ATJE KU KALON ZEBRA

Ju thoni vija të bardha, mua më vjen ndërmend fëminia.

Unë fëmija e kisha merak të madh që të mos lija vija të bardha në rrugë pa i kapërcyer.

Ishin kohë të tjera – me automjetet po aq të rralla sa helikopterët, por edhe po aq të zhurmshme.

Nuk kish kënaqësi më të kthjellët, sa të shihje ndonjë prej atyre gërdallave të atëhershme, ndonjë Ifë ose Renault të ndalte vrapin te këmbët e tua.

Ecje aty dhe e ndieje veten krenar për qytetërimin; që u vinte fre të fortëve dhe u jepte krah të dobtëve, njëlloj si në vizionin biblik.

Vinin kamionët drejt e nga poemat e realizmit socialist dhe të binin në gjunjë ty, si elefantët zbutëses në cirk. Ti mund ta vonoje ndërkohë kalimin, të shijoje hapësirën e rrugës, i sigurt në sovranitetin tënd të përkohshëm.

Vijat e bardha ishin një lloj armëpushimi, ose versioni automotiv i besës. Unë fëmija sapo shihja të tilla, i përdorja menjëherë; për t’u treguar të gjithëve se e kisha përvetësuar tashmë zhargonin e qarkullimit në qytetin modern.

Në kujtimet e mia, janë të vetmet shenja që lejoheshin mbi siprinën e rrugës; edhe pse më pas ua shtuan një vijë tjetër, të bardhë edhe ajo, që e ndante rrugën përgjysmë për së gjati.

Gjëra të pafajshme, si bizhutë e vajzës shtatëvjeçe.

Krahasojini me palimpsestet e autostradave në Perëndim: shigjetat gjithfarësh, vijat, shenjat, mbishkrimet, kërcënimet, urdhrat e autoriteteve. Shteti shkruan në rrugë si ta kishte tabelë informacioni; duke u përpjekur ta shndërrojë realitetin në hartën e vetvetes.

Megjithatë vijat e bardha kanë mbetur; siç mbeten mozaikët e ndonjë kishe të lashtë, shumë e shumë vjet pasi kisha vetë ka përfunduar në muret e shtëpive të fshatit përbri.

Në Tiranë, ku nënat u thonë automobilistëve çdo mëngjes që të ruhen prej këmbësorëve, këto vija të bardha nuk janë asgjë më tepër se ornamentale.

Ndoshta shumë prej të rinjve, por edhe shumë prej të ardhurve, i mendojnë si të trashëgimisë totalitare, ose më keq akoma, fashiste; e gjithsesi si shenja që nuk kanë të bëjnë me qytetërimin e sotëm.

Por s’ka qenë gjithnjë kështu.

Edhe dizajni ka ndryshuar, së bashku me vitet. Dikur, Tirana s’ka pasur vija të bardha mirëfilli të pikturuara, por vetëm korridore të paqes këmbësore, të shenjuara anash me një vijë të bardhë të ndërprerë, e cila ndonjëherë ishte edhe thjesht një radhë pllakash ose tullash të bardha, të ngulura në asfalt.

Njerëzit kalonin aty jo se kish vërtet ndonjë nevojë, meqë trafiku mbetej më së shumti abstrakt; por për të treguar miratimin e tyre ndaj përpjekjeve të bashkisë për t’u dalë problemeve përpara.

Për mua fëmijën, të ecje në vijat e bardha, donte të thoshte të ecje mbi vijat e bardha, si një një tra ekuilibri imagjinar.

Sot kushdo mund ta bëjë këtë; por pakkush e guxon, përveçse kur merr zemër prej të tjerëve.

Të kapërcesh sot rrugën në Tiranë të duhet (1) shumë fat dhe (2) shumë fat.

Prania e policit të trafikut, pak më tutje, i mbushur me zemëratë ndaj gjithfarë shkelësish katërrotakë, së paku ngushëllon se vrasësi yt, ekzekutori yt, nuk do të mbetet i pandëshkuar.

Ti kuturisesh në rrugë dhe vret mendjen, si padashje, nëse të tuve u gjenden paratë e nevojshme për funeralin tënd. Pastaj mendon edhe se kush do ta mbajë fjalimin atje, dhe rrëmbushesh me krenari të ligjshme.

Sado e holluar, fija që lidh vijat e bardha me besën dhe qytetërimin nuk është shkëputur krejt.

Lexoj tani që në Londër duan t’i heqin qafe krejt këto shenja tashmë të vjetëruara e të pakuptueshme, relike të një kohe kur automobilistët dhe këmbësorët i përkisnin së njëjtës specieje dhe kujdeseshin vëllazërisht për shoku-shokun.

Lexoj dhe them me vete se kjo farë literature nuk duhet lënë t’u bjerë në duar bashkiakëve tanë.

Në Londër ideja është që t’i zëvendësojnë vijat e bardha, aty ku kanë mbetur, me semaforë ose, sipas rastit, mbikalime.

Në Shqipëri vijat e bardha do t’i zëvendësojnë me gardhe metalike, anash rrugës, për të penguar derdhjen kuturu të kalimtarëve mbi asfalt.

Kanë ardhur kohë të tjera; ka perënduar koha kur pamja e vijave të bardha në rrugë të mbushte me entuziazëm për të ardhmen; një të ardhme kur automobilistë dhe këmbësorë do të jetonin krah për krah në paqe dhe dashuri, si ujku me qengjin, në atë librin që thamë (“Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë,” Isaiah 11:6).

Sot automobilisti vështron këmbësorin që rend si ndonjë maçok i llahtarisur midis makinave, dhe pyet me vete: ku dreqin shkojnë këta njerëz?

Pastaj edhe këmbësori, i ndalur buzë rrugës si udhëtari buzë lumit të rrëmbyer, kundron veturat dhe pyet me vete: ku dreqin shkojnë këta njerëz?

Një qytetërim në të cilin askush nuk e di më se ku është nisur e po shkon tjetri: triumf i konceptit të anti-pelegrinazhit.

Në të vërtetë, gjithmonë ka pasur diçka fetare ose të përshpirtshme, te vijat e bardha; duke filluar që nga ngjyra, e cila u premtonte njerëzve besën aq të nevojshme.

Fëmijët që ecnin aty, gjithnjë të vëmendshëm ndaj gjeometrisë së dizajnit e të kujdesur për ta vënë këmbën pikërisht aty ku ua kërkon kozmosi, janë sot automobilistët, që u hakërrehen hartave të së shkuarës së tyre.

Rrugëve të Tiranës, përleshet qyteti europian i këmbësorëve me qytetin amerikan të makinave, në sytë indiferentë të qytetit oriental të kafesë së rrufitur. Siç ndodh gjithnjë kur ka beteja të tilla mes qytetërimeve, fitorja i buzëqesh vdekjes.

Edhe pse jo doemos vdekjes nën rrotat e makinës. Në fakt, kanë mbetur kaq shumë gjëra për të vdekur.

Nuk ka komente

  1. Kur dua te hap Peizazhet e Fjales, ngre nje P ne frengjine e duhur, dhe ja ku kjo thith direkt linkun (vijon dosja me poshte me Panoramen, Perpjekjen etj etj). Artikulli qe ka mbetur i rregjistruar e del automatikisht me P-ne e Peizazheve (kisha gjithe jeten qe e shkruaja PeiSazhe), eshte “Ornitologji”. Ka nje trumcak a harabel per ilustrim aty, dhe ky zogu eshte gjeja proporcionalisht me e shpeshte qe shoh ne ekran qe prej vjeshtes se kaluar, kur Xhaxhai na e nisi prej Tirane kete shkrim. Pas nje viti, po nga TIrana, Xhaxhai na nis Zebren dhe Kinologjine me qente. Me kete theks tek gjeja e gjalle, dallimi i shkrimeve New York-Tirane, perftohet me keto tema si distanca me natyren dhe kthimi tek ajo, anipse gjithnje e me teper distanca po shkurtohet per keq.

    Si lexues i vjeter i Pezazheve, vecoj se ketu udhepershkrimet (antonomasia?) jane nga gjerat me poetike per t’u lexuar (zbritja nen qiejt e Amerikes acteke, ngjitja tek festivali i xhezit ne Kanada, shkrimi per Dajtin dhe Descartes-in tiranas, plus gjithe te tjerat nga Tirana etj). Ndoshat nje pjese e tyre – si keto me Tirane – i brendashkruhen, here plotesisht e here si pikeprerje, nje cikli me te njohur e te vleresuar ketu, atij te retrospektivave dhe mikrohistorise; po gjithsesi po me pelqen t’i rreshtoj tek udhetimet.

    Prodhimi i cikleve dhe zhanreve eshte nje lloj krijimtarie falas dhe thjesht po perpiqem te rishkartis ne koke letrat per te filluar nje loje te re me veten – po ja, se e hodhem edhe ketu per shoqerine, nuk ka dem.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin