KOMBINATI (II)

Qendra e periferisë

Është e pamundur të shkruash për Kombinatin pa përmendur monumentin e Stalinit. Bënte tërësisht pjesë në identitetin e lagjes. I ndërtuar në hyrje të kombinatit të tekstileve, në sheshin me të njëjtin emër, kishte mbetur pak në anë të urbanistikës së qytetit.

Kombinat-Stalini-dikur2Në fakt, monumenti i Stalinit, me dorën e shtrirë, duke treguar vendosmërisht rrugën e socializmit, nuk ishte pikërisht bariqendra e lagjes, e cila zhvillohej përballë e në të majtë, por jo në të djathtë, ku gjendeshin fabrikat e tekstileve. Pas tij – përjashto zyrat e lagjes e shkollën profesionale – pothuajse asgjëja, në kuptimin që nuk kishte pallate e/o ndërtesa banimi. Nga ato anë fëmijët shkonin në kërkim të aventurave: poligon qitjeje, serra bujqësore, depozita të ndryshme, binarë hekurudhe, fusha…

Statuja e Stalinit ishte projektuar në simbiozë me kombinatin e tekstilit, ishte qendër e tij. Përballë gjendeshin sheshi me pemë, shatërvani i vogël e rruga plot gjelbërim e stola, në anë të cilës shtriheshin pallatet e famshme sovjetike, d.m.th. të ndërtuara gjatë periudhës së ndërtimit të fabrikave. Gjithshka përfundonte me zonën e Gastronomit, fillimisht konvikt, i pajisur me dyqane ushqimore, për vajzat punonjëse në kombinat që kishin ardhur nga fshatrat shqiptare. Megjithatë, ekzistonte një ide urbanistike shumë e qartë, me vulë sovjetike, që me kalimin e kohës, për shkak të zhvillimit kaotik e të shpërpjesëtuar, e ka humbur shkëlqimin e matricën e vet identitare.

Kombinat-Stalini-dikurDuhet shtuar se monumenti i Stalinit nuk ka qenë kurrë qendër urbane takimi ose shkëmbimi. Ndokush, nëpër vite, nuk e konsideronte as qendër të lagjes, i zhvendosur gjeometrikisht më shumë drejt lindjes. Edhe statuja e saj solemne, tërësisht brenda stilit totalitar, përgjithësisht snobohej nga banorët e lagjes. Përballë saj kalonin vetëm punëtorët e fabrikave, të sfilitur e me hapin e rënduar kur dilnin nga turnet, ose me nxitim me hap të shpejtë për të filluar punën. Nuk i shpëtonte gjithsesi askujt, dallimi midis Stalinit të Kombinatit, i ngurtë, i rreptë, i palëkundur, me atë të bulevardit të Tiranë, i ngritur përballë Leninit, me dorën në kapotë në lartësinë e gjoksit, pra më i shtendosur, më pak zyrtar, më i butë.

Karakterin “ekzotik” të monumentit të Stalinit, kombinatsit e zbulonin vetëm në kontakt me tjetrin, jashtë lagjes. Edhe kuptimin ia zbulonin më shumë në libra, që tregonin prishjen me Bashkimin Sovjetik të Krushovit, se sa duke i kaluar përpara. Gjatë viteve, i rrethuar nga një mjegull e dendur indiference, monumenti i Stalinit e humbi kuptimin e dukshmërinë, për t’u rrëzuar në fillim të viteve nëntëdhjetë pa ndonjë zhurmë të madhe. Tek e fundit, nuk kishte më as kuptim politik, as historik, po të kemi parasysh se shumë pak vite me pas edhe fabrikat e kombinatit të tekstileve do të pësonin të njëjtin fat.

Kombinat-piedestali-pa-stalininSharmi diskret i Kombinatit varej edhe nga urbanistika e tij. Jo vetëm pallatet sovjetike, të dëshiruara në atë kohë për strukturën e cilësinë ndërtimore, por edhe Mapo-ja e vjetër, buzë rrugës qendrore, dukeshin interesante. Sikurse qendra e Tiranës, e modeluar sipas urbanistikës së liktorit, ai i Kombinatit, anipse i orientuar drejt modeleve të tjera, e kishte të fortë identitetin e vet. Dy qendrat kishin diçka të përbashkët, e nuk është fjala për elementet sovjetike (Pallati i Kulturës në qendër), por për faktin se ndanin së bashku idenë e funksionalitetit e donin të përshenjonin diçka.

 

E vrazhdë e me këmbë në tokë

Jeta në Kombinat mund të tregohet në shumë mënyra e nga një sërë pikëpamjesh. Ishte jeta brenda fabrikave, por edhe jashtë saj. Pastaj ishte jeta e punonjësve dhe e banorëve të lagjes. Është vërtetë, lagjja ishte në funksion të fabrikave prodhuese, pothuajse në simbiozë totale, sepse ishte lindur për atë detyrë, ndonëse kërkonte ta kishte të vetën. Madje kishte njerëz që jetonin në Kombinat por punonin në Tiranë (nga qendra ose në periferi tjetër). Aso kohe dukeshin pendolarë, edhe pse distancat, po t’i shikojmë nga lartësitë e së sotmes, ishin përnjimend të papërfillshme. Për të mos përmendur sektorin e tretë dhe ekonominë përreth kombinatit të tekstileve. Por është gjithashtu jeta e tanishme, pas mbylljes së fabrikave dhe pas rënies së regjimit totalitar.

Punëtorët në kombinat ishin si të gjithë kolegët e tyre në vendet socialiste me ekonomi të centralizuar. Po të përjashtojmë propagandën, që i donte në pushtet si klasë punëtore që ishin, me përjashtim të ndonjë lehtësimi të papërfillshëm, puna në fabrika ishte shumë e rëndë. Krahasimet me botën e punës në vendet kapitaliste të asaj kohe, ose me aktualen në Shqipëri, natyrisht mund të bëhen, por me shumë distinguo. Duke filluar nga funksionimi i sistemit totalitar, nga ekonomia e planifikuar shtetërore, për të përfunduar me rolin e sindikatave në vendet socialiste. Gjithshka duhet interpretuar e duhet kontekstualizuar, përndryshe realiteti i Kombinatit nuk kuptohet.

Në periferi rrjedha e ngadaltë e kohës bën që ndryshimet e jetës të mos dallohen. Megjithatë, Kombinati i kohës së sovjetikëve ishte shumë i ndryshëm nga i mëpasshmi. Pas periudhës së parë (deri në fillim të viteve 1960), kur thithej një ajër më tolerant, i ushqyer nga mirëqenia e jeta hareplotë, erdhën kohë më të vrazhda, racionalizimesh e shtrëngimesh, për të arritur mungesën e ushqimeve në vitet 1980. Fabrikat e kishin mendjen tek plani i prodhimit, me metra pëlhure për t’u endur e ngjyrosur, si rrjedhim jehonat nga qendra, ato të politikës së madhe me akuza, komplote e piruete strategjike, vinin të largëta e të zbehta. Sikur mbuloheshin nga zhurmat e forta të fabrikave. Kundërgoditjet politike preknin shpesh edhe majat e Kombinatit, por pjesa më e madhe e punëtorëve, të zhytur në punë me makina gjithnjë e më obsolete, i shikonin përgjithësisht me shkëputje e ftohtësi. Tek e fundit, pjesëmarrja e tyre ishte gjithnjë e kontrolluar dhe e pilotuar nga levat e Partisë në pushtet.

Shenjat e periudhës kur jeta në Kombinat ishte disi më e shkujdesur vihen re edhe sot. Përballë portës së kombinatit ishte kinoteatri i lagjes, ku shfaqjet e ndryshme nuk mungonin kurrë. Vetë Kombinati e ka pasur trupën e vet që i ka dhuruar skenës shqiptare aktorë e artistë të suksesshëm. Në të njëjtën ndërtesë të kinoteatrit gjendej biblioteka e lagjes, mjaft e furnizuar e me shërbim cilësor për kohën. Jo shumë e kujtojnë, por në lagje lexohej jo pak. Pastaj kishte lokale e salla kërcimi, të mbijetuara në kujtesën e pionierëve të Kombinatit, por të humbur në vitet e vetëizolimit totalitar dhe të luftës kundër liberalizmit, sipas parimeve të revolucionit kulturor kinez.

Kinoteatri ishte vendi i shfaqjes par ecxellence, me dy fjalë: skena e skenave. Atje projektoheshin filma, viheshin në skenë drama, komedi, estrada, shfaqje artistike lokale, koncerte, por bëheshin gjithashtu aktivitete të tjera si takime e mbledhje të rëndësishme publike, madje deri gjyqe kundër të pandehurve për krime nga më të ndryshmet. Këto të fundit e përdornin kinoteatrin për t’ua amplifikuar në maksimum efektet teatrale e propagandistike gjyqeve të ndryshme. Edhe pse me kalimin e kohës kinoteatri erdhi e u shndërrua në kinema për fëmijë, ai ruajti për shumë kohë një vend të rëndësishëm në jetën e kombinatsave. Sot, për fat të keq, lagjja nuk ka asnjë strukturë të pajisur për shfaqje artistike.

Historia e Kombinatit mund të bëhet edhe nëpërmjet personazheve të tij. Në një kuadër disi të mbyllur, të ngjashëm me një roman, ishte e lehtë të pikasje e të karakterizoje personazhet e ndryshme. Për ndokënd emrat nuk thonë asgjë, por ishte kopshtari, berberi, shitësi, kasapi, mjeku, prostituta, i marri, budallai, polici, spiuni, profesori, funksionari, pijaneci, garipi, bukuroshja… Secili prej tyre kishte një rol publik të fortë, ishin personazhe që përshenjonin diçka, ishin rregullatorë të jetës komunitare, qendra nevralgjike të narrativës së lagjes. Dikush bëhej edhe hero popullor, “trimëritë” e të cilit shpesh i kalonin kufijtë e lagjes. Të hartëzosh personazhet e asaj periudhe do të thotë t’i japësh kuptim rrugëtimeve të jetës, të krijosh një entitet të qartë, me përmasa kronologjike.

Jeta në Kombinat mund të përshkruhet me shumë mbiemra, por vetëm disa duken cilësorë të saktë: jeta e atëhershme ishte lakuriqe, e vrazhdë, autentike. Kombinati u dha banorëve të vet një jetë plot me kontraste të forta, por me këmbët në tokë. Me fjalë të tjera, një jetë reale, konkrete, të prekshme. Ishte jetë intensive, me marrëdhënie të forta e me raporte të përqendruara, jetë e amplifikuar nga një mjedis disi i mbyllur. E nëse dikush e harronte paktin midis jetës e vdekjes, e në se ndokush fluturonte përtej lartësisë së lejuar, e nëse dikush donte të arratisej nga realiteti hipereal, ishin Varrezat e Sharrës – një nga dy varrezat publike të Tiranës e mjaft të pranishme në jetën e kombinatsave – që ia kujtonin se fluturimet pindarike nuk mund t’i lejoheshin një lagjeje të ndërtuar mbi punën.

[vijon]

Nuk ka komente

  1. Po i ndjek me kënaqësi këto shkrime rreth Kombinatit dhe jo pak admirim për stilin e shtruar lirik, relativisht i papritur për një subjekt industrial a proletar. Kisha dy pyetje: Za, shkrimtari i librit, në ç’materiale bazohet për gjetjet e analizës së tij historike, p.sh. në arkiva, literaturë ekzistuese, intervista? E dyta, në shkrimin e këtushëm, ç’nënkupton jeta autentike në kontekstin hiperreal? Tingëllon pak oksimoronike në vështrimin e parë, por me siguri e ka një llogjikë brenda.

    1. Fillimisht faleminderit për vlerësimin. Do të thosha se libri i Luigi Za-së është një nga librat më të plotë që ekzistojnë për Kombinatin, sikur të mos kishte një boshllëk total në literaturë për këtë lagje. Me pak fjalë është më i ploti, por për fat të keq edhe i vetmi në llojin e vet. Në fakt, është shkruar shumë pak për Kombinatin nga pikëpamja e studimeve sociale. Studimi i drejtuar nga Za, meqë kapitujt janë shkruar nga disa studiues që kanë marrë pjesë në kërkimin shkencor, bazohet në shumë burime: intervista, studime, fotografi, filmime, dokumente. Mund t’i hidhni një sy recensionit të shkurtër që pata botuar në blog kohë më parë.

      Pyetjes së dytë dua t’i përgjigjem ndryshe. Në Kombinat retorika totalitare pinte ujë deri në një farë pike. P.sh. kur flitej për klasën punëtore dhe pushtetin e saj, për jetën e lumtur, mirëqenien dhe planet e realizuara, punëtorët me tre turne, si mamaja ime në tezgjah, e kuptonte fare mirë që ishin të gjitha dëngla, sepse jetonte e zhytur në atë realitet, nuk kishte nevojë t’ia shpjegonte dikush tjetër. Jeta ishte luftë për mbijetesë, puna ishte tejet e rëndë, sidomos në disa sektorë. Si të thuash, realitetin nuk e kishin të filtruar, siç mund ta kishte ta zëmë një aparatçik çfarëdo. Natyrisht, kjo nuk ndodhte vetëm në Kombinat, por tani për atë po flasim.

      Ndërkohë, unë jam shumë i interesuar për mënyrën se si shihej nga “të tjerët”, nga brenda e jashtë, Kombinati i tekstileve dhe lagja e tij, ndaj edhe do t’ju lutesha që të diskutonim gjerësisht për temën. Çdo përshtypje do të ishte me shumë interes për mua.

  2. Kuptoj, Pishak. Unë Kombinatin apo jetën e fabrikave e njoh si fëmi aparatçiku (pa çka se kam gjyshja ime, llogaritare në Fabrikën e Çokollatave, rrëfente pak eksperienca të ëmbla nga puna proletare).
    Në lidhje me Kombinatin, mbaj mend tre gjëra.
    Disa shokë të mi shkonin nga anë a anës , p.sh. nga Ali Demi në gjimnazin e Kombinatit, sepse siç thonin ata merrej shumë më kollaj mesatare e lartë se në gjimnazet e tjera të TR-ës.
    Mua vetë si fëmijë më patakste afërsia me Varrezat, madje kisha imazhin e TR-ës si një vezë a elips në skajet më të largëta e të cilit qenë mbjellë spitale dhe varreza. Varrezat ishin fare të papritura e të papërputhshme me përshtypjen që të ngelej nga autobuzi, kur shihje grumbuj njerëzish të ulur bashkë, në muhabet ose në lojë, vajza në punë dore. Një Zot e di pse, po sa herë që shihja skena të tilla muze e kohezioni social, më kujtohej jeta e kabinave në plazh, dhe asociacioni më direkt ishte vetë komedia “Shi në plazh”! E gjithë kjo nga perceptimi i një 16-vjeçari.

    1. Po më thua disa gjëra interesante vërtet. Edhe ato eksperiancat e ëmbla proletare që citoje më duken domethënëse. Kjo është e vërtetë. Situata në Kombinat dhe jeta proletare, në rast se mund ta quajmë kështu, ishte komplekse e nuk mund të reduktohet në vuajtje e mjerim. Shpeshherë ajo jetë idealizohej, për arsye të ndryshme, të cilat i prek në pjesët që do të dalin më vonë.
      Shënimi yt për varrezat më pëlqeu pa masë. Më kujtoi disa gjëra të tjera…

    2. Une jam nga ata qe kam studiuar ne gjimnazin e Kombinatit. Mesa mbaj mend nuk di te kete pasur nxenes nga lagje aq te largeta si Ali Demi psh. Shume pak nxenes jashte Kombinatit vinin te studionin ne Kombinat. Me e shumta largesia shkonte deri tek lagjia e Parkut apo edhe fundi i Tiranes se Re. Kjo ishte mese llogjike sepse Kombinati ishte lagjjia periferike me e larget nga qendra dhe nxenesit qe banonin midis tij dhe qendres zgjidhnin pothuajse gjithmone ndonje shkolle tjeter me afer qendres. Edhe ata pak nxenes qe vinin te studionin ne gjimnazin e Kombinatit, vinin me teper te shtyre nga ndonje mesuese qe jepte mesim aty e qe jetonte ne lagjen e tyre dhe qe mesa duket i kishte folur mire per shkollen apo u kishte thene prinderve se do i kishte nen patronazh femijet.

      Ne fakt, edhe pse mbaj mend se nxenesit qe vinin jashte Kombinatit nuk shkelqenin, asnjehere nuk ka pasur ndonje iluzion se aty jepej ndonje mestare shume me e larte. Perkundrazi, gjimnazi i Kombinatit ishte nje gjimnaz me nje personel pedagogjik te konsoliduar dhe cilesor. Madje pershtypja ime eshte se ai mund te futej ne numrin e gjimnazeve me te mire ne Tirane pavaresisht se ishte ne hije dhe pak i njohur (flas per periudhen qe njoh me mire-ate ne kapercyell te viteve 80-90-te). Calonte ndoshta vetem ne gjuhe te huaj. Ne fakt ajo qe vihej re ishte jo me shume ndonje distance ne nivel me gjimnazet e tjera te Tiranes por me teper nje distance ” kulturore” sepse nxenesit e vuanin mungesen e kontakteve me te forta me gjimnazistet e tjere ne Tirane. Ngelet nje bicim kurioziteti fakti se Kombinati ishte e vetma lagje periferike me gjimnaz. Lapraka, Kinostudio apo edhe Ali Demi, mesa di une, nuk kane patur. Ndoshta ishte konceptuar qe Kombinati ne njefare menyre ta mbyllte ciklin brenda vetes.

      Interesante eshte edhe “historiku” i sporteve ne lagje.Meqe jemi tek gjimnazi mbaj mend gjithashtu se ne fillim te viteve 90-te ne Tirane filloi te organizohej nje kampionat ndermjet shkollave te mesme ne volejboll. Kombinati ishte ne absolut shkolla qe kishte ekipe qe konkurronin gjithnje per vendin e pare si ne ekipin e femrave ashtu edhe ne ate te meshkujve. Por edhe rreth viteve 80-te ka pasur nje sere ekipesh zinxhire futbolli nga me te mirat ne Tirane. Interesimi i banoreve te lagjes ka qene gjithashtu i jashtezakonshem. Publiku qe mblidhej tek fusha e zeze krahasohej me nje stadium te vogel ne rang republike. Me heret ka pasur edhe organizime futbollistike amatore por une nuk i mbaj mend me saktesi. Ndersa per basketboll ka qene dobet. Ka pasur dy fusha ku luhej por niveli nuk krahasohej dot me ate qe luhej ne lagje te tjera me ne qender.

      1. Personalisht nuk e kam bërë shkollën e mesme në Kombinat, por edhe mua nuk më rezulton që të ketë pasur dyndje nga jashtë në shkollat e Lagjes 6. Raste të veçanta po. Nga sa di unë, cilësia e shkollave të Kombinatit nuk ka qenë e keqe, të paktën deri në fillim të viteve nëntëdhjetë. Mirëpo jam shumë i interesuar të kuptoj pikëvështrimin e atyre që vinin nga lagje të tjera për të studiuar në Kombinat. Si e shikonin dhe si e jetonin vallë Kombinatin?
        Sporti ishte një fenomen tjetër me rëndësi të veçantë. Kombinati kishte fushën e madhe, prapa kinoklubit dhe fushën tek ish shkolla 8 nëntori. Pjesëmarrja e sportdashësve ishte e madhe, çka varej edhe nga ndjenja e përkatësisë që kishte lagjja.

  3. Kombinatin e kam njohur si nje kalimtar, apo vizitor i rastit, sidomos ne fund te viteve 70-te e fillimi i 80-ve. Kam pasur te njohur e miq dhe jo rralle shkoja e vija me biciklete, edhe si nje lloj sporti. Prej asaj lagje kane dale edhe profesioniste te zote, qe kerkonin t’i largoheshin periferise dhe izolimit, e punonin ne institucionet dhe ndermarrjet e Tiranes.

    Qe nje pjese zgjidhnin te shkonin te ndiqnin gjimnazin atje nga Tirana, nuk eshte mit. Arsyeja kryesore ishte te nxirrnin mesataren e larte dhe kete e benin ne klasen e trete apo te katert te gjymnazit. Konkurenca ndoshta ishte me e ulet, ideja nga vete mesuesit qe nxenesi vinte nga Tirana(sakrifice 🙂 ), njohja e ndonje mesuesi, etj. Si gjimnaz, nuk ishte nen radarin e gjimnazeve te tjere, keshtu qe vemendja nuk ishte njelloj. Megjithate kombinatsat e vertete qe kam njohur une ishin djem e vajza te afte, njelloj si pjesa tjeter.

    Mbaj mend, qe per shkak edhe te nje miqesie te vjeter, shpesh vija te haja pace, pilaf me qofte te shishme, gatim shume i mire, ne nje tip gjabaptore/megjezore ne cep te sheshit ku ishte Stalini dhe afer stacionin te autobuzave. Personi qe e menaxhonte lokalin ishte nje miqesi e vjeter e rinise te babait tim dhe ne ishim te mirepritur, por pa e tepruar.

    Por ne fund, kombinati me kujtonte dhe me kujton ato lagjet e fjetura proletare si Liverpuli apo Mancesteri qe i pershkruante Engelsi ne rinine e tij. Sigurisht pa llojin e sindikalizmit radikal.

    Aktivitetet si shahu, dominoja, futbolli, njohja iluzore qe klasa punetore kombinatase i bente rolit te vet udheheqes nepermjet/prej dokumentareve qe shfaqeshin te parat ne lajmet e bemave te pleniumeve apo daljes se ndonje vepre te re te klasikut shqiptar, tregonte ne nje fare shkalle edhe nivelin e “brainwashing” qe i behej njerezve te treturneve te cilet i ushqenin me luge bosh; me ndonje flete lavderimi, flamuj trekendesh “punetor i dalluar turni” te kuq, vepra te udheheqesit te dhuruara me ceremoni ne mbledhjet e pergjumura pas turnit(por qe fatkeqesisht i mungonte autografi i udheheqesit).

    Vone e kam menduar: Si nuk u kujtua njeri t’ia shtinte ndermend punen e autografeve, te stampuar ne seri te pakten?

    1. E ke thënë si shkarazi, por mos harro se “Mëngjezorja” tek sheshi i Stalinit, në krah të kinoklubit, ishte një institucion për kombinatsit, sidomos për punëtorët e turnit të parë e të tretë. Vetë shitësit ishin personazhë me peshë në lagje. Ke të drejtë, paçen e bënin të mrekullueshme, por se ç’i hidhnin brenda mbetet ende mister :-).
      Sa për naivitetin e klasës punëtore, ata të treturneve pra, që gënjehej me një fletë lavdërimi, duhet të jemi më të kujdesshëm. Parë nga brenda nuk më dukeshin aq naivë. Përkundrazi. Gjërat i kuptonin fare mirë, edhe pse viheshin në tabelën e emulacionit e kuptonin menjëherë, pavarësisht se nuk kishin ç’të bënin kur nuk ishin pjesë e lojës. Por nga jashtë ndoshta dukeshin të tillë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: