SFIDAT E ALBANOLOGJISË SOT

nga Enkeleida Kapia

(Mbajtur në Akademinë e Shkencave, gjatë tryezës së diskutimit me temë “Studimet gjuhësore e letrare shqipe në ASA, diskutim për probleme e hapësira të reja”)

Është detyrë e rëndësishme të flasësh për sfidat e albanologjisë sot për vetë faktin se ato janë të shumta, të mprehta, dhe, disa prej tyre, urgjente. Këtë mund ta bëjmë vetëm duke parashtruar një parantezë. Atë që sfidat e albanologjisë sot do t’i paraqesim ndërlidhur dhe frymëzuar nga interesat tona kërkimore, duke mos nënkuptuar aspak këtu që sfida të ngjizura nga interesa të tjera apo shkolla të tjera mendimi e pune janë më pak të rëndësishme dhe më pak urgjente.

Përpara se të përshkruhen sfidat, do të përmbledhim shkurtimisht dekadat e fundit në albanologji, në gjuhësinë albanologjike. Dy, sipas mendimit tonë, kanë qenë temat madhore në albanologji: zbërthimi i strukturës së gjuhës dhe parashtrimi i historisë së saj. Përpos dhe paralel me këto dy tema e drejtime dominante që kanë ngërthyer studimet albanologjike pothuajse 100 vitet e fundit, studime të ndryshme individuale janë marrë me manifestimet shoqërore të gjuhës duke sjellë më afër metodat e punës në etnolinguistikë, dialektologji dhe sociolinguistikë. Autorë të hershëm, kolosë të punës albanologjike, si Çabej, Demiraj, Domi, etj janë paraprirë e pasuar nga albanologë brenda e jashtë vendit, të cilët kanë punuar në hullinë e drejtimeve të sipërpërmendura, duke marrë pjesë në zhvillime të ngjashme e paralele të gjuhësisë botërore.

Por trashëgimia e pasur e lënë prej tyre ka gjetur pak shtigje zhvillimesh të reja e bashkëkohore. Albanologjia e kohës sonë, ndryshe nga gjuhësia bashkëkohëse, ka treguar fare ose aspak interes, në shpjegimin neurologjik e fiziologjik të dukurive gjuhësore, në procesimin e gjuhës nga truri, në mënyrën e përvetësimit a të mësimit të gjuhës, si dhe lidhjen a ndërlidhjen e gjuhës me aftësi të tjera konjitive. Këto çështje e probleme u japin formë nocioneve që kemi formuar për përshkrimin sinkronik të gjuhës, të variacioneve gjuhësore, si dhe ndryshimeve diakronike që kemi dëshmuar në të. Personalisht, e konsiderojmë këtë lëvizje (ose moslëvizje, si në shah) një hap të gabuar, sepse vetë sociologjia e fushës e ka formësuar mendimin gjuhësor të ecë në drejtimin e vet të veçuar, të izoluar, duke lënë pas dore arritje madhore të gjuhësisë bashkëkohore, praktikë e cila ka sjellë në një gjendje ‘vendnumëro’ të perspektivave teorike dhe metodologjike. Është pikërisht ky historik që ngre krye kur thellohemi të jemi racionalë për sfidat e sotme të albanologjisë, të cilat po i paraqesim më poshtë:

Sfida 1. Njohja e thelluar e zhvillimeve të reja dhe serioze në gjuhësinë ndërkombëtare. Është detyra e albanologjisë sot që të adresojë tema e dukuri që trajtohen gjerësisht brenda kampeve të ndryshme teorike, të ndërveprojë e bashkërendojë me kolegët nëpër botë me mendjehapësi e vullnet për të punuar bashkërisht, përpos kaheve tona individuale teorike. Kjo sfidë në kontekstin e albanologjisë është sa individuale sa edhe empirike.

Sfida 2. Krahas drejtimeve të tjera shkencore, albanologjia duhet t’i bëjë vend teorisë së përvetësimit të shqipes, teori e cila do të na lejojë të marrim pjesë në diskutime teorike formale, por edhe jetë udhërrëfyese në përcaktimin e hapave zhvillimore të shqipes tek fëmijët shqipfolës, nevojë kjo sa e arsimit aq edhe e shëndetësisë në vendin tonë, apo aty ku jetojnë në masë shqipfolës. Arritje e zbulime të kësaj fushe shërbejnë si fara për politika të ndryshme arsimore e shëndetësore, të cilat në kohët tona janë ndërtuar në vakum ose mbështetur në formulime për gjuhë të tjera, me specifika e kontekste të ndryshme nga e shqipes.

Sfida 3. Një sfidë me natyrë jo tërësisht shkencore është sfida e përdorimit të asaj çka dimë për gjuhën për të mirën sociale të përbashkët, filozofi e cila qëndron në themel të gjuhësisë së zbatuar, të albanologjisë së zbatuar. Më konkretisht, i takon ende albanologjisë së sotme që të zgjidhë se si punimet tona ndihmojnë në mësimin e nxënësve në shkolla sot. Problemi i gjuhës në shkolla sot i ka rrënjët te programet e formimit të mësuesve të gjuhës, të cilët, në shumicën e rasteve, merren pak ose aspak me studimin bashkëkohor të gjuhës: strukturën e shqipes së përditshme, sistematicitetin e dialekteve, sfidat konjitive të lexuesve fillestarë, si dhe sociologjinë e paragjykimeve gjuhësore. Mësuesit e gjuhës të dalë nga këto programe i prekin problemet e gjuhës duke përdorur një lloj gjykimi të ngurtë që bie ndesh me gjithë sipërmarrjen e arsimit gjuhësor sot. Mësuesit nuk kanë pothuajse fare njohuri formale për strukturën e gjuhës, për mënyrën se si kjo strukturë përvetësohet nga mosha të ndryshme, për këtë proces në terma psikolinguistike. Programet e formimit të tyre nuk merren fare me ndërlidhjen dhe varësinë midis strukturës së shqipes dhe aftësisë për të lexuar apo shkruar me anë të kësaj strukture. Mendimi mbizotërues mes tyre është shqipja ka një formë uniforme, korrekte, duke lënë në hije dallimet midis shqipes formale dhe joformale që zotëron folësi në repertorin e gjuhës së vet të shkruar a të folur. S’ka më dyshim që, ajo çka nxënësit duhet të zotërojnë në fund të shkollës, janë aftësitë e të lexuarit, të shkruarit, të folurit dhe të dëgjuarit, aftësi këto të rëndësishme jo vetëm për lëndën e gjuhës, por edhe për historinë, shkencën dhe matematikën, e më vonë botën e punës.

Sfida 4. Ndërkallur me gjithë sa thamë më sipër është sfida e të kuptuarit që gjithçka ne bëjmë, mbyllur në kullën e fildishtë të akademisë albanologjike, duhet të bëhet publike dhe të jetë e bluajtshme nga publiku i gjerë. Zbulime e studime të palosura në rafte studiuesish e biblioteka të pluhurosura nuk u shërbejnë debateve kaq të pranishme për historinë e gjuhës, për metodat e gjuhës dhe për arsimin në gjuhën mëmë. Mbi të gjitha, albanologjia sot po kalon një krizë të thellë në përpjekjet e saj për t’u bërë e kapshme nga shqipfolësit jashtë profesoratit, në mënyrë që qëndrime pseudoshkencore si ato që kanë filluar të hedhin rrënjë në media e në opinionin publik për historinë e gjuhës të mos shërbejnë si informuese e udhërrëfyese për brezat e rinj.

Në lidhje me sa thamë nuk kemi asnjë iluzion për vështirësitë politike dhe praktike të kapërcimin të sfidave të paraqitura. Por sërish mbeten sfida që ia vlejnë të ndërmerren sepse ajo çka është në rrezik është pikërisht arsimimi i brezit tonë të ri. Për këtë i ftoj të gjithë albanologët dhe dashësit e albanologjisë të kontribuojnë në mënyrat e tyre, qofshin këto edhe modeste.

(c) 2019, autorja.

6 Komente

  1. Nese nuk merren studiuesit me computer linguistiken, do te merret google dhe ndonje AI qe i qendron pas. Se shpejti do flasim shqipen e Google Translate apo te ndonje neural network.

    1. Madheshtore! Një koment që flet për mbrojtjen e gjuhes shqipe, por që vetë komenti nuk kuptohet! Pjesa e parë e fjalisë së parë nuk kuptohet. Në shqipe të rregullt ajo do të ishte: (1) “Nëse nuk merren studjuesit me computer-linguistikën,” -këtu kuptimi është jo aq i qartë, sepse (a) mund të bëhet fjalë për gjuhën e përdorur në kompjuter, cfarë ka lidhje me temën e shkrimit më lart, por (b) mund edhe të bëhet fjalë për gjuhën kompjuterike, cfarë nuk ka të bëjë me temen e mësipërme. Ose: (2) “Nëse nuk merren studjuesit me computer me linguistikën,” -këtu kuptimi është i qartë, sepse bëhet fjalë për linguistët që punojnë me kompjuter e të cilët duhet të punojnë me gjuhën, por formulimi i fjalisë nuk rekomandohet në drejtshkrimin e shqipes. Dy “me” njëra pas tjetrës tingëllon jo mirë për veshin e dëgjuesit, ndaj mund të kishim një formulim tjetër si p.sh.: “Nëse nuk merren studjuesit me linguistikën (gjuhën shqipe të) e përdorur në kompjuter,”.
      Edhe fjalia e dytë stonon, ndonëse kuptohet të paktën. Ajo stonon sepse fjalët e huaja “neutral network” nuk janë në rasën e duhur; ato janë pa rasë. Ato do ti përshtateshin fjalisë nëse do të “shqiptarizoheshin” disi, sic bëjmë nga nevoja të gjithë ne kur i përdorim ato; në këtë rast do të kishim: “Së shpejti do të flasim shqipen e Google Translate-s, apo të ndonjë neutral network-ut.”

    2. Propozim me vend, durimpaku; ndërtimi apo përshtatja e linguistikës kompjuterike për gjuhën shqipe duhet të vihet në listën e sfidave të albanologjisë, nëse nuk duam që ta humbasim edhe këtë tren, siç ndodhi në vitet ’90 me terminologjinë shqip të MS Windows.

      Një masë tjetër – e natyrës teknike dhe administrative – do të ishte përdorimi vetëm i tastaturës me gërmat shqip Ë/ë dhe Ç/ç në Shqipëri dhe në Kosovë. Hapi i parë duhet të jetë përdorimi në institucionet dhe ambientet shtetërore vetëm i kësaj tastature. Kjo gjë rregullohet me ligj: duke nisur nga një datë e caktuar, p.sh. nga 1 Janari 2020, çdo blerje e re kompjuterash për institucionet shtetërore, përfshirë shkollat dhe universitetet, duhet të bëhet vetëm me tastaturën shqip. Kjo do të mundësonte zëvendësimin gradual të tastaturave ekzistuese në sektorin shtetëror.

      Hapi tjetër do të ishte vendosja e një tarife të lartë doganore për çdo tastaturë jo-shqip që futet në Shqipëri nëpërmjet tregtisë me shumicë – kjo do të rregullonte vetvetiu edhe tregun/përdorimin privat të tastaturës me gërmat shqipe. Nëse kjo tarifë nuk jep rezultatin e pritur, le të themi brenda dy vitesh, atëhere mund të rritet tarifa ose të ndalohet importi i tastaturës jo-shqip për një periudhë kohore, p.sh. për 10 vite (natyrisht, duke përjashtuar blerjet personale jashtë vendit). Nëse këto hapa koordinohen edhe me shtetin e Kosovës efekti do të jetë më i shpejtë, ndoshta dhe më i lirë pasi kështu mbulohet një treg më i madh, dhe për gjuhën, në çdo rast, më pozitiv.

  2. Shkrimi me kujton nje skec te viteve 50-60 e te riperseritur edhe ne ditet tona, ku monologuesi tregon me nje ze te qete gjithfare marrinash te perziera (gjera te rendomta, shitje-blerje, vrasje, perdhunime) e pastaj e mbyll ne fund shpejt me ndonje fjali patetike per -bie fjala- patatet ne zjarr qe u zien paksa si teper. Ne pergjithsi keshtu jane shumica e shkrimeve sot ne bote, as mish e as peshk, keshtu eshte e gjithe mesimdhenia nder nxenesit dhe studentet.
    Shkrimi ka gjera qe qendrojne, me rendesi, disa me terminollogji te paqarte, po ashtu perzier ka edhe cingerima te zbukuruara me fjale “te medhaja”. Ne fund lexuesi, edhe dy apo tri here ta kete lexuar, shkeputet pa kurrfare ndjesie, nuk di ku rrihte me shume shkrimi, e shumta mund te jete i gezuar po ta njohe autor-in/-en.
    Pikerisht aty ku shkrimi duhej te perqendrohej, tek (po citoj shkrimin:) “zbërthimi i strukturës së gjuhës dhe parashtrimi i historisë së saj”, pikerisht ketu shkrimi nis e haperdahet si ato pulat e hutuara. Me duket se shkrimi ka dashur te theksoje studimin e manget ne natyren socio-psikollogjike (socio-psiqike) te gjuhes shqipe, apo e kunderta: gjuhen e natyres psiko-sociale te popullit tone, qe do te tregonte keshtu zhvillimin e perbashket historik te ketyre dy subjekteve, popullit dhe gjuhes. Mirpo kete dhe cdo teme tjeter shkrimi nuk e ka shprehur qarte. Si perfundim mund te themi: le t’ia fusim gjumit te qete, pse jo perjetsisht, sepse me keto metoda mesim-dhenie sot e ka marre ferra uraten ne kete vend!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: