Polaku Stanislaw Lec, disa prej aforizmave të së cilit i kam përkthyer për Peizazhet, thotë diku: “Shumë nga miqtë e mi janë armiqësuar me mua, me shumë prej armiqve jam miqësuar, por indiferentët më kanë mbetur besnikë.”
Mendim që më ka vënë në mendime – nëse më falet kakofonia; meqë indiferenca është manifestimi social, në daçi edhe kulturor, i vdekjes termike së universit.
M’u kujtua ky aforizëm, kur po lexoja këto ditë në një ese të Michael J. Lewis me titullin “How Art Became Irrelevant”, botuar në Commentary Magazine, në 1 korrik 2015; ku autori përshkruan tkurrjen e rolit të artit në jetën publike, duke shkruar mes të tjerash:
Nëse artet e bukura mund t’i mbijetojnë një publiku armiqësor ose injorant, ose edhe një publiku fanatik e mendjengushtë, ato nuk i mbijetojnë dot për shumë kohë një publiku indiferent. Dhe kjo është natyra e reagimit të tanishëm ndaj artit në Perëndim – artit vizual dhe tjetërlloj: indiferenca.
Lewis flet për artin në Perëndim – ose një univers kulturor me rrënjë të forta në traditë dhe tradita të forta rrënjësh; dhe ku kultura është pjesë e pashqitshme e indit social; e megjithatë, ai sheh tek indiferenca – ky efekt anësor i irrelevancës – një rrezik vdekjeprurës për mbijetesën e artit.
Ku dhemb dhembi vete gjuha; dhe mua këtu më shkoi mendja tek indiferenca pothuajse totale e publikut, ndaj artit bashkëkohor jo-pop që ende kultivohet në Shqipëri: arteve vizuale, filmit d’auteur, muzikës së kultivuar – lirike dhe instrumentale. Në debatet që shoqërojnë këtë realitet, disa bëjnë me faj artistët që janë shkëputur prej publikut, meqë publiku nuk u jep më mjetet që u duhen për të jetuar dhe, tek e fundit, për të qenë artistë; disa të tjerë bëjnë me faj publikun e trullosur dhe të budallallepsur nga shkolla, mass mediat dhe paniku i një jete të paqëndrueshme.
Teksa këto debate mbeten të shëndetshme, ka ende artistë që kujtojnë se mund të mbeten relevantë sa kohë që dikush i financon dhe, më mirë akoma, sa kohë që ka një publik të huaj për artin e tyre. Tek e fundit, a nuk i ka importuar publiku shqiptar praktikisht të gjitha manifestimet pop, pas të cilave po e humb mendjen tani, që nga futbolli zvicerano-shqiptar i De Biasi-t e deri tek Rita Ora e Anastacia?
Por shqetësimi im është tjetërkund: publikun mund ta mbash të lumtur edhe me një telenovelë osmane ose me imazhe gjendrash qumshti të homo sapiens-it; por kjo nuk mjafton, madje as për t’i mbajtur në stand-by ato sisteme thelbësore të komunikimit kulturor që deri më sot na kanë ndihmuar, madje mundësuar të riprodhohemi si qytetarë dhe si bartës të kulturës shqiptare.
Nëse artistët në Tiranë mjaftohen me instalacione dhe video që pastaj i jepen një publiku gjetiu (prapa botës); nëse kineastëve nuk u bën përshtypje, që filmat e tyre shpesh nuk shesin më shumë se 7 ose 33 bileta mbarëkombëtare; nëse një kompozitor jazz-i ose i muzikës serioze detyrohet t’u mësojë pianon vajzave të grosistëve të zhavorrit – teksa publiku vetë i mbush shtëpitë me kitsch të pashembullt, ushqehet në televizion me produkte toksike dhe dëgjon muzikë të tillë që t’i djeg cipat e trurit (insane in the membrane), atëherë kemi një problem.
Arti – i kultivuar, elitar, avant-gardist – ekziston në vete dhe për vete; ekziston edhe për autorët dhe publikun e synuar prej tyre; por ka edhe një rol tjetër krucial për të luajtur: të ushqejë drejtpërdrejt dhe tërthorazi komunikimin, dialogun dhe rafinimin kulturor të publikut.
Në kuptimin që pakkush prej nesh i ka mundësitë të ketë në shtëpi, sa për të sjellë shembullin e parë që më vjen në mendje, një skulpturë të Giacometti-t; por nga sistemi kulturor-edukativ pritet që trashëgiminë e Giacometti-t ta ketë metabolizuar në mënyra të ndryshme; përfshi edhe skulpturën derivative që të hijeshon ty dhomën e pritjes.
Arti përpunon gjuhën e kulturës në strukturat e thella – duke i dhënë leksikun, gramatikën dhe intonacionet; pa çka se kjo gjuhë më pas përpunohet dhe thjeshtohet, duke u materializuar për publikun e gjerë.
Dhe nëse indiferenca e publikut vret pikërisht këtë lloj arti – serioz, të mirëfilltë, elitar – atëherë produktet e konsumit pop do të mbeten herët a vonë pa modele dhe stimuj të rinj, duke u degraduar shpejt në kopje të këqija të vetvetes.
Të marrim filmin avant-garde, që nuk mund të pretendojë kurrë sukses, përtej një publiku të zgjedhur; e megjithatë, gjetjet, gjuha regjisoriale, teknikat, editimi dhe gjithçka tjetër pararojë a eksperimentale do të filtrohet dhe do ta gjejë rrugën, me kohë, drejt produkteve për publikun e gjerë: që nga filmat e Hollywood-it, te serialët televizivë, reklamat ose videot muzikore.
Ose teatrin avant-garde, që vërtet mund të ndiqet nga një numër i kufizuar aficionado-sh, por që është i vetmi laborator ku mund të lindin dhe të kultivohen teknika të tilla, që pastaj depërtojnë, hap pas hapi, në estradë dhe në show-t në TV.
Një shembull i përkundërt por njëlloj instruktiv: pakkujt i shkon mendja se kolonat zanore të filmave të zhanrit horror i detyrohen në masë të madhe gjuhës së përpunuar në mjediset e muzikës serioze bashkëkohore, shpesh atonale ose të bazuar në kombinimin e tingujve me zhurmat ose në produkte softueri.
Kësisoj, çdo produkt artistik që ofrohet për konsum masiv metabolizon njëkohësisht dy tradita: të zhanrit të vet, ose të traditës brenda sferës ku vepron; dhe të artit bashkëkohor, të sofistikuar, elitar. Një skulpturë që vendoset në një vend publik nuk mund të riprodhojë gjuhën e këtyre veprave të përpunuar gjatë shekujve XVIII-XIX, duke shpërfillur gjuhën e re skulpturore të përpunuar më vonë e deri në bashkëkohësi; sikurse nuk mund të ndjekë besnikërisht shabllone të artit modernist a post-modernist, duke shpërfillur pritjet e publikut.
Për fat të keq, të dyja këto shmangie kanë ndodhur në Shqipëri – ku publikut i janë dhënë ose vepra totalisht kitsch, që duket sikur janë konceptuar dhe gdhendur në kohën e Luigjit XVI; ose vepra sërish kitsch, por që përdorin gjuhën abstrakte të artit modernist, të cilën publiku nuk e njeh dhe as e vlerëson; prandaj edhe qëllon pastaj ta përdorë si urinore.
Natyrisht, ka artistë thjesht “komercialë” ose “qeveritarë”, që krijojnë vepra me natyrë utilitare ose aplikative, në pajtim me kërkesat e tregut ose të padronëve që i financojnë (i mbajnë me bukë); por ka edhe artistë të tjerë, të cilët si shtysat dhe pasioni estetik ashtu edhe integriteti nuk i lënë të hyjnë në kompromise të tilla. Këta artistë shpesh detyrohen që të përpunojnë një gjuhë të tillë artistike, ose ta mishërojnë autorësinë e tyre në vepër në mënyrë të tillë, që vepra t’i flasë një publiku të huaj, të një kulture tjetër, me shpresë se atje do t’u vlerësohet çka këtu nuk ua kupton njeri.
Dhe nëse ndodh kështu, atëherë artisti vetë mund edhe veç të fitojë, profesionalisht dhe në planin njerëzor; por kultura shqiptare veç humbet, pavarësisht nga entuziazmi – ndonjëherë i sinqertë – që tregohet nga institucionet publike, kur dikush nga ne konfirmohet në një kulturë tjetër: çfarë duhej të ishte ftesë në mos për të mbajtur zi, të paktën për të reflektuar, vjen dhe i ngjan një qerreje shkatërraqe, që rreket t’i qepet pas limuzinës së suksesit individual të këtij apo atij artisti.
Dua të them se një kulturë që nuk e ndien më nevojën për art të rafinuar, ose që gënjen veten dhe kujton se mund të jetojë madje të lulëzojë në mënyrë vikare, është si ai treni që harron se ka një lokomotivë që e tërheq.
Pyetjes se çfarë mund të ndodhë, sikur të ndodhë që arti bashkëkohor të mos gjejë më vend në jetën publike në Shqipëri, nuk ka nevojë të jesh fallxhor për t’iu përgjigjur: kultura jonë do të humbë tharmin ripërtëritës, për t’u shndërruar në skenë cirku. Dhe ata kinse populistë që të shpjegojnë se publiku pikërisht këtë dëshiron, refuzojnë të kuptojnë se ky është qëndrimi më anti-populist, për të mos thënë anti-popullor i mundshëm; sepse një gjë është që kultura të vdesë, por një gjë tjetër që varrin t’ia hapim ne vetë, thjesht ngaqë nuk ishim gati për t’u përballur me realizimin e dëshirave sa të dikurshme aq edhe tashmë të mitizuara.
Per te vazhduar me metaforen e trenit: ka nevoje urgjente per nje investim per te rimekembur sistemin e shinave. Me investim nuk kam parasysh vetem ate financiar; gjithashtu pergjegjes per kete investim shumeanesh nuk duhet te jete vetem Ministria e Kultures, edhe pse tek ky insitucion perfundimisht varet gjithcka. Ky sistem shinash kryesisht do te merrte formen e kritikes e cila do te nxis levizjen e trenit dhe keshtu dhe lokomotives qe e ndjek nga pas. Do te viheshin ne levizje disa trena (mendimi, veprimi) njekohesisht dhe nuk do te kishin stagniacionin qe kemi sot ne kulture.
Grosist zhavorri? Nuk e kane per kulture qe keta te bejne vajza.
Për të ecur me linjën e shinave të trenit, ndoshta duhen rivënë në punë dhe shina që kanë ekzistuar, por që u braktisën dhe janë harruar me kohën.
Nëse nuk gabohem, para ’90 ekzistonte një program (apo mënyrë pune) për të mbështetur dhe nxitur njerëzit e artit dhe të kulturës së asaj kohe, që u ofronte atyre punësim si mësues pranë gjimnazeve ose në shkollat 8-vjeçare, me ngarkesë pune të reduktuar dhe me mundësine që të shkëputeshin përkohësisht, për punë krijuese. Kriteret dhe rregullat tamam të programit nuk i di, por patjetër që do të ketë patur.
Kur isha në klasën e tetë psh, një mësuesi të vizatimit, njëkohësisht dhe skulptor, iu dha mundësia që të shkëputej disa muaj apo më tepër – nuk e mbaj mend tamam – për të punuar në një skulpturë a një monument për qytetin; më vonë, një mësuesi të letërsisë në gjimnaz – njëkohësisht poet – i jepej mundësia që të shkëputej rregullisht nga puna në gjimnaz, për tu marrë me punë krijuese etj.
Një program i ngjashëm mund të ndihmonte njerëzit e artit dhe të kulturës edhe sot në Shqipëri, duke iu krijuar një të ardhur fikse, në një vend pune të qëndrueshëm. Sigurisht, programi duhet t’i përshatet realitetit të sotshëm dhe kritereve të sakta, për të shmangur abuzimet dhe për të mbajtur kostot nën kontroll. Psh programi mund të niste si projekt pilot në një apo disa zona administrative, propozimet të bëheshin lokalisht por përzgjedhja për në program të bëhej centralisht, nga një komision i pavarur personalitetesh të artit dhe kulturës; qeveria mund të vendos limite për numrin maksimal të personave që përfitojnë nga programi, rotacion çdo x vite i pjesëmarrësve, limite për numrin e pranimeve vjetore etj..
[Ndoshta programe të ngjashme ekzistojnë dhe sot, por nga një kërkim i shpejtë në faqet online të MK dhe asaj të MA nuk gjeta gjë të ngjashme.]
Idete dhe mundesite per te krijuar programe mbeshtetese nuk mungojne. Cka mungon eshte vullneti per te krijuar programe qe realisht synojne mbeshtetjen afatshkurter te artistit e afatgjate te kultures. Kete boshllek e ka plotesuar disi privati dhe sot gjen shume artiste vizual te punesuar si dizanjer dhe si editore videosh neper televizonet e shumta. Me pak prej tyre i gjen edhe ne universitete e insitucione publike, sidomos shkrimtaret.
I mbetem idese se nevoja me urgjete tek ne eshte kritika! Per kete duhet te kete nje program te posatcem qe nxit dhe mbeshtet kritiken per filmin, teatrin, letersine e muziken. Ministria kryesisht a ka plotesuar kete mungese duke financuar revistat kulturore pa marr parasysh se asnje prej tyre nuk i paguan kontributoret! Pra mbeshtetja kryesisht shkon per letren dhe drejtuesin e projektit e rralle here aty ku duhet: tek kritiku! Dhe meqe kemi mungese te madhe te kritikeve e analizes do duhet te akordohej nje fond i posatcem per te inkurajuar kriken, shto ketu dhe edukimin ne kete fushe. Po ashtu, edhe ne rastet kur ka kritike ajo nuk qarkullon. Revistat i lexojne nje grup shume i vogel por qe kritika te kete peshe ajo duhet futur ne dialog qe te zhvilloje gjuhen dhe kriteret dhe ta transmetoje ate tek lexuesi i gjere. Pra duhet treni qe te terheq lokomotiven nga pas.
Propozimi yt me duket nje projekt teper i pranueshem qe mund te marre disa forma te ndryshme ne fazen pilot per te testuar disa bashkepunime te mundshme. Nje ide tjeter qe kam patur prej kohesh eshte te perfshihen artistet ne dizanjimin e kopertinave te librave ashtu sic edhe ka qene dikur praktike. Ka plot artiste e dizanjer qe aktualisht jane te punesuar nga shtepite botuese por nje program i posatcem qe ve ne bashkepunim nje autor me nje artist per te prodhuar nje kopertine te bukur estetikisht (shumica e kopertinave jane skandaloze!) do te ndihmonte te dy palet. Kjo fare lehte mund te behet me te gjithe librat qe financon Ministria (te autoreve shqiptar dhe te perkthimeve).
Deri tani, Ministria e Kultures ka vepruar duke mbeshtetur projekte individuale propozuar ne baze te thirrjeve per aplikime cdo vit. Shumica e projekteve nga organizatat kulturore kane qene fokusuar ne festivale e aktivitete kalendarike. Thirrja per projekte eshte mire por shume artiste nuk jane ne gjendje ta artikulojne aktivitetin e tyre sipas kritereve te aplikimit qe flet per objektiva e nje gjuhe OJQ-ise qe shume artiste nuk e zotojne. Une per vete do ta kisha te pamundur te artikuloja aktivitetin e Peizaze te Fjaleve ne nje aplikim te tille edhe pse aktiviteti yne shtrihet po aq gjere, ne mos edhe me thelle, se shume prej revistave kulturore qe jane mbeshtetur ne vite.
Kriteri i projekteve te perzgjedhura nuk eshte asnjehere i qarte dhe nuk ka nje perqindje te caktuar qe u akordohet projekteve qe angazhojne artistet ne veprimtari paralele, si nje mundesi shtese per ti perkrahur. Nuk ka patur, te pakten sipas dijenise sime, asnje projekt qe te angazhohet ne zhvillimin e programeve per mbeshtetjen e artisteve dhe praktikave artistike. Ka patur plot projekte individuale te financuara per te cilat nuk ka patur asnje lloj jehone apo impakti. Nje pjese e mire e projekteve individuale (pra jo OJQ-ve) jane cka fare mire mund te quhen pet projects qe jo detyrimisht duhet te perjashtohen por duhet te kene nje kriter vleresimi qe i ben te pranueshem per financim. Sot ekzaktesisht zbulova nje prej tyre dhe eshte SKANDAL, sipas vleresimit tim. Eshte nje projekt patetik jo vetem ne ide por edhe ne zbatim – ART OF ILLYRIAN COOKING. Projekti ben pjese ne ate cka mund te quhet trashegimi kulturore por nuk le asnje gjurme. Do te ishte turp ta shfaqje kete dokumentar ne ndonje televizion serioz.
Televizioni publik mund të ishte një vend ideal për të bërë më popullore kritikën, si atë letrare ashtu dhe kritikën në fusha të tjera të artit, muzikë, kinematografi etj dhe – në një kuptim më të gjerë – për të orientuar publikun drejt artit të kultivuar. Kam parasysh këtu formate televizive të ngjashme me “Das Literarische Quartett” të programit të dytë publik në Gjermani, ZDF, por dhe formate të tjera të ngjashme, për drejtime të ndryshme të artit.
RTSH mund ta përmbushte këtë funksion/mision shumë mirë, sikur të mos ishte katandisur në atë farë feje që është sot.