MOS PËRMENDI NJERI FJALËN SHESH?

Sheshi Skënderbej dhe Tirana e xhentrifikuar

nga Marson Korbi

(Teksti është publikuar më parë në anglisht dhe holandisht në revistën OASE 115.)

1. Xhentrifikimi dhe klasa e re punëtore

Në Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur së fundmi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se falë projekteve të Rilindjes Urbane në Tiranë vlera e pronës është shumëfishuar në krahasim me mandatet e kaluara. Shpjegimi ishte kaq i qartë saqë çfarëdolloj leximi kritik i politikave urbane në Tiranë do të ishte thjesht një përsëritje e një programi që tashmë është parashtruar me transparencë nga vetë administrata, por që edhe është mirëpritur me entuziazëm, si nga borgjezia e krijuar artificialisht gjatë viteve të tranzicionit, po ashtu edhe nga gjenerata e re e intelektualëve, përfshirë këtu dhe arkitektët.

Projekte, si rehabilitimi i Sheshit Skënderbej, i Pazarit të Ri, rregullimi i bulevardit “Zogu i Parë”, janë sipas Bashkisë ndërhyrjet kyçe të cilat kanë prodhuar këtë efekt pozitiv, ku prona në zonat e qendrës ka marrë vlerë të lartë, e paraqitur kjo në publik me retorikën se klasa e mesme, e cila banon në këto zona, në këtë mënyrë po pasurohet. Por pikërisht këtu qëndron problematika e këtyre projekteve: sa e vërtetë është kjo?

Supozojmë se është kështu, dhe se përmirësimi i infrastrukturës publike do të kishte qenë politikë “mirëqenieje sociale”. Tendenca e rritjes së vlerave të pronës në qendër do të thotë se, i parë në terma kohorë të mesëm, familjet që kanë në pronësi apartamente të cilave u është rritur vlera, do të ishin të tunduara t’i jepnin me qira, ose, edhe më me leverdi, t’i shisnin. Më tepër se leverdi ky do të ishte një formë forcimi nga ana e pushtetarëve. Rritja e vlerës në fakt nuk duhet harruar se vlen kryesisht për pronën dhe jo për banesën në vetvete. Dhe një mesazh i tillë politik ka shumë kuptim, sidomos duke qenë se shumica e banesave në Tiranë po i afrohen ciklit të tyre të amortizimit (100 vjet për betonin), pa harruar cilësinë ndërtimore të dobët të godinave të ndërtuara nga Socializmi. Me nevojën jo të largët të prishjes së këtyre banesave, kur të amortizohen, mbetet e hapur çështja e pronës së truallit ku qëndron objekti. Me çfarë mënyrash do të bëhen shpronësimet? Në rast se apartamentet do të prisheshin për disa dekada, kujt do t’i takojë prona e tokës? Cilat dokumente apo mekanizma do të ndiqen? Mbeten këto çështje krejt të hapura, që për momentin shërbejnë më tepër për të parë me sy kritik Rilindjen Urbane, nga pikëpamja e hallkës më problematike të saj: prona. Perspektiva e përzënies së banorëve të vjetër nga qendra, qoftë me incentiva ekonomikë (pra, me joshje), apo edhe me “dhunë”, ndihmon të kuptojmë se çfarë do të thotë koncepti i xhentrifikimit, dhe se si Rilindja Urbane nuk është gjë tjetër veçse një politikë xhentrifikimi.

Tjetër aspekt i cili e bën xhentrifikimin më të qartë, por madje edhe më të rrezikshëm, është edhe procesi i deklasimit të shoqërisë në vitet e fundit. Intensifikimi i industrisë së ndërtimit, pasurimi i pak firmave ndërtimore, ekskluziviteti i projekteve të qendrës në duart e disa pak zhvilluesish dhe studiove të arkitekturës, së bashku me përqendrimin e shërbimeve dhe furniturave në sektorin e ndërtimit në duart e kompanive të mëdha, pra, kalimi nga marangozët dhe dyqanxhinjtë e qytetit, tek fabrikat dhe magazinat e kompanive, janë elementet e varfërimit të klasës së mesme, e deklasuar në kufijtë e klasës punëtore. Pra, me fjalë të tjera, sipërmarrësit e vegjël po shndërrohen gradualisht në rrogëtarë, dhe këtu luan një rol kryesor i gjithë cikli i ndërtimit, nga materialet, kantieri, mbeturinat dhe skartot, logjistika, deri tek hallka më e fundit, projekti i arkitekturës dhe arkitektët. Prishja e qindra bizneseve për ndërtime kullash e sheshesh të reja prodhoi me gjasa një ushtri të papunësh, që iu drejtuan kompanive private për punësim: Ata që në vitet 1990 u bënë businessmen, tani janë  punëtorë. 

Të dyja këto aspekte, rritja e vlerës së pronës dhe deklasimi i punëtorëve, janë elemente të asaj që përkufizohet me neologjizmin “xhentrifikim” (gentrification), koncept që paradoksalisht është futur në botën perëndimore në dekadat e fundit nga qeverisjet e majta. Rritja e qirasë, rritja e çmimit për metra katrorë të një shtëpie në qendër, paralelisht me (dhe si pasojë) zvogëlimin drastik të asaj pjese të popullsisë në gjendje që të paguajë një banesë në qendër dhe largimi i tregut blerës të klasave të mesme (klasa e re punëtore) nga qendra, janë elemente përjashtimi. Gentrification (në tekst, xhentrifikim) si term vjen nga fjala gentry (term i cili përkufizonte fisnikërinë angleze në shekujt 16-19) dhe kur një zonë e qytetit apo fshatit u vihet në dispozicion vetëm një klase të caktuar njerëzish.

Banorët e bllokut të viteve 1960-80 do ta kishin quajtur mbase: borgjezizim i qytetit.

Këto dhe ato që përmendëm më lart, janë ende pyetje problematike, por të duhura, për të kuptuar kornizën e projekteve të Rilindjes Urbane, mes së cilave, projekti-mëmë, pa dyshim Sheshi Skënderbej, të cilit do t’i kushtohen rreshtat që vijojnë.

2. Tranzicion pa histori

Në vitin 2008, Bashkia e Tiranës shpalli konkursin për projektimin e Sheshit Skënderbej, historia e të cilit, siç dihet, përkon me një listë të gjatë propozimesh që nuk u realizuan kurrë, duke filluar nga regjimi fashist. Ishte pikërisht nën administratën bashkiake të Edi Ramës që u vendos që të investohej mbi imazhin e qytetit dhe ndërtimi i një sheshi dinjitoz përbënte një problem të madhor për të ndryshuar historinë e arkitekturës në Tiranë.

Sheshi u projektua nga zyra belge 51N4E. Ai është një hapësirë, historia e së cilës është shënuar nga ndërrimet e vazhdueshme të regjimeve dhe administratave dhe që në dekadat e fundit ka qenë teatër i ngjarjeve që njëkohësisht kanë mbështetur, por edhe “turpëruar” palët politike, duke penguar vullnetin e tyre për të ushtruar dhe përfaqësuar plotësisht pushtetin.

Projekti i 51N4E-së u konceptua si një formë drejtkëndore, e përbërë nga një piramidë e shtruar me gurë dhe me një pjerrësi të butë, e cila ngjitet në një lartësi prej 2.3 m në qendër. Piramida lejon një ngjitje graduale të shikimit, që shkon gati në nivelin më të lartë të podiumeve të ndërtesave kryesore përballë tij, si Pallati i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar dhe Hotel Tirana. Strategjia e piramidës u aplikua për të bashkuar ballet e këtyre objekteve, duke krijuar edhe domosdoshmërinë e ndërtimit të lidhjeve mes piramidës dhe hyrjes në to. Projektuesit patën si objektiv kryesor zgjidhjen e pragjeve hyrëse me godinat përreth: në rastin e Muzeut Kombëtar kjo u bë me ndryshimin e materialit. Guri gri i errët ndërmjetëson kalimin nga pllakat e kuqe të Sheshit në granitin e bardhë të podiumit të ndërtesës; në Pallatin e Kulturës, “muri” prej pemësh e shkurresh ndërmjetëson hyrjen në kolonadën e vjetër. Për të kompletuar të gjithën, arkitektët, në bashkëpunim me zyrën e peizazhit Planten Houtgoed, projektuan një sistem kopshtesh me pemë, bimësi të egër dhe shkurre në perimetrin e Sheshit, duke i dhënë më në fund karakterin e tanishëm, që e paraqet atë gati si dhomë të mbyllur, një zgjidhje për të mbuluar pamjen dhe zhurmat nga trafiku. Sipas reklamave promovuese të Bashkisë, e cila u bë shpejt shenjtorja mbrojtëse e sheshit, hapësira e re u transformua nga një udhëkryq i mirëfilltë makinash në një zonë ku njerëzit mund të takohen, mblidhen dhe qëndrojnë.

1. Pamje e sheshit të ri nga brenda kolonadës së Pallatit të Kulturës. Foto: Marson Korbi.

Pak vite pas fillimit të kantierit të parë, nën administratën e Partisë Demokratike, ndërtimi u ndërpre dhe sheshi u kthye në një tjetër konfigurim të improvizuar, në një kohë kur Bashkia priste planifikimin e festimeve me rastin e njëqindvjetorit të Pavarësisë, më 28 nëntor 2012. Pasi u mbulua kantieri me dhè, duke e zëvendësuar projektin e 51N4E-së me një rrethrrotullim të çuditshëm, për festën e Pavarësisë administrata e re e Lulzim Bashës përgatiti një tortë gjigante prej 550 metrash katrorë e vendosur nën kolonadën e Pallatit të Kulturës. Siç mund ta kujtojnë shumë vetë sot, ngjarja u shndërrua shpejt në një fatkeqësi groteske, pasi turma e njerëzve, pasi çau gardhin metalik dhe kordonin e policisë u hodh me dhunë mbi tortë, duke u kacafytur, me qëllim që, me kova plastike e qese pazari në dorë, të kapnin e të hanin sa të mundnin nga torta e shtruar nga shteti.

Ashtu si në një pikturë të Peter Bruegel-it, këto imazhe kujtonin disa nga xhirimet famëkeqe të histerisë sociale dhe varfërisë që kishin karakterizuar historinë shqiptare të postkomunizmit, si eksodet e fillimit të viteve ‘90, apo ato të luftës civile të 1997-ës. Siç dihet, kjo histori është përkufizuar shpesh nga intelektualët dhe ekonomistët si “periudha e tranzicionit”. Dhe në fakt, pas më shumë se tridhjetë vitesh tranzicion, tashmë është e qartë se sa kjo periudhë është e mbushur me problematika, madje mund të thuhet se përbën problem edhe për vetë pushtetarët, ata të cilët patën më leverdi nga të gjithë për zgjatimin e saj në kohë. Duhet pranuar me këmbëngulje: tranzicioni u përdor si mjet ideologjik nga qeveritarët dhe nga klasa e kapitalistëve për të përligjur një periudhë e cila në gjuhën e kapitalit njihet si akumulim primitiv! Si në shumë shtete të tjera ish-socialiste, tranzicioni në këto vende pa një klasë njerëzish që u shndërruan nga ish-funksionarë të shtetit në kapitalistë dhe oligarkë. Paralelisht, intelektualët, analistët, ekonomistët dhe mediet e shpjeguan tranzicionin si fenomen romantik, si një çështje kulturore dhe si një e mirë sociale, që hodhi poshtë diktaturën dhe u dha të gjithëve liri sipërmarrjeje dhe lëvizjeje brenda Shengenit. Duke dështuar në historicizimin e viteve ‘90 dhe fillimin e viteve 2000—një problem i përgjithshëm sot edhe për historinë e arkitekturës— shumë studiues e shohin ende diskutimin e kalimit si proces ekonomik, nga socializmi në ekonomi tregu, duke shmangur me neveri çfarëdolloj diskutimi mbi shkatërrimin që ky kalim solli mbi shtetin social, mirëqenien dhe të mirën publike. Në këtë proces, si në rastin e Shqipërisë, rishpërndarja e pronës së tokës luajti rolin më delikat dhe ideologjik. Klasat e reja sunduese që dolën nga hiri i socializmit, filluan një periudhë të gjatë akumulimi (shpronësime, vjedhje dhe deklasim të klasave punëtore): familjet e ish-pronarëve dhe funksionarët e shtetit filluan të rimarrin tokën e mëparshme ose blenë asetet shtetërore me çmime qesharake, duke filluar nga fabrikat deri tek industritë e rënda dhe pronat ushtarake apo sportive, dikur të shtetit.

2. Pamje e sheshit në vitet 1980.

Në vitet 2010, kur klasa e re sunduese arriti të vendosë një status quo të re, i duhej të gjente një mënyrë për të pastruar trashëgiminë e tranzicionit, me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj dhe kapitalit. Në dekadën e parë të viteve 2000, aleanca e politikës dhe oligarkisë pas vitesh akumulimi, kuptoi se ishte koha për të hequr qafe tranzicionin dhe filloi të investonte në një imazh të ri të vendit: infrastrukturë, ndërtim rrugësh, porte dhe aeroporte, dhe arkitekturë, dhe duke synuar në asetet e paluajtshme dhe hapësirat publike. Historia e Shqipërisë pas rënies së komunizmit, e thënë me fjalët e Edi Hilës dhe Adrian Pacit, mund të përshkruhet si një histori e “të ardhmeve të parealizuara”: sa herë shfaqet një sinjal sado i vogël optimizmi, diçka e keqe e mbulon nga e para.

Nën dritën e një konteksti të tillë, projekti i Sheshit Skënderbej, i projektuar nga 51N4E, mund të shihet si një artefakt arkitektonik që kontribuon në fshirjen e etiketës së “periudhës së tranzicionit”, duke i dhënë imazh të ri një vendi “të orientuar drejt Evropës”. Por përtej suksesit të Sheshit—një fakt që është theksuar gjerësisht nga çmimet dhe përmendjet e ndryshme të marra nga projekti gjatë viteve të fundit, por dhe që ka prodhuar dy parti mendimi, ata që janë pro apo kundër sheshit—është e rëndësishme të gjurmojmë për një çast historinë që i paraprin realizimit të tij dhe të përmendim disa nga ngjarjet më të rëndësishme që tërhoqën arkitektët e huaj evropianë në dekadat e fundit. Kuadri ideologjik më i rëndësishëm pas projektit lidhej me politikën e Rilindjes Urbane, e nisur nga kryeministri Edi Rama në vitin 2013: një plan që e shihte Sheshin Skënderbej si një nga projektet e shumta (mes hapësirave publike, si sheshet, lungomaret dhe qendrat historike) dhe rigjenerimit të piketuar në të gjithë vendin.

3. Mes granitit dhe shkurreve

Fakti që projekti për Sheshin Skënderbej nisi në vitin 2008, kur Evropa po përballej me një nga krizat më të gjata ekonomike dhe masat shtrënguese më të egra të historisë së saj, mund të konsiderohet si simptoma e një vendi për të cilin Evropa mbetet një mitologji me çdo kusht. Projekti u propozua në atë kohë kur Rama ishte bërë figurë e njohur për pikturat në fasadat e qytetit dhe ndërhyrjet për çlirimin e disa prej parqeve nga kioskat dhe ndërtimet pa leje.

Zhvillimi i hapësirave urbane të Tiranës në këtë periudhë korrespondonte me ‘liberalizimet’ e viteve ‘90. Në veçanti, vjen ndërmend privatizimi i tokës nga një parlament pa përvojë në fillim të viteve ‘90. Si pjesë e marrëveshjeve të kompensimit, autoritetet u mbështetën në rrjetin ekzistues të kanaleve kulluese në fshat të krijuara nga reforma agrare socialiste, duke e përdorur si gjurmë virtuale dhe fizike për lehtësimin e zaptimit intensiv informal nga ish-fshatarët, shumica e të cilëve vinin nga rajonet malore veriore. Mes fundit të viteve ‘90 dhe fillimit të viteve 2000, ndërkohë që ekonomia po bëhej më e qëndrueshme dhe nevoja e fuqisë punëtore në zonat urbane shtohej, kjo popullsi “e zbritur” u ftua të ndërtonte shtëpitë pranë Tiranës (si në Bathore apo Kamzë), duke krijuar vendbanime të tëra në ish-tokat bujqësore, të cilat më pas u integruan si lagje të reja të Tiranës. Administrata e Partisë Demokratike në krye të Bashkisë së Tiranës i lejoi thuajse të gjithë të ngrenë biznesin e tyre të vogël, gjë që fillimisht i shndërroi apartamentet përdhese në dyqane dhe më pas shtoi kioskat që pushtuan hapësirat publike dhe parqet kryesore të kryeqytetit. Etosi i “bëje vetë” ishte veçanërisht i dukshëm në Tiranë, që me sa duket priste me padurim të hynte në regjimin e ri të privatizimit dhe biznesit. Megjithatë, ndërsa në fshat e qytet bëhej garë për të zënë çdo parcelë toke, Sheshi Skënderbej mbetej ende një vend i mbrojtur, i përdorur nga njerëzit, të cilit mund të kalonin mbrëmjet duke përdorur si kënd lojërash podiumin e Pallatit të Kulturës dhe shkallët e Muzeut Kombëtar.

3. Vizatim i Pallatit të Kulturës mbi kartëmonedhën 10-lekëshe. Duket qartë se si ndërtesa nëpërmjet shkallareve fikson një raport gati tektonik, por dhe hapësinor, me sheshin. Në një farë mënyre, shkallët mund të lexohen si hapësirë dhe si arkitekturë më vete, pa dyshim një meritë e madhe e arkitektëve të kohës, në projektimin e shkallareve, podiumeve dhe rampave.

Për vite me radhë, Sheshi Skënderbej gjatë periudhës socialiste shënoi mundimin e arkitektëve shtetërorë për gjetjen e një zgjidhjeje të duhur, që do t’i përshtatej atmosferës së kryeqytetit shqiptar si celebrim i socializmit. Ndërsa kontributi i arkitektëve italianë në vitet 1920-‘30 la vetëm pak gjurmë të realizuara, si kavea e gjelbër pas shpinës së Skënderbeut, ndërtesat e ministrive, Teatri i Kukullave dhe Banka Kombëtare, epoka komuniste shtoi statujën e Skënderbeut me kalë, Pallatin e Kulturës, Muzeun Kombëtar dhe kullën e Hotel Tiranës, ndërtesa të vendosura mbi bazamente urbane, të cilat krijonin një raport të artikuluar urban nga ana arkitektonike me Sheshin. Bazamentet dhe podiumet e socialistëve vlejnë të veçohen si temë arkitekture më vete.

4. Pamje e sheshit gjatë fundit të viteve 1987.

Pallati i Kulturës (guri i parë i të cilit u hodh nga Hrushovi në 1959), siç e ka theksuar leximi i përkryer i historianit Elidor Mëhilli, ishte lëvizja më e rëndësishme e qeverisë komuniste në drejtim të përcaktimit të një sheshi me tipare celebruese. Balli kryesor i Pallatit u ngrit në një platformë me shkallë të mëdha në të gjithë gjatësinë e vet dhe me një tarracë të madhe që shërbente si tribunë, nga ku Byroja Politike do të vështronte paradat ushtarake dhe festive. Në atë kohë, Pallati i Kulturës përqafoi idenë e “kondensatorit social” sovjetik, duke ofruar një bibliotekë qendrore, dhoma leximi, opera, dhoma muzike, restorante dhe bare të aksesueshme si nga intelektualët, ashtu dhe nga punëtorët dhe fshatarët—siç tregohet tek filmi Kapedani. Të gjitha këto aktivitete u institucionalizuan falë gjuhës klasike të fasadës, një stoa e madhe e cila do të kontribuonte për t’i dhënë sheshit karakterin socialist. Në vitet ‘80, ky operacion i krijimit të frontit rreth e përqark sheshit u përfundua me shtimin e Muzeut Historik Kombëtar, tipari më i mirë arkitektonik i të cilit përbëhej nga një podium dhe sistemi i shkallarëve dhe rampave: një gjest arkitekture që pohonte më së miri se arkitektët shqiptarë, ashtu si homologët e tyre sovjetikë, ishin të mirëtrajnuar në projektimin e memorialëve, podiumeve, monumenteve dhe platformave urbane.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

4. Ku shkoi komuna dhe komunizmi?

Historikisht, kompromiset midis konfliktit dhe paqes, midis parregullsisë dhe formës, rregullit dhe çrregullit, boshllëkut dhe ndërtesave, përfaqësimit të pushtetit dhe revoltës, e kanë karakterizuar historinë e sheshit që nga origjina e tij në qytetin italian, nga mesjeta deri në periudhën baroke. Gjatë Rilindjes Italiane sheshi nënkuptonte një vizatim me precizion, që përfshinte kujdesin ndaj fasadave të ndërtesave, por edhe projektimin e vetë hapësirës së sheshtë të pllakave, të theksuara edhe më shumë me paraqitjen e tij në perspektivë: jo më kot perspektiva u shpik me projekte sheshesh. Rrjeti i kompozimit (me fjalë të tjera, gjeometria e pllakave) përmblidhte vetë imazhin ideologjik të një kompromisi të ri midis institucioneve që drejtojnë qytetin (familjet mbretërore dhe oligarkët) dhe atyre fetare, duke vendosur një rregull marrëdhëniesh të pasqyruara qartë në kompozimin mes ndërtesave dhe hapësirës: kisha dhe bashkia e qytetit ndanin për herë të parë të njëjtën hapësirë. Sheshi i mëvonshëm barok u konceptuan si objekt arkitekture në vetvete (pa ndarje funksionale apo vëllimore), si bashkësi entitetesh të unifikuara, të cilat formonin skenografinë e ndërtesave përreth, por që përfshinte edhe sistemin e trotuareve, shkallëve dhe parmakëve, shpeshherë të ndërtuar me një material të vetëm. Gjatë shekujve 16-17, sheshi barok u bë treguesi më i prekshëm i agjendave të reja që rregullonin gjithë jetën e qytetit: Roma baroke, shembulli më i mirë. Arkitektura e qytetit barok mori përgjegjësi jo vetëm në projektimin e formës urbane, por edhe në kontrollin e sjelljeve të banorëve.

Ndërkohë që gjatë modernizmit, me ngritjen e parqeve publike dhe banesave të standardizuara, ideja e sheshit u eliminua gati përfundimisht, çdo përpjekje e mëvonshme për ta rikthyer ngjante anakronike ose thjesht si ushtrim zbukurimi. Parë nga ky këndvështrim, projekti i 51N4E-së mund të konsiderohet si një ringjallje e sheshit tradicional. Ngjashmëria midis strategjisë së 51N4E-së dhe konceptit rilindës dhe barok të sheshit është e dukshme: një element, sheshi (ose piramida e ulët), bashkon të gjitha rrënojat e ideologjive të arkitekturës të së kaluarës—në një vend i cili si në projektim, por dhe në zbatim, nuk e pati kurrë kulturën e sheshit të një piazza italiane.

Pamja më e dukshme e këtij afiniteti u shfaq në një video të 51N4E-së, në të cilën sheshi paraqitet si një zbrazëti e hapur brenda një grumbulli lodrash Lego. Ndryshe nga imazhet e para që qarkullonin direkt pas konkursit, që e tregonin sheshin si pronë publike të fituar nga lirimi i hapësirës që i hapej vend mes rrëmujës të ndërtimeve në Tiranë, vite më pas, shumica e vizatimeve, fotove dhe kolazheve të prodhuara për projektin prireshin të theksonin më tepër frontet anësore të gjelbërimit: shesh po! Por me pamje prej parku, në mes të qendrës. Parqet dhe kopshtet në historinë e metropoleve industriale dhe moderne kanë pasur gjithmonë një qëllim financiar në rritjen e vlerës së tokës, por edhe një rol disiplinor në zbutjen e konflikteve, revoltave apo edhe turpërimeve alegorike, me qëllim shmangien e prishjes së dekorit dhe situatave të ngjashme me atë të tortës. Jo rastësisht, shumë kritikues të projektit shpesh e kanë  cilësuar atë si hapësirë ekskluzive, që mund të konsiderohet pa sarkazëm si oborri privat i Bashkisë së Tiranës. Prishja e shkallëve monumentale të dy godinave socialiste dhe vendosja e pemëve përballë fasadës së Pallatit të Kulturës ishte manovra e fundit e administratës për të fshehur dhe zhdukur çdo gjurmë të së shkuarës socialiste. Në të njëjtën kohë, bravura e arkitektëve belgë kishte të bënte me vënien e theksit tek zbrazëtia e madhe e rrafshit horizontal, rezultat i qartë i një pune kompromisi. Për shembull, ndërsa piramida e sheshtë është fryt i një ideje të 51N4E-së, “bisedkat”, pra mini-pavijonet përreth sheshit, janë vendosur në pozicionet aktuale si rrjedhojë e takimeve dhe bisedave të zhvilluara mes arkitektëve dhe përfaqësuesve të institucioneve përreth sheshit. Biblioteka Kombëtare (pjesë e Pallatit të Kulturës) sugjeroi një pavijon i cili do të përdorej si dyqan librash, ndërsa drejtuesit e Hotel Tiranës kërkuan një kishëz të vogël dhe një tribunë për festimet private.

7. Detaj nga sistemimi i sheshit në hyrje të Hotel Tiranës. Foto: Marson Korbi.

5. Ekonomia e sheshit: evente, celebrime dhe kulla

Pra, si në shumicën e projekteve publike sot, ajo që ka më tepër rëndësi janë kompromiset dhe negociatat ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Akoma dhe më tepër: janë konfliktet dhe kompromiset elementet që më tepër kanë karakterizuar praktikën e arkitektëve të huaj që nga ardhja e tyre masive në Tiranë pas vitit 2013. Të gjithë e dinë se në Tiranë puna kryesore e këtyre arkitektëve ishte, së pari, investimi në marrëdhëniet me publikun (public relations, takime me administratorët dhe dëgjesa publike). E megjithatë përfshirja e këtyre arkitektëve si këshilltarë personalë të Edi Ramës—ashtu si arkitektët e oborrit të princërve dhe oligarkëve gjatë Rilindjes Italiane—ka legjitimuar rolin e tyre në proceset vendimmarrëse të planifikimit dhe projektimit, duke u dhënë një pozicion superioriteti ndaj arkitektëve vendas. Prania e arkitektëve të huaj nëpër juri konkursi, plane rregulluese, projekte publike dhe private, ashtu si edhe në projektimin e vilave private të politikanëve dhe biznesmenëve, ka qenë aq thelbësor, saqë sot administrata e qytetit u kërkon arkitektëve vendas të prezantojnë gjithmonë një partner të huaj në aplikime për tenderë publike ose private.

Këto rrethana nisën kur Rama u zgjodh kryeministër në vitin 2013 dhe kur, pas dekadash mungesë, arkitektura më në fund u fut në agjendën politike të qeverisë së Partisë Socialiste. Këto vite ishin veçanërisht interesante, pasi politika e Rilindjes Urbane përhapi një valë të re optimizmi për rindërtimin e imazhit të shtetit, duke u bazuar në një besim të fortë mbi arkitekturën.

Vitet 2014 dhe 2015 ishin një periudhë angazhimi intensiv të shumë arkitektëve interesantë në konkurse dhe projekte planifikimi. Falë punimeve të asaj periudhe, shumë prej kolazheve që ende prodhohen sot nga studentët (shqiptarë apo të huaj) u ndikuan fuqishëm nga fluksi i imazheve të dala nga këto konkurse. Por, ajo që në vitet e para të administrimit të Ramës dukej si mundësi e mirë për arkitektët e rinj (shumë prej të cilëve nga Belgjika, Italia dhe Holanda), shpejt u shndërrua në një model të detyrueshëm të krijimit të partneriteteve, duke u dhënë përparësi vetëm emrave të njohur, që u bënë oborrtarë të kryeministrisë. Në vitin 2016, kur Erion Veliaj, i sapozgjedhur, rifilloi projektin e 51N4E-së për Sheshin Skënderbej, entuziazmi i konkurseve të para ishte zbehur tashmë. Ndoshta ky tranzicion i fundit, nga projekti i letrave në zbatim real, ishte një motor i domosdoshëm për tërheqjen dhe legjitimimin e punës së arkitektëve evropianoperëndimorë, si Stefano Boeri, BIG, Marco Casamonti, MVRDV, etj., roli kryesor i të cilëve ishte prodhimi i imazheve për të gjeneruar vlerë këmbimi në zona të caktuara të qytetit për të tërhequr investitorë dhe spekulatorë.

Çdo gjë është e mundur në shesh përveç protestës, dhunës apo festës këmbëzbathur sipër një torte të kuqe…

Në këtë këndvështrim, projekti i Sheshit Skënderbej futet në agjendën e zhvillimit dhe xhentrifikimit të administratës kombëtare të Ramës. Jo vetëm sheshi si hapësirë e mirëprojektuar, por një mekanizëm i tërë duhej aktivizuar më pas që xhentrifikimi të fillonte me regjim të plotë: koncerte, guida turistike, rite fetare dhe aktivitete ku vetë arkitektët vendas i hapin dyert dhe i japin konsensus projektit të Sheshit, duke e futur në diskurs si fakt të kryer dhe të metabolizuar, nga guidat me ngjyra deri tek eventet glamour.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Kjo shpjegon edhe përse menjëherë pas inaugurimit të projektit, gati paralelisht me kantierin, sheshi u rrethua me kulla luksi. Ka njëfarë koherence me këtë rikthim të traditës së sheshit: jo vetëm tiparet e tij formale, por edhe struktura e tij ideologjike u ringjallën. Historia e sheshit është sigurisht një histori kompromisesh mes pushteteve, por në këtë version të ripërmasuar, ajo pasqyron një pozicion të ri të arkitektit, i cili ose e cila bëhet lidhës i aparateve të shtetit me oligarkinë. Si gjithmonë, në këto procedura, arkitektura mbetet vetëm një objekt për t’u kundruar.

10. Pamje e sheshit të ri nga brenda kolonadës së Pallatit të Kulturës. Foto: Marson Korbi.

 

© 2023 Marson Korbi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Rreth Autorit

Marson Korbi (Tiranë, 1990) është arkitekt dhe aktualisht po zhvillon kërkim shkencor si studiues postdoc në École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL). Korbi u diplomua në Politeknikun e Barit ku edhe mbrojti doktoraturën (në vitin 2020) me vlerësim cum laude mbi historinë politike të banesës kolektive dhe historinë e punëtorit të dijes (knowledge worker). Kërkimi shkencor i Korbit lidhet me fushën e historisë dhe teorisë së arkitekturës, e eksploruar përmes teorisë së ekonomisë politike dhe kategorive të projektit arkitektonik. Puna e tij bazohet gjithashtu në kritikën e hapësirës shtëpiake, arkitekturës dhe urbanizmit, me një interes të veçantë për çështjet e tipologjisë dhe formës së arkitekturës.

Author Archive Page

2 Komente

  1. Nga lentja e “xhentrifikimit” si duhet kuptuar gjestura kryesore e sheshit të ri, kulmi piramidal? Vërtet vë në qendër qytetarin, siç u tha në kohën kur u mbaj konkursi, apo e bën atë të shpërfillshëm? Shumë është shkruar rreth historisë të sheshit, por pak është folur për raportin njerëzor dhe monumental të sheshit në secilin prej varianteve të tij. Sheshi është kartolina hyrëse në “botën” e Tiranës, dhe padyshim që është impresionues. Për vizitorin.

    Diagrami i legove, i 51N4E, në konkursin për sheshin, ishte një gjest i suksesshëm, por i pavërtetë. Nëse ka një hapësirë që i mbijetoi tranzicionit pa u mbushur me ndërtime, ai ishte sheshi. Ta trajtoje sheshin si një hapësirë e pastruar nga lego-t – ndërtimet – gri të Tiranës, ishte një gënjeshtër, por gënjeshtër e bukur. Sheshi që ishte u zhvlerësua sikur të ishte njëlloj me rrethinat e Tiranës e ndërtimet e shtesat e bëra sipas mundësive, dhe sheshi i ri do të ishte sheshi i qytetarit – të ri – europian.

    Vetëm memorja e dokumentuar mirë do të mund të na tregonte se sa më shumë njerëzor është sheshi i ri. Si çdo shesh, ai ka kaluar fazat e veta: të qenit pazar, të qenit sheshi simbol i një sistemi e një kaste politike, të qenit sheshi i trafikut, dhe tani sheshi oaz i këmbësorit, por edhe, siç e ka thënë saktë autori, oborri i Bashkisë e i ndërtimeve lluksoze në shesh.

    Ky shesh duhet të jetë emancipues. Veçse të gjithë syreshët e tij përpara kishin ambicjen të ishin emancipues. Dhe në tensionin midis qytetarit të lirë, zot i sheshit, dhe qytetarit që nuk ka zgjidhje tjetër veçse te kalojë, qëndrojë, konsumojë, si figurant i sheshit që iu përket kullave, është kritika historike dhe teorike që mund të na tregojë se si duhet ta kuptojmë sheshin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin