SI VJEN PIAZZOLLA

Mbrëmje-koncert me muzikë të Astor Piazzolla-s në hollin veror të Radios, nga ansambli i harqeve i RTSH, me orkestrime të Armand Broshkës. Pas muajsh e muajsh mbylljeje prej COVID-it në NYC dhe gjetiu, muzikën live e përjeton njeriu si privilegj (dhe ashtu duhet të jetë gjithnjë).

Tangot e Piazzolla-s janë skulptura çiftesh vallëzuese, në hapësirë dhe në kohë.

Zbuloj se e paskam të pamundur të dëgjoj Piazzolla-n, pa u kthyer mendërisht në vitet e mia të hershme në New York, kur fillova t’ia njoh seriozisht muzikën.

Publikun e mbledhur në oborr nuk e shoh, sepse jam ulur në radhë të parë. I lejoj sytë të shëtisin përreth dhe pastaj lart drejt qiellit, te spektakli i dallëndysheve, që nuk po resht kurrë këtë stinë në Tiranë.

Në dyshemenë prej betoni, mu në këmbët tona, është rrëzuar një bletë, që nuk po fluturon dot sërish: ja një detaj që më vjen njëfarësoj domethënës.

Fillon muzika. Fillon edhe një gërvimë kërcënuese, që kanoset të çjerrë jo vetëm timpanet e dëgjuesve, por edhe sipërfaqet e lëmuara të instrumenteve: droni me kamerë, që hov përpjetë me lëvizje prej UFO-je.

Adiós Nonino është pikëllim në kërkim të një të pikëlluari. Por unë jam mësuar ta dëgjoj Piazzolla-n të luajtur me bandoneon, jo me fizarmonikë.

Bie muzgu dhe ia beh edhe pièce de résistance e koncertit: Oblivion. Teknikisht, ky kompozim është milonga, një formë pararendëse e tangos, më e qetë, por edhe më e dëshpëruar.

Shfaqen dy balerinë rigorozisht në të zezë, që interpretojnë, mbi litarin e tendosur të melodisë, figurat standarde, e megjithatë befasuese, të tangos balet.

Por baletin më befasues e performon për ne kameramani, që u vjen rrotull dansuesve me kamerë dore, tashmë edhe ai pjesë e spektaklit.

(Ta kenë shkelur bletën vallë?)

Kjo Oblivion mua më kujton në radhë: kolonat zanore të Ennio Morricone-s, kinemanë italiane, sentimentalizmin tashmë dekadent të viteve 1980, kolonat zanore të periudhës neo-realiste të filmit italian, sentimentalizmin e tyre ende jo-dekadent dhe fëmijërinë time në kinematë e Tiranës.

Është kompozuar, në fakt, për një film të Marco Bellocchio-s, Enrico IV (1982), të bazuar në një pjesë teatrale të Pirandello-s.

Ka shumë Itali te Piazzolla – mbase ka edhe shumë Argjentinë, por unë këtë s’e dalloj dot mirë. Më mbetet e padukshme, edhe pse “e di” që është aty.

Spanjishten porteño, që ka kuptimin “banor i një qyteti port”, jam mësuar ta lidh mendërisht me atë lloj muzike – e cila përcjell eklektizëm dhe tolerancë, siç e përcjell porti i madh.

Ta zëmë Buenos Aires-i.

Mbase Argjentina më shfaqet te ceremoniali gjithnjë pak pompoz i tangos skenike, stilizimi i skajshëm, ngrirja dhe pastaj shkrirja e gjestualitetit.

Diçka si protokoll i pasionit.

Përfytyroj fantazmagorinë e një tangoje të tillë, ku vallëzuesit të jenë me maska. Jo maska karnavali, por anti-Covid.

Kur nata afron edhe ajo madje ulet mes publikut, ja ku vërvitet qiejshit droni sërish: evil, kjo fjalë më vjen në mendje. EVIL INCARNATE.

Tangon tek ne në Shqipëri do ta kenë sjellë italianët; përhapja e saj më pas i detyrohet edhe pasionit sovjetik për kitsch spagnoleggiante dhe sentimentalizëm të pafaj. Dhe më pas, orkestrat punëtore, në mbrëmjet optimiste të dëfrimit, të filmave tanë të Kinostudios.

Por tangot dhe milongat e Piazzolla-s duhen shijuar edhe si refleksione mbi natyrën e tangos; muzika e tij shpesh evokon mallin për një humbje, duke e rikrijuar çiftin e marrëdhënies në vargje notash lidhur mes tyre me sinkopa.

Çfarë kemi humbur? Çfarë nuk kemi humbur? Siç edhe më ka ndodhur herë të tjera, pyes në heshtje se çfarë do të kish ndryshuar tek unë, po ta kisha dëgjuar – të them Oblivion – herët në vitet 1980.

Ashtu edhe nuk e vë re që koncerti tashmë ka mbaruar.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin