Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

PRINC VIDI, MBRETI ME HIMN E ME MARSH MUZIKOR

nga Vasil S. Tole

Historiografia shqiptare dhe jo vetëm ka ndriçuar rrethanat, kushtet, aktorët dhe faktorët që ndikuan në zgjedhjen dhe në qeverisjen e shkurtër 6-mujore të Shqipërisë, në vitin 1914, nga Princ Vidi, gati dy vjet nga shpallja e Pavarësisë, pas dorëheqjes së themeluesit të shtetit shqiptar, ish-kryeministrit Ismail Qemali. Fokusi im lidhet ngushtë me trajtimin e rolit thelbësor që ka kultura dhe arti, posaçërisht muzika, gjinitë e saj, posaçërisht himni dhe marshi, e sidomos raporti mes pushtetit dhe muzikës në rastin e Mbretërisë Shqiptare gjatë qeverisjes së princit europian Vid.

Historia botërore e ajo europiane provojnë se muzika ka qenë gjithmonë e lidhur dhe pjesë e superstrukturës, qoftë kjo fetare, shtetërore republikane apo monarkike. Në thelb, muzika ka qenë përdorur si një formë identifikimi, por dhe si një shenjë sundimi. Në Greqinë e lashtë, katër gjinitë kryesore muzikore të kohës ishin të lidhura ose me besimin fetar (siç është rast i gjinisë së Himnit), ose me ato të figurave të perëndive a familjeve mitologjike, pra të pushtetit si: gjinia e “Peanes” për nder të Apolonit dhe për fitimin e luftërave, gjinia e “Ditirambit” për nder të Dionizit, si dhe gjinia e “Hiporkeme”-s, si një krijim i përcjellë me valle për kutin e Apolonit etj. Te “Bibla”, muzikën e gjejmë të lidhur ngushtë me mbretërimin. Në të mbretërit krijojnë muzikë dhe bëjnë muzikë dhe, sigurisht, që mbretërit edhe këndojnë[1]. Në mesjetë e më pas, veçanërisht gjinia muzikore e himnit[2] u lidh me monarkitë europiane, ku i pari himn është ai i Holandës, i cili i përket vitit 1572, me titullin “Wilhelmus van Nassouwe”[3] etj.

Roli shumë i rëndësishëm i muzikës në paraqitjen e Princ Vidit u duk që ditën që ai preku tokën shqiptare, më 7 mars 1914. Më herët, më 3 mars 1914, siç njofton “Kalendari Kombiar”: … madhëri e tij princ Wiedi, që ka pranuar tronin e Shqipërisë do të mbajë emrin mbret Wilhem i Parë, i telegrafon kryetarit të kontrollit se më 7 të këti muaji do të dalë në Durrës[4]”.

Njoftimi i KK për titullin e Mbretit që Princ Vidi do të mbante është shenja më e qartë se një protokoll mbretëror do të ndiqej e zbatohej për pritjen e tij, fillimisht në Itali e më pas në Shqipëri. Faik Konica në një kujtesë me shkrim të datës 9 dhjetor 1913, dërguar Princ Vidit i sugjeronte: … për sa i përket karakterit prestigjioz, zbarkimi i Princit duhet të shoqërohet me shumë shkëlqim dhe pompozitet. Êshtë shumë e domosdoshme gjithashtu, që anijet austriake dhe italiane të shoqërohen të paktën nga një luftanije angleze[5]. Dhe ashtu ndodhi.

Siç shkruante gazeta në gjuhën angleze “Straits time”, që botohej në Singapor, në shënimin e datës 6 mars 1914, me titull “Prince of Wied sails for Durazzo”: banda luante himnin shqiptar i shoqëruar nga ovacionet e të pranishmëve. Princi vizitoi përpara nisjes skuadronin ushtarak austriak dhe kruizjerat angleze dhe francize[6]. Një orkestër frymore italiane priti mbretin në datën 7 mars 1914 në Durrës, fakt që pohohet edhe nga korrespodenca e gazetarit Gustave Babin për revistën “Illustration”: … një orkestër e shkëlqyer e thirrur nga Bari ekzekutoi mbi podium himnin shqiptar. Gazetat gjermane pohojnë gjithashtu se: “banda muzikore që mbërriti nga Bari bëri një paradë nëpër qytet dhe luajti disa marshe”, “pas këtyre fjalëve, banda muzikore luajti himnin kombëtar”[7]; “banda muzikore luante këngë kombëtare, të cilat turma i ndiqte me entuziazëm”[8]; “një turmë e madhe njerëzish enden rrugëve, duke kënduar këngë kombëtare dhe duke brohoritur për Princin”[9]; “në mes të sheshit, banda muzikore italiane luan himnin kombëtar në tribunën e ngritur për ta”[10], apo sot iku edhe banda italiane e muzikës dhe, për momentin, nuk do të dëgjohet më himni kombëtar shqiptar, i cili në fakt është shumë i bukur”[11]!

Cili ishte ky “himn shqiptar” që u interpretua dhe u bë pjesë e ardhjes dhe qëndrimit të Princ Vidit në Shqipëri, përveç Himnit Kombëtar të Shqipërisë?

Himni shqiptar” ishte një krijim i ri, i cili i ishte dedikuar Mbretit Vid, himn i kompozuar nga kompozitori i njohur italian Evemero Nardella (1878-1950), me fjalët e patriotit Loni Logori[12] (1871-1929). Sipas studiuesit Muner: … dy ditë më pas kur mbërriti në Durrës, më 7 mars, princi u prit prej autoriteteve dhe banda luante himnin kombëtar kompozuar prej maestros italian Nardella-s[13]. Banda që kishte ardhur nga Bari drejtohej prej maestro Enrico Annoscias. Partitura origjinale u publikua nga “Capolongo-Feola” e Napolit, më 1913-n[14].

Partitura e himnit kushtuar Princ Vidit nga Nardela dhe Logori

Referuar artikujve të kohës kur himni u krijua, Muner përmend, ndër të tjera, se ishte Komiteti Shqiptar i cili iu drejtua Nardella-s, që ai t’u vishte me harmoni luftarake poezinë e një poeti të Mbretërisë së re. Më 22 janar 1914 bie qeverisja e Ismail Qemalit dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit[15] kishte emëruar 5 zyrtarë të lartë shqiptarë për qeverisjen e vendit. Ndër ta, Mehdi Frashëri-prefekt, Hajdar Kolonja-drejtor i policisë, Nazir Leskoviku-drejtor i financave, Mashar Aslllani Nepravishta-drejtor i drejtësisë dhe arsimit. I pesti ishte autori i tekstit të himnit mbretëror, Loni Logori, i ngarkuar si drejtor i punëve të jashtme. Pra periudha janar-shkurt 1914 është koha kur kompozitori Nardella dhe poeti ynë Loni Logori i japin jetë “Himnit Mbretëror”.

Kompozitori Nardella ishte një krijues i njohur në Italinë e dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XX. Autor i shumë krijimeve, ndër to i këngëve napolitane që janë edhe sot e kësaj dite shumë të njohura, si “Che t’aggia di”[16], “Chiove”[17] etj., ai ishte kandidatura e duhur për një himn të thjeshtë, solemn dhe të qartë njëherësh. I ndërtuar në tonalitetin Lab +, me strofë dhe refren (të përbëra nga fjali e fraza muzikore me nga 8 masa secila, të tipit 2+2+2+2), melodia i përshtatet shumë mirë tekstit poetik të Loni Logorit, i cili ka në thelb pranimin e Mbretit Vid nga shqiptarët, mbështetjen e tij pa kushte, bashkimin e shqiptarëve rreth tij dhe deri në sakrifikimin e jetës: O burra s’duhet kursyer, as gjaku as rrojtja jonë!

Ardhi koha e bekuar
Për Shqipërinë të lëftojmë
Mbretin t’onë t’a nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar

O burra s’ duhet kursyer
As gjaku as rrojtja jonë
Port’ e qiellit duhet thyer
T’i vemë fronë Mbretit t’onë.

 Edhe mëmat po na thonë
Përpiquni për Shqipërinë,
Për nder’ e saj, për lirinë
Vdisni dhe për Mbretin t’onë                                      

O burra s’ duhet kursyer
As gjaku as rrojtja jonë
Port’ e qiellit duhet thyer
T’i vemë fronë Mbretit t’onë

Për liri për Mbretin t’onë
Tërë botën të çuditim
Dhe çdo dit duhet t’i ngjitim
Një vitore në kurorë.                                                                             

O burra s’ duhet kursyer
As gjaku as rrojtja jonë
Port’ e qiellit duhet thyer
T’i vemë fronë Mbretit t’onë        

Princ Vidi[18] dhe princesha Sofia ishin në aspektin kulturor e intelektual përfaqësuesit më emblematikë europianë në Shqipërinë që sapo kishte dalë nga Perandoria Otomane. Me gjak blu, të shkolluar e zotërues të gjuhëve, të pasionuar pas arteve e muzikës, ata reflektuan me sjelljen e tyre, në fund të fundit me atë që ishin në të vërtetë, modelin më ideal të drejtuesve për qeverisjen e Shqipërisë (që ata e quanin “Atdheu i ri”), ndoshta jo më pragmatikët, por të duhurit. Në takimin që Princ Vidi kishte pasur me perandorin gjerman para ardhjes në Shqipëri, i kishte pohuar se ai e shikonte këtë detyrë si një sfidë dhe se ishte përzgjedhur të ishte realizuesi i një misioni kulturor për një vend tepër të pacivilizuar. Edhe gruaja e Vidit ishte shumë entuziaste për këtë projekt dhe mezi priste të vinte në Shqipëri e të fillonte punën për civilizimin e vendit[19].

Zgjedhja e tyre u konsiderua përgjithësisht nga shqiptarët si një rikthim i vendit në gjirin e familjes europiane, kjo mishëruar përmes drejtimit të vendit nga një princ europian, pas gati 500 vitesh nën Perandorinë Osmane. Provë për këtë ishte larmia e festimeve që shqiptarët zgjodhën për ta festuar, prej mitingjeve publike, koncerte me muzikë kombiare dhe tradicionale, grumbullime spontane me brohori e me të shtëna armësh etj., e deri te kryerja në kishë ose jashtë saj e ceremonive fetare orthodhokse[20] dhe katolike[21], të paraprira nga Flamuri e Himni Kombëtar, nën titullimin “Për hipjen në fron të Shqipërisë të Lartmadhërisë së Tij, mbretit Wilhelm”! Sipas kronikave të kohës: …. i tërë qyteti ishte në festë. U bë një pritje fort e bukur: kishin ardhur delegatë prej çdo qyteti dhe jashtë Shqipërisë. Natën u bënë procesione me flamur dhe me fenerë: Mbreti në krye të shkallës së pallatit u epte të fala botësë. Gjithë shtëpitë ishin zbukuruare me fenerë[22].

Shpesh të kritikuar se ata janë shumë mbretërorë, se që të dy mbajnë një oborr dhe se ideja e vetme e Sofisë është të luajë një zonjë bujare, të shpërndajë lule, të vendosë medalje mbi të plagosurit dhe të bëjë bluza të vogla me qëndisje vendëse, ishin opinione që vinin nga ata që prisnin gjithçka prej tyre, ose që nuk kuptonin atë që ata realisht përfaqësonin.

Faik Konica pohon se sa e kulturuar ishte princeshë Sofia kur gjatë një takimi Konica i propozoi asaj idenë për ngritjen e një “theatre në Shqipëri në vitin 1914. Konica shkruan se, princesha i tha se ishte e bindur që është gjëja e duhur, por lipset të bindim dhe ministrin e Financës. I vajta Aziz Pashait, thotë Konica, i cili, me të dëgjuar, u hoth dhe më tha: Aman se mos na dëgjojnë, se do t’na zërë populli me gurë, kur të marë vesh se duam të harxhojmë mijëra lira nga hazineja e Mbretërisë, për ç’punë? Për çingitë!?

Pjesë e sjelljes së tyre europiane ishte edhe kujdesi që, në “Statutin organik të shtetit shqiptar”, të aprovuar më 10 prill 1914, të legjitimoheshin data e shpalljes së Pavarësisë (neni 22), gjuha shqipe si gjuha zyrtare e vendit (neni 24), krijimi i arsimit publik (nenet 178-182) dhe kujdesi për trashëgiminë kulturore të vendit përmes mbështetjes së zejeve (neni 200). Një tjetër aspekt për ta ishte edhe përpunimi i mentalitetit shqiptar, referuar tri parimeve: çdo shtetas i aftë për të punuar duhet të japë kontributin e tij për mbarëvajtjen e vendit; puna ka vlerë kur bëhet në kohën e duhur; dhe se njeriu është gjëja më me vlerë e shtetit. Nga përmbushja e këtyre tri parimeve, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një shtet kulturor edhe në rastin e Shqipërisë[23].

Dëshiroj të theksoj se, princeshë Sofia zotëronte aftësi në instrumentet muzikore dhe në këndim. Aftësitë e saj muzikore ranë në sy të shtypit ndërkombëtar gjatë kohës që kandidatura e Princ Vidit flitej në kancelaritë perëndimore. Në shtypin amerikan, në artikullin “Quajini shqiptarët afganët e Europës”, të botuar në New York Times më 14 dhjetor 1913, thuhet: … z. Wolf e përshkruan zgjedhjen e Fuqive të Mëdha si një “mister i pashpjegueshëm”. Ai i referohet komentit plot humor të një korrespondenti të gazetës Le Temps, që sugjeroi se suksesi i koncertit muzikor të Princeshës “Në shtëpi’, frymëzoi Fuqitë e Mëdha se ajo dhe bashkëshorti i saj do të ishin shumë të përshtatshëm për të sjellë pak harmoni në “dizonancat shqiptare”. “Sidoqoftë”, thotë Z. Wolf, “do të ishte një përsëritje kurioze e historisë, që traditat shqiptare hapen me mitin e Kadmusit dhe Harmonisë, nga të cilët lindi stërgjyshi eponim i gjithë popullit Shqiptar.”

Figura e dashur e mbretëreshës Sofi, e quajtur edhe si “Queen Sophie of Albania”[24], u bë më pas edhe personazh letrar në letërsinë shqipe, në veprën “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë. Anipse e shkruar dhe e botuar gjatë komunizmit, kohë kur monarkitë dhe monarkët ishin të dënuar e të anatemuar, pena e Kadaresë ka pikturuar një princeshë të vërtetë europiane, shumë afër tipareve dhe sjelljes jetësore të mbretëreshës Sofia, e cila ishte e dashuruar me muzikën, artin dhe trashëgiminë kulturore.

Ja si i përshkruan Kadare përgatitjet e saj, pak para ardhjes në Shqipëri: …. kisha me vete dy kostume popullore si të qëndisura me borimë, që mendoja t’i vishja në ceremoninë më të afërt, pllaka gramafoni me këngë e balada të vjetra, vegla muzikore tradicionale dhe një metodë për mësimin e gjuhës. Bëra një plan vizitash në kryeqytet, pjesëmarrje në ceremoni fetare të tri feve, në përurimin e themeleve të kishës protestante, pastaj të një institucioni bamirësie. Fill pas tyre dhashë një pritje për konsujt dhe gazetarët e huaj[25]. Mbretëreshë Maria e Rumanisë komentoi ëndrrën e parealizuar të Sofisë si mbretëreshë e Shqipërisë, kur tha: … Sofia e ka ruajtur dashurinë e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët; romanca e atij vendi të egër u fut në shpirtin e saj dhe ende jeton atje, dhe flaka e entuziazmit nuk është djegur! Ajo vdiq në vitin 1936.

Ndër të parët që e kuptuan dhe e mbështetën këtë standard drejtuesish të shtetit shqiptar ishin shqiptarët e Amerikës dhe Federata Vatra. Në një letër që Fan Noli i dërgonte Faik Konicës, i shkruante:… Mbreti i Shqipërisë është shumë popullor në mest të shqiptarëve të Amerikës, si i pari mbret i Shqipërisë pas Skënderbeut, dhe i idealizuar aq shumë sa ç’do goditje kundër tij, do t’i lëndojë shumë atdhetarët tanë të padjallëzuar[26]. Sipas gazetarit Ilir Ikonomi, Át Fan Noli erdhi vetë nga Amerika në Durrës ku mbajti një meshë shqip më 10 mars 1914, tri ditë pas arritjes së Princ Vidit. Shërbesa u mbajt në Sheshin e Jallës, buzë detit, afër Konakut, siç quhej pallati i Vidit, siç provohet nga fotoja e asaj dite. Vetë mbajtja e meshës në nderim të Princ Vidit ishte një shenjë e qartë e respektimit të autoritetit dhe lidhjes së besimit me mbretërimin.

Njoftimin për ardhjen e Át Fan S. Nolit e jep edhe “Kalendari Kombiar” me fjalët: … At Fan S. Noli bëri një shërbesë fetare në shesh përpara pallatit për nder të Mbretit: u ndodhë shumë njerëz, por despoti kish porositur që të mos gjendet as një i krishterë vendas[27].

Át Fan S. Noli në Durrës, 10 mars 1913

Lutja e Nolit ishte historike, sepse për herë të parë mbahej në shqip. Kishte ardhur garnizoni holandez, myftiu me hoxhallarët dhe qytetarë të tjerë të Durrësit. Përpara ceremonisë, Dervish Hima foli për bashkimin e tri feve në Shqipëri. Sipas gazetës Ushtimi i Krujës, përfaqësuesit e feve hipën në tribunë bashkë me Át Nolin dhe me Át Damianin e Beratit, të cilët nisën t’i luten Perëndisë për Mbretin dhe Mbretëreshën në gjuhën amtare. Kur Fan Noli i lutej Perëndisë, shkruante gazeta, përfaqësuesit e feve katolike dhe myslimane, hoxhët dhe priftërinjtë, me një ulësi të madhe drejtonin lutjet e tyre para Perëndisë… Gjindja thoshte Amin dhe entuziazmi rritej kur gjindja shifte nji bashkim ndërmjet hoxhëve dhe priftënve… Korrespondentët e huej habiteshin kur shikonin në tribunë priftën e hoxhë të bashkuem për mbushjen e nji akti të shenjtë. Pas lutjeve, Fan Noli mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha: … të gjithë e me gjithë zemër e me zell të madh, të bashkuar tok t’i japim ndihmë mbretit dhe bashkë me të të luftojmë për lumturinë e kombit shqiptar[28].

***

Adhurimi i shqiptarëve në përgjithësi dhe i atyre të Amerikës në veçanti për Mbret Vidin dhe mbretëreshën nuk mbaron me kaq. Në vitin 1914, Andon Zako Çajupi kishte botuar në shtypin e kohës poezinë e gjatë me titull “Mbretit të Shqipërisë” kushtuar Princ Vidit. As më pak e as më shumë edhe ai shkruante se: Erdhi mbret’i i Shqipënisë/Dhe zu vend’ e Skënderbeut.

Në vitin 1915, pak pas largimit të tyre nga Shqipëria, në Xhejmstaun, Nju-Jork, SHBA, krijohet banda muzikore “Queen Sofia”, në nderim të mbretëreshës Sofi. Banda kishte dirigjent Thoma Vishnjën. Patrioti Koço Grameno, vëllai i patriotit Mihal Grameno, ish-pjesëtar i saj e kujton kështu momentin e krijimit:…në krye të vitit 1915 së bashku me shokët propagandojmë në kolloninë tonë të Jamestownit, që të formojmë një Bandë muzikore, po ish e pa mundur që ta formonim atë po të mos ynja dhe unë me disa shokë si mua, kështu që të mos e umbasim këtë rast yra edhe unë, Gaqi Bellos, Isuf Gjata, Petraq Ngjala, Ali Take, Qani Saraçi, Thoma Vishnja e t. tjerë dhe formojmë Bandën “Mbretëresha Sofia” me 28 anëtarë. Blemë ystrumentat, pajtuam profesorin Josephe dhe filluam nga mësimet. Kur pas tre muaj ishim në gjendje të dalim në për rugët të marshonim me 4 – 5 marshë. Si kupëtova se banda u formua dhe nuk ka si të përçahet, në vëndin tim futa Vançi Trako Boboshticën e unë u largova[29]. Princeshë Sofia, bashkëshortja e Princ Vidit (Sophie Helene Cecilie of Schönburg-Waldenburg (zu Wied), mbetet ende ndër të rrallat monarke emrin e së cilës e mbante një formacion muzikor.

Banda muzikore “Mbretëreshë Sofia”, USA, 1915

Më 1916, për të parën herë botohet nga Spiridon T. Ilo[30], teksti i plotë i këtij himni në librin “Dëshirat e Zemrës”, USA 1916. Në parathënien e tij, Spiridon Ilo shkruan se: … duke parë mungesën e një koleksioni të plotë të këngëve kombëtare, disa atdhetarë më këshilluan t’i mbledh gjithë këngët që këndoheshin në Shqipëri në kohën e Turqisë dhe në kohën e çlirimit dhe t’i botonj në një vëllim të vogël, të cilën t’a ketë cilido shqiptar këngëdashës. Sot po u jap bashkatdhetarëve këtë libër me një çmim popullor dhe besoj se me këtë botim mbush një dëshirë të nxehtë të tyre[31]. Teksti i himnit të Ligorit, renditet i pari në radhën e teksteve të botuara që përfshihen në libër.

Dy vjet më vonë, Spiridon T. Ilo publikon partiturën e “Himnit Mbretëror” kushtuar Princ Vidit, me shënimin: … muzikuar si e këndon Spiridon T. Ilo. Ky është një variant i ndryshuar i melodisë së Nardella-s i bërë në kohën kur liria për të ndryshuar ende nuk ishte kufizuar nga ligjet për të drejtat e autorit.

Me mbështetjen e Thoma Nassit dhe Spiridon Ilos, “Himni Mbretëror” këndohet dhe regjistrohet në Amerikë në firmën diskografike në “Viktor”, diskun 10 n. 72187, në vitin 1918. Orkestra e të cilit drejtohej nga Nathaniel Shilkret-i, klarinetist, kompozitor e drejtor i një orkestre amerikane, dirigjent i “Victor Talking Machine Company” (më pas: RCA Victor).

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

 

Rreth mesit të viteve 1920, në Shqipëri kemi të botuar edhe një variant të melodisë së “Himnit Mbretëror” të harmonizuar për kor SATB, të shoqëruar me fjalët poshtë melodisë dhe më vete. Nga stili i harmonizmit, mendojmë se duhet të jetë dora e Thoma Nassit, në atë kohë drejtues i Bandës Kombëtare Vatra.

***

“Marsh Wied” u kompozua nga Lec Palok Kurti[32] (1884-1948), më 30 dhjetor 1913, në kapërcyell të vitit 1914, në Venecie, Itali, ku ai ishte me studime për kompozicion. Pjesa është shkruar për piano, e më pas edhe në dy variante i orkestruar edhe orkestër frymore, që mbajnë datat 10 mars dhe 2 prill 1914. Ekzistenca e këtij krijimi duhet parë si shenja më e qartë e ndikimit dhe peshës së caktimit të Princ Vidit si mbret i Shqipërisë te kompozitori[33] i ri. Në kopertinën e partiturës në dorëshkrim, për orkestër frymore të 2 prillit 1914, shkruhet: Marchs-Wied, Madhërisë së Tij, Gulielmit t’parë, Mbret i Shqypniës, Përvujtësisht Krishten, Kol Kurti.

Marshi kushtuar Princ Vidit është ndërtuar në tonalitet maxhor, në metër dy pjesëtues, tipik për gjininë e marshit, me natyrë solemne e parakaluese, në formë trepjesëshe, me reprizë dhe me CODÊ, ku pjesa e mesit është “Trio” e tipit kontrastues. Konceptin e Trios”, brenda gjinisë së marshit e gjejmë edhe te një tjetër marsh për piano, me titullin “Marshi i Aqif Pashës”, i kompozuar në Shqipëri në vitin 1915 nga oficeri austriak Anton Cimfl, ku melodia e trios është “Himni Kombëtar” i Shqipërisë. Nuk kemi të dhëna nëse ky marsh kushtuar Princ Vidit ka pasur interpretime gjatë kohës së shkurtër të qeverisjes së tij.

Ky krijim i llojit të marshit për piano kushtuar Princ Vidit është ndër të parët në të gjithë muzikën shqiptare, ndërkohë që marshet muzikore për orkestër frymore kishin një traditë më të hershme. Palok Kurti, babai i Lec Kurtit mbahet si autori i të parit krijim për bandë me titullin “Marshi i Bashkimit të Shqipërisë”, i kompozuar në vitin 1881, në Shkodër.

Siç e theksuam më sipër, Lec Kurti kreu shkollën e kompozimit në Itali në vitet 1909-1916, fillimisht në Pesaro dhe pastaj në Venecie. Një pjesë e madhe e krijimtarisë pianistike[34] e Lec Kurtit mbështetet në traditat muzikore popullore të Shkodrës, qytetit të tij të lindjes. Në nivel kombëtar, Lec Kurti u bë shumë i njohur në vitin 1913 me kompozimin e këngës Porsi fleta e engjëllit të zotit”, mbështetur në poezinë e Gjergj Fishtës nga “Mrizi i Zanave”.

***

Nëse Princ Vidi dhe princesha, për shumë arsye, e humbën betejën për të konsoliduar një shtet të ri shqiptar me tipare e standarde europiane, fryma që ata sollën në vend, pas qindra vitesh qeverisjeje jodemokratike e në përballje me sjelljet barbare të “dumbabistëve” e të qarqeve antikombëtare, reflektoi për mirë në shumëçka në mjedisin shqiptar. Për të kuptuar fatalitetin që e shoqëroi atë kohë, na vjen në ndihmë një përshkrim i bërë nga Mehdi Frashëri (1872-1963): ... fati i Shqipërisë, që ishte ndarë prej kulturës europiane gati 5 shekuj rresht, e deshi që, atëherë kur u kujtua se Shqipëria mbërriti në bregun e shpëtimit, nga injoranca, nga fanatizmi, nga propagandat e huaja, ra në rrebeshin e luftërave vëllazërore për prishjen e pavarësisë së vet.

Pas shpalljes së Pavarësisë, ardhja e Princ Vidit ishte përmbushja e një aspirate shekullore të shqiptarëve. Ishte kthimi i Shqipërisë drejt Europës, pjesë natyrale e së cilës ajo ishte. Askush më mirë se Ismail Qemali nuk e ka përshkruar rëndësinë e Princ Vidit në këtë aspekt, me gjithë kontradiktat që ai kishte me të. Sipas tij: ..mirënjohja i drejtohej Evropës, e cila kishte konfirmuar Shqipërinë dhe qenien kombëtare të saj, duke i dhënë edhe një Sovran, që ajo vetë e kishte zgjedhur[35].

Princ Vidi dhe investimi i tij shtetformues në Shqipëri, sado afatshkurtër që ishte, krahas të tjerash provoi se sa i vështirë ishte ndërtimi i një shteti demokratik në Shqipëri. Vetëm synimi për të kthyer timonin e Shqipërisë nga Europa, nxiti ashtu si në një reaksion kimik, reagimet e gjithë atyre forcave, në thelb antidemokratike, për të cilat Syrja Vlora, protagonist i kohës shkruan se: ….qëllimet që ata ndiqnin, ishin larg të qenurit kombëtare, ishin thjesht interesa personale. Me këto sjellje barbare bënë botën të mendojë se kombi shqiptar nuk ka të drejtë të jetojë dhe nuk është i pjekur për pavarësi. Ata i dhanë rast armiqve tanë të gjenin atë që kërkonin[36]. Ishin ata të cilët Kadare i përshkroi me “Himnin e Dumbabistëve”, te romani “Viti i mbrapshtë”:

Për Xhenet u nisëm, sosëm në Xhehnem
Shqipëri moj kuçkë ç’na bërë verem,
500 vjet rehat, ç’doni more djem,
Shqipëri moj kuçkë, ç’na bëre verem.
Thuaj sikter Europës si den baba den,
Shqipëri moj kuçkë ç’na bëre verem

Pavarësisht kësaj, vlera më e madhe e tij është se, nga ana tjetër, Princ Vidi frymëzoi dhe mobilizoi nacionalistët dhe europeistët shqiptarë, ata që shihnin te Princ Vidi një figurë të respektuar, që sipas Eqrem bej Vlorës: … të linte mbresën e një personaliteti të shquar dhe fisnik, të një njeriu të formuar, serioz, të ndershëm, mbase për Shqipërinë më tepër sesa duhej[37].

Pjesë e personalitetit të Princ Vidit ishte dhe reflektimi në muzikë i asaj çka ai synonte të bënte, një shtet të vërtetë, ku diversiteti ia linte vendin unitetit, ku himni, marshi, flamuri si simbole përbashkuese tregonin se marrëveshja, ndryshimi i madh ishte bërë dhe tash e mbrapa ne shqiptarët do të ishim si të gjitha vendet e tjera europiane.

Periudha e qeverisjes së Princ Vidit është koha kur shteti shqiptar u njoh nga gjashtë Fuqitë e Mëdha: Gjermani, Angli, Francë, Rusi, Austro-Hungari dhe Itali, por edhe periudha kur u përdorën dhe u pranuan ndërkombëtarisht nga ana e tyre e më gjerë edhe simbolet e tij zyrtare e kombëtare: himni. dhe flamuri! Kjo ishte një arritje e madhe, posaçërisht për Princ Vidin, i çmuar si një “grand seigneur”, për shkak të etikës së lartë aristokrate që ndiqte në jetën personale dhe atë zyrtare. Konica shton se, në Shqipëri bukuria është e përbuzur dhe e shkelmuar, por s’ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetra të popullit shqiptar është edhe e gjallë dhe merr një fuqi të re nga shembulli i atij që duhet të jetë dhe është pasqyra e shpirtit e të sjelljeve[38].

Mbret Vidi, mbretëreshë Sofia dhe fëmijët e tyre, të pagëzuar me emrat Skënder dhe Donika ishin të tillë!

Amin!

© 2024 Akademik Vasil S. Tole. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


 

[1] Këngët shoqërojnë kurorëzimin gjatë gjithë Biblës në disa raste: kur Davidi ngre fronin e arkës së Zotit në Jerusalem, ka muzikë (1 Kron. 16); kur lavdia e Zotit mbush dhomën e fronit të tempullit, ka muzikë (2 Kron. 5:11–14). Kur Qengji ngjitet për të marrë librin nga i Fronësuari, ka muzikë (Zbul. 5). Davidi është këngëtari dhe muzikanti më i madh mbretëror i Izraelit, “psalmisti i ëmbël” i Izraelit (2 Sam. 23:1). Po Davidi organizon një orkestër dhe kor për të ofruar një flijim lavdërimi përpara faltores së arkës dhe në tempull etj.
[2] Për më shumë mbi himnet shih Vasil S. Tole “Himni kombëtar”, Tiranë, 2013.
[3] Dutch National Anthem – “Het Wilhelmus” (NL/EN) (youtube.com)
[4] Shih “Kalendari Kombiar”, 1915, f. 36. Dokument i cituar.
[5] AQSH, Fondi Wilhem Wies, Dosja 246. Letër e cituar.
[6]Artikull i cituar nga gazeta “Stratis time”.
[7] Shih Neue Freie Presse, 7 mars 1914, te Kasmi Marenglen, “Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria”, mars-shtator 1914, Tiranë, 2023, f. 162. Artikull i cituar.
[8] Shih Berliner Lokalanzeiger, 8 mars 1914, te Kasmi Marenglen, “Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria”, mars-shtator 1914, Tiranë, 2023, f. 165. Artikull i cituar.
[9] Shih Vossische Zeitung, 9 mars 1914, te Kasmi Marenglen, “Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria”, mars-shtator 1914, Tiranë, 2023, f. 162. Artikull i cituar.
[10] Shih Berliner Lokal-Anzeiger, 26 prill 1914, te Kasmi Marenglen, “Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria”, mars-shtator 1914, Tiranë, 2023, f. 192. Artikull i cituar.
[11] Shih Leipziger Neue Nachrichten, 20 mars 1914, te Kasmi Marenglen, “Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria”, mars-shtator 1914, Tiranë, 2023, f. 173. Artikull i cituar.
[12] Sipas FESH, botim i ASH: LOGORI Loni (1871–1929). Poet atdhetar. Lindi në Korçë. Fare i ri mërgoi në Egjipt, ku kreu shkollën e mesme. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike të shqiptarëve të atjeshëm dhe bashkë me A. Z. Çajupin, F. Shirokën etj., u bë një nga veprimtarët më aktivë të saj. Më 1929 u kthye përfundimisht në Shqipëri e u vendos në Durrës, ku edhe vdiq. Është autor i një vargu vjershash patriotike, si: “Papa Kristonë na e vranë”, “Spiro Kosturit”, “Një sulm për Shqipërinë” etj., të cilat shquhen për dashurinë e zjarrtë për vendin dhe notën elegjiake. Është autor i këngës së njohur lirike “Drenovarja”. Ka përkthyer poezi lirike, si dhe tragjedinë “Sidi” të P. Korneit, botuar më 1927. Përgatitur nga Th. Gjika.
[13] Paolo Muner, “Jo vetëm “Hymni i Flamurit”, botimet Jozef, Durrës, f. 85. Libër i cituar.
[14] Po aty, f. 85.
[15] I krijuar në 29 korrik 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve, me synim organizimin e shtetit shqiptar.
[16] Shih Jose Carreras, “Che t’aggia dì!”, by Evemero Nardella (youtube.com)
[17] Shih Roberto Murolo canta Chiove (youtube.com)
[18] Për Princ Vidin shih https://encyclopedia.1914-1918-online.net/article/wied_wilhelm_prinz_zu
[19] Shih Kasmi Marenglen, “Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane në shek. XX”, Tiranë¸ 2023, f. 111. Libër i cituar.
[20] “Lavdurimi në kishën orthodhokse”, gaz. “Përlindja e Shqipëniës”, nr. 17, mars 1914.
[21] “Te deum në kishën katolike”, gaz. “Përlindja e Shqipëniës”, nr. 18, mars 1914.
[22] Shih Kalendari Kombiar” 1915, f. 36. Dokument i cituar.
[23] Shih Kasmi Marenglen, “Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane në shek. XX”, Tiranë¸ 2023, f. 64. Libër i cituar.
[24] Për më shumë mbi Mbretëreshën Sofi shih https://theesotericcuriosa.blogspot.com/2009/11/exotic-princess-princess-sophie-of.html?m=1
[25] Tek Ismail Kadare, “Viti i mbrapshtë”, te “Koha e shkrimeve”, f. 321, Tiranë 1986. Roman i cituar.
[26] Fan S. Noli, “Vepra 6”, Tiranë, 1996, f. 393. Letër e cituar.
[27] Shih “Kalendari Kombiar” 1915, f. 37. Libër i cituar.
[28] Fotografia është marrë nga libri italisht “Albania: un regno per sei mesi”, me autor diplomatin Ferdinando Salleo. Autori shkruan se kishte gjetur rastësisht në një treg vjetërsirash një koleksion me foto nga Durrësi. Koleksioni kishte qenë pronë e ministrit të Jashtëm italian, Markezit San Giuliano. Libri është botuar edhe në shqip, me përkthimin e Virgjil Muçit.
[29] Shih: Koço Grameno. Në udhën e shqiptarizmës: kujtime historike, përgatitur sipas dorëshkrimit nga Niko Kotherja. Tiranë, 2018, f. 94.
[30] Spiridon Tasi Ilo lindi më 30 shtator 1876 në Korçë. Aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin grek përpara se të emigronte me prindërit, motrën e vëllanë në Bukuresht. Pas Rumanisë emigron në SHBA, ku u bë edhe një ndër themeluesit e shoqërisë patriotike “Malli i Mëmëdheut” e “Besa-Besë”. Në vitin 1908 u rikthye në Korçë pas shpalljes së Hyrjetit dhe menjëherë vijon veprimtarinë grupet përparimtare e patriotike të qytetit, si anëtar te “Klubi i diturisë shqip” dhe muziktar i “Bandës së Lirisë”. Në 14 shkurt 1910 ishte ndër organizatorët aktivë të “Mitingut të Alfabetit” në Korçë. Largohet nga Korça në 23 prill 1910 në Manastir, e më pas në Bukuresht, ku hap një punishte shtypshkrimesh dhe mban kontakte me figurat e shquara të kolonisë së shqiptarëve. Ishte një nga pjesëmarrësit në takimin e Ismail Qemalit me shqiptarët e Bukureshtit më 5 nëntor 1912, në hotel “Kontinental”, në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. I bashkohet delegacionit të kolonisë së shqiptarëve të Rumanisë në ngritjen e flamurit në Vlorë edhe si përfaqësues i Korçës. Në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 ka firmosur nën siglën “Spiro T. Ilo”. Në 1916 emigron në USA ku themelon edhe të parën shoqëri diskografike shqiptare “Albanian Phonograph Records”, më 1923. Me kthimin në Korçë në vitin 1926, Spiridon Ilo punoi taksambledhës në bashki. Vdiq aty në vitin 1950. Në 1972 u dekorua me urdhrin “Për veprimtari patriotike”– Klasi II. Më pas, në 80-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, u dekorua me urdhrin “Për veprimtari patriotike”-Klasi I, me motivacion: “Atdhetar i dalluar i Lëvizjes Kombëtare që ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar”. Më 7 mars 2006 iu dha titulli “Qytetar nderi i qarkut të Korçës” “Pas vdekjes”.
[31] Libër i cituar.
[32] Sipas FESH, botim i Akademisë së Shkencave: KURTI Lec (1884-1948). Kompozitor, diplomat dhe veprimtar politik. Lindi në Shkodër në familjen e Palokë Kurtit. Studioi për muzikë në Pezaro (Itali) dhe mandej në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecie për kompozicion. Krijimtaria muzikore e tij shtrihet gjatë viteve 1909-1916 dhe përfshin vepra të gjinive te ndryshme: sonata, variacione, trio, romanca, kuartete, muzikë dhome, muzikë korale, muzikë simfonike etj. Në vitet 1918-1939 shërbeu në diplomaci: funksionar i Ministrisë së Punëve të Jashtme (1918-1920), më pas në përfaqësitë diplomatike shqiptare në Bari dhe në Romë (1920-1924), i ngarkuar me punë ad interim në legatën shqiptare në Athinë (1926-1929), ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1930-1935), ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe (1935-1939), ku denoncoi i pari botërisht pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Në maj 1939, me ftesë të Faik Konicës, shkoi në SHBA dhe u zgjodh kryetar i Federatës panshqiptare “Vatra”. Më pas u kthye në atdhe; në vitin 1942 ishte ndër themeluesit e organizatës Balli Kombëtar dhe u zgjodh kryetar i saj për prefekturën e Shkodrës. Me rikrijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (tetor 1943) hyri përsëri në shërbimin diplomatik. Në nëntor 1944 emigroi në Itali, ku u bë një nga veprimtarët kryesorë të emigracionit politik shqiptar. Për më shumë shih zërin e përgatitur nga Eno Koço dhe Uran Butka.
[33] Krijimtaria e Lec Kurtit nuk ishte publikuar deri në vitin 2008, kohë kur botohet libri me dorëshkrime që ruheshin pranë familjes së tij me titullin Lec Kurti, Vepra të zgjedhura “Musica Albanica”, studime dhe dokumente, III, Tiranë 2008, ku në shënimin e botuesit Sokol Shupo, në faqen VI përmendet edhe “March Wied”. Më herët, në vitin 2005 Nestor Kraja e përmend Lec Kurtin në shkrimin “Muzika instrumentale shqiptare”. Për Lec Kurtin shih gjithashtu Nikolli Fatmira, “Lec Kurti, zbulohen partiturat e panjohura të himnit për Princ Vidin”, te “Gazeta Shqiptare”, datë 19 gusht 2012; Shuteriqi Zana “Muzika shqiptare”, pjesa e parë (1878-1940), Tiranë, 2019, f. 118-135 etj.
[34] Ndër krijimet e tjera për piano përmendim: Gavotte, në sib maxhor, Venecia, 24 shkurt 1912; Scherzo, në mib maxhor, Venecia, 17 dhjetor 1913; Scherzo, në la minor, Venecia, ?; Preludio, në la minor, Venecia, 20 mars 1913; Andante, në lab maxhor, ?; Presto, në do minor (faqet e fundit mungojnë), ?; Marsh Wied, 30 dhjetor 1913; Romanza senza parole, në fa minor, Venecia 19 dhjetor 1913; Romanza senza parole, në fa minor, Venecia 24 dhjetor 1913; Pjesë për piano (pa titull)?; Tema con variazioni, në la minor, ?; Allegro molto moderato, në do minor, Venecia 27 janar 1914; Sonata për piano, në do minor, Venecia, 19 mars 1914 (një dorëshkrim tjetër i plotë mban datën 30 prill 1915); Preludio, në re maxhor, për piano, Venecia, 20 mars 1914; Berceuse, në la Maxhor, Venecia, 12 janar 1914; Preludio (sostenuto), për piano, Venecia, 29 janar 1914; Minuetto, në la maxhor, Venecia, 6 dhjetor 1914; Preludio, në sol minor, Venecia, 20 dhjetor 1914; Preludio, në sol minor, 11 maj 1914; disa fuga me katër zëra etj.
[35] Shih Ismail Qemali, “Kujtime”, Tiranë, 2009, f. 428. Libër i cituar.
[36] Shih Syrja Vlora, “Kujtime”, Tiranë, 2013, f.109. Libër i cituar.
[37] Shih Eqrem Bej Vlora, “Kujtime”, Vëllimi 2, Tiranë, 2001, f. 54. Libër i cituar.
[38] “Shqipëria si mu duk”, “Vepra 2”, Tiranë, 2001, f. 35.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin