LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E NJË NDËRTESE

nga Endrit Marku

Teatri i vjetër ishte krijesë e brishtë. Thelbi i tij ishte salla e gjerë që, pikërisht se duhet të ishte e tillë, mbulohej me struktura sa më të lehta.

Teatri i vjetër ishte i përmbajtur. Ai nuk ishte pallat mbretëror, ndërtesë ministrore apo selia e partisë fashiste. Ai nuk u ndërtua që të banonte pushteti por që e shumta te dukej aty ndonjëherë. E prandaj ai nuk u vesh kurrë me gurë, pllaka travertini e as zbukurime llaçi. Ai u ndërtua në një qoshe pas bulevardit, jo për të thirrur në mes të katër rrugëve por që e shumta të të ftonte qetësisht të hyje brenda.

Teatri ishte i ndrojtur, introvert. I duhej të ishte i madh, jo që t’iu bënte të ndiheshit të vegjël por se dëshironte të mblidhte brenda tij sa më shumë prej jush. Ai ishte i lartë se ajri i ndenjur do shkonte diku, e kjo ca me tepër dikur që mundësia e ndalimit të pirjes së duhanit apo e instalimit të fankoilve ishte ende largmendsh.

Teatri i vjetër ishte i sinqertë. Ai kishte dy krahë pasi trupi i tij ishte hapësira në mes. Ai kishte pak atë bukurinë e makinës sipas Le Corbusier-it. I duhej të kishte holl, sallë e lozha, para-skenë, skenë, pas-skenë e dhoma zhveshjesh. E kishte të pamundur ti fshihte nën lëkurë organet e tij. Fundja vetë i madhi Teatro alla Scala mban një gungë të stërmadhe pas shpine, skena e re, të cilën arkitekti Mario Botta nuk ia fshehu dot pas restaurimit të fundit.

Teatri i vjetër ishte naiv, mendoi se ishte i paprekshëm. Ai besoi se edhe etja për kulturë do rritej së bashku me urinë për para. Ekzistoi me iluzionin se kultura i kishte të merituara gjithë ato metra katrorë pranë qendrës, e që autoriteti bashkëmoshatar i bulevardit do ta mbronte nga pushteti i ri i kapitalit qe po i afrohej pas krahëve. Teatri kujtonte so po flinte ende mbi baltën e Lanës të para 80 vjetëve, dhe nuk e kuptoi që llumi i dikurshëm shkëlqente tani më shumë se floriri.

Teatri i vjetër ishte sfidues. Pushteti i bulevardit kishte mësuar të mos i zinte besë. I kujtohej se si ushtaret e tij, atëherë italianë, rehatoheshin brenda sallës së madhe duke u harruar nëpër vogëlsira. Ata vinin të shihnin aty shfaqe, koncerte, ndonjë film te kinemaja verore e oborrit duke u shpërqendruar nga misioni i tij historik. Këtu iu lejohej ta harronin pak luftën e ngjizur nga pushteti, para se vetë pushteti ti niste drejt vdekjes në frontin grek. Atij i kujtohet se si ju gajaseshit me Jovan Bregun, se si ju u dashuruat me atë që në fillim, shumë më përpara se të bënte autokritikën në aktin final, megjithëse ai ishte i pafytyrë e mashtrues dhe krejt e kundërta e njeriut socialist. Pushteti atëherë e kuptoi që ju gjatë asaj ore në teatër u çliruat nga hipokrizia e teatrit shoqëror të cilin do rinisnit ta luanit që të nesërmen në mëngjes.

Ai e di që, siç ka thënë Hannah Arendt, sunduesi i vendeve të shfaqjes publike kontrollon vetë pushtetin, dhe nuk e harroi se si teatri i vjetër tani si në të shkuarën kishte dalë shpesh jashtë kontrollit.

Teatrot e vjetër janë fluturakë. Bernini i madh, arkitekti i sheshit të Shën Pjetrit ishte po aq i njohur nga bashkëkohësit për skenografitë e tij. Ai projektonte shfaqje të ndërtuara nëpër hapësira teatrale të përkohshme. Ai i mahniti romanët jo vetëm me gurë e mermer por dhe me karton të mbajtur me gozhdë e ristela, bartëse spektaklesh barokë të paharruar.

Në vitin 1996 dy elektricistë menduan të stisnin një zjarr të vogël për të justifikuar shtyrjen e afateve të punimeve të ndërtesës në të cilën po punonin. Shkëndija e tyre zbuloi të vërtetën e ndërtesës. Ishte teatri la Fenice, mbresëlënës në dukje, i mbuluar me stuko të florinjta e lozha të panumërta por nën cipën e tyre ishte aq i lehtë sa u shkrumbua plotësisht brenda një nate.

Italianët e nuk e fajësuan teatrin e tyre për dobësinë, mbase sepse ata e dinin që teatrot e vjetër janë vërtetë krijesa të brishta por fundja kjo është pjesë e pandashme e natyrës së tyre.

© Endrit Marku, Tiranë, Maj 2020; imazhi në kopertinë, © Endrit Marku.

 

6 Komente

  1. Nuk jam arkitekt por duke e pare me vemendje keto dite mendoj se eshte, ishte nje ndertese tipike futuriste, me element kubist, biles minimalist, vete futurizmi ishte nje prekursor i kubizmit dhe minimalizmit, ne perdorimin e elementeve thjeshtesisht esencial pa ornamente dhe dekoracione…ishte nje veper e ralle arkitekture e krijuar pikerisht gjate asaj periudhe te artit avant-garde doja te thosha, ashtu sic eshte nje veper e Boccionit, imagjino te kishte galeria jone kombetare tmerresisht e varfer e artit ne Tirane “Development of a Bottle in Space” te Umberto Boccionit qe ndodhet ne Moma, dhe ta thyente per te vendosur ne vend te saje nje nga ato dokumentet keyeministrore qe ngjyros Rama gjate orarit te punes dhe i kthen ne art.

  2. Italianet shpallen San Siron e ndertuar ne 1926 si objekt pa rendesi kulturore .Kush e priste kete vleresim ne nje vend te marrosur pas futbollit ,per nej stadium ne te cilin eshte bere history ?!!

  3. Stadiumet ne gjithe boten ndjekin parimin e funksionalitetit, dmth njerezit duhet te hyjne te paguajne bileten. Kane pasur edhe evoluim konceptual, sepse kane qene olimpike ( pra me hapesire per atletike) , kurse tashme jane thjesht per futboll.
    Para amfiteatrit te quajtur Koloseu kane qene amfiteater te tjere per 6 -7 shekuj me radhe, qe prej kohes kur mbreterit etruske futen ne Rome kulturen e lojerave ne amfiteater ( dhe garat e kuajve ne hipodrom).
    Me pak fjale San Siro mund te mos jete, por nje stadium i ri funksional per futbollin dhe si qender tregtare, mund te ekzistoje per shekuj me radhe, derisa te ndiqet futbolli. Jo domosdoshmerisht goditet me te paren, me shume gjasa ka e kunderta. Koloseu eshte 7 shekuj prapa ne liste.

    Sa per shkrimin e autorit, e ka ekzagjeruar duke krijuar mitin e teatrit si sfide ndaj pushtetit nepermjet shembujve me interpretim te diskutueshem. Pushteti ka frike nga stadiumi, nga hipodromi, jo nga teatri. Teatrin e ka aleat, si shtresa e pasur ka aleate shtresen e mesme, kurse stadiumin e ka frike, si shtresa e pasur ka frike shtresen e varfer.

  4. Jam në një mendje me Dies Irae. Shkrimi nuk është fort bindës, duket më tepër i shkruar nga keqardhja dhe krahasimet çalojnë. Vlerat artistike dhe kujtimet, kujtesa historike vlenin vërtet, këto duhet të na dhembin. Sa për ndërtesën u kërkua ndërhyrje që në vitet ’60 nga brezi i N.Frashërit, M.Popit, M.Logorecit, etj, por pushteti i atëhershëm nuk ua vuri fare veshin.Edhe ky i demokracisë po ashtu bëri dhe…ja ku jemi.

    1. Them se shkrimi është shumë i mirë. Por ndoshta për ata që e gjejnë jo bindës, ka një shpjegim: arkitektura përftohet dhe perjetohet në mënyrë indirekte, nga eksperienca. Nuk flet si gjuha, dhe asnjëherë drejtpërdrejt. Ndërsa shkrimi e ka personifikuar atë për t’ia sjell me afër publikut. Dhe kjo duket ka rrisqet e veta me disa lexues.

      Përsa i përket mardhënies së artit teatror me pushtetin, autori ka sjellë mendimin e Arendt, e cila e konsideron teatrin si artin politik par excellence. Përndryshe, pushteti gjithmonë i frigohet më shumë turmës sesa individit, sidomos kur ajo del jashtë kontrollit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin