EMOJI TË REKRUTUARA (V)

Dallimet mes ligjërimit të shkruar dhe atij të folur gjithnjë ofrojnë një pikënisje të frytshme, për të kuptuar përdorimin praktik të emojive: këto shfaqen detyrimisht “në shkrim”, por me synimin për të sjellë aty elemente të së folurit, duke filluar nga kontekstualizimi.

Për nga vetë funksionet që u jepen, emojit kanë natyrë dialogjike – duke vendosur një lidhje të çastit, ose qark të shkurtër mes folësit (subjektit të thëniezimit) dhe tjetrit (dëgjuesit, marrësit, të adresuarit). Meqë komunikimi po zhvillohet me shkrim, ndërsa emojit duan t’i kapërcejnë caqet që vendos shkrimi dhe të restaurojnë një kontekst sado imagjinar të bisedës (shkëmbimit gojor), atëherë emojive u kërkohet të rikthejnë praninë e biseduesve në “tekst” – çfarë edhe e realizojnë para së gjithash nëpërmjet fytyrave: 😊☹etj.

Nuk është rastësi që studiuesit e kanë gjetur origjinën e drejtpërdrejtë të emojive te shenja e smiley-t, një stilizim i një fytyre që buzëqesh, të thjeshtëzuar në tiparet elementare. Nëse buzëqeshja sugjeron tonin e thënies dhe synon zbutjen ose pozitivitetin, fytyra – sado e algjebrizuar – shënjon një prani simbolike të folësit, krahas dhe paralelisht me elementet deiktike në ligjërim (si përemri “unë”, pronorët “im, imja”, veta e parë e foljes, etj.) që i referohen edhe ato autorit të thënies. Kjo do të thotë që tek emoji ka gjithnjë një aspekt indeksikal, një shigjetë të drejtuar të paktën ndaj folësit, i cili i bashkëlidhet aspektit ikonik, ose ngjashmërisë skematike a strukturale të emojit me fytyrën.

Kur dy vetë bisedojnë, i shoqërojnë fjalët e tyre jo vetëm me shprehje të fytyrës, por edhe me variacione në tonin dhe në melodinë e fjalëve (prozodinë), si dhe në lartësinë e tingullit (pitch), të cilat ligjërimi i shkruar nuk mund t’i riprodhojë veçse në mënyrë përafruese – për shembull, nëpërmjet shenjave të pikësimit, rendit të fjalëve dhe disa konvencioneve tipografike, p.sh. ndryshimi i fontit (të zeza, të pjerrëta), etj. Veç këtyre modulimeve intonative, biseduesit kanë në dispozicion edhe gjeste, përfshi këtu gjestet konvencionale ose të kodifikuara në kulturë dhe gjestet indeksikale, siç është rasti kur themi “qeni im” dhe e tregojmë qenin me gisht.

Emojit ndihmojnë për t’i përçuar të gjitha këto funksione karakteristike të ligjërimit të folur – që nga fytyrëzat që shprehin emocione dhe performativë të tjerë, si miratim, lutje, refuzim, etj., tek gjestet e stilizuara, si ato të gishtave (thumbs up, etj.) dhe gjestet indeksikale (si emoji i një maceje, që shfaqet kur bie fjala për macen) duke e sjellë, të stilizuar, praninë fizike (trupore) të subjektit, në tekst. Të gjitha këto përdorime janë më të natyrshme në chat, sepse chat-i i shkruar, me shkëmbim mesazhesh tekst, i riprodhon më mirë rrethanat e një bisede gojore të mirëfilltë dhe ka më shumë nevojë për kornizim (framing); por nga chat-i e kanë gjetur rrugën edhe në kontekste të tjera gjysmë-bisedore dhe pseudo-bisedore online, siç është rasti i statuseve në Facebook, i tweet-eve dhe i mesazheve në Instagram. Kështu, në Facebook komentuesit poshtë një statusi mund të sillen si të ishin në një dhomë chat-i dhe biseda ose debati të ndodhte në kohë reale; çfarë do t’i bënte të natyrshme emojit, madje do të ftonte për përdorimin e tyre, si rele të kontaktit mes pjesëmarrësve (dhe zbutjen e konfliktit ose funksione të tjera pragmatike).

Kjo nuk ndodh, në korpusin e statuseve që kemi marrë në shqyrtim – të kryebashkiakut të Tiranës Veliaj. Sepse Veliaj vërtet i harton statuset me stilin tipik të ligjërimit bisedor online, duke i pasuruar me gjithfarë emojish, përfshi edhe fytyrëzat që me gjasë i referohen gjendjeve të tij shpirtërore rregullisht pozitive, ndonjëherë edhe euforike, me synimin për t’ia kaluar (ngjitur) këto gjendje lexuesit; por ai ka zgjedhur të mos u përgjigjet asnjëherë ndërhyrjeve dhe komenteve nga miqtë dhe vizitorët, çfarë e anulon sakaq kontekstin e bisedës. Komunikimi është i sinkronizuar me rrjedhën e ngjarjeve ku përfshihet Bashkia dhe kryetari i saj, jo me ndonjë dialog a shkëmbim në rrjetin social. Në një farë mënyre, 😊dhe 😆dhe 😍duhej të ishin shprehje të fytyrës së autorit të tekstit (“folësit”), por meqë ai nuk merr pjesë kurrë në bisedë, ato reduktohen në maska të zgavërta; njëlloj si buzëqeshja e maces Cheshire, te Liza në Botën e Çudirave, e cila mbetej edhe pasi macja vetë ishte zhdukur, ose, mutatis mutandis, mesazhi i postës zanore (voicemail) që dëgjojnë ata që na telefonojnë, por nuk na gjejnë dot.

Gjithsesi, mund të pranojmë, me marrëveshje, që emojit shprehëse në statuset e Veliajt tregojnë gjendje shpirtërore publike të autorit të statusit në kontekstin e statusit vetë; i cili konsiston në tekst informues, emoji shoqëruese dhe zakonisht një numër fotosh praktikisht gjithnjë të inskenuara (staged) ose një video. Fotot tregojnë evente në Tiranë të organizuara nga Bashkia ose takime të kryebashkiakut Veliaj me personalitete ose qytetarë të rastit; ka pastaj një numër të madh fotosh të këtij me fëmijë të vegjël, foto të punëtorëve të Bashkisë, rigorozisht me uniforma fosforeshente, të angazhuar në punë të ndryshme; foto të kryebashkiakut me uniformë pune dhe kaskë mbrojtëse, duke shqyrtuar ndonjë planimetri ose karabina; foto “incidentesh” të vogla në rrugë, por gjithnjë me ngjyrime të lehta komedike; foto të këndeve të lojërave ku luajnë fëmijët dhe të korsive të biçikletave dhe të personave që ngasin biçikleta; foto të lulishteve, me të gjelbrat të hiper-theksuara.[1] Edhe pse analiza e fotove nuk është objekt i hulumtimit tonë, lexuesi është i ftuar që gjithnjë të ketë parasysh që emojit në statuset e kryebashkiakut funksionojnë si pjesë të një konteksti multimedial, ku shpesh fotot kanë përparësi ndaj tekstit; dhe emojit vihen në punë si hallkat lidhëse të tekstit me Veliajn nga njëra anë dhe me fotot nga ana tjetër. Në këtë kuptim, emojit i shërbejnë kozmetikës së statuseve njëlloj sikurse punët e shumta bashkiake në Tiranë fokusohen në kosmetikën e qytetit.

Që statuset e Veliajt nuk kornizohen dot si mirëfilli informative, këtë duket se e mbështet edhe vërejtja e Marcel Danesi-t, se “informacioni në sens denotativ vetëm rrallë herë përfshihet në situata ligjërimore” dhe se “nuancat emotive-retorike që përcjellin mesazhet me emoji nuk mund të klasifikohen sipas parimeve të transferimit të informacionit.” Me fjalë të tjera, statuset me emoji shërbejnë për t’i mbajtur në kontakt (fatik) mes tyre pjesëmarrësit në komunikim dhe për të përcjellë gjendjet emocionale të subjekteve që flasin (që prodhojnë ligjërimin ose thëniet); dhe informacioni faktik që përmbahet atje është në shërbim të konotativitetit. Statuset e Veliajt nuk mund të zëvendësojnë faqen e informacionit zyrtar të Bashkisë dhe as mund ta pretendojnë këtë: ato janë një vitrinë multimediale për të shitur në publik imazhin e Bashkisë – një lloj tabele emulacioni e shekullit XXI – dhe një advertorial non-stop për kryetarin Veliaj. Ky është i vetmi interpretim që mund t’ia ruajë logjikën dhe koherencën veprimtarisë së kryetarit në Facebook.

(vijon)

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

Shënim: Kjo është pjesa e pestë e një serie, të cilën mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtu.


[1] “Imazhet,” vëren teoricieni i mediave Todd Gitlin, “paraqitin ose pikturojnë realitete, por ato vetë nuk janë realitete.” (Media Unlimited: How the Torrent of Images and Sounds Overwhelms Our Lives, Metropolitan Books, 2001, f. 22).