DËSHTIMI PARAPRAK I ETIKËS NË GAZETARI

nga Adela Radovani

Statistikat kombëtare dhe ndërkombëtare të vetëvrasjeve ndër vite tregojnë se dukuria jo vetëm nuk është e rrallë ose e limituar në grup-mosha, gjini dhe shtresa ekonomike të caktuara, por përkundrazi: It can happen to anyone, thonë. Prandaj kur një vetëvrasje specifike bëhet objekt diskutimi në media një arsye e ka dhe arsyeja nuk është vetë ngjarja që mund të jetë relativisht e shpeshtë. Në rastin e vajzës nga Rrësheni, foton e së cilës e hodhën dhe e pritën për ditë të tëra portalet online, jeta private e së cilës nuk është më private, një nga motivet e rëndësishme të mediatizimit është mosha. Një vajzë e re e vdekur ngjall tronditje dhe romantikë, shto këtu që fotot e saj në rrjetin social ishin lehtësisht të gjindshme dhe të përdorshme. Ajo ishte një vajzë e paraqitshme, dikush që imazhin online e mbante të kuruar dhe elitar, pa ekzagjerime. Mund ta lidhje lehtë me veten a të njohur dhe të godiste fakti që një njeri që mban një rrjet social sikundër ti vetë ose miqtë e tu, tashmë është një njeri që nuk jeton më, me vetë dëshirën e tij. Një tjetër element ishte sapodiplomimi dhe, këtyre ditëve, të qenit student (madje dhe ish student) shet. Ja ku lindi dhe titulli i pare i radhës. Gazetarja e paguar, me shumë gjasë me rrogë minimale, sapo fitoi një bonus 300 lekësh për skupin. Shoqet e saj nuk pritën ta kopjonin verbatim në portalet e tyre, fotoja e të ndjerës na u detyrua edhe me reklama të sponsorizuara. Doje nuk doje, do lexoje për të. Superstar brenda nate, ka shumë mundësi që e vetmja e metë e së shkretës ishte vdekja e saj. Nuk mund të intervistohej më. Nuk do mund të krijonte më zhurmë.

Dua të imagjinoj se detajet mbi jetën e saj, shumë të vagullta gjithsesi, i kanë marrë nga familjarë të largët, kushërinj a komshinj, sepse ishin të pakta, aq sa lejon komunikimi midis të njohurish mesatar. U fol fillimisht për një kredi, dukuri normale shqiptare, pastaj për një falje apartamenti nga ndërtuesi në Rrëshen (këtu natyrshëm lindin disa pyetje, çne pallat modern shumëkatësh në atë qytet të varfër, pse do t’ua falte ndërtuesi atyre, kur vetë këta ankohen se u mbeten apartamentet stok dhe që në shumicë dëgjojmë sesi pronarëve të truallit u “hahen” metra nga ndërtimi për shkak të rregullave të Bashkisë ose allishverisheve të ndërtuesve dhe jo falje të tilla, por temë tjetër kjo), pastaj diskutimi kaloi në kalvarin e vajzës për të gjetur punë pas diplomimit, një tjetër dukuri e rëndomtë që përjetojnë të rinjtë në vend. Pra po ta pikturojmë lajmin në një kanavacë joemotive, një vajzë e re me problemet e zakonta të një vajze të re, ka vrarë veten, ajo jetonte në varfëri në një shtëpi të dhuruar dhe po kërkonte punë. Natyrshëm gazetarët kërkuan motivet për vetëvrasjen, që në dukje nuk janë të qarta. Detaji i fundit që për mua mban rëndësinë thelbësore në tërë këtë mesele, në shumicën prej shkrimeve theksohet se britmat e vajzës në rënie të lirë, i kishin shqetësuar banorët e Rrëshenit.

Vetëvrasja është një ngjarje që mundet të të prekë ty si individ dhe familjen tënde. Në rastin e vajzës, akti i saj ndaj vetes ka prekur jashtë rrethit të ngushtë familjar: ngjarja ka bezdisur banorët që po përpiqeshin të flinin, ajo është dëgjuar dhe ka prekur qetësinë e jetës së vështirë por monotone. Sikur të mos kishte qenë për këtë, jam e sigurt se vetëm një ose dy ditë do ishte zgjatur buja e ngjarjes, në mos nuk do qe përmendur aspak. Për shkak të daljes nga rehatia e monotonisë së vështirë, u dashkësh që disa shpjegime të ngjarjes të lindnin aty për aty. Një vetëvrasje nuk ka nevojë as për shkaqe dhe as për shtyrës por kjo nuk i kënaq masat. Ato duan një shkak-pasojë të qartë, dikë për t’i vënë gishtin e për të qetësuar mendjet.

Menjëherë u ngritën dy kampe të fuqishme të mendimit qytetar, këtij enti të rëndësishëm popullor që bashkon legjendat urbane, tifozeritë politike dhe zakonisht mungesën e kërkimit në Google; njëra palë e cila mbron tezën e vrasjes shtetërore të vajzës, pra pamundësisë së saj për të lulëzuar kundrejt dëshpërimit, dhe teza e pafuqisë emocionale që e karakterizon rrëshinjoten e ëmbël por paksa budallaqe, që nuk pa sesi të tjerët po ia dalin. Të merrte shembull, ose turp për qeverinë ishin shpjegimet që kënaqën 100% të përdoruesve të internetit, disa këtej e disa andej, tani që çdo gjë është e qartë, mund të flenë rehat e pa ëndrra. Të dyja palët hedhin e presin përgjigje e kundërpërgjigje në portale kundër e pro qeverisë, shpesh me replika direkte dhe sigurisht, argumentet e tyre janë nga qesharake deri në ofenduese për të vdekurën dhe të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet mendore.

Një mike imja e cila për shkaqe të ndryshme i njeh sëmundjet mendore, u skandalizua kur lexoi shkrimin e tezës së parë, pra të depresionit të ardhur nga mungesa e kushteve të jetesës. Depresioni është një sëmundje e mirëstudiuar edhe pse sigurisht, ende jo fort mirë e kuptuar ose e kuruar. Mund të jetë endogjen, pa trauma të forta mjaftueshëm për t’u quajtur shkaktare dhe sidomos kur diagnoza shoqërohet me histori familjare të sëmundjes. Depresioni traumatik është e kundërta e kësaj dhe mund të përcaktohet edhe më lehtë kur trauma paraqitet e prekshme – si aksident, humbje të afërmish, dhunë, etj. Jo të gjithë të sëmurët me depresion janë suicidalë. Disa medikamente e shtojnë mundësinë për të kryer vetëvrasje. Shumica e atyre që kryejnë vetëvrasje e kanë tentuar atë edhe më parë. Një pjesë e mirë nuk ia dalin. Jeta me depresion është një ekzistencë e vështirë, sigurisht jo e pamundur, por mizerabël dhe shpesh e pandikuar nga të mirat dhe kushtet e jashtme.

Arsyet pse disa njerëz janë më të rrezikuar se të tjerë janë të shumta dhe ende të pazbuluara mirë nga shkenca. Çfarë duhet kuptuar, ama, është se akti është një shpërthim emocional, një fiksim i ngulur shpesh në tru, një majë e rëndesës mendore ku personi nuk mundet më dhe dëshiron vetëm të ndalojë dhimbjen ose ndjesinë tjetër negative; disa duan ta kryejnë patjetër aktin edhe nëse në dukje nuk duken se po vuajnë dhe në të vërtetë ashtu është, suicidi mund të bëhet një akt vetëdëmtimi i ngjashëm me prerjet e lëkurës dhe shkuljes së flokëve vetëm se disa herë më ekstrem. Vetëvrasja është absolutisht për t’u marrë seriozisht dhe të mos trajtohet si diçka që mund të shkaktohet nga mosgjetja e punës ose kreditë e pashlyera. Nëse ti ia shlyen kredinë të sëmurit me depresion, që është suicidal, gjasat janë që ai sërish do tentojë ta kryejë aktin. Një nga arsyet kryesore pse të sëmurët me depresion jetërsohen nga familjarët është pikërisht ndjesia që ata të japin se asgjë kurrë nuk do t’i kënaqë ata mjaftueshëm sa të mos e tentojnë më.

Ngjashëm me këtë proces alienizimi por grand scale, vjen reagimi i atyre që, kryesisht me qëllim mbrojtjen e qeverisë së akuzuar si shkaktare e vetëvrasjes së vajzës, të keqen e madhe e gjejnë te paaftësia e saj për t’u bërë “njeri” si “të gjithë” ata që përpiqen me mish e me shpirt për të gjetur një punë dhe për t’ia dalë në jetë. T’ia dalësh në jetë është overrated, kaq mund t’ju them. Nëse të parët e kanë gabim sepse e thjeshtëzojnë problemin dhe shpejt do t’u hasë gozhda në sharrë me teorinë se fajin për të gjitha e ka shteti, të dytët janë drejtpërdrejt dashakeqë. Të kesh shërbime sociale funksionale, psikolog falas, psikoterapi me pagesë të zbutur, mjekime me rimbursim, pra ndihmë me bazë shtetërore, këto janë underrated. Por edhe nëse shërbimet falas të shqetësojnë se p.sh., je i djathtë, për ty sërish avokatimi i shërbimeve të shëndetit mendor qoftë dhe me pagesë totalisht private, duhet të jetë me vlerë. Depresioni nuk diskriminon të majtë e të djathtë. A do të ishte shpëtuar vajza nga këto shërbime, ndoshta po e ndoshta jo, por dihet nga studime të kryesore të paktën 60 vitet e fundit se ato kanë vlerë. Për t’u theksuar, asnjë strukturë shtetërore nuk u angazhua të censuronte asnjërin prej shkrimeve, asnjërin prej portaleve me foton e vajzës.[1]

Vendet e zhvilluara ku ndihma nuk ka munguar, sërish kanë ritme të ngjashme me ne të vetëvrasjes. Kjo nuk duhet të na demoralizojë. Ne jemi popull të karakterizuar nga humori i mirë, jetojmë në një vend të rrallë për nga klima e natyra. Nëse në Danimarkë ka aq vetëvrasje sa te ne, duhet vetëm të imagjinojmë çfarë lumturie mund të kemi një ditë nëse do kemi kushtet e tyre ekonomike dhe një shtet të mirëndërtuar. Imagjinoj një Shqipëri me më pak të vetëvrarë një ditë, më pak njerëz që duhet të marrin medikamentet e përditshme që të ngrihen nga shtrati për të përballuar ditën. Duhet ta besojmë, të gjitha mundësitë janë. Ndërkohë që presim, mundësisht duke gjerbur kafenë, e mira do ishte që të vdekurit t’i lëmë të qetë, familjarëve të tyre t’ua lehtësojmë dhimbjen duke mos nxjerrë foto dhe detaje të kota të jetës, të mos diskutojmë në emër të një njeriu që, fatkeqësisht nuk jeton më. A do donit, si thoni, të flisnin për ju post-mortem për sa kredi keni lënë pas?

 

© 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Çudi, marrë parasysh sa fort censurohen videot e lajmeve në kanalet televizive, sa fort goditet mendimi kundër ndaj qeverisë e sa pak, dua të them, aspak, goditet media kur shkel mbi privacinë dhe kur shkakton traumë në opinionin publik. Dihet se lajmet e vetëvrasjeve janë frymëzuese. Po, ka statistika edhe për këtë.

2 Komente

  1. Bravo Adela. Eshte mungese etike profesionale , profesionalizmi ne vetevete dhe mungese humanizmi. Natyrisht mungesa ose moszbatimi i ligjeve ka peshen e tij po pervec detyrimit para ligjit eshte nje detyrim para vetes . Ndergjegja e secilit eshte barku ku ngjizen gjithe mekatet.

  2. (Ne paragrafin e pare, pas fjaleve (madje dhe ish student) ka shkeputje fjalesh!)
    Persa i perket shkrimeve te gazetave, portaleve te internetit, komenteve, duhet pranuar edhe per keto raste banaliteti. E kunderta do te thote te kesh kaluar vete te tilla gjendje, apo te kesh hyre thelle ne boten e nje njeriu me depresion, pa llogaritur pastaj edhe njohurite e thella mbi aspektet sociale ne pergjithsi dhe ato ne vecanti (rreth te prekurit nga depresioni); pas kasaj duhet nje roman per ta pershkruar gjithe ate qe gazetaret dhe komentuesit e bejne ne nje shkrim, packa se banal.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin