KONTEKST

Në vitin 1993, arkeologu grek George Hourmouziadis zbuloi një tabletë enigmatike prej druri, gjatë gërmimeve për të nxjerrë në dritë një vendbanim neolitik liqenor, në Dispilio afër Kosturit. E veçanta e kësaj tablete, që u datua me radiokarbon si e vitit 5260 p.e.s., ishin disa shenja të gërryera në të, që i ngjanin një mbishkrimi.

Duke qenë Dispilio një vendbanim liqenor (lakustër) që më duket i ngjashëm me atë të Lin-it në liqenin e Ohrit, dhe gjeografikisht i afërt me këtë të fundit, atëherë ka vend për një hipotezë rreth një qytetërimi neolitik në ato anë, që parapëlqente brigjet e liqeneve (të Ohrit, të Kosturit, mbase nesër edhe të Prespës).

Nuk kam parë që ta përmendin tabletën e Dispilios në kontekstin e zbulimit të rëndësishëm në Lin, por me siguri specialistët e fushës do ta kenë bërë menjëherë lidhjen (ekipi i arkeologëve që hulumtuan në Lin, ka punuar më parë në Dispilio).

Është thënë se mbishkrimi (i supozuar) në Dispilio është edhe më i hershëm se mbishkrimet shumere (të cilave u paraprin me 2000 vjet); por me kusht që të jetë mbishkrim. Ndonjë studiues ka gjetur ngjashmëri me simbolet e kulturës së Vinča-s ose ato që janë gjetur afër Tărtăria-s, në Rumani; dhe që njihen si „Shkrime të vjetra europiane“, të përqendruara në zonën e Danubit.

Të tjerë mendojnë se simbole të tilla janë thjesht ornamentale, ose para-shkrimore.

Zbuluesi i tabletës, Hourmouziadis-i, mendonte se ky sistem shkrimi përfaqësonte një provë të hershme për origjinën e alfabetit grek, duke provuar kështu hipotezën se grekët e lashtë nuk i morën shkronjat e tyre prej fenikasve.

Kjo mbetet për t’u provuar, bashkë me ngjashmëritë që disa kanë gjetur mes shenjave në tabletën e Dispilio-s dhe linearit A dhe B të Kretës.

Por ka rëndësi për dijen që ky qytetërim liqenor kaq i hershëm, i cili krijonte artifakte të tilla si tableta e Dispilio-s, tani është gjetur edhe në Lin – me kusht që të jetë i njëjti. Tableta në fjalë ka shumë pak shenja, që të lejojë ndonjë orvatje serioze leximi, ose edhe thjesht sistemimi.

Pata shkruar, para ca muajsh, se sikur vendbanimi i Lin-it të ish zbuluar në brigjet përballë të Liqenit që i „përkasin“ Maqedonisë së Veriut, askush në mediat shqip nuk do ta kish çarë kryet. Por unë besoj se këto zbulime – si ai i Linit, ashtu edhe ky i Dispilio-s në Kostur një vrap pele nga Prespa – ngrenë peshë për historinë e trojeve ku jetojmë sot; pavarësisht nga jurisdiksioni politik mbi sitet ku janë bërë zbulimet.

Tableta në Dispilio është po aq „greke“ sa ç’është vendbanimi i Lin-it „shqiptar“ – dhe le të kuptojmë se, kur bëhet fjalë për artifakte të mijëra vjetëve më parë, identifikimet etnike nuk kanë kuptim.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. Sigurisht qe eshte absurde te flasesh per vendbanime te tille parahistorike si “greke” apo “shqiptare”. Por mendesia kombetariste shkon edhe me tej kur e cileson edhe vete token, ne kuptimin konkret te fjales, si “shqiptare”. Keshtu, per te sjelle nje shembull, degjoj shpesh te thuhet se banoret e Dropullit apo te Mitrovices mund te jene respektivisht greke a serbe, por toka vete (dheu nen kembet e tyre) eshte shqiptare. Toka, theksoj serish, jo njerezit dhe kultura e ngritur mbi te.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin