BETEJA LAKMISH PRIVATE

Rrugën ku jam rritur në Tiranë – me emrin pak të çuditshëm “Kont Urani” – janë duke e shkatërruar. Madje momentin e tanishëm mund ta cilësoja si atë të shkatërrimit të shkatërrimit të djeshëm. Nuk e kuptoj mirë pse duhet shkatërruar një rrugë – e përfytyruar kjo si arterie që ushqen një komunitet të tërë, jo si hapësirë të përshkuar nga mjetet e transportit me rrota. Edhe pse komuniteti i vjetër, i shtëpive prej qerpiçi, do ta kish pasur të vështirë të mbijetonte i paprekur, ndërhyrjet që janë bërë deri më sot – me përjashtim ndoshta të atyre në infrastrukturën e mediave dhe të Internetit – vetëm sa kanë dëmtuar.

Krejt segmenti që bashkon Rrugën e Kavajës me sheshin Bukureshti tashmë karakterizohet nga një gërmadhë e vijueshme, një ulçer rrjedhëse dhe një vend ku grumbullohen kufoma ndërtesash të vjetra dhe plehra gjithfarësh. Në krye të rrugës këtë lloj gangrenizimi urban e përshëndet ndërtesa e dikurshme e Institutit të Kulturës Popullore, e njohur edhe si Radio-Tirana e vjetër.

Ndërkohë, përqark rrugës po ndërtohet ethshëm, sipas një plani që shpresohet se do t’i sjellë lagjes një farë dinjiteti, në raport me pjesën tjetër të qytetit. Paçka se pallatet e reja të banimit, dhe banorët që do të mund t’i përballojnë çmimet e apartamenteve, nuk do të krijojnë dot automatikisht mëhallë të re.

Dhe sa për mëhallën, ajo e vjetra ende mbijeton, njëlloj si ai fiku që mbin këmbëngulës në mes të rrënojave. Fytyra të vjetra, por të njohura, ende i shquan në ndonjë kafe buzë rrugës. Nga oborri i shkollës “Avni Rustemi” ende dëgjohen zërat e fëmijëve që luajnë. Por sheshi qendror i lagjes, ku dikur fëmijë të tjerë mblidheshin dhe luanin madje edhe futboll, tani kombinon një vend-parkim me përpjekjet patetike dhe të përsëritura për park urban me stola betoni.

Gjatë këtyre 15 vjetëve, veçoj dy përpjekje të mëdha për t’ia ruajtur rrugës – dhe bashkë me të edhe mëhallës – një farë vitaliteti: më parë kafe “Chagall”, dhe më pas bar “Heminguej”. E para nuk ekziston më, i dyti nuk merret vesh mirë nëse është akoma gjallë apo jo. Përndryshe, megjithë disa dyqane dhe shërbime që kanë mbetur, rruga nuk ka më ç’t’i japë banorit të mëhallës dhe kalimtarit.

Vazhdojnë, por të mekura, edhe aktivitetet e shitjes së rrobave të përdorura, në oborret e gërmadhave – këto dikur bëheshin në rrugë, por tani Bashkia nuk i lejon më. Mbaj mend edhe një nismë të paradokohshme për të hapur, gjithnjë te sheshi, një treg të vogël fshatar – por tani tregun nuk e shoh më: do të ketë qenë ndonjë projekt pilot, të cilit i kanë shterrur pastaj fondet.

E gjithë hapësira midis Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, tani lëngon – dhe ndërtimet e reja që kanë mbirë tek-tuk nuk kanë ndihmuar për gjë. Rrugët janë të zëna me makina të parkuara, që e rëndojnë qarkullimin njëlloj si pllakat sklerotike gjakun në deje – dhe dyqanet janë të pakëta, të improvizuara dhe të varfra.

Kjo mëhallë është fare afër qendrës dhe me pak vullnet të mirë mund të ish bërë po aq tërheqëse sa edhe Blloku. Që nuk ndodhi kështu, kjo erdhi si prej indiferencës së autoriteteve të qytetit, ashtu edhe prej lakmisë së banorëve vetë për t’u pasuruar dhe agresivitetit dritëshkurtër të ndërtuesve. Megjithatë, fajin kryesor për këtë zgjebe unë do t’ia lija qytetit.

Vetëm gjysmë shekulli më parë, banorët e Kont Uranit jetonin në një komunitet që bashkonte, pak a shumë harmonishëm, vendësit dhe të ardhurit. Fëmijët luanin te sheshi, por edhe në oborret e shumta; shkonin në çerdhet dhe në kopshtet aty afër dhe pastaj te shkollat – Avni Rustemi, De Rada e ndonjë tjetër. Kishim edhe një kinema aty afër – “Republikën”. Shumë banorë të lagjes punonin në tipografi, te stabilimenti “Mihal Duri”; të tjerë përdornin transportin publik te Rruga e Kavajës, për vajtje-ardhje drejt zonës industriale të Kombinatit. Çdo mëngjes, im atë merrte autobusin për në Spital, ndërsa ime më për në Shkollën Teknologjike. Unë shkoja me këmbë, më parë tek Avni Rustemi, pastaj te Sami Frashëri pastaj te Filologjiku dhe më në fund tek Instituti i Gjuhësisë, prapa Muzeut të Shkencave të Natyrës.

Nuk dua të krijoj iluzionin e ndonjë tabloje idilike: mëhalla jonë ishte e varfër, familjet kishin probleme ekonomike, shtëpitë prej qerpiçi kërkonin mirëmbajtje intensive, dhe infrastruktura praktikisht mungonte (p.sh. vetëm shumë pak familje kishin telefon). Por mëhalla në tërësi ishte e banueshme dhe e këndshme, plot bahçe, lule dhe plaka.

Besoj se tatëpjeta nisi që me errësirën e madhe në vitet 1980 (racionimin e dritave), e cila solli me vete zymtësi dhe dëshpërim. Në vitet 1990, komunitetin e dëmtoi rëndë emigracioni – breza të tërë u larguan duke ia hequr mëhallës sqimën dhe energjinë e dikurshme; njëkohësisht, u shfaqën pronarët e trojeve dhe kërkuan t’i marrin në zotërim disa ndërtesa, që deri atëherë kishin strehuar familje të ardhurish. Kjo u shoqërua me armiqësi, konflikte dhe gjyqe. U shfaqën edhe makinat private, të cilat – ironikisht – e transformuan hapësirën publike të rrugës. Shumë nga banorët nuk arritën dot më të gjenin balancën mes nevojës për stabilitet (shtëpi, mëhallë) dhe nevojës për t’u zhvendosur; ashtu edhe filluan të kalonin gjithnjë e më shumë kohë “në rrugë”, por edhe brenda në makina.

Me pamjen që ka sot, mëhalla nuk largohet dot nga profili i një gërdalle të zgjebosur dhe ekskrementale, pse gjithçka atje mund të përshkruhet si një lloj pirgu plehrash të larmishme: që nga rrënojat e ndërtesave, të mbetjet që hedhin njerëzit, te rrobat e përdorura dhe vetë entropia e një komuniteti që mbahet si i tillë vetëm për inerci. Me përjashtim të atyre që kanë hequr dorë nga shpresa, të gjithë janë të projektuar “drejt së ardhmes,” duke u ngopur më së shumti me lugë të zbrazët dhe pa u shqetësuar që sistemimi privat, p.sh. një një pallat të ri të ndërtuar mbi truallin tënd, nuk do të përkthehet dot në normalizim të së përditshmes.

Dikur në vitet 1970, daljen e rrugës Kont Urani te Rruga e Kavajës e patën mbyllur përkohësisht me mur, për të krijuar një shesh xhirimi për filmin “Radiostacioni”. Ai xhirim vazhdoi me muaj, dhe nuk i kam harruar rrapëllimat e armëve automatike as erën e athët të barutit të gëzhojave, sa herë që partizanët sulmonin me bujë godinën e Radios. Si përfundoi xhirimi, u deshën kohë, për ta rrëzuar murin dhe për t’ia kthyer rrugës – dhe mëhallës – oksigjenin. Dhe gjatë kësaj kohe, krejt segmenti i rrugës nga sheshi deri te muri, filloi të mbushej me plehra dhe pisllëqe të tjera, si bëzhdilet që i nxjerr lumi anës; dëshmi dhe shenja të një qyteti të dëmtuar.

Edhe sot mëhalla po e vuan këtë ri-akutizim të ekskrementalitetit, si efekt anësor fatal i një beteje të padukshme mes lakmive private: nëpërmjet rrënojave që shtohen e shumohen, por edhe të pamundësisë për t’u pastruar nga entropia urbane. Pallatet e reja, që një ditë do të ngrihen, premtojnë një farë sterilizimi në pamje dhe jetë korridoresh të ftohta, për ata që do të vijnë; por tashmë edhe vetë historia e mëhallës është e pamundur të tregohet, pa iu dorëzuar lotëve, si jashtëqitje sentimentale të syve që mbajnë mend si fotografia.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin