NËNA E SHIJES

Historianët e muzikës e dinë se ideja që një vepër duhet dëgjuar disa herë për t’u shijuar ka lindur relativisht vonë – pak a shumë me mbërritjen e romantizmit edhe në këtë art; pse deri edhe në shekullin XVIII muzika do të kuptohej dhe vlerësohej “me dëgjim të parë”.

Ne sot nuk mund ta rrokim këtë. Me përjashtim të pak ekspertëve, të gjithë të tjerët kanë nevojë të “mësohen” me një vepër, para se ta shijojnë vërtet. Nëse këtë ta sugjeron, bie fjala, vetë struktura e një simfonie romantike ose një opere, p.sh. të Wagner-it, atëherë e kemi të vështirë të kuptojmë si konsumohej me dëgjim të parë, bie fjala, muzika e Bach-ut, e cila ndonjëherë është jashtëzakonisht komplekse, p.sh. Arti i fugës, ose veprat për instrumente solo, p.sh. për violinë ose violoncel; ose edhe kjo; në krahasim me një peshë më të lehtë, por gjithnjë mahnitëse si kjo sonatë e Scarlatti-t (luan Martha Argerich!).

andy-warhol-marilynJemi rritur me teknologjinë e regjistrimit (incizimit), e cila na lejon që t’i rikthehemi një vepre sa herë të duam. Nëse kjo teknologji ka ndikuar edhe në kompozitorët modernë, këtë nuk di ta them – meqë ma merr mendja që kompozimi gjithnjë bëhet duke pasur parasysh interpretimin e veprës në skenë; por kjo nuk qëndron, bie fjala, për muzikën elektronike.

Ka qenë një kohë e çmendur, dikur në fund të viteve 1970, kur e kisha bërë zakon të zgjohesha, në mëngjes, me kohën e tretë të sonatës Appassionata të Beethoven-it, të cilën e përdorja si kafeinë. E kisha të regjistruar në një magnetofon të vjetër (mono) dhe ashtu e dëgjoja, ditë pas dite, dhe kjo mund të ketë zgjatur me muaj. Kështu edhe efekti estetik i një pjese pak a shumë të përsosur erdhi dhe m’u shndërrua në një farë gjimnastike (kushedi po të kisha pasur të regjistruar atë sonatën e Scarlatti-t më sipër, nuk do të kisha abuzuar me Appassionata-n).

Në të ri e kemi pasur zakon edhe t’u ktheheshim librave për një lexim të dytë, pse jo edhe të tretë. Autorëve të mi të preferuar, si Hugo-it, Remarque-ut, Hashekut, Jules Verne-it, Çehovit, Sëift-it, Stendhal-it do t’ua kem lexuar librat të paktën nga dy herë; ashtu edhe Kadaresë Dimrin e madh dhe Kronikën, sikurse Agollit Zylon. Rileximi ishte, në fakt, leximi i vërtetë – meqë i pari bëhej për të marrë vesh se ç’do të ndodhte.

Pa zënë në gojë filmin – meqë një film i mirë, në kinema, do të shihej të paktën tre herë; dhe pa llogaritur filmat që jepeshin ritualisht nga TVSh-ja.

E asaj kohe ishte edhe një anekdotë për një polic, i cili ftesës për të shkuar në stadium, iu përgjigj se atë ndeshje “e kishte parë.”

Përsëritjen e kushtëzon teknologjia, por edhe varfëria e ofertës; tek e fundit, edhe libri duhet të jetë i lidhur mirë, që t’i rezistojë leximeve të shumëfishta (“me qepje”, njëlloj si këpucët).

Ndoshta kjo përdorshmëri e lehtë e përsëritjes, si mënyrë për t’iu qasur një vepre arti çfarëdo, e ka kushtëzuar edhe eksperiencën që kemi në teatër, duke na bërë disi të paaftë për t’i përjetuar ngjarjet skenike drejtpërdrejt.

Në fakt, shkak për këto përsiatje u bë një nga golat e ndeshjes Spanjë-Holandë që u zhvillua sot pasdite: menjëherë pasi shënoi Holanda, prita që të shihja “përsëritjen”, për ta procesuar ngjarjen e golit; si të thuash, vetë goli sa më përcolli informacionin e ndryshimit të rezultatit, ndërsa për ngjarjen vetë m’u desh patjetër përsëritja – madje më shumë se një e tillë.

Ndjesia nuk është se më habiti. E kisha provuar kur, para pak vjetësh, shkova në stadium në Hobogen (NJ) për të parë një ndeshje të Red Bulls – dhe natyrisht nuk arrita të komunikoj me lojën si dikur, meqë më mungonte ndërmjetësimi i teknologjisë televizive.

Me përjashtim të librave që më duhen për arsye pune (non-fiction), libra për fat të keq nuk rilexoj më; i vetmi që kam rikaluar në duar këto vjet ka qenë Money i Martin Amish; do të doja të rilexoja shumë, por nuk gjej dot kohë.

Përkundrazi, muzikë ridëgjoj pa fund; madje një nga kënaqësitë e mëdha gjysmë sekrete është të shkoj dhe të ndjek në skenë të interpretuara pjesë që tashmë i kam përvetësuar duke i dëgjuar në shtëpi.

Nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme këtu; madje shumë artistë dhe grupe, nga rock-u në jazz, e kanë bërë zakon që të dalin në turné pasi kanë nxjerrë një album të ri; pa folur për orkestrat simfonike, që veç luajnë simfoninë e 5-të të Beethoven-it, ose koncertin e Grieg-ut për piano dhe orkestër, duke u druajtur të ndërrojnë repertor, nga frika se mos e jetërsojnë publikun.

Shumëçka ka ndryshuar, në krahasim me shekullin XVIII, kur publiku i kultivuar ndiqte, të themi, premierën e një koncerti të Mozart-it për piano ose të një simfonie të Haydn-it, dhe ishte në gjendje ta shijonte, sikurse edhe të jepte një vlerësim. Ka ndryshuar, sepse publiku sot shkon në teatër i përgatitur, ose me detyra të bëra: falë teknologjisë, gjithkush arrin të familiarizohet me eventin.

Dhe kur thashë më lart që nuk po rilexoj më, lashë jashtë një hollësi të rëndësishme: këtë dimër dëgjova, në versionin audio, disa prej romaneve të mia më të dashura, përfshi këtu 1984, të Orwell-it, dhe Solaris, të Stanislaw Lem-it. Një eksperiencë e re; të dy romanet i përjetova në mënyrë filmike, kushedi ngaqë zëri e nxit imagjinatën pamore më fort se shkronja; dhe, për çudi, imazhet nuk m’u ngatërruan me çfarë kujtoja ende prej filmave përkatës.

1 Koment

  1. Do të kisha shtuar edhe diçka: masivizimin e dëgjimit me hyrjen e regjistrimit.

    Nëse në kohën para gramafonit publiku ish i kufizuar – ndoshta i përzgjedhur si pasojë e kufizimit dhe elitarizmit, opera p.sh., shpikja e inçizimit e bën muzikën të hapur për një publik shumë më të gjërë, për të mos folur për radion dhe televizionin më vonë.

    Ka të ngjarë që të pëlqyerit e muzikës “me dëgjim të parë” të ndodhte, midis të tjerash, edhe për këtë arsye, pasi e kishin veshin më të mësuar. Nuk jam i sigurt për këtë, por mendoj se në kohën kur më e shumta e publikut përbëhej nga aristokratë, që ushtroheshin edhe në muzikë e që kishin edhe kohën e lirë e kushtet për këtë, ish më e thjeshtë për ta të rroknin strukturën e saj, aq më tepër që asokohe muzika nuk qe aq e degëzuar sa ç’është sot.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin