PELLAZGËT SI NUK I KENI PARË KURRË

Ka ditë që Facebook-u kërkon të më tërheqë vëmendjen për librin Një racë e harruar, Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, të Édouard Schneider-it, botuar për herë në parë në Paris, në 1894, dhe tani i sjellë shqip nga Libraria Artini-Toena.

Autori i librit, inxhinier me profesion, pat punuar për një kohë në Shkodër, si kryeinxhinier, për llogari të administratës osmane.

Librin shqip nuk e kam në dorë, por munda të shfletoj origjinalin frëngjisht, Une race oubliée; les Pélasges et leurs descendants, i cili gjendet lirisht në ueb.

U përpoqa edhe ta lexoj, por nuk e shtyva dot poshtë – sepse libri është vepër e një amatori, i cili ka hedhur atje disa fantazi dhe interpretime të çuditshme, të cilat ashtu kanë qenë, njëlloj të çuditshme, edhe në vitin 1894 kur u botua libri.

Në fund të shekullit XIX, gjuhësia historike-krahasuese e kish përcaktuar tashmë vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indo-europiane dhe kish përshkruar tiparet themelore të fonetikës së saj historike, gramatikës historike dhe historisë së fjalëve.

Schneider-i, për arsye që po nuk duam t’i marrim me mend, zgjedh t’i injorojë arritjet e gjuhësisë historike-krahasuese dhe vetë metodën e saj, duke preferuar analiza të një lloji tjetër, në thelb të ngjashme me ato që ndjekin sot e kësaj dite albanologët “alternativë”.

Teza e tij është se shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e pellazgëve (“të lashtë”) dhe shqipja vazhduese e gjuhës së tyre, pellazgjishtes.

Shqipen Schneider-i do ta ketë mësuar në Shkodër, por të dhënat gramatikore duket se i merr nga një gramatikë e Vaso Pashës e botuar në Londër (të cilën e përmend). Për të provuar hipotezën e tij, ai zhytet, përkundrazi, në mitologjinë dhe kulturën antike dhe, siç mund të pritej, fillon të shpjegojë emrat e perëndive klasike (greke të lashta dhe romake) nëpërmjet shqipes.

Metoda e tij është që t’i lexojë emrat duke i ndarë në pjesë, si të ishin fjali të kondensuara. Ashtu, Mnémosyne vjen nga mné (ment – mendje) dhe msoi, “mësoj”; Phoebus, një epitet i Apollonit, vjen nga faj ban, “bën gabime”; Midas është mik-dashit, “miku i dashit”; Apolloni është a-po-los, “a po loz?”; epiteti Trismegistos i Hermesit vjen nga krís-mé-gishta, “godas me gishta”; Ares vjen nga Erz “nder”; Vulcanus-i  është ai që “ka vjellë”.

Delire të tilla mbushin dhjetëra e dhjetëra faqe të librit. Më tej lexojmë se Penelopa është Pen-e-lyp, “kërkon fill”; Ajaksi është “gjakësi”; Kasandra është ajo që “qet andrra”, e kështu me radhë. Potenciali për batuta zbavitëse dhe hilaritet kompenson bajatllëkun e hipotezës fillestare.

Libri përmban edhe të dhëna etnografike dhe folklorike për shqiptarët, që mund të kenë ndonjë vlerë për studiuesit e sotëm; si dhe një përmbledhje të fonetikës dhe të gramatikës së shqipes, me gabime serioze interpretimi.

Schneider-i nuk bën asnjë përpjekje për ta inkuadruar kërkimin e tij në indo-europianistikë, ashtu siç lëvrohej kjo degë e dijes në fund të shekullit XIX; nga sa munda të kuptoj, ai nuk e njeh gjuhësinë historike-krahasuese dhe, mbase edhe për këtë arsye, i qaset historisë së gjuhës me metodat artizanale të shekujve XVII-XVIII dhe më herët.

Nuk i merr parasysh rregullsitë në evoluimin e tingujve, formave gramatikore dhe të fjalëve, por procedon me intuitë dhe kuturu, duke arritur në përfundime të tipit: “ne besojmë se kali është quajtur kâl sepse kish lidhje me kaun, ; por edhe pamjen e luanit, luā; ishte, me një fjalë, një kâ-luā’…” dhe, në këtë kontekst, shpjegohet edhe Philippos si i ardhur nga fili i shqipes (“elefant”) dhe ippos, “hipi”.

Duket sikur fare pak kohë e ndan këtë amator të fundshekullit XIX nga paradigmat etimologjike të Mesjetës së thellë. Kur ia lexon elukubracionet, e kupton se çfarë hopi cilësor dramatik përjetoi gjuhësia historike në shekullin XIX, të ngjashëm me kalimin nga alkimia në kimi.

Nuk i dimë motivet që i kanë shtyrë botuesit ta përkthejnë këtë vepër përndryshe të kapërcyer, që mund të ketë kushedi interes për biografët e Schneider-it dhe studiuesit e linguistikës amatoriale frankofone gjatë shekullit XIX, por që nuk sjell gjë të re në njohjen e shqipes.

Lexuesi i saj, e shumta, mund të zbavitet me fantazitë interpretative të autorit.

Shoh që librin e Schneider-it e paska përkthyer në italishte edhe Besa Muci Editore (Una razza dimenticata, 2022), duke e prezantuar si “vepër të jashtëzakonshme dhe unike në llojin e vet, sot tashmë të pagjetshme, pas botimit origjinal në 1894.” Në fakt, vepra frëngjishte është lirisht e gjetshme dhe e përdorshme në ueb, atje ku e gjeta edhe unë.

Kam frikë, gjithsesi, se entuziastët e lashtësisë së shqipes dhe të shqiptarëve do ta presin krahëhapur botimin e Schneider-it në shqip, pa e ditur se studimi i këtij autori dhe metoda e tij i përkasin tashmë një dege të tharë të gjuhësisë historike.

Nuk ka gjë të keqe, në vetvete, që bibliotekës albanologjike t’i shtohen edhe vepra të shkruara, në të shkuarën, nga amatorë dhe inkompetentë, të cilët kanë rënë viktimë e fantazive të tyre dhe nuk kanë vendosur dot lidhje me dijen e kohës së tyre. Tek e fundit, historia e albanologjisë duhet njëfarësoj të marrë parasysh edhe teoritë alternative dhe paranojake, për origjinën e shqipes dhe të shqiptarëve, për të krijuar një tablo më të qartë se si dhe në luftë me çfarë është përftuar mendimi albanologjik shkencor.

Por që të ndodhë kjo, vepra e Schneider-it, si provë e pasojave të vonesës me të cilën u përqafua gjuhësia historike-krahasuese në Francë, duhet të vendoset në një kontekst historik dhe të vihet në dukje se ajo nuk ka gjë të përbashkët me albanologjinë e shekullit XIX, që u kurorëzua me punimet shteg-çelëse të Gustav Meyer-it.

Trashëgimi bizarre e kësaj linguistike historike naive dhe alkimike, të përfaqësuar nga teoritë dhe interpretimet e Schneider-it, janë sot përpjekjet për rithemelimin e historisë së shqipes duke e shkallmuar ngrehinën e traditës albanologjike të këtyre dy shekujve të fundit – për ta rikthyer infantilizmin, subjektivizmin dhe paranojën, prapa një fasade etnocentrike dhe me ngjyra të ndezura patriotike.

Albanologët profesionistë dhe institucionet buxhetore përkatëse, përfshi këtu albanologët e ASA-s, akademikët e lartë në Tiranë e në Prishtinë dhe specialistët e historisë së gjuhës shqipe e të prehistorisë së shqiptarëve në universitetet publike dhe private, kanë zgjedhur të mos shqiptohen e të mos pozicionohen për këto dukuri, kushedi edhe pa e kuptuar se, duke i lejuar “alternativët” që të pushtojnë diskursin publik dhe të kontrollojnë kulturën historike të masave, po përshpejtojnë edhe rrokullimën e albanologjisë në Shqipëri dhe në Kosovë, si degë madhore e dijes.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

8 Komente

  1. Ju edhe disa te tjere qe pretendojne se mbeshteten mbi te dhena shkencore lidhur me prejardhjen e gjuhes sone,nuk jepni asnje argument per publikun.Ne te kundert publiku duke mos qene albanolog eshte ne te drejten e tij te parapelqeje autore qe shprehen me gjuhe te kuptueshme per te.Perse rrekni ti injoroni me fjalor aspak te denje perpjekjet qe mbase per ju nuk jane ne nivelin tuaj qe paguheni.

    1. Kam shkruar shumë për këtë temë, edhe me një gjuhë të përshtatshme për publikun. Jeni ju që nuk i keni parë shkrimet e mia. Kërkojini (edhe këtu në revistë) dhe do t’i gjeni. Falas. Edhe pse ndoshta për njerëz si ju duhet bërë hyrja në revistë me pagesë, që të vini mend.

      1. Nuk e kuptoj pse nuk dilni ne ndonje emision televiziv kunder ketyre “pellazgologeve” dhe sharlataneve te tjere shqiptar te cilet kane pushtuar mediat dhe po i bejne dem shoqerise shqiptare duke shperndarje injorance.

        1. Ndoshta do të dilja – por më duhet një mbështetje institucionale, të cilën për fat të keq nuk e kam. Ka njerëz – në Akademi, në universitetet, të cilët mund ta bënin këtë më mirë.

  2. Dikur nje autor i huaj kishte bere nje punim ne te cilin i nxirrte shqiptaret kusherinj me gjermanet .Nje studiues shqiptar i hedh poshte keto konkluzione si karagjozlleqe shkencore .Nje memedhetar tjeter nje burre i ndercem e patriot revoltohet dhe shkruan nje kritike te tipit :pse duhet ta hedhim poshte si teori edhe pse mund te jete genjeshter perderisa shqiptaret i pasqyrin ne drite pozitive ?Sipas ketij memedhetari te mire e intelektual me nje fare emri vetem genjeshtrat e keqia te cilat i paraqesin shqipot si njerez me bisht duhen hedhur poshte ,genjeshtrat e mira te cilat i paraqesin shqipot si populli me i lashte dhe shqipen mema e te gjitha gjuheve te botes duhen pranuar .

    1. Qe shqipja eshte gjuha me e vjeter indoeuropiane, pra e Europes dhe e Azise ku fliten gjuhe indoeuropiane, kjo ka argumente shume te mira, si me laringalet, si me dorsalet qe jane izoglosa kentum-satem. Ruajtja e ë-së indoeuropiane mund te jete edhe argument shtese, sapo te studiohet ashtu si duhet, po me dy deshmitare fitohet gjyqi.
      Rrjedhimisht edhe shqiptaret jane populli me i vjeter i Europes dhe i Azise ku ka popuj indoeuropiane.

      Pastaj nqs njerez e studiues te ndryshem arrijne ne kete perfundim me metoda te gabuara apo te papranuara, kjo nuk e zhben perfundimin ne vetvete.
      Me pak fjale eshte humbje kohe te kontestosh apo te vertetosh qe shqipja nuk eshte gjuha me e vjeter dhe shqiptaret populli me i vjeter indoeuropian, duke paraqitur si te gabuara metodat apo hamendjet e tjera qe arrijne ne te njejtin perfundim.

      Pastaj ceshtje tjeter statusi i shqipes nga motra e madhe e gjuheve, qe e ka, ne memen e gjuheve. Ketu me metoden krahasuese as nuk e verteton dot, as nuk e hedh dot poshte, pra shkenca eshte e paafte ta beje dallimin,

      Ata qe nuk e besojne se ka familje gjuhesore indoeuropiane indoeuropiane si ceshtje peme, besojne se ka nje gjuhe zanafillore qe u imponohet popujve te tjere, sikunder edhe jane gjithe shembujt historike, kur nje popull zanafillor me ane te pushtimit e kolonizimit u imponon te tjereve gjuhen e vet ( latinet, gjermaniket, arabiket etj).

      Ne kete kendveshtrim gjuha me e vjeter pozicionohet vetvetiu si gjuhe meme dhe jo si motra e madhe.
      Ky eshte pozicioni i nje pjese te madhe te studiuesve alternative shqiptare, por edhe ndjekesve te tyre.
      Jane kohe shume thelle ne prehistori, keshtu qe behet ceshtje besimi nga te gjitha palet e interesuara dhe kur behet ceshtje besimi hyjne ne loje faktore te tjere te aktualitetit dhe bindjeve vetjake rreth rendit te gjerave.

  3. Eshte tragjike se si edhe te tjere u hodhen ne nje pus pa fund tu iu besue ketyre fantezive te Shnejderit ku pas tij ne pas u hodh Adamit Frasari ne vitin 1904 ne Egjipt ky group pseudo shkencor nxorri disa hipoteza marrezishtë feminore plan Institutit te vjeter Egjiptian te cilin e ka financua vete familja mbretnore me pasardhsit e Mehmet Ali Pashes ku ata vete mbronin interesat e tyre personale por tu u deklarua si pasardhes te pellazgeve ata tentonin qe te mbrojn dhe ruajn fronin ne Egjipt sieur Aleksandri Makedonis i cili edhe ai pushtoi Egjiptin si sot Ali Mehmet pasha pra qe te d’y pellaśk sipas propagandes se tyre financim kolosal per interesin e tyre personnel, per fat te keq shume amator u mashtrun nga kjo propagand si e thote Çabej, tuj e mashtrua boten dhe genjyervet vetveten…!

    1. Dardan, nuk di nga ç’trevë shqipfolëse jeni dhe ndjesë nëse ju lodh me këtë pyetje, por a mund të shtjelloni pak më shumë çfarë keni parasysh me Adamit Frasarin? Çfarë përfaqëson? Besoj ka interes për temën.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin