TITUJT E VETMISË DHE TEKNOLOGJIA

 nga Klodjana Gjika

Në një pasdite fill pas rënies së diellit, dëgjoj në sfond një violinë të largët dhe kujtoj shprehjen e Lacan-it të mbetur në mendje prej ditësh: E vetmja gjë që është “shkruar efektivisht” në qenien që flet është vetmia. Kujtohem se nuk është e lehtë të mësosh të shijosh shoqërinë e vetes.

Të shkruash për vetminë e lyp ndalimin në nuancat e saj. Sinonime të fjalës vetmi janë: vetësi, oshënari, murgëri, vetmuar, jetim; shkretë, panjeri, rrëzak, mbyllur, pashoqërueshëm etj. Ka një dallim të rëndësishme mes “të ndjerit vetmi” dhe “të qënit me veten.” Të ndjerit vetmi është njëlloj parehatie afektive dhe njohës prej të ndjerit e vetes si të vetmuar. Ndërsa të qëndruarit me veten do të thotë të tërhiqesh fizikisht dhe psikologjikisht nga të tjerët, një gjendje e të qëndruarit vetëm me veten.

Vetmia ngulmon me vazhdimësinë e saj brenda nesh: kujtime të largëta të të qënit vetëm në fëmijëri, përjetim i saj në të tashmes, frikë e pranisë në të ardhmen. Të gjitha këto mbeten karakteristika universale; frika nga vetmia është një frikë universale. Disa njerëz e parapëlqejnë dhe e zgjedhin atë disa të tjerë e përdorin si mbrojtje. Vetmia me durim e gjen kohën e saj të rrënqethë dhe pezmatojë trupin dhe shpirtin tonë:

Vetëm në një shëtitje pas ndarjes, vetëm në një fillim të ri,
vetëm kur humb prindërit, vetem i pakuptuar,
vetëm në errësirë,
vetëm-lënë pas dore nga shoqëria, vetëm në paranojë,
vetëm si një fëmijë që kacavirret mbi pemë, fshehur, duke ëndërruar që dikush ta gjejë,
vetëm ku marrëdhënia më e afërt që ke janë duart e tua.

Pjesa e parë: Pikëpamja psikanalitike e vetmisë

Vetmia ka një lidhje të ngushtë me ankthin e ndarjes. Ne përjetojmë ankth ndarjeje kur kërcënohemi nga humbja e një marrëdhënie afektive të rëndësishme për ne. Në momentin që përjtohet ky ankth, lind frika e braktisjes. Imagjinoni se si ndjehet një foshnje kur nëna ikën dhe se si pret me padurim kthimin e saj. Fëmijëria është periudha e gjendjeve të thella emocionale përkundrejt një përpjestimi të zhdrejtë më fizikun dhe pafuqinë e kësaj përiudhe. Atëkohë ndjehet varësia e madhe ndaj të rriturve, nevoja për kujdesin dhe dashurinë e tyre, e po në atë kohë përjetohet frika dhe rreziku më i madh i braktisjes. Qenies njerëzore me rritjen e aftësisë për t’u përballuar me ankthin e ndarjes, i lehtësohet frika nga vetmia.

Si rrjedhojë, sa dhe si secili prej nesh është i aftë për të qenë vetëm e kanë origjinën në fëmijëri. Donald Winnicott pohoi se vetëm ata njerëz që si foshnje ishin të lirë të eksploronin dhe të angazhoheshin në mënyrë të pavarur në sigurinë e pranisë së nënave të tyre, si të rritur, do të kenë aftësinë të jenë vetëm. Aftësia për vetmi varet nga aftësia për të ruajtur ndjenjën e komunitetit ndërsa jeni vetëm.

Psikanalistja Freida Fromm-Reichmann e ndan vetminë në dy lloje: Lloji i parë flet për vetminë e përcaktuar kulturalisht si veçim dhe shkëputje. Edhe pse kjo lloj vetmie mund të jetë e dhimbshme, ka të ngjarë që të përjetohet në një moment nga të gjithë njerëzit, madje mund të dëshirohet dhe ndiqet nga disa, si psh artistët.

Lloji i dytë i vetmisë, ajo që më shumë dhemb, mund t’i referohemi si “vetmia e vërtetë”. Dhimbja e “vetmisë së vërtetë” është e pakomunikueshme duke sfiduar shprehjen simbolike në gjuhë. Gjatë punës në terapi mund të dallohet qartë se sa e vështirë është të komunikohet ajo dhe është vënë re se frika për të mbetur vetëm është po aq e dhimbshme sa vetë përjetimi i vetmisë.

Humbja

Humbje e madhe është humbja e dashurisë. Të ndjerit vetëm tregon për lëngimin e dhimbshëm për ato që kemi humbur (njerëz ose përfaqësimi i tyre si objekte psikike brenda nesh) apo humbja e dashurisë së tyre. “Ne nuk jemi kurrë më të pambrojtur ndaj vuajtjes se sa kur dashurojmë, asnjëherë aq pafuqimisht të pakënaqur sa kur kemi humbur objektin tonë të dashur ose dashurinë e tij” -thotë Freud.

Për të shmangur një dhimbje të tillë ne tërhiqemi në vete. Duke kërkuar paqen, ne kërkojmë vetminë. Tërheqja në vete e pranishme në punën krijuese, reflektim, punën në shkencë, apo përjetimin e bukurive që na rrethojnë është e natyrshme dhe e shëndetshme. Por kur kjo tërheqje ndodh si një mekanizëm mbrojtës, kemi të bëjmë me shmangie, konfikt, ngecje që shpesh në diskursin e shëndetit mendor përmblidhen me termin psikopatologji. Po ashtu, ankthi ose frika e humbjes së identitetit të vetes na shtyjnë që të terhiqemi në vete.

Ka një marrëdhënie konfliktuale mes dëshirës për afersi dhe lidhje nga njëra anë, dhe përvojës stresuese të izolomit nga ana tjetër. Zotësia për të qëndruar vetëm është shenjë e maturisë emocionale. Por ndërkohë nevojat dhe deshirat tona janë të lidhura me “tjetrin”. Modelet tona të brendshme marrëdhënore janë të ndyshme po e sigurtë është se për të qenë në paqe vetëm, kërkohet nga ne që të heqim dorë nga plotfuqia për të kontrolluar tjetrin.

Pjesa e dytë: Teknologjia

Sot tërheqja në vete ka një ndërmjetësues të padiskutueshëm: teknologjinë. Nga këtu natyrshëm lind pyetja: Cila është kriza e kohës sa i takon marrëdhënies me veten dhe të tjerët? Kjo pyetje kërkon një reflektim të gjërë, por do ndaloja tek përfaqësimi i teknologjisë, me anë të çdo mjeti, si objektet që i lidhen trupave, psikikës dhe marrëdhënieve tona. Dhe pse mjete të tilla i kalojnë fuksionet e objekteve tranzitore (si një batanije apo arush fëmijësh) ato përsëri nuk mjaftojnë që njerëzit sot të mos ndjehen vetëm. Veç, si po ndjehet kjo vetmi?

Trekëndëshi vetmi-intimitet-marrëdhënie

Trekëndëshi vetmi-intimitet-lidhje marrëdhënore sot ndërmjetësohet ose ndërpritet nëpërmjet teknologjisë dhe rrjetit. Sherry Turkle, studiuese e shkencave sociale dhe teknologjisë, shprehet se teknologjia e paraqet vetveten si arkitekten e intimiteteve tona. Teknologjia prej kohësh ka krijuar një sistem të pa zëvëndësueshëm lidhës me të brendshmen tonë, duke prekur vulnerabilitetin tonë, nevojat dhe dëshirat të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Marrëdhëniet tona janë transformuar por ama vazhdojnë ta mbartin faktin se po aq sa ne e duam intimitet aq dhe i frikësohemi atij. Teknologjia na mundëson dhe tundon në një lojë kukafshehti: Qoftë për të shfaqur një vete ideale, apo për ta fshehur atë. Dhe për të huazuar reflektimin e një kolegu, marrëdhënia me teknologjinë mbetet njëlloj autoerotizmi, po ashtu.

Që një person të ketë një orjentim autoerotik do të thotë se qëndrimi i tij ndaj marrëdhënieve bazohet vetëm në dashurinë për veten dhe nevoja e tij ndaj njerëzve (objekteve) bazohet tek aftësia që ata kanë për t’i ofruar kënaqësi. Një sinonim ky për narcisizmin. Kjo do të ishte një qasje e pastër e teorisë klasike instinktuale. Por teoria e objekteve ka kundërshti kur flitet për fazat e zhvillimit, ku p.sh. Fairbairn shprehet se në raste të tilla ne jemi në kërkim të objektit(personat e rëndësishëm dhe përfaqësimi i tyre brenda nesh) në vetvete dhe jo të kënaqësisë veçanërisht.

A na mban teknologjia ne të ngecur në një marrëdhëni më primitive se ajo e maturuar me objektin e plotë, duke na lënë të tërhequr në kënaqësinë me veten dhe telefonin si një përfaqësim i objekteve të pjesshme? Çfarë po ndodh me lidhjet, me të ndjerin e tjetrit, të prekurit, të parit sy në sy, kërcimi në hapësirë i trupave dhe ideve? A ka një shtesë ndaj formave të njohura të intimitetit kur ne lidhemi me njëri tjetrin edhe virtualisht, bëhet fjalë për kompensim, apo përjashtim?

Mund të flasim për përfitime të mëdha prej teknologjisë, fundja vetë fitimin e kënaqësisë, por duhet të flasim po ashtu për pasojat e bashkëndodhura siç janë: ankthi, vetmia, paniku, depresioni etj.

Çdo ditë në punën time, shoh se si psikanaliza, brenda dhe jashtë dhomës me divan, mban gjallë fokusin e komunikimit dhe ndërlidhjes së njeriut me njeriun. Pas çdo seance merr kuptim vlera e lidhjes njerëzore ballë për ballë. Posaçërisht kur bota sot kulmon me infomacion, mundësi dhe lehtësi, ne nuk mund të mos jemi të trullosur dhe të tunduar. Duam dhe mundemi të kemi shumçka, shpejt, lehtë. Bile bile, lidhja në internet pa shumë mend qetëson frikërat tona më të thella – vetminë, humbjen dhe vdekjen. Tunduese sot është mpirja. Aq dhe ushqimi i shpejtë “qetësuese” i çdo frustrimi. Por çdo mpirje dhe ushqim i shpejtë na mban pezull, në ankth dhe të pangopur.

Teknologjia mbetet një nënë e bollshme. Ajo di çfarë duam, dhe premton mundësi pa limit. “Por historia e Edipit na mëson se dalldia ka kosto” shprehet Turkle. Të gjendur në vorbullën e realitetit apo fazave tranzitore, reflektimi dhe vetëdijësimi nuk është i lehtë, aq sa nuk është e lehtë për të tejkaluar zgjedhjen e njerëzve sot për një jetë vetmitare por bashkë në Web, në vend të bashkë dhe afër përballë, në intimitet. Më pëlqen termin “ïntimate separation” si një gjendje nirvane marrëdhënore.

Ndarja-intime mbase është fantazia e një jete në Web, dhe pse mund të rrezikojë të mos jetë e tillë, pasi kontakti në internet nuk është “mishtor” siç është intimiteti.

Pjesëz e fundit

Të gjithë jemi në kërkim të një gjendje të brendshme përfekte të paarritshme. Melanie Klein do thoshte se vetmia është rezultat i një mallëngjimi të kësaj gjendje perfekte. A është kjo fantazia jonë kur me një klik mund të kemi gjithçka? Ky mbetet një stad i ri-i vjetër në zhvillimin tonë, por kujtoj që një nga qëllimet e profesionit tim veç të tjerash është t’i bëj njerëzit (veten) të mendojnë. Ndaj ky shkrim ngre shumë pyetje dhe përfundon me disa të tilla: Në momentin kur flasim për kushte të reja fizike, e një jete të shpejtë dhe të bollshme, sa po jetojmë në mpirje? Duke ndërtuar veten tonë në rrjetet sociale, a po i largohemi vetes reale? Çfarë po ndodh me ne, kur jemi vetëm?

© 2023 Klodjana Gjika. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Klodjana Gjika ka mbaruar studimet në degën Psikologji Klinike në Universitetin e Tiranës. Ajo është terapiste nën supervizim për Psikoterapinë Psikonanalitike specializuar nga Universiteti “Sigmund Freud” Vjenë (SFU) dhe Shoqata Shqiptare për Psikoterapinë (SHSHP).

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin