MASAZHE ME KRIPË

Më thirrën sot paradite në një emision televiziv, për të folur për shqipen e sotme.

Edhe këtë herë, në bisedat me redaktoren e emisionit, m’u konfirmua bindja se shqiptarët, kur flasin për shqipen, shqetësohen se ajo po prishet, kryesisht për shkak të fjalëve të huaja që përdoren mbarë e mbrapsht, pa kriter.

Njëlloj si Frang Bardhi, që gati katërqind vjet më parë, vërente se shqipja “po bdaret e po bastardhohet…”

Ky qëndrim, që është në thelb etik, nuk pasqyrohet, megjithatë, në mënyrën si shfaqet shqipja në publik – po ata folës që ngrenë zërin kundër fjalëve të huaja (“të panevojshme”) i përdorin pastaj lirisht, kur flasin; edhe pse ndonjëherë e ndreqin veten me buzëqeshje.

Në bisedë e sipër para kamerave, përmenda shembullin e numismatikës, që e kam sjellë tjetër herë edhe në blog; fjalët e rralla janë si monedhat e rralla; me vlerë si të tilla dhe për koleksionistët, por jo në komunikim.

Provoni të shkoni e të bleni birrë dhe qofte, me një monedhë të mbretit ilir Monun!

Megjithatë, një i ftuar tjetër, që kish dëgjuar tashmë arsyetimin tim tek priste që t’i vinte radha, më shpjegoi se ishte më mirë që të paguanim me monedhat e Monunit, sesa me euro dhe dollarë.

Tiranës nuk i mungojnë njerëzit me opinione të forta.

Çuditërisht, qytetari joekspert priret vetvetiu ndaj purizmit dhe kërkon ta pastrojë shqipen, pa e vrarë shumë mendjen se procesi i pastrimit leksikor, në vetvete, është varfërues; në një kohë që shqipes i duhet urgjentisht të pasurohet.

Pasurimi i leksikut – një tjetër metaforë që na dërgon mendërisht te paratë, ose, pikërisht, te sëndykët me verdhushka.

A është e pasur apo e varfër shqipja, të pyesin.

Ndërkohë, tek përgatisja bisedën me redaktoren, kjo më tregoi një listë të personave që do të ftonte në studio gjatë javës së ardhshme; aty më tërhoqi menjëherë vëmendjen një zonjë që e prezantonte veten si “biuticente”.

M’u desh pak kohë, që të shihja pas kësaj fjale të çuditshme anglishten beautician; të modeluar sipas termit të ngjashëm producente. Prapashtesa i jep fjalës një prestigj, një hir prej gruaje moderne, që i mban fort në duar frerët e jetës së vet.

Më thanë edhe se ajo kish ngulur këmbë që ta prezantonin pikërisht ashtu: si biuticente.

Një tjetër figurë kureshtare në listë ishte një grua, fizioterapeute (ndoshta fizioterapeuticente?), që kuronte me anë masazhesh me kripë.

(Për mazohistët, ma do mendja.)

Kjo grua kish shpjeguar se terapia në fjalë jepte rezultate të mira me “fumatorët.”

Fumatorët? Unë e njoh veten si antipurist, por e kapa veten gafil, duke ngritur vetullat. Pse fumatorët?

Pikërisht, më tha redaktorja. Duhej thënë duhanpirësit. Po ç’të keqe ka duhanxhinjtë, e pyeta. Jo duhanxhinjtë, m’u përgjigj, sepse ashtu i fyejmë.

Kisha shkuar t’u shpjegoja të tjerëve, publikut, disa gjëra për shqipen e sotme dhe globalizimin, por më duket se unë vetë mësova më shumë se ç’u mësova atyre. S’do të më kish shkuar kurrë mendja se dikush mund të lëndohej, po ta quanin duhanxhi; mirëpo ja që një kokë turku hyka gjithnjë në punë…

Duhanpirës mua më tingëllon tepër kabá; tek e fundit, askush nuk thotë alkoolpirës, ose rakipirës; as shkrimtarit nuk i thonë librashkrues, as alpinistit malngjitës, as kasapit mishshitës (ndoshta këtij të fundit edhe i thonë, xhanëm; por unë do të preferoja kasap; fundja edhe mishtar). Janë fjalë nomenklaturash dhe listash profesionesh të burimeve njerëzore ose të kategorive të pagave (njëlloj si qeleshepunues, pularritës, gurgdhendës, gjellëbërës).

Pastaj më kujtohet fjala rrobaqepës, që ka hyrë prej kohësh në leksikun e rëndomtë të shqipes, dhe dorëzohem. Dakord, le të mbetet duhanpirës.

Redaktorja më shpjegon, ndërkohë, se masazhatorja e kripës e ka mësuar zanatin në Itali, së bashku me fjalën fumator. Tek e fundit, t’i thuash tjetrit fumator, e bën të ndihet krenar, teksa vendos t’i nënshtrohet terapisë antifumo; dhe sot krenaria vjen para gjithçkaje tjetër.

Edhe fumatori është krenar që fumon; sikurse nesër do të jetë krenar, kur të sfumohet.

I përfshirë në këtë kazuistikë, për të mos thënë inkuizicion të shqipes së rrethuar nga barbarët dhe korrupsioni leksikor, nuk mund të mos mendoj se, për shumë prej nesh, qëndrimi moral ndaj “ndotjes” së shqipes me fjalë të huaja funksionon më tepër si alibi, ose kompromis që bëjmë me realitetin. Si të thuash, fjalën e huaj stërvitemi që ta pikasim jo për ta larguar nga ligjërimi (çka edhe të duam, nuk e bëjmë dot, meqë verba volant, ndërsa ne vetë jo), po për të shpëtuar shpirtin tonë patriotik.

Ashtu bëjmë edhe gjetiu: ankohemi për plehrat, teksa kontribuojmë me zell për t’i shtuar e shumuar; ankohemi për korrupsionin, por paguajmë gjithnjë sa herë që duam të zgjidhim punë; ankohemi për ndotjen e ajrit, por timonit nuk i ndahemi dot. Një version i arsyes cinike të Sloterdijk-ut edhe ky; që na bën, të paktën, modernë si pakçka tjetër.

Nuk ka komente

  1. “Pse fumatorët?

    Pikërisht, më tha redaktorja. Duhej thënë duhanpirësit. Po ç’të keqe ka duhanxhinjtë, e pyeta. Jo duhanxhinjtë, m’u përgjigj, sepse ashtu i fyejmë.”

    Po tymtarët ku shkuan? Jo se mundet duhanxhiun ta bëjmë kaq kollaj tymtar, apo tymosës, po të paktën TYMS edhe mund ta bënim, në taktin kadarean “mohs vs. strehs” (për ata që nuk e dinë pse bëhet llaf, është një përplasje elitarësh East Coast-West Coast, tip Noizy vs Stresi.)

      1. ‘Tyms’ mua me pelqen, sido qe eshte dialektalisht i shenjuar. ‘Tymoses’ me duket pak i sdorcuar, por pse jo edhe ky. ‘Tymtar’ mbaj mend qe e kam gjetur si perdorim nga Kadare shume larg ne kohe (e s’mbaj mend se ku), te perdorur per ‘oxhak’.

        1. Vete me duken te kripura krejt keto, po per pluralizem thashe, le te konsiderohen, qofte edhe nen rubriken e “gjuhes ne faqe”.

          Tymtari me eshte dukur perhere me sqimatari nder shoke, dhe na kujton ate kohe qe vajti, kur Kadarene e kishim edhe fjalor, edhe televizor, dhjate e thengjill; sot kemi mberritur tek mohsat e strehsat… Ne homazh te tyre, dola me tymsat.
          Ps. Nuk thone kot “s’ka tym pa zjarr”: edhe tymi me duket, pervec drurit ,vjen me sllavet.

  2. Para një jave, ndërkohë që lexoja një libër, shoqëruar me zakonin absurd të përkthimit/shqipërimit të batutave/thënieve që më dukeshin interesante, ngela tek një fjalë… tek fjala “frustrazione”.
    Ndihesha si “qen i rrahur” … kjo mu duk si fraza më e përshtatshme(!!) sepse jepte një farë analogjie asaj ç’ka kërkonte të thoshte fjala frustrazion (dmth t’i nënshtrohesh një ndëshkimi pa patur mundësinë të reagosh) edhe sepse, asnjë prej fjalëve që zgjidhja nga shqipja, nuk ma zëvendësonte atë fjalë në kontekstin e dhënë… nuk ishte as i poshtëruar/ofenduar, as i fshikulluar (që në shqip nënkupton ndëshkimin material nëpërmjet kamxhikut, por jo atë shpirtëror), as mërzitje (sipas fjalorit!!!), as i përçmuar, as i nënvleftësuar/zhvlerësuar… dhe që atë ditë ai libër ka ngelur i hedhur diku në një cep.
    Në këtë rast, cilitdo përkthyes, apo përdoruesi, do ja falja futjen e një fjale tjetër nga italishtja në shqip, por jo fjalën fumator që ka jo një, por disa fjalë që mund ta japin fare mirë në shqipen e sotme.

    P.s: Si duhanxhi i regjur që jam, po të më drejtoheshin, në Shqipëri, me fjalën fumatore, do ndihesha i ofenduar… duket sikur të përngjat më shumë me gjininë femrore 😛

  3. “fumatoret ne Shqiperi pakesohen” me duket e shemtuar, dhe jo thjesht nga pikepamja estetike. Eshte e panevojshme ta ftosh fjalen italiane ne kete rast (as une nuk shquhem per purizem). Kam frike se problemi qe ngre drejtuesja e emisionit, nuk lidhet me duhanin por me prapshtesen ‘xhi’ pas saj, qe perndiqet ne kete rast. Po ashtu, une s’jam perdite mes njerezish ne rruget e Shqiperise, por nuk me duket se ‘duhanxhi’ qenkesh kthyer ne fjale fyese perkundrejt ‘fumator’ qe s’eshte fjale fare. Madje me duket se ‘fumator’ futet nga lart sepse tingellon pak si tiramisu’, dhe me pas ‘duhanxhiu’ (qe lidhet ne tingellim me teneqexhi) shtyhet jashte duke gjetur edhe nje arsyetim per ta eleminuar. Per mua, ngjyrimi negativ i te dyve, fumatorit dhe duhanxhiut, nese ekziston, lidhet njelloj me faktin se keta njerez kryejne nje akt kunder trendit ideor ne mode sot, se cigarja te demton ty dhe kedo rreth teje.

    Nga ana tjeter mua vete fjala ‘duhanpires’ nuk me tingellon keq. Ndoshta ngaqe s’e kam pire vete, e s’kam qene as ‘duhanxhie’ as ‘duhanpirese’:). Gjithashtu ‘duhanpires’ eshte e vetmja fjale qe me duket se kam perdorur gjithnje. Madje ‘duhanxhi’ ne gjuhen qe kam une ne koke me rezulton si ‘person qe shet duhan’. Ne fakt une per nje qe pi duhan nuk do thoja as ‘duhanpires’ as ‘duhanxhi’ (sidomos nuk do thoja kete te dyten qe, sic thashe, e kam vec si ‘ person qe shet duhan ne nje dyqan duhani). Une do thoja ‘pi duhan’ ose ‘pi shume duhan’. Besoj shqipja e jep kete me shprehje foljore dhe jo emervepruesi. ‘duhan pires’ si e tille i bie te perdoret ne gjuhen e shkruar ose regjistrin formal. Dhe, pse jo? Po, ajo ceshtja ‘te jesh a te mos jesh fumator/duhanxhi/duhanpires’ shpresoj te jete diskutuar ne program.

  4. Ne fakt “duhanxhi”, nga vete veshja metalike qe merr fjala prej aferise onomatopeike me teneqexhiun, tregon per nje pires heroik duhani, tip Kaloresi i Fytyres se Vrerosur, ai qe vone pas mesnate, kur mbylleshin edhe kioskat e fundit, rremonte neper rreza trotuari per bythcet e cigareve per t’i skerfitur mbi nje cope gazete qe ta dridhte mandjej. Fjala per nga intensiteti dhe fqinjeria me zanate te zhdukura u rri ngushte numrave ne statistika, sa kohe qe shumica militojne per kancerin me kontribute modeste. Duhanxhiu ne kete rast do te na ishte ekuivalenti i atij qe, si i thone, e ha paketen, ai qe i mitralon cigaret: nuk eshte puna se kjo fjale eshte shume cool per t’u shpenzuar ne statistika te Shendeti Publik; ajo ka perkunder edhe nje pafajesim te vogel qe e bie bota babaxhane e artizanatit me vete, nje familjarizim baxhanakesh “ndize edhe nje nipce” qe e shformaton komplet posterin sensibilizues..

    Nese “duhanpires” rri edhe ajo si sajese (jo po gjakpires pra!)(autogjakpires), pse jo “konsumator i duhanit”? Fjala eshte komplet klinike. Edhe kredencialet jane te hapura me kohe (“konsumator i alkoolit”, por jo “alkoolist”, se kjo eshte derexheja e duhanxhiut) edhe trendi eshte patjeter. “Komuniteti i konsumatoreve te duhanit”! Edhe problematike eshte, eshte temp burokratik e cehre shkencore te ka, edhe anetaret e konceptit ngjajne te gjithe bashkekohore, te rruar e te krehur.

    ps: Kurse turqizmes nuk besoj se i shpetojme duke ikur nga duhanxhiu per tek duhanpiresi. Pirja e duhanit, ashtu si shume shume te keqia vellezer, na ka ardhur si kalk turk besoj. Sllavet thone dicka si “pushish” mesa kujtoj (thith: pushish travu – jo traun gjithsesi, as drurin – barerat); neolatinet e anglezet, deri edhe arabet i thone tymos cigare – vetem turku thote “sigara iciyorum” – pi cigare.

    Po turqit edhe supen nuk e hane, “corba iciyorum” te thone, e po nuk i besove, ta demostrojne mu aty, me eks

    1. C’me kujtove nje bisede fort te ndezur qe kam pasur njehere me nje turk se kush ha me shume buke, shqiptaret apo turqit. Me ne fund i thashe, mik neve edhe kur shkojme per te ngrene corbe themi shkojme te hame buk.

  5. Duhanxhi, duhanpires, konsumues duhani etj, te gjitha me duken ok. Fumatore, jo. Me duket banalitet snobist.

    Dhe me pelqen qe turqit e pikan corben; me sa duket ne e bejme me te trashe.:)

  6. presja:

    mesa kam pare e pire vete ne Turqi, corba eshte supa; ne I dallojme nga dendesia keto te dyja; dmth alla turka eshte corba (jane te trashe) alla frenga supa, se keta jane ata te mprehtet…:)

    GuR:

    kam lexuar diku se shqiptaret kane pasur rrjetin e furrave te bukes nje kohe ne Stamboll. Ne vitet ’90, turqit moren hakun duke mbushur Tiranen me furrat e veta: ka qene nje shpifesire qe s’futej ne goje, si shkume kur lahen dysheket, qe I thoshin “buke turku” deri vone; deri edhe pas mbylljes se ketyre furrave. Interesant eshte se ne Turqi, te njejtes buke, te vjetrit i thone edhe “franxholle” – mu ashtu si I thoshim edhe ne para se te vinte turku

    Nejse.

  7. 🙂 Nuk e di fare kete pjesen e furrave turke dhe s’ua kam provuar buken. Por eshte interesante. Mua do me pelqente qe historia te shkruhej tamam keshtu, nepermjet furrave te bukes dhe stereotipeve njerezore dhe pseve per to, dhe jo neeprmjet lufterave, revolucioneve etj. Keto te fundit jane vetem pasoja te mbithjeshtezuara dukurish shoqerore qe te parat i mberthejne shume me mire.

    1. Erdhen e iken shpejt ato furrat, po kjo “buke turku” (me mire t’i thoje “bukepeshku”) mbeti ne qarkullim edhe pak me pas. Nuk ngjiti buka e turkut: gjithcka mund te kete qene per t’u ndryshuar ne Shqiperi ato vite, po buka vendase, e cdo ngjyre dhe forme dhe drithi, ka qene fantastike.

      ps: buka mund te ishte popullarizuar edhe si “buke turke” ( tip kafe turke), po njerezit me sa duket, e emertonin sipas vendit ku e blinin (ke turku); plus qe edhe ajo shprehja e vjeter strategjike (“ha buken e turku, ben duane e kaurit”) do kete ushtruar pak gravitet.

      Per furrxhinjte shqiptare ne Stamboll dhe per franxhollen (francala) ka dicka ketu, (fq-168):
      http://books.google.com/books?id=X50Y-oMCVYIC&printsec=frontcover#v=onepage&q&f=false

      1. Me qe ra fjala Presje per te tjerrur historine permes ketyre gjerave ‘jo zhurmemedha, mesa di une furra e bukes ka qene e para ndertese e Tiranes, pastaj u hap nje hamam, pastaj pazari e keshtu me rradhe deri.

        1. d.m.th sikur historiografia e Tiranes te fillohej nga ai furri i bukes, nuk mund kurresesi te beheshin gabime ne histori.

          1. Mos na fut ne qorrsokake epistemologjike kapedan. Po meqe na kujtove, te keshilloj te lexosh Djathi dhe Krimbat te Ginzburgut i cili ben fjale per shekullin e 16 por i cili rikonstruktohet permes prizmit te mullixhiut Menok, nje personazh i pazakonte me do shpjegime kozmologjike qe nuk i sollen fat te mir le te themi. Per mua, kjo disipline e historise qe quhet mikrohistori ofron pergjigje shume me te kthjelleta sesa narracioni historik qe kryesisht eshte i pikezuar me emra mbreterish, data lufterash e sigurisht emrat e heronjve perkates. Meqe pyete. Zoti eshte i vetedijshem per cdo gjethe qe rrezohet ne pyll, tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin