DILEMË ARKITEKTËSH

nga Arb Elo

Shkrimi i Xha Xhai-t për hapësirën midis imazhit të lëmuar në ekran dhe syve të qytetarit,- citim prej tij ky nga mesazhet që shkëmbeva me të për temën në fjalë, – më ngacmoi të shkruaja radhët e mëposhtme, aq më tepër që zanati im është pikërisht ky e përsiatjet për çështje të tilla janë pjesë integrale e punës sime të përditshme, ç’prej një çerek shekulli e më shumë tashmë.

Vjen një ditë në jetën e një arkitekti të përunjur – ku më duhet të llogaris pa modesti edhe veten – kur ky e kupton përnjëmend  shprehjen e Gandit: „Ndryshimi që ne kërkojmë të shohim në botë jemi ne vetë.“

Ashtu si në çdo profesion apo art – sepse arkitektit i duhet të jetë, në fund të fundit, edhe zejtar, porse edhe artist në një rast disi më ideal, – gjenden edhe në gildën tonë me shumicë të paaftë, megalomanë, gjeni të pakuptuar, teknokratë, rrëshqanorë; me një fjalë i gjithë spektri i temperamenteve, moralit dhe cilësive që karakterizojnë një këpucar, një shkrimtar a një doktor, bie fjala.

Ka plot doktorë të aftë edhe në Shqipëri, por kjo nuk e bën sistemin e shëndetësisë më pak mjeran e më pak të korruptuar. Doktori në fjalë, ta zemë, vërtet mund të jetë specialist i shquar në fushën e tij, porse gjithashtu nuk e merr fort seriozisht betimin e Hipokratit e nuk ka asgjë kundër futjes së ndonjë zarfi në xhep për mjekimin parësor të pacientit që e bën këtë, përkundruall një tjetri më të sëmurë akoma, që nuk e bën këtë e i duhet pastaj të presë, në mos të vdesë.

Mirëpo integriteti moral e shoqëror i një arkitekti nuk është subjekti i radhëve të mia, ndonëse shumë nga plagët urbane shkaktohen pikërisht nga ky kryengulth.

Subjekti i shkrimit tim është pjesa e parë e citimit të Gandhi-t: ndryshimi që ne kërkojmë të shohim në botë…

Escher: Kulla e Babelit

Escher: Kulla e Babelit

Arkitektura, me përkufizim, është arti i ndërtimit e jo çfarëdo ndërtimi si i tillë. Qyteti, si konglomerat arkitekture dhe ndërtimesh, por jo vetëm kaq, – historia, infrastruktura, vetë banorët, ndërveprimet e tyre, e kështu me radhë, – është organizëm shumë më i ndërlikuar se guaska e tij, e mund të krahasohej fare mirë me njeriun vetë, i cili nuk është edhe ky veç trupi, mishi, kockat e gjakut, mirëpo edhe kjo nuk është tema e shkrimit tim. Dua të dal gjëkund tjetër.

Ja ta zemë se kemi një shkop magjik dhe jemi të tërë në një mendje se bota duhet ndryshuar, duhet bërë më e mirë, më e banueshme, më e bukur e kështu me radhë. Eja ta bëjmë pra.

Mu këtu problemi merr ngjyrime utopike, më së shumti distopike, me pasoja, siç na mëson historia, shpesh katastrofale, pasi ne ndoshta e dimë me siguri se çfarë nuk duam, porse ka pak gjasa ta dimë se çfarë duam vërtet.

Duke qenë se arkitekti normalisht përkthen iluzionet, deliret e atyre që e ngarkojnë me këtë punë, në vëllime, hapësira e materiale, nuk është çudi që shumë nga këto mirazhe ta tëhuazojnë publikun, të zgjojnë te ky i fundit të njëjtat përjetime të të mos qenit i përfshirë, të të hedhurit hi syve, përjetime të cilat i janë ngjallur nga sa e sa lajme në media, nga sa e sa fjalime politikanësh, nga sa e sa distopi të hidhura të përjetuara me dekada të tëra, t’i lerë këtij të fundit një shije të hidhur që i kujton këtij vizionet e përçudshme ndërtimore të Hitlerit, Stalinit e Çausheskut e ka fort të ngjarë të jetë vërtet ashtu, që ky të mos gabojë në parandjenjat e tij të stërvitura në sa e sa disfata në përballjet me…botët e reja, të ngritura gërmadhash.

Historia na mëson që ne nuk mësojmë nga historia, – citohet të ketë thënë po ashtu Gandhi i lartpërmendur. Historia e ndërtimeve nuk bën përjashtim këtu, përkundrazi, ajo është pjesë e qenësishme e historisë si të tillë, çfarëdo qenkësh kjo e fundit.

Fundja, e gjithë historia e arkitekturës është veç një arketip i përkthyer në gurë e beton i asaj që ne mendojmë për botën e veten tonë, për njeriun, jetën, vdekjen, zotat, shoqërinë e kështu me radhë. Ziguratet, piramidat, tempujt antikë, katedralet gotike, qytetet mesjetarë e ata të Rilindjes, metropolet e rrokaqiellat janë veçse guaska e ngrirë për kërmillin që mëton të çlirohet prej saj e nuk ia del dot, të çlirohet prej vetes së tij, të arratiset prej saj.

Nuk është problem arkitektonik ky; Tirana mund të lihej ashtu siç është e me shkopin magjik të Circes të shndërrohej, në mënyrë të përkundërt, derri në njeri, por edhe këtë qasje e kemi pësuar 45 vite rresht, në kohën kur edukohej dhe formohej njeriu i ri.

Ose, pa shkop magjik, por me ca shoqata ndërtuesish e ca politikanë të paskrupullt ordinerë, të bëhet ashtu si është telendisur e siç ka të ngjarë të ndodhë akoma edhe për ca kohë, të ngrihen kuturu e pa kriter ngrehina të frikshme që ngjasojnë me stallat e ja ku e bëmë njeriun derr: Sokrat i vuejtun a derr i kënaqur; kjo është dilema jo vetëm e arkitektit, porse edhe e punëdhënësve të tij.

Por ja të kthehemi edhe një herë te skena: kemi shkopin e po mëtojmë ç’të bëjmë me të. E duam Tiranën si Nju Jorku, me metroseksualë, thotë dikush; si Abu Dhabi, ia pret një i moderuar; nuk ka si Praga, shton dikush; ta bëjmë si Bolonja, mëton njëri aty; kalifat, mërmërit një me vete,; Parisi dhe nuk ka tjetër, bërtet një frankofil.

Pastaj më kthehen e më pyesin mua: Ore, po ti ç’mendon për këtë punë? Fundja është zanati yt ky.

Më vjen t’ua kthej si Krishti: Të shëndoshët nuk ia kanë nevojën mjekut, porse të sëmurët. E nëse paskemi ndonjë leproz këtu, i bie të jeni ju, apo?

Mirëpo profetë gjenden sot e kësaj dite në çdo cep rruge; në çdo qoshe gjendet ndonjë arkitekt; nëse nuk ua jep ti drogat, do i blejnë te dealer-i tjetër.

E të kujtohen fjalët e Lasgushit: M.. deshën, m.. u dhashë!

1 Koment

  1. Shkaqet e suksesis dhe të mos-suksesit në zhvillimin e arkitekturës dhe urbanistikës së një vëndi nuk janë të ndryshme nga ato të profesioneve të tjera, siç mund të jetë mjeksia, apo jurisprudenca.

    Për të njëjtën arsye përse nuk ka mjeksi dhe jurisprudencë të zhvilluar në shumë vënde të prapambetura (Afrika?), edhe në Shqipëri nuk ka arkitekturë të zhvilluar. Arkitektura është shumë më tepër aktivitet social seç kujtojnë shumë arkitektë, qoftë edhe kur janë romantik.

    Ndërkohë kur flitet për arkitektin profesionist shqiptar, ne vërtet jemi të ndryshëm (jam edhe vetë arkitekt!!!), porse të gjithë kemi një emërues të përbashkët – atë më të voglin.

    Ata që janë marr për dore nga politika, e cila u ka dhënë edhe emra të mëdhenj – “Atelier Albania” sa për të marr një emër (oh la la) – janë në fakt njërëz të vegjël. Të vegjël në kuptimin që nuk i bëjnë dot ballë tundimit të pushtetit as nga pikëpamja njerëzore dhe as profesionale.

    Se përndryshe janë njërëz të shkëlqyer – ne të gjithë i njohim sepse i kemi pasur, dhe i kemi miq e shokë pune, shkolle, rrugice etj.

    Arsyet e problemeve arkitekturore dhe urbanistike në Shqipëri janë banale. Porse nuk janë të tilla pasojat.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin