KACAFYTJE NË PORTOFOL

nga Elton Dusha

1. Pak informacion paraprirës

Sulmi i armatosur i Banjskës nxori qartësisht në pah atë që shteti serb po bën prej kohësh: përdorimin e burimeve financiare dhe ushtarake për të destabilizuar Veriun e Kosovës, dhe për të krijuar një strukturë institucionesh paralele, që sfidon dominancën e Republikës së Kosovës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Një mënyrë me të cilën qeveria serbe e arrin këtë, është përmes një sistemi (deri tani të pambikëqyrur) të futjes së dinarit në Kosovën e Veriut, nën pretekstin e pagesës së pensioneve për qytetarët me etni serbe. Ky qarkullim i pakontrolluar i kartëmonedhës serbe fare lehtë mund të mundësojë financimin e një morie aktivitetesh të paligjshme. Në fakt, edhe nëse të gjitha aktivitetet do të ishin të ligjshme, fakti që shumë nga këto transaksione janë bazuar në cash dhe nuk janë të gjurmueshme nga autoritetet kosovare, krijon probleme për politikën monetare dhe fiskale të vendit. Në aspektin e politikës fiskale, shumë nga këto pagesa në dinarë mund të mos deklarohen si të ardhura,dhe si rrjedhojë nuk janë objekt taksimi. Për sa i përket politikës monetare, nëse transaksionet në Kosovën e Veriut nuk kryhen në euro, instrumentet e politikës monetare të Kosovës (interesi bankar etj.) mund të jenë më pak efektive.

Për të kontrolluar situatën, kundërpërgjigjja e Republikës së Kosovës ka qenë shumëdimensionale. Një nga masat kontrolluese ishte ndalimi i dërgesave në cash nga Serbia, një vendim i matur, pasi çdo komb mbart autoritetin për të ndërprerë hyrjen brenda shtetit të fondeve të padeklaruara (cash), që mbështesin aktivitete të paligjshme. Megjithatë, këtu do të përqendrohem në një masë shumë specifike, Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në lidhje me përdorimin e monedhave joeuro (Shqip, Anglisht). Neni 36, Kapitulli VI thotë:

Valutat e tjera joeuro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta joeuro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta joeuro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor. (theksimi im)

BQK-ja në thelb thotë se dinari (ose çdo monedhë tjetër joeuro) nuk mund të shkëmbehet për mallra dhe shërbime në RK, edhe nëse dy palë private bien dakord. Ky kufizim ka ngjallur shumë debate dhe pakënaqësi. Në vijim, bëj një përpjekje modeste për të analizuar dhe (deri diku) shtjelluar pak më shumë këtë pikë.

2. Çfarë është në fakt monedha ligjore?

Në shumicën e vendeve perëndimore, monedha ligjore shpesh përcakton valutën e zgjedhur nga shteti për likuidimin e borxheve dhe pagesën e taksave. Kjo, në thelb, do të thotë se, nëse i detyroheni dikujt një borxh, ata janë të detyruar të pranojnë monedhën sovrane si pagesë shlyese. Gjithashtu, pagesa e taksave dhe detyrimeve të tjera ndaj shtetit mund të bëhet vetëm nëpërmjet valutës ligjore. Ky është dhe aspekti i përbashkët më dominant ndërmjet monedhave ligjore të vendeve të ndryshme. Një përjashtim i dukshëm është rasti i SHBA-së, ku dollari është thjesht monedha e sugjeruar e pagesës. Megjithatë, SHBA-ja nuk është një shembull i dobishëm, pasi dollari është një monedhë aq dominuese në të gjithë botën, saqë, nëse dikush zgjedh të paguajë taksat në Amerikë në euro, lek apo çdo lloj monedhe tjetër, ky do të përbënte një rast ekstrem e tërësisht jashtë norme (megjithëse teknikisht jo i paligjshëm). Në vende të tjera, monedha ligjore shpesh do të thotë se taksat duhet të paguhen nëpërmjet kësaj monedhe dhe se, nëse dikush dëshiron të shlyejë një borxh duke përdorur monedhën ligjore, borxhdhënësi nuk mund ta refuzojë. Për ilustrim, një shembull nga BE-ja për këtë karakteristikë të konceptit të monedhës ligjore, si dhe një nga Banka e Kanadasë për të njëjtin koncept.

Në disa vende, si Zvicra, shitësi është i detyruar me ligj të pranojë monedhën sovrane si mjet pagese sa herë që i ofrohet, ndërsa në të tjera, si Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, ky kusht nuk ekziston. Pra, në Zvicër, nëse dikush hyn në një dyqan dhe dëshiron të blejë duke përdorur CHF (franga zvicerane), shitësi duhet t’ia pranojë, ndërsa në MB shitësi mund të refuzojë të pranojë një pagesë në paund.

Megjithatë, në shumicën e vendeve transaksionet në ndonjë monedhë tjetër përveç monedhës ligjore nuk janë të ndaluara me ligj, siç duket qartë dhe në shembujt (links) e paraqitur më lart. Që do të thotë se, nëse dy palë bien dakord të kryejnë një transaksion në dollarë amerikanë në Kanada, nuk ka asnjë pikë në legjislacionin kanadez që e ndalon këtë marrëveshje. Ja dhe një shembull tjetër nga një anëtar i bordit të Bankës Qendrore Europiane, që sqaron pak a shumë të njëjtën gjë.

Për ta përmbledhur këtë pikë kyçe: ndërsa në disa vende pranimi i monedhës sovrane si mjet pagese është i diktuar me ligj dhe në disa të tjera jo, në shumicën e vendeve (me përjashtim, ndoshta, të regjimeve totalitare), përdorimi i valutave të tjera në transaksione nuk është i ndaluar në mënyrë eksplicite nga ligji. Pra, në pjesën më të madhe të botës, nëse hyj në një dyqan dhe dua të përdor një valutë tjetër nga ajo ligjorja e vendit, nëse shitësi është i gatshëm ta pranojë, transaksioni nuk është i paligjshëm.

3. Prit pak, si funksionon kjo?

Nëse gjithkush është i lirë të përdorë çfarëdolloj monedhe nëse bie dakord me palën tjetër, si ia bëjnë shtetet për t’u siguruar që kërkesa për monedhën ligjore të jetë e qëndrueshme? Në thelb, kjo lihet në duart e dinamikave të tregut[1]. Kostot e transaksionit në valutë të huaj e bëjnë të vështirë përdorimin e tyre si mjet pagese. Nëse dëshironi të paguani kasapin e lagjes në Kanada me lek shqiptar, gjasat janë që nuk do të pranojë (vetëm po të ishte nga anët tona), sepse do t’i kushtonte ekstra (në kohë dhe tarifa) për të konvertuar lekun në dollarë kanadezë. Për më tepër, kasapi do t’u shtonte këtyre kostove edhe rrezikun që mbart tregu i këmbimit të valutës: paqëndrueshmërinë e kursit të këmbimit. Për të shmangur këto kosto, shumica e njerëzve (shitës dhe blerës) përdorin monedhën e vendit ku gjenden, ose, nëse diku pranojnë monedha të tjera, shitësi zakonisht i ofron klientit një kurs këmbimi më të lartë se banka, për të kompensuar kostot e përmendura më lart. Si rrjedhim, të dyja palët preferojnë të përdorin monedhën lokale, gjë që e bën të panevojshëm përdorimin e detyruar të monedhës ligjore nëpërmjet ekskluzivitetit.

Pa u futur shumë thellë në teorinë monetare, paraja ka një veçori të çuditshme që, nëse dikush pret që shumica e njerëzve të tjerë të jenë të gatshëm të pranojnë një monedhë të caktuar si mjet pagese, ky person është gjithashtu i gatshëm të bëjë të njëjtën gjë[2]. Pra, përdorimi i një monedhe zakonisht bazohet tek pritshmëria. Kjo vihet re mirë në zonat kufitare, ku dyqanet pranojnë dhe monedhat e vendit fqinjë, sepse presin të kenë një fluks të qëndrueshëm të blerësve nga të dyja shtetet, çka e bën mbajtjen e monedhës së huaj pothuajse pa kosto. Pra, nëse të dyja monedhat ofrojnë të njëjtin nivel likuiditeti, d.m.th. ato mund të shkëmbehen për mallra dhe shërbime shpejt dhe me pak ose aspak kosto, të dyja do të mbahen si gjendje. Kur kostot e transaksionit bien, njerëzit mund të përdorin edhe valuta të huaja për transaksione të përditshme. Për shembull, shumë dyqane dhe restorante në Shqipëri pranojnë euro. Kjo sepse hapja e një llogarie në euro në Shqipëri është mjaft e lehtë, e gjithashtu ka shumë biznese të tjera që e pranojnë euron si pagesë për mallra dhe shërbime, kështu që nuk të mbeten në dorë. Theksojmë këtu që përdorimi i eurove për pagesë në Shqipëri nuk është i paligjshëm.

4. Po në rastin e Kosovës?

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) po përpiqet të implementojë atë çka ekonomistët e quajnë zëvendësim i monedhës, procesi i zëvendësimit të përdorimit të një monedhe të huaj me atë vendase. Në vendet që kanë pasur episode të inflacionit shumë të lartë, për shkak të keqmenaxhimit të monedhës, qytetarët rregullisht e braktisin paranë e vendit, sepse ajo bëhet e paqëndrueshme dhe zhvleftësohet shpejt, gjë që e bën politikën monetare të një vendi jo efektive. Prandaj qeveritë përpiqen ose përmes forcës së ligjit, ose nëpërmjet shtysave inkurajuese, t’i shtyjnë qytetarët drejt përdorimit të monedhës vendase[3]. Situata e Kosovës është shumë e veçantë: po përpiqet të pengojë përdorimin e një monedhe tjetër për arsye që nuk lidhen me inflacionin, ndërkohë që nuk prodhon monedhën e vet dhe as nuk karakterizohet nga nivele të larta inflacioni. Megjithatë, diçka edhe mund të mësojmë nga përvoja ndërkombëtare mbi mënyrën se si mund të bëhet zëvendësimi i monedhës.

Një gjë që më ra në sy duke hulumtuar literaturën, është se ndalimi me ligj dhe në mënyrë absolute i përdorimit të monedhave të huaja nuk para ndodh. Disa përjashtime përfshijnë Argjentinën, Zimbabvenë, Venezuelën dhe disa vende të tjera, të detyruara kryesisht nga disa episode të hiperinflacionit, që i kanë shtyrë qytetarët e atyre vendeve drejt dollarit amerikan. Fakti që këto episode janë relativisht të rralla, ndodh sepse ndalimet me ligj të valutës së huaj janë jo efikase dhe të vështira për t’u zbatuar. Si rrjedhojë, krijohen tregje të zeza në valutë, dhe monedha e ndaluar vazhdon të përdoret, por në mënyrë ilegale, duke e bërë edhe më të vështirë arritjen e zëvendësimit të monedhës. Kosova është në një pozicion të vështirë: po përpiqet të përdorë një arsenal të kufizuar të mjeteve të politikës monetare dhe fiskale për të luftuar kundër një Serbie që i mohon ekzistencën, dhe duhet të kërkojë mënyrat më efikase për të arritur qëllimet e saj.

Ka disa mënyra të mundshme për të dalë nga situata aktuale, të cilat mund të arrijnë efektin e dëshiruar, pa u bazuar në ndalimin me ligj të përdorimit të dinarit. Më poshtë po nënvizoj disa prej tyre, duke qenë i vetëdijshëm se mungojnë të tjera që do të ishin po aq të dobishme. Kjo është thjesht një përpjekje fillestare e imja dhe, si e tillë, jo e plotë për të eksploruar metoda të tjera që përdorin incentiva në vend të forcës së ligjit.

  • Kosova mund të dekurajojë përdorimin e dinarit duke ofruar norma më të larta interesi për llogaritë në euro. Nëse depozitat në euro fitojnë një interes më të lartë se depozitat në dinar, shumica e njerëzve do të shkojnë drejt llogarive në euro dhe mbajtja e dinarëve do të bëhet më e shtrenjtë. Kjo duhet të ndryshojë çmimin relativ të dinarit (zhvlerësim) dhe t’i bëjë transaksionet në dinarë më pak të dëshirueshme.
  • BQK-ja mund t’i detyrojë bankat private të mbajnë rezerva më të larta në llogarinë që kanë me BQK-në nëse ato pranojnë depozita në dinarë. Kjo do ta bënte pranimin e depozitave në dinarë më të shtrenjtë për bankat private dhe si pasojë këto të fundit do të ulnin normat e interesit për depozitat në dinarë. Kjo masë është e lidhur me atë më lart, pasi përdor normat e interesit për të nxitur mbajtjen e eurove në vend të dinarëve.
  • Politika fiskale gjithashtu mund të veprojë duke vendosur taksa më të larta për transaksionet e kryera në dinarë. Problemi është që, për të shmangur taksat, bizneset mund t’i deklarojnë transaksionet e kryera në dinarë si transaksione të kryera në euro. Nëse kjo politikë implementohet në gërshetim me politikat e cituara më lart, dinari duhet të zhvleftësohet, gjë që duhet ta bëjë më të vështirë ose shumë të shtrenjtë evazionin fiskal. (Një tregtar nuk ka interes ekonomik të pranojë dinarë, sepse humbet shumë nga kursi i këmbimit.)

Të gjitha këto masa synojnë të rrisin kostot e transaksionit të biznesit në dinarë dhe, në këtë mënyrë, të inkurajojnë përdorimin e eurove – duke arritur kështu zëvendësimin e monedhës. Sigurisht që këto masa nuk janë pa kosto, pasi fundja, there is no free lunch, por nëse zbatohen në mënyrën e duhur, kostot mund të minimizohen. Domethënë, ekzistojnë mënyra të tjera për të ndëshkuar përdorimin e dinarëve, që janë shumë më efektive se një ndalim ligjor, mënyra të cilat mund të ishin shumë më pak kontroversiale dhe do të tërhiqnin shumë më pak vëmendje. Për ta mbyllur, ky shkrim fokusohet vetëm tek opsionet e disponueshme brenda politikave ekonomike, pa u futur në ato sociale e gjeopolitike.

© 2024 Elton Dusha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet riprodhimi pa leje. Versioni anglisht mund të lexohet këtu.

Shënim: kopertina është realizuar me Midjourney.


[1]Bankat qendrore ndërhyjnë shpesh në tregjet e këmbimit valutor, për të ndikuar kurset e këmbimit, si dhe përdorimin e valutave të huaja.

[2] Pjesa dërrmuese e kësaj pritshmërie varet nga kërkesa (demand) për monedhën ligjore si i vetmi instrument ligjor për pagesën e taksave dhe detyrimeve të tjera ndaj shtetit.

[3] Siç e bën të qartë dhe lidhja më lart, nuk është shumë e qartë se sa e dëshirueshme është zëvendësimi i valutës në këto raste. Zakonisht, valuta e huaj shërben si një formë disipline për bankat qendrore që keqdrejtojnë politikën monetare.

 

Rreth Autorit

Elton Dusha është i doktoruar në Universitetin e Torontos, dhe prej vitesh ushtron profesionin si profesor, analist, dhe konsulent ne fushën e ekonomisë. Fokusi i punës së tij është makroekonomia, veçanërisht politikat monetare, zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe tregjet financiare. Përveç publikimeve akademike, ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në diskursin publik, sidomos gjatë qëndrimit të tij në Kili, nëpërmjet artikujve për institucionet shtetërore dhe publikun, ku prek tema kyçe dhe aktuale për politikat ekonomike.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin