ARTI SHQIPTAR NË KRIZË

nga Ilir Lluka*

(reflektim mbi gjendjen e artit bashkëkohor shqiptar)

Arti shqiptar është në krizë të thellë identiteti. Sado në media gjendja e artit paraqitet me superlativë dhe Shqipëria si vend që mund të përballojë denjësisht kërkesat e bashkëkohësisë artistike botërore, e vërteta qëndron në anën e kundërt.

Ne pretendojmë që kemi zhvilluar artin elitar të avant-gardës por në të vërtetë kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë, po as artin komercial nuk kemi ditur si ta zhvillojmë.

Le të marrim muzikën; ne jemi një vend që pjesën më të madhe të artit zanor e ka të përqendruar te muzika tallava, më pas tek ajo popullore, ndërsa rrymat e tjera komerciale si muzika pop, dance, hip-hop janë të niveleve skandaloze dhe të padenja për vëmendje deri edhe nga një publik vendas e jo më nga një publik ndërkombëtar. Muzika elektronike dance shqiptare është pothuaj inekzistente dhe në përgjithësi vetë industria muzikore shqiptare është inekzistente,  përvec shtëpive diskografike që promovojnë dhe shpërndajnë atë muzikë të nivelit të ulët e cila synon në vetvete vetëm publikun shqiptar dhe as e merr mundimin të arrijë nivele të rangut ndërkombëtar.

Ku është industria e muzikës klasike? Si mund të quhemi vend me kulturë kur nuk kemi të zhvilluar muzikën klasike shqiptare? Kur ka qenë hera e fundit që keni shkuar të dëgjoni një orkestër që luan pjesë të një kompozitori shqiptar? Po edhe nëse e heqim këtë elementin e autorësisë shqiptare, ku janë risitë kontemporane në artin teatral, në balet, në muzikën klasike orkestrale ose thjesht instrumentale? Ose në operistikë? Akoma nuk janë ngopur shqiptarët duke parë Traviatën dhe Madame Butterfly? Akoma nuk janë ngopur shqiptarët duke dëgjuar Çajkovskin dhe Mozartin? Vetë interesi për këto evente artistike po mbahet gjallë për inerci, për arsye sociale që në vetvete s’kanë të bëjnë me artin.

Si mund të pretendosh bashkëkohësi kur veprat bashkëkohore pothuajse nuk ekzistojnë? Si mund të pretendosh që publiku të ketë bagazh kur ti nuk ja ofron atë? Një prej gabimeve më të mëdha dhe që luan një rol të madh në mungesën e identitetit tonë aktual artistik është njehsimi që i është bërë Gun Quartetkarakterit “shqiptar” si një element i lidhur rrënjësisht me folklorin. Në çdo situatë artistike në kinematografi, muzikë dhe arte vizuale paraqitja e elementit shqiptar është e lidhur ngushtë me simbole folkloristike, me imazhe ide dhe elemente vizuale kohërash të largëta, kohëra ku njerezit ngrihen nga varri dhe kaptojnë male për besën e dhënë per së gjalli, dhe ky përqendrim vëmendjeje në këto elemente folkloristike kanë bërë që të jemi plotësisht të zhveshur nga një identitet i mirëfilltë me karakter bashkëkohor. Shqiptari sipas këtyre stereotipeve i bie të jetë thjesht dikush që vishet me rroba folkloristike, bën muzikë popullore dhe pëlqen shqiponjat: këto janë elementet që në një mënyrë ose në një tjetër synojnë të na simbolizojnë.

Më pas kemi situatën post-komuniste, ku arti nga një anë fillon të marrë trajta anti-komuniste (në mënyrë të tepruar deri në ditët e sotme me paçavure të tilla si bunkerë në mes të qytetit që imponohen si vepra arti e shumë të tjera), nga ana tjetër përpiqet të lidhet me botën e jashtme, duke u infiltruar në të me simbolet e mërgimit nga Shqipëria. Për sa e sa vite arti shqiptar sidomos ai kinematografik është identifikuar me simbolin e mërgimtarit në vise të huaja? Por ama këto të fundit janë thjesht paraqitje zhvillimesh sociale të cilat i përkasin një periudhe të caktuar por që dështojnë në krijimin e një identiteti artistik shqiptar. Shqiptari pra ngelet akoma ai njeriut me rroba folkloristike, që dëgjon muzikë popullore dhe pëlqen shqiponjat. Problemi i identitetit ka krijuar një qark të mbyllur në reflektimin e publikut mbi artin: nga një anë publiku ua lë fajin artistëve për këtë gjendje, sepse janë ata që dështojnë të japin gjera të cilat të kenë vlerë në nivel ndërkombëtar; dhe në shumë aspekte kjo është e vërtetë, artisti duhet të jetë portali drejt artit bashkëkohor dhe me vlerë, jo vetëm në rang lokal por edhe përtej kufijve; ndërkohë dëgjoj shumë artistë të cilët e justifikojnë këtë mungesë cilësie ose risish në artin shqiptar sepse e konsiderojnë publikun shqiptar si një injorant që meriton t’i jepet një art me nivel injorantësh, sepse kjo është çfarë publiku shqiptar kërkon prej tyre dhe ata ia japin (në mënyrë që edhe të nxjerrin sa më shumë përfitim ekonomik mos e harrojmë arsyen kryesore). Pra artisti shqiptar paska mundësi të bëjë gjëra të nivelit të lartë, por për të mbijetuar bën kompromise dhe krijon art injorantësh për injorantët: mjafton ky pohim për të treguar hipokrizinë e artistit shqiptar. Paradoksalisht të dyja këto këndvështrime janë të vërteta.

Publiku shqiptar ka një mungesë të theksuar refleksioni mbi vetë artin që i jepet. Referencat që publiku shqiptar ka për të vlerësuar një vepër arti si diçka me vlerë ose si plehrë janë të gabuara dhe sipërfaqësore; nëse një artist i afirmuar sjell artin e tij, kjo bën që automatikisht tek njerëzit të lindë ai sugjestionim etiketash sociale që dhurojnë një ndjenjë të ngrohtë dhe sigurie mbi atë që duhet të jetë art “i mirë” dhe rrjedhimisht lind një ndjenjë besimi i verbër që na bën të marrim të mirëqenë faktin që ky filan artist po sjell diçka që edhe pse mbase nuk na pëlqen nuk na dhuron emocion ose qasje intelektuale ose nuk e kuptojmë e na duket pa sens, ka vlerë meqë ai është individ i afirmuar; ndërkohë që vepra nga artistë të rinj e të panjohur nuk u japim vëmendjen e merituar, sepse mungojnë kredencialet sociale që t’i identifikojnë ato si të denja për vëmendjen tonë. Pra vëmendja e mendimit “kritik” të publikut shqiptar nuk është e përqendruar tek arti por tek artisti, dhe që këtu lind devijimi që thellohet dhe shkon gjithnjë e më tepër drejt vlerësimeve sipërfaqësore dhe boshe ndaj një arti sipërfaqësor dhe bosh.

Nga ana tjetër për sa i përket atij arti elitar ose “avant-garde”, shumë artistë përdorin pikërisht mungesën që publiku shqiptar ka si në informacion si në intelekt për të reflektuar rreth asaj çfarë i jepet, për të krijuar spekulime artistike duke vendosur si shenja dallimi fraza shoqëruese të tipit “art konceptual” “eksperimental” “avant-garde” “minimalizëm” etj. Dhe duke i përdorur këto si sugjestione për vlerësimin e publikut; edhe atëherë kur në të vërtetë shpesh kemi të bëjmë me plehra artistike, patetizma, idiotësi sipërfaqësore ose broçkulla; pseudo-art, vepra me ide të ezauruara që duan të mbajnë etiketën e origjinales por që në të vërtetë pikërisht vetëm një publik me mungesë informacioni dhe refleksioni mund t’i vlerësojë si xhenuine dhe artistikisht origjinale. Ky është problem serioz që vetë arti bashkëkohor dhe sidomos ai i disiplinave më abstrakte sjell kudo në botë, sepse i jep hapësirë çdokujt që të rivendikojë artin e tij si diçka me vlerë duke i dhënë hapësirë legjitimimi paraprakisht çdo vepre, madje edhe atyre që janë plehrë (dhe shumë vepra arti bashkëkohor në shumë disiplina artistike si brenda dhe jashte vendit të tilla janë); dhe është pikërisht niveli i refleksionit nga publiku ai që duhet t’i gjykojë këto vepra si art me vlerë ose plehrë, në vend që ato të merren si të mirëqena.

Sot mund të dalë edhe dikush që t’i bjerë tavolinës me pëllëmbë dhe të thotë se po bën muzikë avant-garde e ne ta dëgjojmë gojëhapur pa e lodhur mendjen se si na prek ajo që ai bën ose si ajo gjë i përshtatet konteksteve sociale filozofike psikologjike të asaj që mund të hyjë tek muzika avant-garde apo se sa kanë të drejtë intonacioni dhe ndjesia të quhen si avant-garde ose të japin ndjesi të tilla që lidhen me botëkuptimin e avant-gardës.

Jemi jo shumë larg kohës kur çdo artist do jetë i detyruar të mësojë një ose disa gjuhë programimi që të jetë i aftë të sjellë risi origjinale dhe unike në këtë periudhë artesh dixhitale dhe jo vetëm në artin vizual ose instalativ por edhe në muzikë, teatër, kinematografi dhe video-art. Kemi nevojë për art të mirë, që të na godasë akoma pa qenë të vetëdijshëm mbi kontekstin, pa qenë nevoja që kuratorët të perpiqen të legjitimojnë veprat duke shkruar ese dhe duke infiltruar kuptime edhe aty ku s’ka. Kemi nevojë për një art që të na hyjë aq thellë në shpirt dhe në psikikë saqë të ndikojë në jetën tonë dhe në zhvillimin e personalitetit tonë dhe vetë ideve tona të ardhshme. Kemi nevojë për ndjenjë. Intelekt dhe ndjenjë. Dhe do vijë një kohë kur spekuluesit nuk do ekzistojnë me, sepse e vetmja mënyrë që njeriu do ketë që t’i vërë në jetë idetë e tij do jete….duke punuar.

(*) Artist zanor, kompozitor i muzikës elektronike eksperimentale nga Tirana, Shqipëria.

1 Koment

  1. Një shembull i artit që ua tund malet e shqiptarëve – ku i gjen të gjitha: banalitetin e subjektit, banalitetin e qasjes, jargavitjen pas “të fortëve” dhe të kamurve, natyrën mercenare të gjakimit, obsesionin deri në marrëzi me detajin, konceptimin e artit si një lloj sporti, vëmendjen e mediave për këtë “arritje”…

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2016/01/abramovic.png

    Këtu mungon veç financimi nga Ministria e Kulturës, për t’ia vënë kapakun.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: