MENDJA, DORA, VEGLA

U bë tashmë kohë, më gjatë se një vit, që po përdorim rregullisht për të ilustruar shkrimet, në “Peizazhe të fjalës”, të ashtuquajturit image creators, që nuk janë veçse softuerë gjenerativë me inteligjencë artificiale, të cilët krijojnë imazhe me porosi të përdoruesit.

Ka shumë të tillë në dispozicion, disa falas disa me pagesë; filluam me DALL.E 2, vazhduam me DALL.E 3, dhe tani parapëlqejmë Midjourney. Këta softuerë dallojnë mes tyre edhe për nga lloji i imazheve që realizojnë, por edhe nga rregullat dhe teknika e porositjes së imazhit (prompt).

Imazhe të tilla jo vetëm na japin mundësinë ta ilustrojmë një shkrim ekzaktësisht siç duam, por edhe na çlirojmë nga ankthi i shkeljes së copyright-it, i cili gjithnjë u bashkëlidhet imazheve “të gjetura” në ueb. Natyrisht, gjithnjë kujdesemi që ta lajmërojmë lexuesin se nga vjen imazhi.

Kush ka provuar të punojë me këta softuerë ose edhe thjesht të luajë me ta a të eksperimentojë, do ta ketë kuptuar menjëherë se, për të arritur rezultate të pranueshme, duhet jo vetëm fantazi, familjarizim me temën që po ilustrohet dhe imagjinatë vizuale, por edhe zotërim i teknikave të trajtimit të imazheve – nga fotografia te vizatimi, artet e aplikuara dhe piktura/skulptura dhe, sidomos, njohje e historisë së artit.

Për mua, që prej muajsh përpiqem ta rafinoj teknikën time të përdorimit, ilustrimi me AI është edhe një shans i mrekullueshëm për të realizuar, në imazh, gjithçka që ma sugjeron fantazia ime, por që nuk kam talentin dhe teknikën e duhur piktoriale ose fotografike, për ta realizuar vetë.

Kështu, për imazhin e kopertinës të këtij shkrimi, unë përdora këtë prompt:

Steampunk. A painter is painting at his easel, while standing on top of a majestic steam locomotive abandoned in the middle of a clover field. Weather is sunny and pleasant

Duke përcaktuar që në fillim “stilin” e imazhit – steampunk, i cili nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me ndonjë artist individual, sepse është nënzhanër i fantashkencës, duke vënë në qendër teknologji anakronike (avulli); dhe njëherazi i bëra jehonë stilit, duke saktësuar edhe që lokomotiva duhej të ishte me avull. Specifikova edhe mjedisin (“clover field”) dhe motin (“sunny and pleasant”) çfarë ndikon drejtpërdrejt në dritën dhe ngjyrat e imazhit. Por veshjen e piktorit dhe temën e peizazhit që ai pikturon e ka zgjedhur softueri vetë (me gjasë, veshja e ka origjinën në traditën si janë ilustruar personazhet e steampunk-ut), sikurse ka zgjedhur edhe që ta mbulojë pjesërisht lokomotivën me bimësi, me gjasë ngaqë unë kisha përdorur fjalën “abandoned” në prompt. Shihet se imazhi përfundimtar është produkt i bashkëpunimit tim konceptual me softuerin; dhe vlera me të vërtetë e shtuar është interpretimi që i ka bërë ky softuer prompt-it tim. Unë e zgjodha imazhin, nga katër që më sugjeroi softueri, pikërisht ngaqë më tërhoqi gjelbërimi mbi lokomotivë.

Njëlloj si ChatGPT dhe modelet e tjera të gjenerimit të tekstit, edhe krijuesit e imazheve janë trajnuar me miliona produkte të gatshme, nga fotografitë te veprat e artit. Për këtë arsye, është shprehur nga shumë anë shqetësimi se këta motorë shkelin të drejtat e autorit, sa kohë që janë trajnuar pa lejen e krijuesve të imazheve.

Shqetësimi është i drejtë dhe kërkon zgjidhje juridike – e cila duhet të përcaktojë statusin e imazheve të tilla, gjithë duke vendosur se ku pikërisht fillon shkelja e së drejtës së autorit. Nëse unë i kërkoj Midjourney-t që të më japë një peizazh të qiellit me yje, sipas stilit të Van Gogh-ut, a përbën imazhi që krijohet shkelje të së drejtës së autorit?

E drejta e autorit, ose copyright-i, ka natyrë historike dhe ndryshon në rrjedhë të kohës, krahas vlerës që investon një kulturë specifike tek origjinaliteti dhe përçmimi që ia bashkëngjit kopjes. Kjo vlen si në art, ashtu edhe në dije. Në lashtësi dhe në mesjetë ideja mbizotëruese për copyright-in ndryshonte rëndshëm nga kjo e sotmja, por këtë nuk e sheh njeri si ndonjë lloj katastrofe.

Një nga shtysat për evoluimin e copyright-it është sofistikimi teknologjik – siç ka ndodhur me riprodhimin digjital të muzikës dhe të teksteve dje, dhe siç po ndodh tani me Inteligjencën Artificiale. Por përparimi teknologjik, në vetvete, thjesht na vë në dispozicion vegla të reja, për t’i përdorur – se ç’do të bëjmë me to, kjo varet nga ne që marrim vendimet.

Krijuesit e imazheve nga njëra anë u hapin mundësi krijuese të pacak të gjithë atyre që nuk kanë as talentin, as teknikën dhe ndonjëherë as kohën e nevojshme, për të përftuar imazhet që duan. Për shembull, ne si revistë nuk mund të paguajmë një ilustrator sa herë që nxjerrim një artikull të ri; dhe as mund t’i bëjmë vetë ilustrimet në atë cilësi që duam. Aq më tepër që ilustratorit do t’i duhen ditë, për të krijuar një imazh të ngjashëm me atë që softueri e bën për 10 sekonda; dhe asgjë nuk garanton që imazhi i bërë nga dora e njeriut do të jetë më pak derivativ, se ky i krijuar nga softueri. Përkundrazi. E mira e shtuar, në këtë mes, është se arti i krijuar me softuer të lejon që deri edhe “derivimin” ta mbash në kontroll – dhe nëse nuk dëshiron (për arsye etike) të ndjekësh stile moderne si ai i Picasso-s ose i Magritte-it, asgjë nuk të pengon që t’i krijosh imazhet me stilin e muraleve egjiptiane të lashta a të Cimabue-s…

Unë nuk besoj se arti i krijuar me softuer do të konkurrojë ndonjëherë seriozisht me artin serioz; përkundrazi, me siguri do shërbejë sa herë që dikujt t’i duhen imazhe për ilustrim, ose për synime të tjera aplikative. Një autor stripash vizatimorë mund të trajnojë personazhe origjinale dhe ta vërë pastaj softuerin të krijojë skena rutinë me ato personazhe; një firmë që prodhon këpucë, mund ta programojë softuerin që t’ua “veshë” ato këpucë “modeleve” gjithfarësh, në situata nga më të ndryshmet, pa paguar qimet e kokës me modele reale dhe fotografë profesionistë.

Një softuer si Midjourney për mua nuk është veçse një vegël e sofistikuar, që e shkurton distancën – abstrakte – midis imazhit që kam unë në mendje dhe asaj që do të isha në gjendje të vizatoja ose të pikturoja vetë, në letër në ekran ose në kanavacë. Të njëjtin efekt mund ta arrija duke marrë në punë një artist profesionist – por fatkeqësisht nuk i kam paratë për ta paguar.

Edhe vetë procesi i të krijuarit, që parakupton shndërrimin – “magjik” – të një prompt-i tekstual në imazh, ka artin e vet, që nuk ka të bëjë me rafinimin okulo-motor të dorës së piktorit; sepse ti, që i kërkon softuerit imazhin, duhet ta dish si ta formulosh prompt-in, duke marrë parasysh edhe se çfarë mund të bëjë më mirë softueri. Ashtu, sa më mirë t’i njohësh artet vizuale dhe historinë e tyre, aq më në gjendje do të jesh që ta kombinosh fantazinë tënde me ato që “arrin” të bëjë softueri.

Jo rrallë më ka ndodhur që rezultati që marr, pasi kam dërguar një “prompt”, të më befasojë; sepse e tejkalon fantazinë time, duke e zhvendosur në një përmasë të re. Besoj se ky efekt befasues ka të bëjë me natyrën e mediumit në input –të gjuhës vetë; ose më mirë akoma, të mënyrës si është trajnuar softueri, që “ta lexojë” tekstin që merr prej meje. E kam një ide, sado të turbullt, të mënyrës si procedon ChatGPT për të ndërtuar tekstet e veta, prandaj besoj se edhe motorët e imazheve i “lexojnë” prompt-et duke hulumtuar kontekstet probabilitare të çdo fjale pasuese; dhe kjo mundëson, gjithnjë sipas meje, që fjala ta komandojë imazhin metaforik nëpërmjet asociacionit leksikor.

Kështu më ndodhi, kur kërkoja një imazh të përshtatshëm për një shkrim rreth qiellit yjor, dhe porosita nga DALL.E 3 një nature morte me teleskop dhe kokërdhok syri, duke synuar efektin surrealist të një Dali-je ose një Magritte-i. Por softueri i tejkaloi pritjet e mia, duke më dhënë një kokërdhok syri që kishte, njëherazi, pamjen e një trupi qiellor të bardhë e “të vrarë lije”, si Hëna. Them se këtë kapërcim kaq poetik e mundësoi fakti që edhe syri, edhe Hëna, kanë të përbashkët jo vetëm teleskopin që i vë në kontakt, por edhe formën sferike, e cila me siguri përdoret për t’i përkufizuar.

Përdorimi i gjeneratorëve të imazhit vazhdon të jetë objekt polemikash, akuzash dhe denoncimesh; sidomos nga artistë bashkëkohorë, të cilët i alarmon mundësia që origjinaliteti i tyre të përfundojë i gëlltitur nga vrima e zezë e kujtesës prej silikoni, për t’u rikthyer në përdorim e anonimizuar. Por në të njëjtën kohë rafinimi i modeleve gjenerative mund t’i hapë rrugë një arti të ri vizual, ku mendja e artistit ta zëvendësojë lapsin ose penelin ose objektivin e kamerës me një softuer. Unë kam përshtypjen edhe se, shumë nga ata që revoltohen prej këtyre veglave – sepse vegla janë, asgjë më shumë – nuk i kanë përdorur ato kurrë, dhe nuk ua njohin as fuqinë, as kufizimet; por nuk do të habitesha sikur edhe ata të përdornin ChatGPT ose ndonjë bot tjetër të mençur, për t’i formuluar diatribat e tyre – sepse aq klishé më lexohen.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Shënim: imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin