MBËSHTJELLË ME KAOSIN E RRËFIMIT FILLESTAR

(Shënime për romanin « Mëhalla e pelës » të Koço Kostës)

nga Ilir Yzeiri

Kur pata lexuar romanin « Nata e Sofije Kondilit » në vitin e largët 2004 kisha shkruar se « në të gjitha përshkrimet duket se autorin e mundon ankthi i jetësisë, i riprodhimit, akti i vazhdimit të jetës. Bimët, lulet që pjalmohen e që shumëzohen e bëjnë këtë gjë nga që edhe ato kanë kënaqësinë e pasionit, të epshit që mban gjallë jetën; kafshët që i jepen njëra-tjetrës, demi që mbars lopën nuk kryen vetëm një akt utilitar dhe të domosdoshëm për fshatarin apo për pronarin, ai rindez dhe u kujton njerëzve se jeta ka në themel pasionin. » Kjo përmasë e rrëfimit është një cilësi e stilit të prozës dhe e mënyrës së tij të të menduarit.

Koço Kosta ka një dhunti të veçantë që duket sikur është i pushtuar nga demonët e natyrës dhe të asaj që në psikanalizë quhet rrëfimi fillestar. Këtu kam parasysh gjendjen tonë në barkun e nënës ku fëmija që po lind nuk ka ndjesinë e kohës e të vendit, por lundron në parajsën e fillimit aty ku shoqëria nuk ka mundësi të ndërhyjë dhe ta mbështjellë me prangat e sjelljes dhe të kodit social të jetës. Kjo fazë që përshkon fëmijërinë, adoleshencën dhe rininë e parë është quajtur nga filozofi Kirkegard si faza estetike e jetës, parimi i së cilës është kënaqësia. Më pas thotë ai do të vijë faza juridike ose ajo periudhë kur njeriu i dorëzohet burgut shoqëror, familjes, shoqërisë dhe, ashtu i nënshtruar, vijon jetën derisa vjen faza e fundit ajo religjioze, ajo kohë e pleqërisë së thellë kur njeriu humbet dalëngadalë gjithçka dhe bëhet gati të ikë nga kjo botë. Atëherë nis e mendon për Zotin.

E bëra gjithë këtë parantezë të gjatë për të treguar se Koço Kosta ashtu si Mitrush Kuteli në letërsinë shqiptare arrin të rindërtojë me fjalë dhe me trillim pikërisht këtë gjendje fillestare të jetës së njeriut, atë fazë ku natyra, njerëzit dhe kafshët janë të shkrirë në një dhe njeriu është i mbështjellë vetëm me pasionin e libidos. Parimi themelor që organizon rrëfimin te Koço Kosta është kënaqësia e dashurisë në kuptimin më të plotë të kësaj fjale : kënaqësi që shkon nga soditja e natyrës, nga deshifrimi i gjuhës së asaj harmonie e deri te kontakti fizik që është forma më e lartë dhe më e dëlirë e marrëdhënies njerëzore.

Nuk ka shkrimtar si ai në letërsinë shqipe që ta ketë bërë vendlindjen e tij toposin qendror të rrëfimit, teatrin magjik ku lëvizin pasione nga ato më të thellat e më absurdet. Nuk ka mbetur besoj asnjë pëllëmbë e atij areali pa u identifikuar me një ngjarje, pa u emërtuar prej tij. Mjeshtër i stilit eliptik që vjen prej karakterit të rrëmbyer të tij, ai rrëfen si të jetë një organizëm telegrafik që lëshon shenja me anë ngjyrash.

Një anë tjetër e stilit të tij të rrëfimit është raporti i zhdrejtë mes individit dhe shoqërisë ku ai jeton. Koço Kostës nuk i intereson shumë se në ç’sistem jetojnë personazhet e tij. Edhe në prozën e shkruar gjatë viteve të socializmit, ngjarjet apo atmosfera e sistemit është si një telajo e jashtme që vetëm sa e mban kornizën e asaj pikture që paraqitet aty. Ndërsa tani, i çliruar edhe më nga ajo peshë e asaj kornize, rrëfimi i tij bëhet më i virgjër dhe nuk ndotet thuajse fare nga narrativa e mërzitshme e prozës së jetës politike.

Po çfarë është romani « Mëhalla e pelës » ?

Është një udhëtim në fshatin e tij të lindjes, në atë vend të magjishëm që ndërtohet me anë të kujtimeve dhe të vegimeve që të vijnë pikërisht nga gjendja e parë fillsetare. Është rrëfimi për atë që shumë kritikë e quajnë mishi i jetës. Pela është kafsha më e dashur e autorit dhe ai, i fshehur pas personazhit qëndror të këtij romani, Kostandinit, nis udhëtimin dhe e merr lexuesin me vete dhe e dërgon në një botë ku pasionet e pakontrolluara të fëmijës, bukuria e natyrës kanë prodhuar marrëdhënie të çuditshme mes njerëzve. Në këtë areal ku njeriu lëkundet mes ajrit dehës të malit, paqes së lëndinës, freskisë së lumit, honit të një shpelle dhe vështrimit tragjik të një mëhalle të djegur, lëviz edhe Gela, femra që edhe kur ecën lëshon avuj sensualiteti. Këtu gjithçka vihet në lëvizje nga pasioni. Romani nuk ka subjekt, në kuptimin që nuk ka ngjarje të sajuara, nuk konflikte për të zgjidhur, nuk ka fabul për të mbajtur gjallë kuriozitetin apo ankthin e lexuesit. Romani është një monolog i ndërtuar mbi disa linja të cilat i lidh me njëra tjetrën Kostandini ose alteregoja e autorit. Me anë të kësaj veteje të dytë autori ndërton ngjarje që kanë rrjedhur në nënvetëdijen e tij në format e pakapshme nga të tjerët dhe ashtu të mbuluara nga marrëdhëniet hipokrite të jetës nisin e zbulohen, nisin e zhvarrosen nga nënvetëdija njësoj bashkë me fjalët që i shenjojnë ato. Dhe nis ky rrëfim natyralist ku përzihen në një të gjitha ato që ndiejmë dhe nuk i tregojmë dhe ato që tregojmë atëherë kur nuk kemi mundësi të ndiejmë më. Gela është një fatkeqe sepse i kanë vrarë prindërit dhe djegur shtëpinë. Ajo është rritur ashtu derë më derë por është shumë e bukur dhe shumë sensuale. Konstandini e ndjek dhe ajo e ka vënë re këtë. Dhe aty në natyrë ajo e gjen djalin e tërheq poshtë një peme dhe e përlesh me gjoksin e dhe trupin e saj. Kështu hapet romani. Por aty ajo bën zbulimin e madh. Djaloshi ka jo dy tope si të tjerët por tre. Mbetet e mahnitur. Më tej gjithë këtë skenë e vëzhgon duke prekur veten me dorë Mule Grëdani, ai që një këmbë e ka humbur në luftën italo-greke dhe atje ia kanë venë një protezë me mentesha të cilat kërcasin e dëgjohen një orë larg. Hallë Fotinia thotë se në ato mentesha mblidhen krimba që i hanë mishin. Pela është një kafshë e mrekullueshme dhe autori e vizaton me dhimbje e gati me përgjërim. Gjithë fshati jeton me kultin e kësaj bukurie, madje aq shumë janë të dhënë pas saj sa autori e çon në absurd këtë pasion. Emrat e pelave janë të bukur si emrat e njerëzve. Maria pela e bukur e Lefter Llavdanatit sapo ka pjellë një mëz dhe e lëshuar në lëndinë i ka trullosur të gjithë me hiret e saj. Është lehonë disaditëshe dhe mëzi i bukur i rri aty ngjitur. Por në atë lëndinë vjen dhe kali i Pelo Xhurapes. Ai e ndien afshin sensual të pelës dhe vetë është i bukur. Njerëzit mpihen dhe shijojnë edhe ata këtë shfaqje pasioni mes kalit të Pelo Xhurapes dhe pelës Marie. Kur befas ai nuk duron dhe i kërcen sipër. Ajo lehonë në fillim e pëlqen pastaj nga « të lermët » e saj nsi të dalë gjak dhe ujëra. Është vonë. Hataja është bërë. Pela e bukur fiket, ngordh sepse u shpartallua nga kënaqësia. Të gjithë janë në zi.

Arkitektura semantike e toponimisë në roman ka ndërtuar një të vërtetë që jo gjithmonë përmendet siç duhet. Zakonisht emrat e vendeve apo të rrugëkalimeve, të honeve e grykave lidhen me ngjarje të caktuara, janë në një farë mënyre romane më vete. Koço Kosta tregon se shumë nga ato emërtime në atë areal ku ai ka kaluar fëmijërinë dhe të cilin e ka bërë teatër të rrëfimeve të tij, janë të shenjuara nga ngjarje që kanë në themel episode disa herë kriminale. Vjedhjet nga ata « Të përtejmit », « Shkëmbi i hajdutit », « Guri i djalit ». Historia e djalit që u mbajt peng nga banorët e fshatit që iu kundërvunë me armë hajdutëve që kishin ardhur të rrëmbenin bagëtine, është me një kuptim të thellë e tragjik njëkohësisht. Prerja e veshit dhe vetëvrasja e tij. Pastaj hakmarrja mes banorëve dhe djegia e mëhallës që kishte sjellë edhe fatin e Gelës.

Në fshat është edhe Gole Çatmaja, emigranti që është kthyer nga Amerika dhe jeton vetëm me shishen e uiskit dhe vizitat e Gelës në shtëpi. Skenat e seksit me të dhe vështrimi i Kostandinit nga pas shtëpisë, nga dritarja me një perde që ngrihet lehtë paraqet një tjetër cilësi të njeriut epshin për të soditur, dhe kënaqësinë e spektaklit.

Historitë në roman janë të trishta dhe në kufijtë e anormales. Gjithë nënvetëdija e ndrydhur e jona, hitoritë që mund të kenë shënjuar edhe jetën tonë të ndaluar gjenden aty. Nga incesti deri te përdhunimi i Kseno Murgës nga fytyrdhjamosuri në qytet e deri të ndjesia për një grua që më vonë do të quhej halla e deri te dehja që të jep mali, gjithë kjo botë që endet si në mjegull në nënvetëdijen e gjithesecilit nga ne, gjenden në këtë roman ku personazhet mbajnë emra të çuditshëm dhe nganjëherë prej mënyrës se si ata emërtohen ti mund të kuptosh edhe empatinë e autorit. Aleko Roçka që i merrte të gjithë kur ishin fëmijë dhe i çonte te lumi e i detyronte të masturboheshin duke u treguar një pale brekë të kuqe me dantellë të bardhë që ai pretendonte se ishin të Gelës, tani ka dalë partizan. Vavakoja që endet në fshat si një hije merr macen e bukur të Hallë Fotinisë dhe bashkë me fëmijët e tjerë të fshatit vendos ta hedhë në humnerë sepse ajo është aq e bukur dhe e përkëdheluar sa duhet dënuar me vdekje. Por kur e hedhin ajo varet në një lule të egër që ngjet me gjuhën e Gelës dhe shpëton. Vende si Gopi i Kakos, Buza e Muçkanit, Qilivuri, emra si Kristo Pllakoma, Çopol Helaqi apo Mite Poturja tregojnë për një ndjeshmëri të thellë gjuhësore të Koço Kostës i cili këtu ka nxjerrë nga varret e harruara të shqipes fjalë dhe emërtime vendesh që ngjajnë më shumë me pikturën sesa me letërsinë.

E thashë në fillim se romani nuk ka subjekt por është i gjithi një përjetim i altergos së autorit, Kostandinit. Në fund Kostandini niset me pelën Ritë që të çojë në mal te partizanët një letër dhe disa ushqime. Ai niset po nuk arrin kurrë atje. Pse ? Sepse romani nuk është ndërtuar me vetëdijen për të ndaluar për t’i përfunuar ngjarjet. Romani është ndërtuar me personazhe që enden në vetëdijen dhe nënvetëdijen e tyre, aty ku sensualiteti i jetës, dëshira për të penetruar natyrën me afshin e pasionit që të ngjall jeta, rrëfimi i atyre ngjarjeve që kanë shenjuar fazën fillestare të jetës, atë kohë kur natyra, kafshët, pasioni për të shijuar dhe për t’u kënaqur me dhuratën e asaj që ne harrojmë se quhet jetë, që ne nuk kujtohemi që na plagos jo vetëm kur e shijojmë, por sidomos kur e rrëfejmë, pikërisht kjo vetëdije e shtyn autorin që ta nisë Kostandinin në një rrugë që nuk përfundon. Ai endet me pelën Ritë dhe më shumë shijon lirinë që të fal udhëtimi në mal e gjumi i mbështjelllë ma natën në një kënd të humbur të natyrës sesa misioni njerëzor. Por, ëndrra e tij ndërpritet dhe në rrugë atij i dalin disa banditë dhe njëri që i thotë NDAL. Ëndrra ndërpritet prej këtyre kriminelëve dhe Kostandinin e vrasin megjithë lutjet e tij « xhaxhiii mos më vrit ». Kjo metaforë e rrëfimit që mbyll romanin ka në thelb pikërisht dy anët e jetës apo dikotominë tonë të mëkatiti dhe të virtytit, të Kainit dhe Abelit. Ata që vranë Konstandinin në fakt janë ana jonë e errët, është ajo pjesë e jetës që nis me burgun që ka ndërtuar shoqëria njerëzore pikërisht atëhere kur sheh ose kur bie në kontakt me atë që është e virgjër dhe e bukur. Tani, thotë Koço Kosta atij vendi iu shtua edhe një toponim tjetër te varri i Kostandinit.

© 2024 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin