluar me mbaresën e shumësit –llar(ë)/-ler(ë) dhe me një numër prapashtesash që janë bërë aktive edhe me tema jo-turqishte (p.sh. hekurxhi, fjalë e krijuar brenda shqipes), ose disa ndërtime me vlerë foljore të tipit bëj derman.

Që latinishtja dhe gjuhët romane kanë pasur ndikim të madh në proto-shqipe dhe në shqipe, kjo nuk vihet dot në diskutim; por ndikimi në strukturën gramatikore e ka bërë ndonjë albanolog ta shohë shqipen si gjuhë gjysmë të romanizuar. Ideologjia kombëtariste, e cila e ka pastërtinë një nga shtyllat e saj, nuk e pranon dot gjysmë-romanizimin; që këtej edhe nevoja për ta përjashtuar a priori ndikimin latin në strukturën gramatikore të shqipes. Lektisja pas citatit të Pedersen-it mund të sillet edhe si shembull i një rrejshmërie të njohur si quotation mining, që nuk është veçse kërkimi këmbëngulës për citate, në mbështetje të një teze të dëshiruar; shpesh duke i nxjerrë ato citate nga konteksti.

Ndikimi i latinishtes dhe i gjuhëve romane në strukturën gramatikore të shqipes nuk është gjë e konfirmuar; por vetëm një mundësi, të cilën citimi i Pedersen-it nuk e anulon dot. Që këtej, këmbëngulja me atë citat është shembull i cherry picking; dhe provë, në mos për gjë tjetër, për atë që deri edhe çështje të hapura të gramatikës historike ua trazojnë ndjeshmërinë kombëtaristëve.

Burimet antike

Shumë nga ato që dimë për banorët e hershëm jo-grekë dhe jo-latinë të Ballkanit, i kemi gjetur në tekstet e autorëve antikë – veçanërisht të gjeografëve dhe historianëve grekë. Në këto tekste ligjërimi i ruan të forta lidhjet me narrativën (rrëfimin) dhe mungon rigoroziteti metodologjik; çfarë bën, mes të tjerash, që të dhënat e nxjerra prej tyre të jenë shpesh kontradiktore ose të papërputhshme.

Të tilla janë edhe të dhënat që nxirren, prej historianëve grekë të antikitetit, për natyrën e fiseve të Epirit: këto fise ndonjëherë përshkruhen si “barbare”, ndonjëherë tjetër si “greke”; edhe kur përshkruhen si “barbare”, domethënia e këtij përcaktimi është objekt debatesh. Një autor si Katicic-i, që është përpjekur t’i shoshitë këto të dhëna, ka shkruar:

“Edhe pse autorët e vjetër i konsideronin epirotët si barbarë, duket se vendi i tyre ishte integruar plotësisht në zonën e gjuhës greke. Kjo konfirmohet nga zbulimi i mbishkrimeve nga vitet 370-368 në Dodona. Fiset e përfaqësuara atje janë mollosët dhe thesprotët. Këto tekste janë të gjitha në greqishte, të llojit veri-perëndimor, dhe emrat e njerëzve janë të gjithë grekë… Këto fise me siguri flisnin greqisht edhe para periudhës së Thuqididit. Si pasojë ky i pat quajtur barbarë pa pasur parasysh me këtë ndonjë gjuhë jo-greke.”

Për të përfunduar:

“Epiri mund të përmendet si shembull një vendi me një popullsi jo-greke në kufi të botës greke”

Kush fillon të qëmtojë në debatet, kundërshtitë dhe polemikat për natyrën “etnike” të Epirit në lashtësi, do të bindet se zgjidhjet mbeten shumë larg – dhe se është shumë e vështirë që ta trajtosh ndarazi qytetërimin grek (si proces), nga identiteti etnik i fiseve që jetonin në Epir. Këtë vështirësi, shkrimtarët dhe ideologët kombëtaristë kanë preferuar ta zgjidhin nëpërmjet cherry picking, ose duke cituar vetëm ata autorë, që mbështetin natyrën dhe origjinën jo-greke të banorëve të Epirit; dhe, më mirë akoma, ata autorë që mendojnë se Epiri i lashtë banohej prej ilirëve. Automatikisht, autorët dhe studiuesit e tjerë, me mendime të tjera ose të kundërta, edhe në qoftë se përmenden, do të stigmatizohen si “antishqiptarë”, “filogrekë” ose “të shitur”.

Artikulli në revistën Science

Për këtë artikull dhe jehonën e tij në botën kulturore shqiptare kemi shkruar gjetiu; edhe të tjerët kanë shkruar. Por sot po vazhdon të ndodhë diçka kurioze: me përfundimet e artikullit nuk po merren albanologët, por ideologët dhe, më keq akoma, rapsodët e rrjeteve sociale dhe turbo-albanologët, të cilët e përshëndetin, një ditë po një ditë jo, si konfirmim të asaj që “shqipja është gjuha më e vjetër” e të tjera përralla të ngjashme.

Po të lexosh çfarë zukatet poshtë e lart, në kosheren e opinionit publik shqip, të duket sikur ai artikull kish për objekt qendror shqipen dhe kronologjinë e ndarjes së saj prej trungut të përbashkët indoeuropian; në të vërtetë, shqipja atje zë vend margjinal, praktikisht të një fusnote, dhe kjo për faktin e thjeshtë që të dhënat për shqipen e vjetër mungojnë.

Interpretimi i artikullit, si kontribut i vyer në albanologji, është një formë e cherry picking, aq më tepër kur bëhet nga njerëz që nuk e kuptojnë (nuk duan të kuptojnë) as metodologjinë e përdorur, as mënyrën si është integruar shqipja në modelet e analizuara. Një formë tjetër, paralele e cherry picking, është rëndësia që i është dhënë artikullit, në kontekstin e studimeve indoeuropianistike, edhe pse për nga metodologjia ai artikull i qaset indoeuropianistikës nga jashtë; në fakt, përdorimi i modeleve të analizës bayesiane shënjon një shmangie nga metodologjia standard e studimeve indoeuropianistike dhe nga filozofia e kësaj metodologjie.

Vërejtje mbyllëse

Mund të sillja me dhjetëra shembuj të tjerë të cherry picking veçanërisht në ligjërimin albanologjik divulgativ (popullarizues), duke filluar nga tekstet shkollore dhe duke përfunduar në ato çfarë thuhet çdo natë prej “ekspertëve” në TV. Kjo rrejshmëri ndeshet tipikisht në argumentimet e gjysmakëve, ose të gjithë atyre që interesimin e madh për albanologjinë nuk e shoqërojnë dot me përgatitjen adekuate; dhe që janë zakonisht amatorë, të cilat tezat komplekse të albanologjisë i thjeshtojnë dhe i foshnjorizojnë jo vetëm për publikun e tyre, por edhe në radhë të parë për veten e tyre; paçka se këtë mangësi e maskojnë pastaj me krekosje retorike. Shpesh këta njerëz refuzojnë të kuptojnë se popullarizimi nuk parakupton dhe as kërkon rrafshimin e kontradiktave; teksa, nga ana tjetër, përkushtimin e tyre ndaj ligjërimit kombëtarist e shohin si licencë për cherry picking deri në shtrembërime, pasaktësira ose keqatribuime.

Njëri prej tyre, para ca kohësh, i atribuonte albanologut hungarez Istvan Schutz thënien se “jo shqipja ia mori latinit shkronjat, por latini ia mori asaj” dhe pastaj thënien tjetër se “Në shqipe flenë të gjitha gjuhët.” Sipas këtij, këto pohime gjendeshin në veprën e Schutz-it, Njolla të bardha në Ballkan (Fehér foltok a Balkánon); një vepër që unë jam përpjekur ta përkthej nga hungarishtja (me Google Translate) dhe ta shfletoj me kujdes, por pa arritur t’i gjej gjëkundi thënie të tilla. Duke qenë Schutz studiues serioz, e kam të vështirë të pranoj që ky të jetë shprehur ashtu; mbase nuk kam kërkuar mirë, dhe le ta zëmë se këto gjëra Schutz-i i besonte vërtet; sërish ai nuk mund të citohet si autoritet, për alfabetin latin dhe origjinën e përdorimit të tij në latinishte, përveçse nga dikush që nuk e përfill lexuesin e vet dhe e trajton si fëmijë, a si mendje për t’u manipuluar me sheqerka.

Ka edhe më: shkolla te ne asnjëherë nuk i ka trajnuar nxënësit dhe studentët me mendimin kritik (critical thinking), çfarë edhe shpjegon, të paktën pjesërisht, se shumë rrallë qëllon të lexosh a të dëgjosh një autor tonin, i cili të arsyetojë saktë. Deri edhe tekste me natyrë akademike ose universitare, janë të krimbur në gjithfarë rrejshmërish; përfshi këtu edhe cherry picking. Po të hedhësh një sy në forumet e shumta online, të hapura për diskutime ndaj kujtdo që dëshiron (p.sh. Quora), do të ndeshësh herët a vonë, brenda temave me natyrë historike, historike-gjuhësore dhe arkeologjike, shqiptarin e radhës, që përpiqet të provojë – me anglishte të çalë – gjithfarë tezash kombëtariste, shpesh duke ngjallur hilaritetin e të tjerëve. Aty i kam parë bashkatdhetarët e mi të trajtohen prej të tjerëve si kafshë të arratisura nga kopshti zoologjik; me butësi dhe kujdes, si qenie gjysmake dhe me IQ të ulët, dyshifrore, karikatura të një specimeni etnik agresiv dhe kokëbosh. I kam parë, dhe jam turpëruar dhe jam revoltuar; sepse këto gjymtime i kemi peshqesh nga sistemi arsimor i rrëgjuar dhe i rrënuar. Është pikërisht ky lloj individi, i gjymtë dhe kapadai, që përbën sot audiencën kryesore të demagogëve, ideologëve dhe turbologëve të shumtë; dhe që nesër mund të aktivizohet si faktor edhe në politikë.

Rrejshmëritë, përfshi këtu edhe cherry picking, janë kanarina në minierën e qymyrit: prania e tyre, përtej një përqindjeje të pashmangshme, duhet të alarmojë pikërisht duke treguar se njerëzit nuk po mendojnë mirë; dhe kushdo që nuk mendon mirë, i ekspozohet menjëherë manipulimit dhe rrezikut për të përfunduar në vegël të tjetrit. Përkundrazi, të menduarit mirë dhe aftësia për të shmangur rrejshmëritë është kusht, mes të tjerash, edhe i lirisë së fjalës dhe të mendimit.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim 1: kopertina është trajtuar me Midjourney.

Shënim 2 (për rapsodët): ky shkrim nuk ju drejtohet juve. Nuk do ta kuptoni fare. Merruni me vargëzimet dhe dollitë tuaja, dhe mos harroni ta ushqeni me pastërma etnike shqiponjën që mbani në kafaz.

1 Koment

  1. Diku në fund të artikullit vendosni një pikë, e cila për mua është momenti zero nga nisin gjithë të zezat e këtij vendi. Paaftësia jonë për të operuar mendimin kritik.
    Si mësues (falë Zotit, ish) dhe si prind nxënësish, jam përballur dhe përballem çdo ditë me kulturën e riprodhimit me të cilën i stërvit shkolla nxënësit. Si rrjedhim i kësaj kulture, fëmijët të cilët nuk janë budallenj, nxjerrin derivatet praktike të cilat janë hilja, kopjimi etj.
    Personalisht e shoh këtë si arsyen kryesore pse jemi këta që jemi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin