NGA VIZIONI NË MAKTH

Vizatimet e atelieve dhe të studiove arkitektonike materializojnë me ngjyra dhe forma vizionet e autorëve për një ndërtesë a hapësirë të ardhshme; prandaj disa i quajnë edhe perspektiva; me siguri ndokush, detyrimisht mazohist, do të ketë marrë dikur mundimin t’i krahasojë më pas me rezultatet në terren.

Por nuk e kam fjalën për këtë. Edhe pse më pëlqen gjithnjë imazhi i realizuar profesionalisht – dhe shumë nga këto ndërtesa hiper-reale janë, në fakt të bukura – më tërheqin vëmendjen edhe njerëzit e paraqitur atje, detyrimisht në miniaturë, për të ruajtur përpjesëtimet; dhe jo vetëm ato gjeometrike.

Janë të freskët dhe të lumtur, insekte të ngeshme që u gëzohen hapësirave të lira dhe të sigurta që u ka dhënë “krijuesi”; në grupe ose vetëm, në këmbë ose në biçikleta; qenie të lehta, po aq të ajërta sa edhe vëllimet arkitektonike përbri.

imazh 4

Së bashku me fasadat e lëmuara, qelqin dhe metalin, qiellin kristalin, sheshet e hapëta dhe rrallësinë e përgjithshme, që u japin këtyre perspektivave a renderimeve diçka sovjetike; ndoshta për shkak të futurizmit ose përkushtimit zelltar ndaj një vendi që nuk ekziston, ose një u-topie.

Arti futurologjik, nëse mund ta quaj kështu, shpesh u bindet ca precepteve të shtangëta që kushedi askush nuk i ka formuluar dhe as pranuar formalisht (kështu mbase i pëlqen softuerit të përdorur, si në shembullin e ngjashëm të dokumenteve në PowerPoint); riprodhimet e ndërtesave, të qyteteve me rrokaqiej të ndërkryer, planeve vertikale, bimësive të gërshetuara në ndërtesa dhe ballkone dhe kopshte të varura dhe ujit të kulluar në gjithfarë konfigurimesh duket sikur të thonë: ja si do të jetë bota, kur ti të mos jesh.

imazh 2

Këtu ndërhyn politikani, për të shtuar: por ne po e ndërtojmë atë, botën.

Le të kuptohet, këtu, se për politikanin imazhe të tilla janë gjysma, në mos treçereku i punës; sepse çfarë mbetet, ose transformimi i mirëfilltë i kaosit në rregull dhe i planit në strukturë – ose puna prej merimange a blete e ndërtuesit në terren, në kacafytje me elementet, me ligjin, me stakeholders dhe sidomos me paranë që nuk mbërrin… kjo është tepër prozaike, për t’u menduar në të njëjtën hapësirë mendimi me të ardhmen.

Më ka qëlluar të shoh shumë perspektiva të sugjeruara për qendrën e Tiranës; dhe pastaj të jem gjendur përpara katastrofës që është realizuar atje sot; dhe që ka diçka dekadente, austro-hungareze të projektuar për trojet e pushtuara rishtazi mundësisht otomane, pjellë e vizionit të alkoolizuar të ndonjë pedanti të epokës së Franz Joseph-it, në fazën e tij ultra-fekale.

imazh 7Nga kopertina joshëse e romanit fantashkencor te realiteti i një bote të përqeshur prej Shvejkut: ndoshta nuk mund ta shfajësosh krejt lustrën e imazheve nga çfarë ato kanë përftuar, duke përdorur estetikën si alibi.

Dhe të doja të shoh – ja një futurologji e imja personale – atë katrahurë që rrethon statujën e Skënderbeut, por të ekzekutuar me gjestet vizuale pothuajse të koreografuara të një atelieje të arkitekturës.

Së bashku me njerëzit longitudinalë, dy-përmasorë, të imët dhe depërtues si thërrimet, që i përkasin një të ardhmeje tashmë të realizuar; edhe pse me praninë e tyre fatalisht të reduktuar në një efekt anësor.

Nuk di nëse unë vetë do t’i banoja dot këto hapësira sterile, si të imagjinuara nga një ndërtues botësh për video-lojërat ose filmat buxhet-plotë të Hollywood-it; disa prej renderimeve, sidomos ato me shumë gjelbërim dhe lumière, duken sikur u përkasin stacioneve kozmike orbitale të së ardhmes – si ato në Elysium, sa për të sjellë një shembull (që nuk është veçse një shopping mall i glorifikuar); të tjera, janë ato vetë anije ndëryjore, të cilat kanë sjellë – të themi në Tiranë – delegatët e një konvente ndërgalaktike të arkitektëve të dritës, të gjethes dhe të ujit…

Sa për të sjellë një shembull.

Përndryshe, fantashkenca amerikane sot i riprodhon këto vizione gjithë pasqyrime, tejdukshmëri, gjelbërim dehës dhe të kaltra fluturuese vetëm e vetëm për t’ia shtuar dramën shkatërrimit të tyre; që do të mbërrijë herët a vonë, për t’ia kursyer mundin plakjes, entropisë dhe pluhurzimit.

Kjo ndoshta edhe ngase, që prej 11 shtatorit 2001, ca prej nesh e kanë të vështirë t’i shohin mrekullitë arkitektonike që sulmojnë qiellin, pa u turbulluar nga vizioni – ngjethës – i shembjes së tyre vertikale, nga lart poshtë, si një rënie pantallonash kozmike.

14Në fakt, çfarë u mungon vizioneve të tilla, perspektivave a renderimeve, është pikërisht qyteti; sepse milingonat nuk ndërveprojnë me arkitekturën, nuk e përdorin as i përdor ajo; e shumta mund t’ia dëmtojnë sipërfaqet dhe t’ia njollosin vijueshmëritë dhe harmonitë kromatike.

Jo gjelbërimi, jo qielli i pastër, jo ajri i oksigjenuar, jo milingonat e rralluara, jo lehet me lule ekzotike dhe biçikletat eco-friendly dhe tullumbacet ultravjollcë të fëmijëve – por qyteti në 4D, ku të gjithë ne, banorët, detyrohemi t’i bëjmë vend entropisë në të përditshmen dhe gjakimin tonë për të ardhmen mësohemi ta negociojmë me kaosin.

Ndoshta kjo mungesë, e toleruar gjithë entuziazëm nga politikanët dhe administratorët e fondeve publike, kjo shenjë gënjyese e diçkaje tashmë të përfunduar, po e shndërron termin “plan rregullues” në sinjalin për diçka të ndyrë dhe ndotëse që po gatuhet larg dritës, ujit dhe gjethes.

Çfarë edhe do ta shndërronte funksionarin publik në armikun natyral të arkitektit; madje edhe atëherë kur të dy kanë si emërues të përbashkët përkushtimin.

Shënim: imazhet e sjella këtu janë për ilustrim vetëm; në një kohë që përmbajtja e esesë nuk lidhet gjë drejtpërdrejt me synimet e projekteve, pjesë e së cilave janë imazhet.

12 Komente

  1. Ana vizuale e çështjes; ky nuk është problemi.

    Problemi nuk është i natyrës arkitekturore; ashtu siç sillen rëndom shembuj të këqinj, mund të silleshin të tillë edhe të mirë.

    Me teknologjinë e sotme virtuale, në një kohë që në filma si “Avatar” simulohet një planet i tërë me kafshë e bimësi, nuk është aspak problem të simulohet realiteti i pasndërtimit deri edhe te milingonat, çdo kokrrizë rëre e çdo kalimtar në një mënyrë të tillë që të mos bëhet dot dallimi mes simulimit dhe asaj që do të ndërtohet vërtet.

    Ose, bie fjala, në filmin “Life of Pi” është simuluar një tigër; sheshi Skënderbej, megjithë të pastrehë e lypës bashkë, do të ishte ndoshta më i thjeshtë.

    Se pse kjo nuk bëhet e i shiten publikut, sidomos atij shqiptar, fata morgana të përçudnimit që do i pasojë, shkaqet janë po ata që i përflasim e i përflasim pa fund e i dimë të tërë, porse në fund të fundit jemi ne vetë, ose më mirë akoma, janë “ata” që kanë vendosur të marrin para nën dorë për lejet e parregullta të ndërtimit që kanë dhënë, që kanë dhënë tendera – edhe për studiot arkitekturore – për t’u pasuruar ca më shumë vetë, korrupsioni, paaftësia, e kështu me radhë; shkurt, plagët e gjithëditura të realitetit shqiptar.

    Ose janë vendime qeveritare siç ndodhi me Parlamentin e ri, që i binte të kushtonte 200 milionë dollarë. në një kohë kur Teatri i Operas dhe Muzeu Kombëtar kërcënohen nga rrënimi. Ndërkohë që Coop Himmelblau (studio që fitoi konkursin) ka bërë punën që iu kërkua e bëhej fjalë vetëm për një projektide.

    Qyteti fundja janë banorët e tij e asnjë plan rregullues nuk bën punë, nëse nëpunësi i bashkisë mbyll sytë para shkeljeve flagrante, për të futur ndonja 20.000 euro në xhep.

    Natyrisht, që ashtu siç ka këngëtarë të mesëm e të dobët, si në çdo profesion, ka edhe arkitektë të tillë; megjithatë, me vullnet të mirë e po të donte kush vërtet, sheshi Skënderbej mund të bëhej brenda, të themi, 1 viti lule. Nga ana arkitekturore kjo do të ishte diçka e zgjidhshme; fundja nuk do duhej shpikur rrota nga e para për këtë.

    Ndryshimi i vërtetë ndodh në vetëdijen e qytetarit; qyteti pastaj është vetëm guaska që i përshtatet kësaj vetëdijeje e ky, ndryshimi në vetëdije pra, është edhe më i vështiri e që merr kohë më shumë; shumë arkitektë e kanë kuptuar këtë e deri më atëherë shohin edhe ata, si të gjithë xhanëm, të mos falimentojnë, por të bëjnë kompromiset e nevojshme me pushtetmbajtësit për të mbijetuar.

    1. Të falënderoj që e solle në bisedë teknologjinë e riprodhimit, në lidhje edhe me renderimet 3D (ose edhe 2D xhanëm) të Hollywood-it.

      Këtu do të shtoja edhe mjediset në video-lojërat, të cilat gjithashtu dizajnohen nga arkitektët. Kam dëgjuar se ka një numër të madh arkitektësh që punojnë për studiot që krijojnë video-lojëra – dhe po të futesh në ndonjë nga këto mjedise, këtë e kupton menjëherë.

      Teknologjia kompjuterike që shkon në video-lojërat nuk është e gjitha AI, natyrisht; përpunimi i imazhit, në një farë mënyre, duhet veç të përpunojë një numër të madh të dhënash.

      Tani, sa shumë që rafinohen procesorët grafikë dhe sa më shumë që sofistikohet softueri që i përdor këto procesorë, mjediset e riprodhuara vijnë dhe i ngjajnë realitetit – si në filma, si në video-lojëra, si në këto renderime të arkitekturës.

      Prandaj solla si shembull filmin Elysium: mjediset e stacionit hapësinor atje më vinë gjithnjë në mendje, kur shoh renderimet e ndërtesave që sugjerohen për t’u ngritur në Tiranë.

      Elysium ishte versioni kozmik i një “komuniteti të gardhuar” (gated community); edhe këto imazhe njëfarësoj i lëpihen kësaj praktike, ose – po të duam – kësaj filozofie. (*)

      Dhe sidomos: renderimet e tanishme nuk janë aq realiste, sa hiper-realiste; dhe sidomos, ngjajnë shumë me njëra-tjetrën, pse softueri vetë është dizajnuar në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet një numri të kufizuar parametrash.

      Kjo i dallon nga vizatimet tradicionale që arkitekti i bënte me dorë dhe që dalloheshin qartë që ishin të tilla, vizatime; ose i përkisnin një bote ekzistencialisht të ndryshme nga ajo e imazheve hiper-reale që nxjerr kompjuteri (këtë efekt e sheh edhe te filmat e vjetër të animuar të Disney-t, në krahasim me këta të tanishmit nga Pixar).

      Mjaft të shohësh sundimin e ngjyrave të kaltra dhe të argjendta, gjelbërimin si kornizë dhe prani qetësuese, qiellin që kap një përqindje të madhe të imazheve dhe efektet reflektuese të qelqit dhe të çelikut dhe aluminit.

      Kjo botë hiper-realiste, që të ofrohet ty qytetarit si imazh i së nesërmes, konoton në fakt të ardhmen e pa-arritshme; ose atë të ardhme që vjetrohet sakaq, pa mbërritur ty atje; për shkak të vjetrimit të vizionit vetë.

      Qytetari në Tiranë dhe gjetiu është i çarmatosur përpara kësaj hipnoze – le të mos harrojmë se kultura jonë e leximit të imazheve është nga më të ulëtat në kontinent; dhe këtë që them e filloj me veten.


      (*) Në të njëjtën mënyrë, kush ka luajtur ndonjëherë Half Life 2, do ta kujtojë kullën që literalisht sundonte hapësirën mbi Qytetin 17, ku zhvillohen ngjarjet (The Citadel). Kjo kullë duket sikur është arratisur nga ndonjë renderim, për ndonjë zhvillim të ri në Dubai ose në Singapore.

      Kur hyjmë atje, së bashku me heroin, shohim se deri edhe ngjyrat e mjedisit ndryshojnë, për t’iu përshtatur këtij hiper-realiteti: fillon të mbizotërojë e kaltra, e zeza dhe grija e tejdukshme; vendin e betonit dhe të tullës, e zë qelqi, deri edhe në dyshemetë. Dhe sidomos, kulla vetë e sundon hapësirën edhe nga brenda.

      Në mitologjinë që mbështjell lojën, thuhet se këtë kullë e kanë sjellë në Qytetin 17 “nga lart”; ose e kanë ngulur në peizazh. Gjatë këtij procesi, lagje të tëra të qytetit janë fshirë nga faqja e dheut.

      1. E kam parë filmin Elysium dhe po, ashtu është.

        Po shiko; renderimet që bëjnë arkitektët nuk përfaqësojnë vizione të tyret për jetën, as iluzionet e tyre për ngrehinat që projektojnë; është më tepër një gjuhë, një stil viziv, një pozicionim përkah arti në të cilin militojnë. Mund të krahasohej e gjitha kjo me modelet që përdorin stilistët, ato kukullat që pak gjë kanë të përbashkët me njerëzit prej mishi dhe gjaku.

        Është edhe një gjë: njerëzit që vendosen nëpër renderime, apo edhe në perspektivat, kanë vetëm një funksion: për t’u dhënë përmasa të kapshme objekteve që projektohen; – në këtë rast mund të thuhet vërtet që njeriu është masa e çdo gjëje – përndryshe një sy i pastërvitur nuk është në gjendje të rrokë dimensionet e objektit. Natyrisht që nuk do të ishte e udhës të vije aty përkrah ndonjë plak me shkop, apo ndonjë lypës me kapelen përpara këmbëve, ndonëse ideja si e tillë është intriguese. ndaj edhe vihen ca fëmijë, ndonjë nënë ma karrocë, dy-tri vajza, një intelektual me çantë; por e gjitha kjo ka vetëm funksionin e ushtarëve të plumbit në një miniaturë me lokomotivë e stacion treni, të themi, asgjë më shumë.

        Po le t’i kthehem renderimit si të tillë: vitin që vjen pritet të hidhet në treg Oculus Rift, një syze kjo që simulon realitetin 3D, ku shikuesi ka mundësinë të jetë “brenda” në virtualitet; e gjitha kjo është aq reale sa njerëzit bëhen keq, u përzihet e u merren mendtë.

        Në parim, e gjitha kjo ka vite që është e mundur dhe programet e renderimit e kanë një mundësi të tillë prej kohësh. Është e mundur dhe pa shumë kosto që, pasi ta kesh projektuar dhe renderuar një objekt, t’i vish rrotull, ta shohësh nga të tëra anët, të futesh brenda e kështu me radhë.

        Shkruaja më poshtë se renderimet që ti ke parë në Tiranë janë bërë me qëllim të tilla, të abstraguara e gjysmë të kuptueshme për publikun dhe kjo nuk vjen aspak nga pafuqia e arkitektëve, teknike apo artistike qoftë; është tjetër gjë. Duan të mos kuptohen; mëtojnë t’ia hedhin publikut, jo ta sqarojnë.

        Po marr shembullin e sheshit Skënderbej, për ta ilustruar. Nëse ti ma jep këtë për ta projektuar e unë do të isha i ndershëm deri në fund e do ta paraqisja Pallatin e Kulturës siç është vërtet, porse që nuk është pjesë e projektit, atëherë ka shumë të ngjarë që kjo të ndikonte në gjykimin e punës sime me sheshin, që përndryshe mund të ishte punë e mirë. Ndaj unë jam thuajse i detyruar ta bëj Pallatin diçka më të zbehtë, në mos të bardhë fare; kjo vlen për gjithë mjedisin përreth e ja ku humbi menjëherë shumëçka nga e vërteta, siç do të jetë paskëtaj dhe e gjitha kjo jo me patjetër për fajin tim.

        Nga ana tjetër, në arkitekturë është si në çdo art tjetër; po marr kinon, meqë atë morëm për shembull; nga njëra anë ke blockbuster-at, nga ana tjetër kinemanë e autorëve; ose në letërsi: ka shumë Coelho të arkitekturës e veç ndonjë Borhes. Kjo vlen edhe për gjykatësit e punëve, që më së shumti janë arkitektë shqiptarë e që mund të krahasoheshin me juritë fort të përfolura të konkurseve letrare e atyre të artit në përgjithësi. Vetëm përgatitja profesionale si e tillë nuk mjafton, ashtu siç nuk mjafton të lexuarit e librave për të bërë kritikën e tyre. Nuk di, përveç Arkitekt Sinanit, që arkitektura shqiptare të jetë shquar dekadat e fundit për ndonjë arritje në këtë lëmë, përpos dështimeve që dihen.

        Arkitektura, ose urbanistika më mirë, është arti ku jetohet brenda; çdo gabim vuhet e nuk është aspak e papritur që ne bëjmë gabimet që bëjmë. Fundja vendimet për të ndërtuar a prishur i marrin një tufë horrash në një parlament të kriminalizuar keq.

        Normalisht, po të vinte dikush e të më tregonte ato renderimet e Hyrjes së Liqenit (sepse Parlamenti, projektideja si e tillë, nuk e ka problemin tek arkitektura e dobët: fundja është një mishmash i Reichstag-ut gjerman dhe stilit futurist të Coop Himmelblau, që janë arkitektë të njohur botërisht – vendosja aty nuk është zgjedhja e tyre), po të vinte ndonjë student e të më tregonte renderimet e Hyrjes së Liqenit, do të qeshja me përçmim e do e dërgoja në shtëpi që t’i futej edhe një herë punës nga e para; në këtë rast puna do të ishte meditimi rreth pyetjes: pse duhet ndërtuar aty?

  2. Ajo çka keqkuptohet shpesh nga të jashtëm si “vizion” i arkitektit, në të vërtetë është më së shumti rezultat pragmatik i ekonomisë së tregut. Ndër qarqe arkitektësh është thuajse shprehja legjendare e Ungers-it: “Kush ka vizione, le të shkojë te doktori!”
    Në rastet që ka sjellë xhaxhai si shembull për të ilustruar shkrimin, ka shumë gjasa të ndodhë kështu: Ti ke një studio arkitekture e do të marrësh pjesë në një konkurs të shpallur nga qeveria shqiptare. E gjithë puna do të shkonte dëm, nëse nuk do të merrje paratë që jepen e jo vetëm kaq, por do të dilje edhe me humbje, parë që ke edhe 20-30 të punësuar që duan rrogat në fund të muajit. Me një fjalë, çështja shtrohet kështu: ti e di se si është e si bëhet arkitektura e mirë, por të duhet të orientohesh tek ajo që kërkon paradhënësi, i cili interesin në rastin e projektimit të Hyrjes te Liqeni Artificial e ka tjetërkund; tjetërkund fle lepuri pra, ndërsa për artin nuk i bëhet kujt vonë, për qytetarin edhe më pak.
    Nga orientime të tilla lindin edhe perspektivat e renderimet që përshkruan xhaxhai; e vetmja gjë që do të korrigjoja unë do të ishte: ato perspektiva janë QËLLIMISHT të tilla, i bëjnë ashtu se ashtu duan e jo se nuk dinë më mirë.

    1. Arkitektura moderne fillimisht identifikohej me progresin.

      Porse, kur progresi nuk është më evident i duhet të identifikohet ose me të renë, ose me të ardhmen.

  3. Qytetari në Tiranë dhe gjetiu është i çarmatosur përpara kësaj hipnoze – le të mos harrojmë se kultura jonë e leximit të imazheve është nga më të ulëtat në kontinent; dhe këtë që them e filloj me veten. – shkruante XhaXhai më sipër.

    Ja që edhe unë, që jam i zanatit, e kam të pamundur të deshifroj imazhet e MaPo-s, të paktën aq sa janë publikuar aty. Është njëlloj sikur nga një libër, ta zemë, të më tregosh vetëm ballinën e të më thuash: ja, e sheh sa i bukur është.

    As përshkrimet që jepen nuk më ndihmojnë për këtë:

    “…ndërhyrjet në rrjet propozohen si një qasje e re për të forcuar aksesin dhe bukurinë e Gjirokastrës. Në mënyrë që të minimizohet impakti i trafikut të mjeteve një sistem i ri navigimi do t’i orientojë vizitorët drejt e te vendet e reja të parkimit, ashtu si edhe për te hyrjet e qendrës historike dhe të pazarit të vjetër”

    E si forcohet bukuria e Gjirokastrës? Po aksesi?

    Aha, ja ku fle lepuri: një sistem i ri navigimi do të orientojë… drejt vendeve të reja të parkimit.

    Bëhet fjalë për një parking dmth. e për ca rrugica lidhëse, ndoshta, se për këtë nuk jam i sigurt; përshkrimi nuk ndihmon të sqarojë të interesuarin; me emfazë të kotë përpiqet ta mjegullojë atë.

    Betonizim unë këtu nuk shoh: shoh vetëm ca rrugina, ca mure të veshur me gurë, ca streha me dru e shtylla metali, një parmak të thjeshtë, një si punë pishine ca më poshtë e shumë njerëz, po shumë njerëz, që nuk merret vesh se ç’bëjnë aty: është e thjeshtë: kanë mbushur vendin në streha, të cilat përndryshe do të dukeshin shumë të thjeshta pa ta. Do të ishte problem ky? Jo aspak; ca gjëra janë siç janë, edhe parkinget.

    Një plan në shkallë 1: 10000 ndoshta ngjan më shumë si epiqendër tërmeti e nuk më ndihmon ta deshifroj të tërën, përkundrazi.

    Djemtë e “Atelier Albania” mund të kenë bërë një punë të shkëlqyer, por edhe skandalin e radhës; informacioni, si nga ministria Kumbaro, ashtu edhe vënia e tij në dyshim nga MaPo, nuk mëtojnë të informojnë të interesuarin, por, përkundrazi, ta trullosin atë.

    Nga ana tjetër, nuk mund të pritet nga ministria apo gazetat që të publikojnë planet teknike, problemet që çojnë në të tilla zgjidhje e përsiatjet e arkitektëve.

    Atëherë lind pyetja: pse më tregojnë edhe këta imazhet më sipër?

    Mirëpo kjo ka të bëjë edhe me atë se pse p.sh. Rama është non-stop 24 orë live në TV, se ç’bëjnë mollaqet e ca femrave të kolme ca më sipër te MaPo, e kështu me radhë.

    Nuk qenkësh vetëm punë imazhesh dmth., është ca më e thellë, por a nuk e dimë të tërë këtë?

  4. Dhe ja si i bën bota këto punë:

    http://www.bahnprojekt-stuttgart-ulm.de/aktuell/

    Në këtë faqe gjenden të gjitha planet, madje mund të bësh edhe një tour virtual; për të interesuarit edhe me syze në 3D.

    Mund të ankohesh për çdo gjë po të duash, por jo për mungesën e transparencës.

    Ky projekt ka ngjallur reagimin e publikut në Gjermani; ka patur madje edhe demonstrata e përplasje me policinë, por kjo aspak për çështje të arkitekturës apo të imazheve.

    E sjell thjesht si shembull për të treguar se me ca më shumë angazhim e pa shumë kosto, problemet që ngre XhaXhai në shkrim mund të shmangeshin qysh në projektim.

    1. Kitsch-i është vetëm maja e ajsbergut. Gjithcka ndodh aty ka nevojë për një analizë psikologjike; Amadeus, Skëndërbeu, statujat e ilirëve, fshatarëve, malsorëve, lypsarëve, bujqërve, rrushit e fikut, orëve, apo e ndonjë vepër tjetër që nuk është përjetësuar ende.

      Kujt i hyjnë në punë referencat e artit klasik, rrokoko, art deko, në mës të një katrahure urbane siç është Kashari? Për të mos folur për një sipërmarrje krejt të pazakonshme artizanale që e arrin kulmin tek ‘departamenti i floririt’ (sic)!

      A ka ndonjë arsyetim racional në gjthë këtë mesele? Vështirë të përfytyrosh ndonjë return value të investimit. Kush është kjo klientelë që do paguaj për ‘artin’ dhe ‘floririn’ (nëse vërtet është flori!!!) në mes të Kasharit?

      Investirori dukej si i dalë nga ndonjë novelë e Scot Fitzgerald.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin