BEETHOVEN-I NË MODERNITET

nga Mikaela Minga

Të premte, në koncertin e radhës të orkestrës simfonike të RTSH-së, Jonian Kadesha interpretoi koncertin për violinë dhe orkestër të Beethoven-it, një nga veprat më të njohura të kompozitorit dhe të repertorit violinistik në përgjithësi. Ishte një interpretim shumë i veçantë, që, deri diku, të kapte edhe të papërgatitur me befasitë që solli. Kjo sepse Kadesha vazhdimisht kërkonte t’u ikte atyre kanoneve të imponuara prej kohësh, sipas të cilave Beethoven- i duhet luajtur si Beethoven, pa e kuptuar asnjëherë nëse nëpërmjet kësaj respektohet vullneti i mjeshtrit, apo ai i mitit të mjeshtrit. Loja e Jonian Kadeshës e sfidoi një gjë të tillë me qasjen personale dhe interpretimin vetëpërfshirës emocionalisht.

Jonian Kadesha

Befasia më e madhe erdhi te kadencat solo, në kohën e parë dhe të tretë që nuk iu referuan versioneve “klasike”, por një varianti modern të Alfred Schnittke-s, jo shumë të luajtur. Ka shumë që kanë kompozuar kadenca për këtë koncert, megjithatë varianti i Schnittke-s paraqitet krejt i veçantë. Sidomos kadenca e kohës së parë e distancon hapur dëgjuesin nga themelet harmonike “klasike”. Kadesha, edhe me dozat e veta improvizacionale, thuri një lloj rrjete merimange në të cilën tingujt endeshin me pasazhe të shpejta, akrobatike. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe në kohën e tretë. Kësaj here Kadesha nuk u përqendrua vetëm në virtuozitetin teknik, por edhe në kërkimin e efekteve tingullore. Në këtë lojë u përfshi edhe orkestra. Deri në momentin kur goditjet e timpanit me insistim të vazhdueshëm rikthyen gjërat në “normalitetin” e reprizës, kishim të bënim me një lloj transfigurim tingullor që futi rrëmbyeshëm muzikën e shekullin XX, në një vepër të 1806. Mbresëlënëse në këto kadenca janë gjithashtu citimet nga koncerte të tjera të famshme, si Bartok-u, Brahms-i apo Berg-u.

Këtë lojë të përflakshme dhe spektakolare të Kadeshës e mbështeti me shumë maturi dirigjenti Maurizio Dones, duke e mbajtur orkestrën (dhe kjo nuk ndodh shpesh me orkestrën në fjalë) në modusin e duhur, për t’iu përgjigjur energjisë të solistit. Përvoja e “të vjetrit”, në kontrollin e ritmit, të hyrjeve të orkestrës dhe vrulli i të riut në shpalosjen e gjithë gamës emocionale, te kjo kundërti forcash qëndroi suksesi i veprës.

Jo pak herë është diskutuar për rolin që ka performuesi i një vepre muzikore dhe raportin shpesh kontradiktor të tij me vullnetin e kompozitorit, ose më saktë, atë çka pretendohet se ky i fundit ka lënë në partiturë. Kam parasysh, sidomos, Alessandro Baricco-n dhe Nicholas Cook-un, të cilët kritikojnë statusin e nënshtruar të solistit dhe sesi një gjë e tillë sjell një hendek besueshmërie në mënyrën si shumë vepra të së shkuarës vijnë në realitetin e shekullit XX dhe tanimë, XXI. Kjo vihet re më tepër kur bëhet fjalë për vepra koncertale-solistike, në të cilat prania individuale e instrumentistit është e tillë që nuk mund të shpërfillet dhe, nëse i referohemi edhe koncertit në fjalë, më shumë se një ironi ndaj Beethoveni-it, i cili theu me ndërgjegje shumë kanone dhe rregulla të kohës së tij, krijimi dhe interpretimi i një kadence të tillë mund të lexohet si një ironi ndaj mitit të tij, mit që vazhdon ende edhe sot të kushtëzojë mënyrën si mendojmë rreth muzikës.

Ka gjithsesi një ndërgjegjësim që ka ardhur duke u forcuar, sidomos në mes të atyre solistëve të cilët e kërkojnë një hapësirë të tillë jo me sforco, por me dëshirën për të sfiduar atë çka mund të sfidohet dhe mund të transformohet, brenda një moderniteti si ky që jetojmë sot. Dhe në këtë grup futet, me individualitetin dhe personalitetin e vet, edhe violinisti Jonian Kadesha.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

3 Komente

  1. Një pyetje: sa herë në vit luhet në Shqipëri Koncerti për Violinë i Beethovenit? Ose, pyetur ndryshe: kur ka qenë hera e fundit që ky koncert është interpretuar në një sallë koncerti në Tiranë? Sepse, në qoftë se ky koncert luhet vërtet rrallë, do të kisha preferuar një qasje më klasike. Mendoj se “veshi” i publikut ka nevojë të edukohet me perseverancë e durim, përndryshe mund të krijohen distorsione në pritshmërinë që ka publiku. Kjo pa i hequr asgjë bukurisë së interpretimit të violonistit që po thoni.

    1. Nuk kam pyetur për këtë sepse nuk ka rëndësi, për mua, sa shpesh luhet koncerti për violinë i Beethoven-it në Shqipëri. Po kështu nuk mendoj se në shekullin e XXI, pas gjithë asaj që ka ndodhur me muzikën në botë, “veshi” i publikut shqiptar të ketë nevojë të edukohet me perseverancë e durim, aq më tepër ai i koncerteve të rtsh-së. Koncerte të këtij tipi nuk kanë qëllim të japin edukatë muzikore, të paktën jo qëllim parësor.

      Jetojmë në një kohë kur mjafton vetëm një fjalë kyçe në youtube dhe dalin një pafundësi regjistrimesh audio e video të koncertit nga solistë me emër. Po kështu, jetojmë në një kohë kur muzikantët që luajnë këto koncerte udhëtojnë në shumë vende duke performuar dhe ky shkrim mund të ishte bërë fare mirë në një vend tjetër të çfarëdoshëm. Në një situatë të tillë, e shoh si jo normale që t’i kërkosh solistëve të tillë si Jonian Kadesha të luajnë mbi bazën e nevojave të publikut apo për të edukuar ‘veshin’ e tij.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin