PROVOKACIJA (II)

Debati për (zh)veshjen e një moderatoreje të një emisioni televiziv për sportin, më kujtoi sakaq një pikturë të njohur të Édouard Manet-së, Le déjeuner sur l’herbe (1863), e cila i skandalizoi publikun e kohës. Dhe jo aq ngaqë aty paraqitej një nudo femërore – tek e fundit, galeritë dhe muzetë e artit europian ishin të mbushura me piktura dhe skulptura gjithfarë trupash lakuriq; sa për pranëvënien, aq të shpenguar, të dy burrave të veshur normalisht dhe të një gruaje që rrobat i ka hequr krejt.

Për kuptimin dhe domethënien e kësaj vepre është diskutuar shumë. Për momentin, le të vë në dukje se, si në rastin e moderatores në TV, që del gjysmë e zhveshur në kontekstin tradicionalisht mashkullor të gazetarisë sportive, ashtu edhe në rastin e vajzës lakuriqe në pikturën e Monet-së, imazhi “skandal” është i rrethuar me kornizë, ose i shënjuar si i një hapësire të ndryshme nga jona.

Korniza i përket pikturës nga njëra anë dhe caqeve anësore të ekranit televiziv nga ana tjetër; dhe të dy herët lajmëron një kufi, një demarkacion midis vendit ku tabuja vepron – dhe që do të ishte bota e publikut; dhe vendit ku tabuja ka pushuar së vepruari, që do të ishte bota brenda kornizës.

Në fakt, kultura si jona, por jo vetëm, gjithnjë i shoqërojnë ose i zbutin tabutë me përjashtime, të cilat përkufizojnë kushtet se ku, kur dhe si mund të shkelet tabuja. Përjashtimet mund të jenë hapësinore, p.sh. plazhi ku kushdo mund të dalë gjysmëlakuriq në sy të së tjerëve ose salla e vallëzimit në Shqipërinë e viteve 1980, ku një djalë dhe një vajzë mund të lëvizin të përqafuar me njëri-tjetrin, edhe pse jashtë sallës as për dore nuk do të kapeshin dot; kohore a kalendarike, p.sh. karnavalet, kur përkohësisht pezullohen hierarkitë sociale (ose, më herët, saturnalet); sociale, p.sh. kur njerëzve të një race ose të një statusi të caktuar – të themi ciganë ose skllevër – u lejohet tradicionalisht të shkelin tabunë (çengitë, në Shqipërinë osmane).

Sot në Shqipëri duket sikur televizioni dhe krejt show business-i është kthyer në një hapësirë të tillë të pezullimit të tabusë, për synime kryesisht komerciale. Në kuptimin që një vajzë mund edhe të zhvishet në ekran për të promovuar të drejtat e gruas ose për të protestuar opresionin politik, por në analizë të fundit edhe kjo zhveshje do të shitet. Çfarë veç tërthorazi lidhet me faktin tjetër që, mjedise të hiper-kontrolluara dhe të hiper-kodifikuara, si një mbrëmje gala ose një spektakël skenik, e përkufizojnë veten edhe duke luajtur me vijën e demarkacionit mes veshjes dhe lëkurës femërore; dhe ku protagonistEve u jepet mundësia të tregojnë shije, të mirë ose të keqe. Evente të tilla sociale, që përcillen gjerësisht në mediat, kanë shumëçka të përbashkët me karnavalet, sepse e mbështetin joshjen e tyre te ky pezullim i butë i tabuve.

Sa për statusin social të protagonistEve të eventeve të këtilla argëtuese, përfshi këtu edhe moderatoret e Digitalbit dhe “velinat” e tjera që mbushin ekranet e televizioneve komerciale në Shqipëri, është për t’u vërejtur se ato i shoqëron gjithnjë përjashtimi i përkohshëm nga normat e sjelljes në publik, si kusht për funksionimin e rolit të tyre skenik; përjashtim që është po aq konvencional sa edhe tabuja përkatëse dhe hyn në marrëdhënie simbiotike me të.

Në diskutimin që shoqëroi shkrimin tim “Provokacija” u tha, mes të tjerash, se sot në Tiranë po konsolidohet figura profesionale e “vajzës televizive”, e cila ofron praninë e vet gjysmë të zhveshur në ekran si të ishte ornament i emisionit, ose shenjë e një hapësire ku publiku ftohet të ndihet më i shpenguar dhe më “i çliruar nga komplekset”. E kotë të shtoj që, të rrethuara nga korniza e ekranit ose pjesë e një bote të arritshme vetëm përmes syve, këta trupa të zhveshur kryesisht shënjojnë atë që teoricienët e filmit e kanë quajtur male gaze, ose vështrimin mashkullor.

Për t’u kthyer tani te piktura e Manet-së, me të cilën e hapëm këtë shkrim: mes shumë kontributeve të tjera, ajo lajmëroi, në mënyrën e vet, fatin e trupit lakuriq të gruas, në modernitet, duke e shkëputur trupin nga aura klasike ose klasiciste, e artit të deriatëhershëm, për ta vënë në kontrast jo më me publikun relativisht bigot të galerive të artit, por drejtpërdrejt me konsumatorët e këtij trupi në pikturë; duke e joshur publikun të identifikohej me personazhet “borgjeze” të ulura në bar dhe pastaj të skandalizohej me absurditetin e këtij kombinimi. Stilemat skenike të televizionit komercial sot nuk e kanë këtë synim; gjithnjë shpresoj që ta kenë këtë efekt.

© 2018, Peizazhe të fjalës

10 Komente

  1. Në antikitet , trupi i mashkullit të skulpturuar , ishte mishërim i bukurisë dhe harmonisë.Patriarkia, kësisoj , vendosi në qëndër të kulturës imazhin e vet mashkullor. Ndoshta ndikuar edhe nga koncepti aristotelian për femrën , si trup inferior karshi mashkullit
    Duke filluar nga Rilindia , imazhi i trupit të femrës , gjysëm i veshur e sidomos nudo, u bë epiqendra e artit viziv.
    Piktura e Monet është interesante dhe duket se përtej kremtimit të bukurisë së trupit lakuriq femror, përcjell kodet ideologjike të modernitetit: vini re, trupi femrës lakuriq përfaqson Natyrën (e saj) kurse Meshkujt e veshur sinjifikojnë Kulturën, Arsyen. Mashkulli ështê Kultura, Intelekti. Femra është Natyra, thjesht Trup.
    Magjistarët e marketingut në shoqërinë komerciale dhe të spektaklit, duket se imazhet e pikturave me femrën nudo të Rilindjes e këndej, i kapën dhe Trupin e Femrës , të erotizuar dhe seksualizuar, e kthyen në imazh të reklamës, në karrem për konsumatorin. Sikurse mediumet elektronike e kanë kthyer ikonografinë e trupit të Femrës sexy , në karrem për joshjen e audiencës.

    Ky “përdorim” i imazhit të femrës dhe reduktimit të qënies së saj në Trup që flet (moderatore) pohoet haptazi në deklaratën e DigitAlb sot:

    “moderatorja e sulmuar, Znjsh. Ilda Bejleri është njëkohësisht gazetare, moderatore dhe imazh. Në performancën e saj televizive, ajo i sjell të trija këto cilësi në ekran, sepse të trija janë pjesë e punës dhe personalitetit të saj.”

    Po të lexosh predikimet e ideologëve propagandistë të komunizmit ( psh libri S.Tarifës Mbi Dashurinë dhe familjes Socialiste), theksi vihej tek “bukuria e brëndshme”.
    Komunizmi, Katoliçizmi, Islami dhe Konservatorizmi në këtë pikë janë në unison.
    Nga ky këndvështrim, çlirimi Trupit të femrës nga tabutë në mediume, reklama dhe në jetë, zvogëlimi kufijve të veshjes dhe shpallja e hapur e hireve, duken si hap i madh progresiv.
    Por pikërisht në zemër të këtij Çlirimi është mbjellë objektifikimi seksual i femrës , seksizmi dhe stereotipet gjinore.
    Me trupin e zhveshur të femrës për “male gaze”
    kultura komerciale riprodhon Patriarkinë në formën më të stërholluar.
    Ky është paradoksi . Liria , si heqje rrobave nga trupi femrës, riprodhon “robërinê” e saj , në kontekstin e kulturës së konsumit dhe maskilizmit.

    1. Nese esht shoqeri konsumi nuk ka sesi te jete maskiliste se konsumatore jane te gjithe.

      Kjo zhveshje e femres nisi si sugjerim skenik, si nje provokim, si keto qe ben ky analisti i njohur sot, jo si thyerje tabush.

      Ajo zhveshje nuk afirmoi lirine, nuk solli as ndonje kulture, por importoi modele performimi. Se fundja ne nje vend periferik si yni, kultura e performimit eshte e vetmja qe mund te quhet si e vetmja origjinale qe i jep jete te ashtuquajtures hapesire publike.

      1. n! thotë :
        “Nese esht shoqeri konsumi nuk ka sesi te jete maskiliste se konsumatore jane te gjithe.”
        Po të jetë ky argumenti, në botën perëndimore nuk do kishte patur arsye për lëvizjen feministe, sidomos në valën e dytë, e cila përkon me zgjerimin e shoqërisë konsumeriste.
        Ti po thua: bukê hane dhe burrat, dhe gratë, ç’ne që flitet për barazinë gjinore e për patriarkinë. Në Perëndim ë, se në Lindje flet Malala.
        Në Shqipëri nuk ka revolucione dhe as thyerje tabush. Ka jehona të botës.
        Por hyllin e ka mirë. Kjo është kulturë globale dhe nuk i shmangemi dot.
        Eshtê si puna e shiut, mund ta sodisim, të flasim për të si dukuri por nuk e pezullojmë dot.

    2. Nuk eshte rasti per te hapur nje teme adoleshentesh dhe natyrisht qe kudo qe fut hundet komunizmi, ka diçka qe perdhoset, por fakti qe e ka permendur Tarifa ne ato perkthimet e tij nga rusishtja nuk eshte arsye bindese per te vene ne dyshim rolin paresor te bukurise se brendeshme te gruas. Njerzimi nuk ka patur nevoje per komunizmin (as per fete e zbuluara) qe te arrije ne nje perfundim te tille, qe e ka verejtur mbase qe ne lindjen e tij, por po shoh ketu nje shprehje te Euripidit: Nuk eshte bukuria e gruas qe magjeps, por fisnikeria e saj.
      Kush nuk e ka vene re nje gje te tille, te ngreje doren.

      .

      1. Lyss thotë:
        “Nuk eshte rasti per te hapur nje teme adoleshentesh dhe natyrisht qe kudo qe fut hundet komunizmi, ka diçka qe perdhoset, ”

        Lyss, kush është ” temë adoleshentësh”, mund ta sqarosh pak?
        Se mua mê duket mendim adoleshentësh të Kamzës të përgjithësosh e të thush ” kudo që fut hundët komunizmi, ka diçka që pêrdhoset”. Po le të mos e hapim këtë temë.
        Në komunizmin tonë theksi ( e theksoj) vihej në bukurinë e brëndshme tê njeriut , dhe të femrës, doemos. Komunizmi ynë kishte alergji për gjunjët e zbuluar të femrës , le më për gjinjtë e dukshëm nga dekolteja .
        Pra solla rastin e kodeve etike teorike dhe në praktikën e komunizmit tonë, për të treguar kalimin në ekstremin tjetër në konsumerizëm dhe përdorimin e imazhit të Trupit të femrës nga reklama, media dhe tv.
        Kjo kulturë natyrisht që tek Adoleshentet krijon besimin e gabuar se me cica e shalë mund të bësh përpara e të ngjitësh shkallë.
        Se për cicat e moderatoreve u nis ky debat.
        Ky është një trend që ushtron presion por jo se gjithë realiteti social futet në këtë korrnizë.Që dmth , jo të gjithë njerzit, magjinë e femrës e shikojnë tek aparenca e saj dhe jo të gjitha femrat në këtë botë , suksesin e tyre e mbështetin tek aparenca, dhe jo tek kultivimi vetes, tek dija dhe fisnikëria e brëndshme.

        Nuk ka diskutim që qysh në antikitet është folur për misterin e femrës dhe magjepsjen nga bukuria e brëndshme.Por e përsëris, shoqëria komuniste shqiptare, tradita e katoliçizmit, tradita konservatore dhe shoqëritë myslimane gjysëm lakuriqsinë e femrës në publik e kanë konsideruar shenjë degjenerimi.

        1. Per teme adoleshentesh, kam parasysh thelbin e debatit qe po bejme, pra perparesine qe merr bukuria fizike apo bukuria shpirterore te nje grua. Te pakten ne kujtesen time kjo vjen si diskutim i nje periudhe te tille, tashme te larget.
          Duke i kushtuar pak me shume vemendje nderhyrjeve te kolegve, mbase mund te arrijme te shmangim replika me nje ngarkese te tille egersie qe ne oret e para te dites.

          1. Ah, e ke fjalën për temën e hapur nga autori shkrimit. Sorry.
            Po flasim për femrat dhe debatet e meshkujve, ashtu si duelet dikutr për Ato, kanë pak “egërsi”.

  2. Dixhitalbi dha nje deklarate ne linje me Provokacija I.
    Binomi mes sportit dhe femrave te bukura eshte normaitet; sportiste e modele mbushin faqet roze te gjithe botes. Televizioni thjesht i eshte pershtatur. E papershtatshme do te ishte qe gazetaret dhe moderatoret e programeve politike si Xhunga, Vasili apo Tare te tregonin hiret e tyre, apo qe Fevziu te mbante Bejlerin e Rakipi ne vend te Bushatit te merrte Zemanin.
    Mandej Muçin ne veshje here e gjejme ne stil klasik, here e gjejme ne stil zdrukthtari, here ne gay-style, here ne pimp-style, duket se i vetmi shqetesim i tij ne veshje te jete ai zanafillori i Adamit, mjaft te kete gjethe fiku. Kete shqetesim personal te gjethes se fikut e jashteqiti dhe nuk besoj se i duhet dhene kaq shume rendesi.

    Ka fenomene te cilat jane pertej mundesise se shoqerise per t’i trajtuar e per te nxjerre ndonje konkluzion ndryshe nga bota. Ky eshte nje nga ato fenomene. Ndoshta ia vlen te diskutohet, qe te ngelet diçka per studiuesit e se ardhmes, por nuk besoj se ka ndonje vlere ne rrethanat e sotme, dmth se mund te ndikoje ne ndonjefare menyre ne zhvillimet aktuale.

  3. Para do vitesh ministri i jashtem i Iranit, drejtuar nga ligjet e Sheriatit fondamentalist lslamik, viziton ltaline. Ndalet ne Rome mbas bisedimeve dypaleshe,vendos te vizitoje qytetin. Qershia mbi torte i thone te vizitosh “Villa Borghese”. Mos rendin nje mizeri njerzish, gjejne ku mundin mbulesa te bardha puplini, per te mbuluar shtatoret e panjehuna, mashkujsh femrash,apo te dyja gjinive, cullak fund e krye.Kur sensualiteti erotismi i bute, pushkatohen atehere po ju hap portat perversiteteve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin