OPSIONE TË QASJES

prezantimin që ia bën studimit të Luigi Za-së për lagjen e Kombinatit, Pishak Zhgaba përmend si pyetje të parë që të lind vetvetiu: “Ç’lidhje ka një profesor italian me lagjen e njohur të Tiranës?”

Të njëjtën pyetje shoh që ia ka bërë vetes edhe një koleg në komentet.

Po a është vërtet kështu?

Unë jam i pari që bie në mëkatin etnocentrik, kur vjen puna për vepra të tilla: pa shiko, ky i huaji paska shkruar për diçka shqiptare.

Ndikon në këtë një prirje, në kulturën tonë, për t’i konsideruar këto vepra në optikë etnocentrike; siç mund të konstatohet me lehtësi në çdo shkrim në shtyp, ose edhe vepër kritike që botohet herë pas here.

Megjithatë, ia vlen të kujtohet që ky nuk është i vetmi këndvështrim. Libri i Za-së mund të jetë studim i një italiani për një lagje shqiptare; por mund të jetë edhe studim i një sociologu, për një dukuri sociologjike unike si Kombinati – ose që të paktën atij i duket ashtu.

Që sociologu është, në këtë kontekst, italian; dhe objekti i studimit të tij i përket Shqipërisë, kjo mund të ngrejë, por mund edhe të mos ngrejë peshë.

Nga çfarë shkruan Pishaku, nuk më rezulton që autori t’i jetë qasur temës si italian; as që ta ketë trajtuar atë si diçka doemos “shqiptare.”

Gjithsesi, këndvështrimi etnocentrik mund të përligjet; por vetëm me kusht që të mbajmë parasysh se nuk është i vetmi, por një mes të shumtëve.

Bash këto ditë, duke lexuar nuk di ç’kujtim të dhjetëmijtë për Luftën Na-Çl, mendova se është bërë e modës, tani  vonë, që bashkëpunimi i Enver Hoxhës dhe PKSh-së me kolegët e tyre jugosllavë – duke filluar që nga Popoviçi dhe Mugosha – të konsiderohet si lloj “tradhtie.”

Nuk po zgjatem në presupozimet që i nënvendosen këtij përfundimi; por vetëm po vërej se, për komunistët aso kohe, bashkëpunimi me komunistë të tjerë ishte gjëja më e natyrshme, madje tradhti do të ishte ta refuzoje këtë bashkëpunim duke sjellë ndonjë arsye të tipit “Kosova”, që mund të interpretohej si “nacionaliste-borgjeze.”

Edhe një herë, jo të gjithë dhe jo gjithnjë e kuptojmë se përfundimi që na duket kaq i natyrshëm, varet në fakt nga premisat që zgjedhim, ose sistemi i referimit.

Për komunistët si Hoxha në kohën e Luftës, Popoviçi dhe Mugosha ishin vëllezër (“brothers in arms”), ndërsa etërit e tyre armiq, nëse nuk i bashkoheshin kauzës. Përkundrazi, kur vepronin nën emrin dhe mbulesën e Frontit Nacional-Çlirimtar, komunistët do të luanin edhe kartën kombëtariste – Fronti ishte krijuar për të çliruar Shqipërinë nga pushtuesi, jo për të kryer revolucionin proletar.

Etnocentrizmi na ka mësuar, dhe na rikujton përditë, se kombi është parësor, ndërsa të gjitha përkatësitë e tjera dytësore. Ne si shqiptarë kemi edhe arsye historike për t’u pozicionuar kështu; por nuk na lejohet që t’i shndërrojmë këto arsye në aksioma.

Dhe sidomos – na duhet të mbajmë parasysh se shumë të tjerë përdorin të tjera kritere për të caktuar përparësitë. Etnocentrizmi ynë është edhe pasojë e vështirësive që i bashkëlidhen sot të qenit shqiptar, në një epokë ballafaqimesh të pashmangshme brenda hapësirës gjithnjë në ngushtim të fshatit global. Është edhe refleks mbrojtës, ose përpjekje për t’ia shpëtuar vetes dinjitetin.

Përndryshe, mirë do të ishte t’ia linim vetë marrëdhënies së krijuar gjatë qasjes, që ta përcaktonte pikëvështrimin: vepra e një misionareje si Nënë Tereza do të kuptohet më mirë po të shihet kjo si e krishterë, sesa po të shihet si shqiptare; antropologu amerikan në Samoa do të shihet më shumë si një perëndimor përballë popujve të Paqësorit; shqiptari në Kinën e viteve 1960 përfaqësonte racën e bardhë – pa çka se, në një nivel tjetër, mund të ishte edhe ai “brother in arms”, si Mehmet Shehu për Lin Biaon (për shembull, dhe anasjelltas).

Thonë se, po të mos kesh vegël tjetër veç çekiçit, të gjitha problemet të duken si gozhda (“ligji i veglës”). Çekiçi ynë ka qenë identiteti kombëtar – por, krahas me kalimin nga modaliteti i mbijetesës në atë të jetesës, do të mësojmë të përdorim edhe vegla të tjera. Për etnocentrikun, njerëzit ndahen në bashkëkombas dhe të huaj; për fanatikun fetar, në të krishterë/myslimanë dhe në të tjerë; për komunistin, në shfrytëzues dhe të shfrytëzuar, e kështu me radhë.

Përndryshe, muret nuk është e thënë t’i shkatërrojmë me doemos, por të paktën le t’i dimë se ku i kemi.

Nuk ka komente

  1. Te gjitha partite komuniste te Ballkanit e pranonin parimin e vetvendosjes se popujve, perveç Partise Komuniste te Greqise.E pranonin ”parimisht”, d.m.th. formalisht, praktikisht nuk e zbatonin.Gjenin arsye qe ishin ne pajtim me interesat e revolucionit proletar.Komunistet greke se paku ishin te sinqerte ne kete pike.
    Nje nder argumentet e komunisteve jugosllave, se per ç’arsye Kosova nuk duhet t’i bashkohet Shqiperise, ishte se gjoja keshtu e kerkon interesi i revolucionit. Meqenese ne Kosove dhe ne Shqiperi forcat e reaksionit ishin te fuqishme, nje bashkim eventual i tyre, do t’i fuqizonte edhe me shume keto forca, dhe keshtu do te rrezikohej revolucioni ne Shqiperi – argumentonin komunistet jugosllave.
    Kam verejtur nje gje: me kalimin e kohes, gjendja ka ndryshuar radikalisht, edhe argumentet kane ndryshuar rrenjesisht, por qendrimet kane mbetur te njejta. Kush ishte ‘pro’ bashkimit dje, eshte ‘pro’ edhe sot, kush ishte ‘kunder’ bashkimit dje, eshte edhe sot ‘kunder’.
    ”Atje s’ka liri te qarkullimit, te prones, te fese, te zgjedhjes se vendbanimit, te zgjedhjes se profesionit, te fusin ne burg me gjithe familje per nje fjale goje..”-argumentonin kundershtaret e bashkimit te Kosoves me Shqiperine, ne vitet e komunizmit. Sot, te gjitha keto liri jane realitet ne Shqiperi, por ata nuk kane ndryshuar qendrim- jane kunder bashkimit.
    ”Atje s’ka papunesi, s’ka dallime te madha shoqerore, s’ka analfabete, s’ka fshatra te paelektrifikuara, s’ka vjedhje, s’ka lypesa…” -argumentonin perkrahesit e bashkimit.Sot, te gjithe e dine se nuk eshte keshtu, dhe prap ata jane per bashkim me Shqiperine.
    Argumentet dhe ‘argumentet’ shkojne e vijne dhe qendrimet mbesin te njejta.
    Kete e kam verejtur personalisht tek njerezit konkret.Duket se percaktuese eshte qendrimi emocional, qe rrjedhe nga edukata(indoktrinimi) perkates ndaj kesaj çeshtjeje.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: