INOVACIONI DHE KRITIKAT NDAJ PERËNDIMIT

nga Dr. Ernest Nasto

Dihet se sistemi i vlerave perëndimore(1) ka qenë prej shumë vitesh objekt kritikash të ashpra nga instanca të ndryshme brenda vetë Perëndimit, kritika që janë bërë të kudogjendura sidomos pas ngjarjeve që pasuan vrasjen e G. Floyd në Shtetet e Bashkuara, e pastaj situatën pothuaj distopike me pandeminë Covid-19. Kudo thuhet se ato vlera janë të dëmshme, të ndërtuara mbi koncepte raciste, shtypëse e shfrytëzuese, e të tjera si këto. Prandaj kritikuesit mëtojnë se ai sistem duhet përmbysur, por, ngjashëm me revolucionarë të tjerë të së kaluarës, nuk ofrojnë detaje se me çfarë pikërisht kërkojnë ta zëvendësojnë.

Në këtë artikull dua të ndalem tek një aspekt i veçantë i sistemit perëndimor, për të vazhduar me një artikull pasues rreth vlerave të tij më themelore e më të përgjithshme.

Pata shkruar dikur në faqet e kësaj reviste se Amerika mund të dalë fituese në garën ekonomike me Kinën vetëm nëse ajo vazhdon të mbështetet fuqimisht në traditën e saj novatore të cilën kinezët pak gjasa kanë ta imitojnë me sukses(2). E njejta gjë vlen jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për krejt Perëndimin.

Një parim themelor i etikës kristiane, përkatësisht perëndimore, është ai se të gjitha jetët njerëzore kanë vlerë të barabartë, dhe kështu kriteri i vlerësimit të politikave të caktuara duhet të jetë ndikimi në rritjen e mirëqenies mesatare. Kjo ka qenë baza e shumë politikave ekonomike kryesisht të majta, si p.sh. tatimit progresiv mbi të ardhurat, sepse, sipas logjikës së thjeshtë, e njëjta sasi parash ka më shumë vlerë për një të varfër sesa për një të pasur. Një milioner s’e ndien fare një shtesë tatimi prej 1000 dollarësh, ndërsa me atë shumë një familje e uritur arrin të ushqehet për muaj të tërë, duke bërë që dobia në shkallë shoqërie të rritet ndjeshëm. Pikërisht mbi bazën e këtij parimi majtistët si Bernie Sanders bubullijnë se “niveli i turpshëm i pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë në Amerikë është një çështje thellësisht morale që s’mund të vazhdojmë ta injorojmë”(3). Nënkuptimi pra është se rishpërndarja e pasurisë do të siguronte përfitime kolosale për të varfrit krahasuar me një “dëm” krejt të papërfillshëm ndaj të pasurve.

Ky pohim është plotësisht i drejtë, por vetëm nëse flasim për ekonominë kombëtare, përkatësisht atë amerikane. Nëse e shtrijmë diskutimin në shkallë globale(4) shumica e njerëzve në botën e zhvilluar, pra në Perëndim, rezultojnë të pasur. Prandaj përfshirja e banorëve të vendeve të tjera në shqyrtimin e efektivitetit të politikave ekonomike do të rezultonte që këto të fundit të ishin mjaft të ndryshme. Kështu, për t’u ndalur vetëm në disa shembuj, rregullat për shkëmbimet bioteknologjike do të duhej të liroheshin, sindikatat do të duhej të mbaheshin disi nën kontroll, e po ashtu të pranoheshin më shumë, jo më pak, imigrantë të shkolluar e të specializuar. Këto politika do të nxisnin programin më efektiv të ndihmës së jashtme, dhe pikërisht inovacionin.

Kjo ndodh ngaqë krejt procesi i studimit dhe eksperimentimit drejt arritjes së një metode apo mekanizmi të ri (apo drejt çfarëdolloj novacioni në përgjithësi) është sigurisht mjaft i kushtueshëm, por kur novacioni në fjalë fillon të zbatohet në praktikë, ai bëhet relativisht i lirë për t’u shpërndarë e për t’u kopjuar. E vërteta është që sipërmarrësit dhe institucionet kërkimore amerikane kanë shpenzuar shuma marramendëse në fushën e inteligjencës artificiale, por si rezultat, ChatGPT i krijon mundësinë çdokujt me akses në internet (dhe kjo vlen sidomos për fëmijët e të rinjtë e moshës shkollore) të ketë një mësues personal, ekspert në çdo lëndë. Studime të shumta e të dokumentuara mirë(5) e dëshmojnë këtë efekt, pra rritjen e përshpejtuar, që shpjegon pjesërisht pse tregjet në zhvillim rriten më shpejt se ato të zhvilluara: të parat munden thjesht të kopjojnë atë që tashmë është provuar dhe ka funksionuar me sukses tek të dytat.

Në të njëjtën hulli futen edhe shembujt nga mjekësia dhe farmaceutika. Dihet se vendet në zhvillim s’janë në gjendje të investojnë shuma të mëdha në këto fusha, mirëpo falë inovacionit perëndimor, ato kanë akses pothuaj të plotë në vaksinat kundër poliomielitit, malaries, lisë, Covid-19, etj. Shpesh kompanitë farmaceutike kritikohen keqazi për normat tejet të larta të fitimit nga barnat e suksesshme, duke harruar se këto të fundit duhet të mbulojnë morinë e atyre që eksperimentohen dhe dështojnë, pa dalë kësisoj kurrë në treg. Pra, nëse kompanitë nxjerrin fitime të mëdha nga barnat e suksesshme, ato janë në gjendje të përballojnë edhe dështimet e shumta të lidhura me natyrën e kërkimit e të prodhimit farmaceutik.

Këtu ka sigurisht shumë për t’u diskutuar nëse futemi në detaje, por në përgjithësi mund të thuhet se fitimet e pritshme nga tregu i stërmadh amerikan përbëjnë nxitje jo të vogël për zhvillimin e barnave të reja. Ndërkaq ndikimi pozitiv në aspektin humanitar është i pamohueshëm: një studim i mirënjohur më 2012 sugjeronte se 73 për qind e rritjes së jetëgjatësisë ndërmjet viteve 1990-2009 (1.27 vjet për person) vinte nga përdorimi i barnave të reja(6). Gjithashtu shumë nga barnat që prodhohen në SHBA si rezultat i procesit të kushtueshëm të lartpërmendur, u jepen vendeve në zhvillim falas ose me çmime tepër të ulëta. Në këtë kuptim, dhe pavarësisht nga dëshmitë e korrupsionit dhe lakmisë nga kompanitë farmaceutike, inovacioni në këtë fushë mund të përqaset edhe si transferim pasurie nga klasa e mesme amerikane drejt vendeve në zhvillim.

Një fushë tjetër e lidhur me nxitjen e inovacionit është ajo e rolit të unioneve (sindikatave). Inovacioni është pa dyshim pozitiv në përgjithësi, apo në rang shoqërie, mirëpo një numër punonjësish, pakica që ende përdor teknologjinë e vjetër, do t’i ndjejnë padyshim më fort ndikimet negative të teknologjisë së re, kryesisht nga ulja e pagave. Kjo krijon një problem me interes të veçantë, pasi për këtë pakicë çështja është aq jetike, saqë ajo mund të ushtrojë presion për miratim legjislacioni që bie ndesh me interesat e shoqërisë në përgjithësi. Dhe janë pikërisht sindikatat mekanizmi kryesor për kalimin e ligjeve që synojnë të mbrojnë anëtarët e tyre nga efektet anësore të shkaktuara nga novacioni në fjalë. Kështu këto organizata bëhen shpesh pengesë ndaj përparimit teknologjik, gjë që s’e dobëson sigurisht aspak rëndësinë e tyre në funksionin primar të mbrojtjes së punëtorëve ndaj abuzimeve të korporatave.

Një shembull tipik për sa më sipër është procesi i futjes së kontejnerëve metalikë në transport. Dikur mallrat transportoheshin duke u trajtuar dorazi në çdo pikë kontakti në udhëtimin e tyre nga prodhuesi te klienti me anije, tren, kamion, etj. Por kontejnerët bënë të mundur që një grup i vogël punëtorësh të mund të shkarkonte një anije masive duke sjellë ulje drastike të kostove të transportit(7), rritje të fitimit për blerësit dhe shitësit dhe ç’është më kryesorja, rritje të konsiderueshme të vëllimit të tregtisë, një katalizator kryesor i industrializimit aziatik, dhe nxjerrjes nga varfëria të miliarda njerëzve. Nga ana tjetër këto avantazhe dëmtuan punëtorët tradicionalë të ngarkim-shkarkimit, dokerët, sindikatat e të cilëve ndërmorën masa të ndryshme për të parandaluar kontejnerizimin, nga grevat dhe lobimi deri te ngadalësimi artificial i zinxhirit të furnizimit. Të gjitha këto rezultuan joefektive, por sidoqoftë e vonuan përkohësisht humbjen e vendeve të punës dhe siguruan që një pjesë e përfitimeve nga automatizimi të shkonte në favor të punëtorëve. Me fjalë të tjera, përfitimet për disa qindra mijëra në Europë dhe Amerikë qenë faktor i zgjatjes së varfërisë ekstreme të qindra milionëve në Azi. Historia ofron gjithashtu edhe mjaft shembuj të tjerë kuptimplotë(8) kur grupet e organizuara të punonjësve janë përpjekur të pengojnë inovacionin.

Ndërkaq në industrinë e makinave situata është disi më komplekse, sepse sindikata e atij sektori (UAW) është e detyruar të angazhohet në një luftë si të thuash brenda llojit lidhur me dukurinë e makinave elektrike(EV). Arsyeja është se në SHBA shumica e makinave tradicionale prodhohen nga punonjës të sindikalizuar, ndërsa shumica e EV nga punonjës jo të tillë, të paguar më pak. Meqë bateria e një EV është komponenti që kërkon më shumë punë, kompanitë nxiten të ngrejnë fabrika baterish në shtete ku ligjet janë të pafavorshme ndaj sindikatave. Në këto kushte EV rrezikon interesat e punonjësve të sindikalizuar, ndërsa vetë prodhuesit e makinave e shohin sindikatën si kërcënim në rivalitetin e tyre me Tesla-n dhe prodhuesit e huaj. Si rezultat i disa grevave të fundit (përfshirë prodhimin e baterive), UAW ka fituar disa koncesione, por shumë çështje mbeten të pazgjidhura.

Nëse UAW arrin të sindikalizojë punëtorët e EV pasoja do të jetë rritja e çmimeve dhe ngadalësimi i kalimit në një teknologji më të përparuar. Ndërsa në të kundërtën, UAW do të nxitet fort të ushtrojë presion mbi ligjvënësit për vendosjen e gjithfarë rregullave mbi prodhimin e EV që ky të bëhet sa më i paleverdisshëm. Nga ana tjetër tërë procesi i inovacionit perëndimor drejt kalimit në teknologji të pastra dhe kontradiktat si këto që përmendëm, apo ato të lidhura me minierat e qymyrgurit, kanë pasoja të pashmangshme mbi vendet e rrezikuara nga ngrohja globale, të cilat s’janë asfare palë në këto diskutime.

Kjo tregon se gjetja e zgjidhjeve me avantazh për një shumicë sa më të madhe njerëzish është një proces delikat dhe tepër i ndërlikuar, por zgjidhjet duhet të fokusohen tek inovacioni dhe jo të kryhen me nxitim e me imponim siç shohim të kërkohet shpesh nga partizanët e globalizimit(9).

Edhe dukuria e imigracionit drejt Perëndimit ka një vend të posaçëm në inovacionin teknologjik, sepse imigrantët me aftësi të veçanta kanë gjasa të kontribuojnë shpërpjesëtimisht në këtë proces. Kjo ndodh nga prirja e përgjithshme që ata të jenë më produktivë në vendin pritës se në vendin e origjinës, për arsye nga më të ndryshmet të cilat s’është vendi këtu t’i përmendim me hollësi. Por dihet se, të paktën në SHBA, ndër shembujt e dukshëm të kontributit të imigrantëve përfshihen Tesla, SpaceX, telefoni, blu xhinset, relativiteti, energjia bërthamore, Google, etj(10). Dhe imigrantët shpesh lehtësojnë inovacionin edhe kur s’janë vetë autorë metodash apo novacionesh gjithëfarësh, siç dëshmohet nga fakti se drejtuesit e sotëm të Google, Microsoft, Adobe, IBM apo Starbucks janë të gjithë nga India. Me fjalë të tjera, imigracioni i kontrolluar (fjala kyçe këtu është “i kontrolluar”) dhe selektiv, i tipit “brain gain”, sjell përfitime të shumëfishuara jo vetëm për vendin pritës, por në një shkallë shumë më të gjerë.

Mirëpo ky është një realitet i vështirë për t’u pranuar nga politikanët, nëse ata janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht interesat e punonjësve të vendit të tyre. Bernie Sanders është shprehur se “gjëja e fundit që na duhet është të sjellim për vite me radhë miliona njerëz në këtë vend, të cilët do të ulin pagat për punëtorët amerikanë”. Këtu kuptohet se është fjala për masën e madhe të punëtorëve të pakualifikuar, e jo për ata të nivelit që sapo përshkruam, e megjithatë imigracioni mbetet një problem politik tepër i mprehtë.

Ndërkaq sado që e majta ekstreme mund të argumentojë se rishpërndarja “e drejtë” e pasurisë në shkallë globale do të shmangte nevojën për t’u përqendruar me përparësi tek inovacioni, investimet në këtë të fundit janë përgjithësisht më efikase se transfertat në para ose ndihma e drejtpërdrejtë për vendet e varfra. Kjo sepse lloji i inovacionit që mund të sjellë fitime të larta shpesh kërkon një përqendrim të infrastrukturës e të talenteve që gjendet vetëm në tregjet e zhvilluara. Një shembull kuptimplotë këtu do te ishte teknologjia satelitore Wi-Fi e Elon Musk: Starlink ka përmirësuar e shumëfishuar kontaktet dhe ndërlidhjet në të gjitha fushat në botën në zhvillim, por duhet pranuar se edhe me të njëjtin investim, gjasat që ajo të mund të ishte zhvilluar e vënë në punë në një vend joperëndimor janë pothuaj zero. Duket pra se vendet e ndryshme do të preferonin satelitët e Starlink ndaj një shume përpjesëtimore parash të barabartë me investimin e tyre në Starlink.

Si përfundim mund të themi se rishpërndarja kuptimplotë e pasurisë globale, aq fort e dëshiruar nga e majta, s’ka ndonjë shans të futet së shpejti në listën e politikave të pranueshme nga publiku. Për këtë arsye e njëjta e majtë, nëse dëshiron vërtet përmirësimin e jetës së sa më shumë njerëzve, siç edhe mëton pareshtur, duhet ta mbështesë sistemin perëndimor, qoftë edhe vetëm për shkak të karakterit të tij inovativ. Por duke pasur parasysh kundërvënien e së majtës në fjalë ndaj realitetit, gjasat që kjo të ndodhë mbeten fatkeqësisht ende të vogla.

© 2024 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi kopertinë është realizuar me Midjourney.

=====

(1) këtu futen përgjithësisht vlerat e përftuara nga ndërthurja e antikitetit greko-romak me parimet e besimit kristian të cilat kanë karakterizuar funksionimin e shoqërive të Europës Perëndimore dhe vendeve të tjera të populluara nga të ardhurit prej andej: vlera e barabartë e çdo jete njerëzore, liria e individit, demokracia liberale, shteti ligjor, mënyra kapitaliste e prodhimit, metoda shkencore, etj.

(2) https://peizazhe.com/2018/06/07/amerika-dhe-sfida-kineze/

(3) https://www.sanders.senate.gov/in-the-news/obscene-says-sanders-after-cbo-reports-richest-1-now-owns-over-1-3-of-us-wealth/

(4) https://inequality.org/facts/global-inequality/

(5) https://www.aeaweb.org/articles/pdf/doi/10.1257/aer.100.5.2031

(6) https://www.nber.org/system/files/working_papers/w18235/w18235.pdf

(7) https://martinottaway.com/rhemmen/so-how-much-cheaper-is-containerization/

(8) p.sh. protestat e luditëve kundër tezgjahut mekanik, ato të shoferëve të taksive kundër Uber, apo ato të skenaristëve të Hollivudit kundër programeve të inteligjencës artificiale;

(9) https://www.politico.eu/article/dutch-election-geert-wilders-party-for-freedom-netherlands-farmers/

(10) kështu themeluesi i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, është nga Afrika e Jugut, Sergey Brin i Google nga Rusia, shpikësi i telefonit, A.G. Bell ishte nga Skocia, krijuesit e xhinseve J. Davis dhe L. Strauss ishin përkatësisht nga Rusia e Gjermania, po ashtu A. Einstein nga Gjermania, etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin