KOMBINATI

Po ta shohësh librin për Kombinatin, pyetja e parë që të lind vetvetiu është kjo: “Ç’lidhje ka një profesor italian me lagjen e njohur të Tiranës?”. Në fakt, libri i porsa botuar me titullin “Kombinat” mban emrin e studiuesit Luigi Za. Me sa shihet, pyetja nuk tingëllon dhe aq mirë. Mund të riformulohet kështu: “Përse vallë një lagje periferike e Tiranës i ka tërhequr vëmendjen studiuesit italian?”. Përgjigjja del në pah pjesërisht me nëntitullin e vëllimit: “Historia dhe jeta e përditshme e lagjes simbol të Tiranës”. Kombinati, pra, shfaqet në cilësinë e simbolit të kryeqytetit shqiptar e ndoshta të gjithë Shqipërisë, nga industrializimi i viteve pesëdhjetë deri në ditët tona.

Nuk ka dyshim, libri i Luigi Za, Kombinat (Besa editrice, Lecce 2012, f. 552, € 32,00) përmban këndvështrime të pazakonta. Deri edhe kundër rrymës, po të kujtojmë turistët rutinorë e “njohësit” me patentë të Shqipërisë moderne, që ndalen zakonisht vetëm në qendrat e qyteteve, në restorantet moderne, në baret në trajtë vitrinash, në hotelet luksoze, e që nuk mungojnë të blejnë souvenir të lodhur. “Kombinat” shkon më tej, në brendësi të historisë e të jetës së përditshme shqiptare të dhjetëvjeçarëve të fundit, për të zbuluar atë që asnjë raport ndërkombëtar nuk do të thotë, asnjë gazetë nuk do të shkruajë, asnjë media nuk do të tregojë. Por Kombinati, si histori e simbol, mund të ishte edhe një çelës leximi i historisë së vonët të Shqipërisë, të popullit shqiptar, të dëshirave të tij. Njëlloj si shoqëria aktuale shqiptare, që rezulton më e kuptueshme pasi studiohen seriozisht banorët e Kombinatit.

Kërkimi shkencor që paraqitet në libër, e udhëhequr me mjeshtëri nga prof. Luigi Za, ofron një vizion prej 360° të jetës së Kombinatit. Në lentën analitike përfundojnë me përpikëri këndvështrime e tipare: gjendja socio-ekonomike, territori, arsimi, kontrolli social, siguria, roli i gruas, të rinjtë, migrimet, familja, vlerat e komunitetit, perceptimi i territorit të vet, shërbimet sociale, etj. Nuk mungon natyrisht përmasa historike, duke filluar nga lindja e lagjes dhe e “Kombinatit të tekstileve Stalin”, për të vijuar me formimin, kushtet e punës, jetën në fabrikë, e për të përfunduar me krizën e viteve nëntëdhjetë dhe situatën aktuale.

Bëhet fjalë për një mjet të rëndësishëm njohës, i pajisur me histori personale, jetë njerëzore, që i dhurojnë librit një freski të veçantë. Kombinati tregohet e rrëfehet nga shumë pikëpamje, që e mundësojnë rindërtimin e ekzistencës së tij me tre dimensione. Studimi rezulton i pasur edhe nga burimet e përdorura: fotografi, filmime, intervista, studime, dokumente. Nga këndvështrimi kulturor ky botim rreket t’ia rrëmbejë vëmendjen vizionin centripet dhe egocentrik që predominon sot në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë; ndërsa nga pikëpamja praktike rezultatet e studimit janë jashtëzakonisht të dobishme për institucionet që hartojnë politikat territoriale.

Ndokush mund të dallojë ndonjë vetëtimë nostalgjie për Kombinatin e dikurshëm. Veçanërisht në intervistat plot jetë e kujtime. Është iluzion optik. Sigurisht jo në qëllimet e autorëve, të cilët e kanë për zemër rindërtimin e kujtesës, kolektive dhe personale, e vetmja rrugë për të njohur të tjerët dhe veten, e vetmja rrugë drejt së nesërmes.  Në këtë kuptim “Kombinat” është kthim në të kaluarën për të projektuar të ardhmen.

Në libër gjenden një sërë fotografish bardhezi. Copëza jete të përditshme. Plot gra që punojnë në fabrikë, burra, fëmijë. Duken fotografi të ardhura nga epokë tjetër, planet tjetër, megjithëse fytyrat e njerëzve kanë diçka familjare, që shkon përtej origjinës së secilit prej nesh. Duke shfletuar faqet, lexuesi mund të përpiqet t’u japë një fytyrë intervistave të shumta që përmban vëllimi. Të kërkojë persona, zëra, ndjenja, bashkësi. Të kureshtojë mes copëzash vokale e ikonike të një puzzle social. Lojë mjaft intriguese: intervista të sotme e foto të djeshme për të rigjetur rrënjët e përbashkëta.

Libri “Kombinat. Historia dhe jeta e përditshme e lagjes simbol të Tiranës” është tejet interesant për të gjithë. Jo vetëm për shqiptarët. Jo vetëm për kombinatsit, të cilëve për herë të parë u dedikohet një libër. “Kombinatsave të djeshëm e të sotëm”, thotë dedikimi i autorit, ku dallohet qartë respekt e dashuri. E të lind dyshimi se mos është vetëm brejtje ndërgjegjeje, ngaqë ua ka “vjedhur shpirtin”, thelbin, historinë, pa i përfshirë edhe ata vetë. Por pastaj zbulon se autorët e parathënies e pasthënies janë dy kombinatsa puro. Zgjedhje përnjimend kuptimplotë, përfshirëse dhe kurioze në të njëjtën kohë.

Nuk ka komente

  1. Kam jetuar 30 vjet ne Tirane dhe nuk kam qene kurre ne Kombinat. Tani qe edhe Tirana po me behet ngadale e huaj, fjala “Kombinat” me tingellon akoma edhe me shume si nje vend imagjinar, qe ne te vertete nuk ka ekzistuar kurre.

    Jam megjithate (ose pikerisht per kete) shume kureshtar qe ta lexoj librin.

    1. Autori i librit ma besoi mua parathënien. Atje u kushtova disa radhë marrëdhënieve të qendrës me periferinë, tiranasve me kombinatsat. Udhëtimi nga qendra drejt Kombinatit kishte aspekte aventureske, madje metafizike. Mekanikisht do ta përshkruaja si kalimi nga karroceria tek motori, fiziologjikisht do ta shihja si kalimi nga lëkura drejt organeve të brendshme, psikologjikisht do ta konsideroja si proces drejt asaj që kemi removuar nga vetëdija. Ishte gjithsesi udhëtim drejt së panjohurës.

      Për ne kombinatsit, vajtja në qendër ishte diçka tjetër. “Po shkoj në Tiranë” thuhej, jo në qendër.

      Kombinati duhej eksploruar (me kujdes) që në atë kohë. Mundësisht i shoqëruar nga ndonjë shok kombinats :), siç bëjnë eksploratorët kur shoqërohen nga sherpat. Ishte eksperiencë më vete. Tani, në pamundësi, mund të lexohen libra.

  2. Te njejten pyetje kam bere ne fakt dhe vete: “Cne nje studiues Italian qe ben nje liber per nje lagje periferike te Tiranes?!”. Ende jam pak i cuditur nga ky lajm qe u be publik para disa ditesh ne tv shqiptar. Per kedo qe jeton ne Kombinat, ose qe ka vizituar lagjen e Kombinatit sot, e di se ne c’geto shqiptare eshte kthyer kjo lagje. Pervec atyre godinave te vjetra te banimit dhe germallave te fabrikes, kete lagje mund ta krahasosh me cdo lagje te varfer te kryeqytetit dhe Shqiperise. Pra ne liber mund te ishte dhe lagjet/geto e Bathores, Kamzes, Paskuqanit, Saukut, Dajtit, Selita, Yzberishti, etj. Ndoshta eshte kjo qe thoni ju Pishak qe autori ne nje fare menyre kerkon te jape nje lloj konsulence urbanistike pushtetit vendor per te ardhmen e qytetit nepermjet nje libri. Une do te shtoja dhe nje vlere tjeter qe mund te kete nje liber i tille. Mundet qe te sherbeje si nje studim i vlefshem psikologjik dhe sociologjik per fenomenet dhe sjelljet e shoqerise dhe individit ne nje geto. Pse jo, ne Shqiperi jane bere mjaft eksperimente sociale. Ndoshta eshte koha per te matur rezultatet 🙂

    1. Historia e Kombinatit ndryshon kryekëput nga lagjet e tjera të Tiranës, edhe pse këto meritojnë gjithashtu libra e studime me shumicë. Fakti është se Kombinati ka prodhuar histori e identitet në mos më shumë, më dukshëm, se lagjet e tjera, për arsye nga më të ndryshmet. Analiza mund të fillohet nga vetë emri: Kombinat.

      Mua m’u bë qejfi që një studiues i huaj u angazhua pikërisht me Kombinatin, çka dëshmon se kjo lagje ka shumë gjëra për të rrëfyer, madje edhe të huajve, jo vetëm shqiptarëve. Më vjen keq që ky studim nuk u botua nga studiues shqiptarë. Keqardhja ime përmban edhe një farë autokritike, megjithëse justifikime mund të gjej plot, duke filluar nga mungesa e fondeve. Por mund të shtoj se Kombinati nuk është zbuluar tërësisht: ka ende thesare që nuk janë prekur.

  3. Pishak: ne qe nuk jemi ne Itali si mund ta gjejme nje indeks te permbajtjes se ketij libri? A na poston dot indeksin ketu? (Po librin ne PDF larg qofte?)

    Mesa kam pare nga artikujt qe jane botuar per kete liber ne gazeta, kam vene re qe Sharra eshte injoruar. Si duket (te pakten me ckam lexuar ne shtyp) autori nuk ka dijeni te thella historike mbi krijimin e Kombinatit, si nje lagje qe u ngrit ne tokat e katundit te Haxhi Qamilit dhe Sharres, te cilat u konfiskuan nga regjimi per te ndertuar pallate. Mesa kam pare une aty flitet per Kombinatin, punetoret e tij, por nuk di nese tregohet per influencen qe popullata vendase luajti me te ardhurit – kooperativat perreth, konservatorizmi i tyre islamik etj. Per me teper gangsterizimi i kombinatsave nuk mund te shihet i shkeputur nga Sharra – e mesa kam pare une ne shtyp – libri nuk i kushton rendesi ketij aspekti qe e beri te famshme lagjen punetore-fshatare e cila qendronte mes fshatit dhe qytetit, mes modernizmit komunist dhe tradites myslymane te katundeve perreth, mes “skorpionsave” te Bllokut dhe “trimave” te provinces. Vete koncepti i kombinatsave “po shkoj ne Tiron” eshte huazim nga katunaria perreth, per te cilen, Tirana ishte kazaja, ndersa fshatrat perreth ishin katundarite.

    Shpresoj te na japesh pak me shume informacione.

    1. Tema që ke hapur është vërtet interesante. Preket gjithsesi edhe në libër, por nga një këndvështrim tjetër. Dinamikat e marrëdhënieve midis Sharrës dhe Kombinatit kanë qenë komplekse. Edhe ti je dakord me mua që nuk mund të reduktohen tek garipat ose gangsterizmi i kombinatsave. Për mendimin tim identiteti i kombinatsave merrte trajtë edhe nëpërmjet vijave ndarëse me fshatrat përreth. Dallimi ishte sa i dukshëm aq edhe funksional. Dikotomia midis katundarit/qytetarit nënvizohej përditë. Madje kombinatsit shpeshherë e bënin dallimin duke thënë: “Eshtë nga Sharra”.

      Të mos harrojmë se ato pak shtëpi të katundit tiranas, ishin të papërfillshme përballë “dyndjes” së kombinatsave të rinj. Edhe nga pikëpamja sasiore. Erdhi një moment që lagjja e Kombinatit arriti mbi 35 mijë vetë. Shifër e jashtëzakonshme për atë kohë. Fshatarët e Sharrës, në mungesë të një qendre të mirëfilltë, e konsideronin Kombinatin qendër, ku vinin për shitje/blerje ose ndonjë punë tjetër. Edhe kombinatsit shkonin për ndonjë pazar më të lirë.

      E kam të vështirë ta pranoj dukurinë e gangsterizmit të lidhur ngushtë me fshatarët e Sharrës. Këta, përgjithësisht, kishin raporte të mira me të ardhurit, dhe u nënshtroheshin rregullave që krijonte vetë Lagjja nr. 6, ose më mirë Kombinati, edhe pse ndonjëherë ka pasur përplasje.

      Nuk di si ta them shkurt, e pa shkaktuar gajasje, sidomos nga Tiranasit e qendrës që kishin një vizion të kushtëzuar, por Kombinati ka qenë tejet “modern” në atë kohë. Lagje e porsakrijuar, e gjallë, me kultura të ndryshme, me moshë mesatare fare të ulët, energji të reja, entuziazëm, forca integruese, dinamizëm emancipues… Pastaj erdhën kohët e vështira. Prishja me sovietikët, ardhja e kinezëve, mbyllja në “forcat tona”, degradimi i viteve tetëdhjetë.

      Por më mirë po ndalem, se pastaj rrezikoj patetizmin. Gjithsesi, Kombinati justifikon jo vetëm një libër, por shumë të tjerë. Ia vlen vërtet, për të kuptuar Tiranën dhe Shqipërinë e sotme.

  4. Pishak, te faleminderit per pergjigjet. Bie ne pergjithesi dakort me ato qe ke shkruar me siper. Por mendoj se edhe Kombinati vete ndahej ne shtresa te shumta, si cdo mehalle e izoluar qytetesh te medha, Kishte kombinatsa te mireedukuar dhe me ambicje qe e shikonin veten si pjese e Tiranes, dhe benin perpjekje per tu shkeputur nga lagja me nam te keq per anti-socialet e saj (duke punuar ne Tirane, dal per xhiro “lart”, apo nderruar edhe shtepite), por kishte edhe nga ata qe ishin pak te shkolluar e ndjeheshin mire, dhe sic ti thua, e shikonin veten si ne qender versus katunareve, te cilet jetonin pak metra larg tyre. (diferenca mes katunarit dhe qytetarit qendronte te jetesa ne pallat dhe puna ne nje fabrike ne Kombinat apo ne Tirane dhe jo ne kooperative). Cfare une kam vene re, eshte qe shtresa e me pak te edukuareve ishte ajo qe ndersa e mbante veten qytetare i pershtatej me mire integrimit me katundaret, te cilet, ishin pak me te lire sesa kombinatsat ne lidhje me kontrollin social qe regjimi ushtronte ne qytet – versus – fshatit. Keto barriera, mes katundit (perdor termin geg ketu) dhe qytetit rane ne kohen kur regjimi nisi te disintegrohet.

    Nuk e di nese permendet ne liber roli i kinemase, e cila ishte ne njefare menyre “xhamia” shekullare e regjimit, ku kombinatsit predikoheshin me ideologjine e regjimit, por edhe me filma te huaj? Pozicioni i saj ne qender te lagjes, sebashku me bustin e Stalinit – te cilit i vinin autobuzet perqark, me kombinatin perkarshi, me qendren e lagjes prapa tij, ishin ndertuar si njefare qendre pushteti, ideologjie dhe force prodhuese-paguese per lagjen. Ama keto qendra, sfidoheshin nga vende te tjera ku njerezia mblidhej, si psh. kafete si specialja, kafe lulishtja (a turizmi pse sme kujtohet mire termi), gastranomi dhe mapo-ja. Me kujtohet si tani qe ne vitet 80 ata qe e kishin shtepine te Mapoja apo te Zjarrefiksja konsideroheshin sikur jetonin larg. Ata qe jetonin te parafabrikatet shiheshin sikur jetonin ne nje lagje shume te keqe. Me afer dhe mire konsideroheshin ata qe jetonin prane Llazi Mihos, Gastranomit dhe ne aksin kryesor te Posta e deri prane Rruges se Qelqit.

    Por renia e komunizmit dhe vershimi i fshataresise i shkaterroi keto koncepte. Sic Za tregon (mesa kam lexuar nga shkrimet ne gazete), kombinatsin e vjeter e ndjejne lagjen e tyre te prishur, qe nuk i perket me atyre, ndersa te ardhurit, e shohin si nje “Paris” edhe me shkaterrimin qe lagja ka sot.

    Po indeksin e librit a mund te na e dergosh? A do futet ky liber ne googlebooks qe ti hedhim nje sy paraprakisht?

  5. Edhe dicka: Prej kohesh kam menduar te shkruaj dicka per Kombinatin. Kesaj vere, nese punet me shkojne sic i kam planifikuar do te bej disa intervista me disa te forte qe kane ngelur akoma gjalle nga vitet 90 e do shoh sec do bej me ate me vone.

    Tani qe doli libri i Za-se mendoj se shtysa eshte edhe me e madhe per te bere nje liber. Nese edhe ti ndjen te njejten gje, ndoshta mund te gjejme edhe persona te tjere dhe te shkruajme nje antologji per Kombinatin. Une mund te kontribuoj me dy shkrime: nje per ardhjen e fese pas renies se komunizmit dhe rolin qe xhamia dhe kishat e shumta luajten ne jeten e njerezve, dhe nje tjeter, per jeten e gangstereve dhe arsyet qe conin kete province te krijonte persona anti-social ndaj regjimit – shumica e te cileve u vrane pas vitit 1996 apo emigruan.

    Si te duket si ide?

  6. Per Albin. Veshtire se Kombinati mund te plotesoje shumicen e kushteve per t’u quajtur nje geto. Pastaj te gjithat ato “lagjet” qe t’i permend krah Kombinatit ne fakt nuk jane lagje por fshatra te “zhvilluara” pas 90-es pa asnje plan. Kombinati ka tjeter natyre dhe histori. Psh jo vetem fshatrat qe permend e qe jane bere pjese e Tiranes, por edhe te gjitha lagjet e Tiranes sot, nuk e kane ruajtur strukturen urbane sa Kombinati. Ironikisht, sot Kombinati ka mbetur lagja me e rregullt urbanikisht ne Tirane. Ne fakt e vetmja lagje me njefare konturi te qarte dhe qe eshte e ndare akoma ne blloqe banimi, ku gjen akoma hapesira te blerta dhe ku nuk vuan per parkim. Dhe kjo jo per merite te atij vete sesa te lenies ne hije nga firmat e ndertimit si pasoje e distances nga qendra. Gjithashtu Kombinati ka edhe nje karakteristike tjeter qe e nxjerr ate nga te qenit geto. Ai ka nivelet me te uleta te krimit (ne mos me te ultat) ne Tirane. Natyrshem qe sot ai ka edhe disa karateristika te getos sic eshte niveli i ulet i te ardhurave apo niveli i ulet kulturor por keto nuk e fusin ate lehtesisht ne kategorine e getos pasi jane karakteristika te pjeses derrmuese te shoqerise sone.

    Per Kombinatsin. Jam dakort qe Kombinati ka qene nje lagje me shume shtresezime dhe kjo e ben ate interesante. Sidoqofte kam pershtypjen (ndoshta te gabuar) se fenomeni i gangsterizmit ishte me teper shfaqje shoqeruese e fundviteve 80-te dhe fillimviteve 90-te sesa shoqeruese e perhershme e jetegjatesise se kesaj lagjeje. Ky fenomen shpjegohet me teper me degradimin e sistemit dhe humbjen graduale te shpreses ne ate 10 vjecar po themi. Pra ka me teper shpjegim kriminologjik brenda kontekstit (psh krahasoje kete me rritjen e krimit ne vitet e fundit-tregues i rihumbjes se shpreses pas dekadave te proves me tjeter regjim). Sidoqofte Kombinati si lagje periferike dhe industriale qe mblidhte nga te gjitha sojet e ka pasur gjithnje te larte prirjen drejt gangsterizmit apo halabakerise. Interesante ishte se ne ato vite nami i kombinatsave hiperbolizohej nga banoret e tjere te Tiranes dhe kjo jo se Kombinati i pergjigjej nivelit te namit por sepse te tjeret i vishnin atij tisin e lagjes ndoshta me te panjohur ne Tirane. Ne Tirane Kombinati ishte dhe vazhdon te jete arketipi i te largetes dhe te panjohures brenda vetes. Dicka qe e perbuzim shpesh, i frikesohemi shume e jemi gati ta njohim pak.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin