POLITIKË E NJËSUAR…

Lexoj te Gazeta 55 dëshminë e një studenti se “Si u përpoq Edi Rama t’i poshtëronte shqiptarët në Londër.”

Kjo gazetë është ajo që është – jo se e zbulova unë; prandaj nuk habitet njeri që ia ka varur prej kohësh kreut të opozitës zilkën e leprozit.

Çfarë më bën përshtypje është se, duke e kritikuar Ramën nga pozita si të thuash “shqiptariste”, pozicionohet edhe ajo në krahun e AKZ-së, të partisë çame, duke konfirmuar abonimin e saj në klubin më trendy të politikës shqiptare: kombëtarizmin.

Dhe nëse e bën këtë, atëherë edhe ajo do ta reduktojë politikën në një gjakim të palodhur për të identifikuar tradhtarë të kombit, poshtë e lart, sipas rastit dhe interesit.

Ky është nga rreziqet më të mëdha, por edhe të parashikueshme, që sjell me vete dalja në skenë e një force politike haptazi të identifikuar me kombëtarizmin, si AKZ-ja: suksesi i saj, së paku në media dhe në opinion, diskursi i saj i thjeshtë, populist dhe i pakundërshtueshëm (“ne e duam nënën”, etj.), ose i përkryer në klishetë e veta, janë të tilla që të tërheqin të gjithë oportunistët politikë, të të gjitha ngjyrave.

Deri dje, politika në Tiranë sundohej nga patosi i integrimit në Europë; sot ky patos është lodhur disi, i ka sosur pak fryma; në një kohë që patosi kombëtarist e ruan freskinë e një skuadre futbolli, mu para se të fillojë ndeshja.

Aq më tepër që Europa gjithnjë ka qenë ideal i dhuruar dhe i pompuar nga Olimpi, ndërsa Shqipëria (shqiptaria) e kombëtaristëve është perëndi ktonike, që nuk ka nevojë të shpjegohet shumë, as të mvishet me fjalë.

Që partitë politike të fillojnë të tundin me të madhe flamurin kuqezi dhe të thërresin rapsodët në tubimet e tyre, kjo nuk ka gjë të keqe, në vetvete – sikurse na e ftilluan, me durim, edhe politologët tani së voni.

E keqja është se, në një tryezë ku të gjithë këndojnë të njëjtin avaz kombëtarist, do të dëgjohet më shumë ai që do të ulërijë më shumë; dhe në terma politikë, kjo do të thotë se duhet pritur që diskursi kombëtarist të vijë duke u radikalizuar, derisa të shndërrohet përfundimisht në poemë epike.

Do të kemi më shumë tradhtarë, pra, që ta mbajnë vargun gjallë; dhe më të shumëngjyrshëm.

Nuk ka komente

  1. “Një blog, një qëndrim!

    [si ju tingëllon kjo?]”

    Prej blogut vec ai largohet, qe eshte lindur tradhetor…

  2. “Lexoj te Gazeta 55”

    C’te shtyn valle te lexosh Gazeta 55 nga gjithe ato gazeta shqiptare ne treg dhe ne internet? Normal nuk eshte se do mungoje arsyeja qe do vijoje, po sesi me duket kjo marrje kaq shume sportin e mundjes te ‘te vegjelve’, ne kete rast te vegjelve + te qelburve.

  3. Kur flasin ne kete blog per unifikim njerez qe jane kaq larg nga njeri tjetri, te pakten gjeografikisht, dhe ndjen acarimin dhe mllefin midis tyre, te vete mendja tek ato qe lexon ne gazetat shqipetare, edhe pse shumica jane mediokre, partiake e te perfillshme. “Me mua ose kundra meje” eshte motua e perbashket, dhe qe Xha Xhai ka te drejte te shqetesohet. Ky shqetesim nuk eshte i lidhur me bashkimin kombetar por ne tendencen e bashkimit ideologjik, nje pseudo unitet qe do te demtoje thelle demokracine e dobet shqipetare, dhe pa dyshim dhe bashkimin e saj te vertete, sigurisht not ne baza ideologjike ose politike. Ky qendrim eshte mbase nje reflektim i psykologjise se vjeter te Bajrakut ose vjen nga pamundesia e te gjitheve per te pervetesuar thelbin demokratik te shoqerise shqipetare pa cenuar unitetin e saj kombetar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin