Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet

OLIMPIA, NËNA E ALEKSANDRIT (II)

(Një udhëtim në veprën “OLIMPIADE REGINA DI MACEDONIA La madre di Alessandro Magno” e Lorenco Braçezit)

PJESA E DYTË

EDUKIMI I DJALIT

Prishja përfundimtare e marrëdhënieve mes dy bashkëshortëve ndodh në vitin 337 p.e.s, kur sovrani u martua me Kleopatrën/Euridika, mbesa e Attalos. Para kësaj, Olimpia ishte impresionuar nga horizonti i fitoreve të Filipit dhe nga ndërtimi i një shteti që shkonte nga Egjeu në Adriatik, por me një ekspansion të pakufi, ky zgjerim kishte për qëllim të gllabëronte botën greke dhe synonte që të kërcënonte edhe perandorinë persiane. Ai, megjithëse ishte poligam, ia njihte rolin « ekskluziv » të mbretëreshës, që kishte lindur pasardhësin e fronit, i cili, që herët, kishte shfaqur gjenialitetin shumëplanësh që i kishte mrekulluar të gjithë dhe kishin zgjuar të Filipi një krenari të pamasë, që theksonte kështu edhe respektin për nënën e tij, me të cilën Aleksandri, thotë autori, dukej i lidhur në një bashkim shpirtëror të një forme superiore e sekrete. (f. 41) Më tej, duke reflektuar mbi karakterin e origjinës aristokrate të tyre, autori thotë se të dy, Filipi dhe Olimpia, megjithëse kishin lindur nën hijen e një froni, i përkisnin dy rajoneve të periferisë veriore dhe gjysmëbarbare të botës helenike dhe të dy bashkëndanin dëshirën e zjarrtë për t’u deprovincializuar, pra, për të hequr hijen e provincialit dhe që e dinin se nuk ishte e lehtë dhe do të duheshin breza që të kapërcenin rendin e organizimit tribal, arsye kjo që i nxiti të dy bashkë që ta edukonin birin e tyre « alla greca », thotë autori. (f. 41) Ndërsa ata vetë, vijon autori, i paraqiteshin botës helenike jo si pushtues të vrazhdë, por si vëllezër pjesëtarë të së njëjtës kulturë edhe pse procesi nuk ishte i thjeshtë, sepse ata të dy ishin disa herë viktima të ekzaltimeve që vinin nga ndikimi barbar i paraardhësve të tyre. Olimpia kishte dëshirën për t’u shfrenuar në ritalet e menadave dhe festat dioniziake, Filipi teprimet e pakontrolluara dhe të vazhdueshme të dehjes, të cilat i manifestonte në mënyrë makabre disa herë, siç kishte bërë duke kërcyer mbi trupat e vrarë të athinasve në Kerona. Por këto ishin ekstreme që u korrigjuan shpejt dhe, për të dy, qëllimi themelor ishte përqafimi i greqizimit. Duke u mbështetur te dy historianë që i kemi cekur edhe më sipër – Marcudy dhe Carney, autori thotë se gjatë kohës kur Filipi ishte larg në ekspeditat ushtarake, nuk ka të dhëna që dikush tjetër të kishte frenat e drejtimit të mbretërisë. Ato ishin në dorë të Olimpias. Kjo shpjegon konfliktin e thellë mes saj dhe aristokracisë së luftës. Për këtë arsye, Filipi, kur po nisej në inkursionin e tij për në Azi, u divorcua me Olimpian dhe u martua me Kleopatrën/Euridikën, shumë e re në moshë dhe me prejardhje maqedonase. Kjo ishte një martesë që do të ndizte tani një konflikt të thellë edhe mes Aleksandrit dhe Filipit dhe, siç thotë autori, nuk do t’i sillte fat. Ai kishte nënvlerësuar etjen barbare për hakmarrje të bashkëshortes, e cila kishte humbur rolin e veçantë politik të « zonjës së parë » dhe rrezikonte të humbiste edhe rolin e prindit që i kishte dhënë fronit mbretëror trashëgimtarin e vetëm. Po si rrodhën ngjarjet? Le të kthehemi pak prapa dhe të rikujtojmë kohën kur të dy bashkëshortët bashkëndanin, në përgjithësi, të njëjtat ide. Të dy kishin vendosur që t’i jepnin djalit të tyre edukimin « alla greca » të nivelit më të lartë dhe t’i kuronin, po ashtu, edhe imazhin sipas kulturës greke. Për edukimin u zgjodh filozofi i madh Aristoteli, për imazhin skulptori po ashtu i dalluar, Lisipo. Ja si shkruan Plutarku, thotë autori:

« Filipi ktheu filozofin më të famshëm dhe më të kërkuar, duke i paguar atij një honorar të lartë, të denjë për të. Veç të tjerash, rindërtoi qytetin e Stagirës, atdheu i Aristotelit, që ai vetë e kishte shkatërruar, ktheu në këtë qytet qytetarët që e kishin braktisur atë ose që ishin kthyer në skllevër. Si vend ku do të zhvilloheshin leksionet, zgjodhi Ninfeon e Mikeas, ku akoma sot të tregojnë ulësen prej mermeri të Aristotelit dhe rrugët me hije ku ai shëtiste » Në të njëjtën kohë, për ta bërë të pavdekshëm atë, thërriti në oborr Lisipon, skulptorin më të famshëm të kohës. Është e kotë të themi, vijon autori, se sa këmbëngulës po tregoheshin ata për ta deprovincializuar Maqedoninë duke synuar që ta paraqitnin atë në botën helenike si grekë mbi grekët « greci » tra Greci, thotë autori. (f.43). Po sa e vërtetë është ideja se Olimpia ndikonte më shumë në përzgjedhjen e llojit të edukimit të të birit ? Autori, duke përmendur Plutarkun, thotë se kjo ide gjen mbështetje edhe në këtë rrethanë. « Për të kujdeseshin shumë edukatorë, tutorë, maestro, pedagogë: mbi të gjithë këta vigjilonte Leonidha, një njeri me karakter të rreptë dhe i afërm i Olimpias […] i quajtur nga të tjerë edukatori dhe tutori i Aleksandrit, si për dinjitetin e tij, si për afërinë familjare » (f.43). Kjo tregon se Olimpia kishte marë një përgjegjësi personale për edukimin e të birit. Prania e Leonidhës tregonte prejardhjen nga Epiri dhe të gjithë duhet të njihnin këtë rrethanë të dyfishtë, në oborrin e Maqedonisë i biri nuk duhej të rritej duke harruar zakonet e atdheut të nënës së tij. Prania e një edukatori epirot e qetësonte Olimpian. Autori thekson se dashurinë e tij për mjekësinë, që ai do ta manifestonte më vonë, e mori nga Aristoteli, por edhe nga e ëma, sepse Olimpia ishte një njohëse e thellë e botës vegjetale e pharmaki.”

VËLLAI NË OBORRIN MAQEDONAS

Një anë tjetër që tregon drejtpeshimin politik mes Olimpias dhe Filipit ishte mirëkuptimi i këtij të fundit për t’iu dorëzuar presionit të së shoqes. Ai mori në oborrin e tij vëllain e vogël të saj, Aleksandër Mollosin, i cili banonte në oborrin epirot ku mbret ishte xhaxhai i saj, Ariba, dhe ishte përjashtuar nga trashëgimia e fronit, sepse Ariba kishte projektuar si pasardhës të birin e tij, Eacidin. Siç e kemi përmendur edhe më lart, Aleksandri bashkë me Olimpian kishin jetuar si jetimë në oborrin mbretëror të Epirit e ndoshta ishin ndier edhe të poshtëruar sepse ndiheshin të huaj në shtëpinë e tyre. Tani, mendonte Olimpia, erdhi koha që vëllai i saj të merrte fronin që i takonte. Jemi në vitin 351 dhe Olimpia është rreth 24 vjeçe, i vëllai, Mollosi 12 ose 13 vjeç, Aleksandri, i biri 5 ose 6 vjeç. Mark Giustino, historiani romak që kemi përmendur më lart, nuk ka dyshim -vijon autori – se iniciativa për të marrë në oborrin e Filipit, Mollosin, vëllain 13-vjeçar, ishte e Olimpias:

« Erdhi në Maqedoni, në emër të së motrës, Aleksandri [Mollosi], nipi i Aribës, vëllai i bashkëshortes, Olimpias, djalosh me bukuri të frikshme (timorata belleza) dhe duke e joshur me shumë kujdes, duke i ofruar shpresën e mbretërimit, me një pasion të shtirur, e bindi të përfshihej në një zakon të praktikave dashurore në mënyrë që të ngjallte te ai një nështrim më të madh, si nga turpi, ashtu edhe nga kënaqësia për mbretërinë e shpresuar. » (f.45)

Kjo dëshmi e vetme që kemi për praninë e Mollosit në Maqedoni, thotë autori, kërkon një shpjegim për të kuptuar më mirë kapërcimin e kodit moral në atë epokë. Në penën e Giustinos gjemë tekstin e Pompeo Trogos që e shpjegon këtë dukuri të paimagjinueshme sot, madje që lidhet me pedofilinë. Mollosi ishte në moshën e lulëzimit si adoleshent dhe qoftë për një lloj tërheqjeje individuale, qoftë për arsye vetjake, të dyja këto e shtynë Filipin drejt pasionit dashuror -la stupri consuetudo – . Sot, vijon autori, ai do të dukej një monstër, por i tillë nuk dukej në opinionin e shoqërisë greke, në të cilën homoseksualiteti mashkullor ishte një praktikë ashtu si ato praktikat edukative, e kryer nga një adult ose edhe mes bashkëmoshatarëve si formë e bashkimit në një komunitet:

« Nëse dikush, me kusht që të jetë një njeri i mirë, i dashuruar me shpirtin e një djaloshi, përpiqet ta bëjë atë mik pa shkaktuar pakënaqësinë e tij dhe të bashkohet me të, ligjvënësi e lavdëron sjelljen e tyre dhe e quan këtë forma më e bukur e edukimit ». Kështu shprehej Senofonte në Kushtetutën e Spartanëve, thotë autori duke cituar R. Vattuone (Il mostro e il sapiente. Studi sull’erotica greca, Bologna, Patron 2004, f.61 dhe 102), që i referohej kodit të Likurgut dhe viteve të djaloshit të adhuruar, që duhet të ishte as fëmijë po as i rritur, siç ishte në atë kohë vëllaçkoja i Olimpias, përfundon citimin e Vatuones autori. (f. 45) Më pas, aty tregohen më tej edhe disa anë të kësaj marrëdhënieje të pakuptueshme për ne sot, por që ishte normë në atë kohë dhe në përfundim thotë se rruga ishte shtruar dhe Mollosi u rikthye në Epir si trashëgues i fronit të të atit. Në vitin 342-’43, Ariba, xhaxhai, largohet nga Filipi prej fronit dhe në vend të tij vendoset Aleksandër Mollosi rreth 20 e pak më shumë vjeç. Për këtë kalim pushteti, thotë autori, na tregon Diodori, që në fakt gënjen kur thotë që i larguari Ariba mund të kishte vdekur, ndërkohë që, në burime të tjera, thuhet se ai shfaqet në Athinë i pritur me nderime dhe si viktimë e imperializmit maqedonas. (f. 46)

NDARJA ME FILIPIN

Në këtë kapitull rrëfimi bëhet intensiv. Filipi ishte figura që zotëronte gjithë skenën politike të kohës. Kishte nënshtruar Athinën dhe me Epirin e Ilirinë kishte arritur marrëveshje për t’i patur nën kontroll; Epirin përmes Olimpias, siç e kemi parë, dhe Ilirinë, siç do ta shohim, përmes martesës me vajzën e mbretit Bardhyl. Kishte nisur inkursionet në Lindje dhe fitoret e tij e kishin bërë atë një nga pushtuesit më të mëdhenj të kohës. Por në vitin 337, të drejtat e trashëgimisë së fronit për Aleksandrin ishin vënë në pikëpyetje. Në kontekstin historik, pas disfatës së Cheronit ishte krijuar lidhja e Korintit që i detyronte të mundurit të bënin pjesë në « paqen e përgjithshme » të dëshiruar nga Filipi, i cili, siç thotë autori, kishte veshur edhe njëherë mantelin e udhëheqësit panhelenik dhe, siç thotë Isokrati, kishte shpallur ekspeditën ushtarake kundër mbretit të Persisë, e justifikuar nga propoganda si luftë hakmarrëse e « grecita »-së (greqizmit) kundër barbarëve, të cilët, një shekull më parë, kishin shkatërruar Athinën dhe jo pak komunitete helenike. Por edhe një dëshirë për të afirmuar tani një fuqi të re. Duke shkatërruar Persinë, Filipi donte t’i tregonte botës se tani kishte lindur një fuqi e re. Siç e kemi parë deri tani, Filipi, për të pasur prapavijën e sigurtë dhe për të qëndruar me vëmendjen drejt Lindjes, kishte përdorur martesat për të bërë aleanca me ata që mund t’i kundërviheshin. Edhe në këtë rast, përballë aristokracisë ushtarake maqedonase, e cila nuk e shihte me sy të mirë përfshirjen e Olimpias në punët e mbretërisë, pra për t’i pasur shpatullat e mbrojtura, Filipi shpall martesën me adoleshenten Kleopatra /Euridika që ishte e gjakut maqedonas dhe mbesa e gjeneralit Attalo. Me këtë martesë, pozita e Olimpias dhe Aleksandrit ndërlikohej mjaft. Ajo, thotë autori, e ndjeu se do të zëvendësohej nga roli i së vetmes nënë e trashëgimtarit të fronit. Kjo gjë nxiti te ajo zemërimin e madh që shumë shpejt u bë i papërmbajtshëm dhe solli një krizë martesore pa kthim. Filipi nisi ta injorojë e ta mohojë dhe u distancua prerë prej saj duke fituar, kështu, mirënjohje të lartë në oborrin maqedonas ku ajo, për shkak të karakterit të saj të fortë, shihej me sy të keq. Mirëpo, për fat të Aleksandrit, gruaja e re e Filipit lindi vajzë dhe sipas traditës së atëhershme, ai, Aleksandri, biri i Olimpias, nuk ndihej i rrezikuar për trashëgimin e fronit pas të atit, të paktën për momentin. Por çfarë ndodhi pas kësaj ngjarjeje ? Është më mirë t’ia lëmë fjalën Plutarkut, thotë autori, i cili shkruan:

« Shija e keqe në shtëpinë e Filipit […] e kishte origjinën në akuzat e shumta dhe në mosmarrëveshjet e mëdha mes atit dhe birit, së fundi të shtuara nga karakteri i ashpër i Olimpias, që ishte një grua xheloze, kolerike dhe, për më tepër, nxitëse e Aleksandrit. Përplasjen më spektakolare e shkaktoi Attalo gjatë dasmës së mbretit me Kleopatrën, një vajzuke që Filipi, i dashuruar marrëzisht, e mori për grua, pavarësisht diferencës së madhe në moshë. Attalo ishte ungji i Kleopatrës dhe, gjatë banketit martesor, u deh keq dhe në një moment u kërkoi maqedonasve që t’u luteshin Perëndive me qëllim që nga dasma e Filipit me Kleopatrën të lindte një trashëgimtar i ligjshëm për mbretërinë. Në këtë moment, Aleksandri u ngrit si i tërbuar dhe e gjuajti me një kupë duke i ulëritur: « O i mjerë ! Të duket se unë jam bastard? » Filipi nxori shpatën dhe u lëshua kundër të birit. Për fat të të dyve, pak prej tërbimit dhe pak prej verës që kishte pirë, rrëshqiti e u rrëzua. Aleksandri atëherë ndërhyri me ofendime të hidhura: « Pra, o miq, ky qenka ai që thoshte se do të marshonte nga Europa në Azi duke kaluar nga një shtrat në tjetrin dhe tani bie me këmbë përpjetë ». Pasi shfryu edhe më keq, mori me vete Olimpian dhe e dërgoi në Epir, vetë u stabilizua në Iliri » (f. 48)

Ky është një moment kulminant i kësaj historie që sjell në vështrim edhe përfshirjen e dy mbretërive që lidhen me ne, shqiptarët, Epirin dhe Ilirinë. Ka pasur dhe ka ende aludime se Aleksandri u vendos në Shkodër. Prof. Lucia Nadin, që më dha këtë libër, ishte kolege e profesorit të ndier, autorit të kësaj vepre, Lorenco Braçesit dhe, siç e dimë të gjithë, ajo ka studiuar në mënyrë të thellë Shkodrën para se të binte në duart e otomanëve, përmes arkivave të Venedikut. Ajo më tha se e kishte pyetur profesor Braçesin nëse ka të dhëna dokumentare që Aleksandri të ketë qëndruar në Shkodër pas ikjes së dhunshme nga Filipi dhe ai i ishte përgjigjur që për këtë nuk ka asnjë dokument. Dihet vetëm që ai iku në Iliri.

Këtë që ndodhi në dasmën e Filipit, e pohojnë edhe historianë të tjerë, thotë autori, si Ateneo që mbështetet te vepra e Satiros Vita di Filipo, ashtu dhe Plutarku. Olimpia tani shihej me sy të keq nga aristokracia ushtarake maqedonase, e cila e kishte duartrokitur martesën e re të Filipit. Ndërsa ajo shihej gjithnjë e më shumë jo vetëm si xheloze dhe e ashpër, por edhe si nxitëse e përplasjes mes atit e birit. Por ofendimi i Attalos ishte shumë i rëndë, sepse mungonte një kod apo një protokoll që të rregullonte trashëgiminë e fronit. Nëse Aleksandri ishte frut i një martesë me një të huaj, ajo, Olimpia, mund të shihej kështu si një konkubinë. Giustino, historian që e kemi përmendur më sipër, shton se, sipas legjendës, Olimpia ishte përzënë nga oborri sepse dyshohej për tradhti bashkëshortore dhe për këtë sillnin si argument që ajo edhe të birin, Aleksandrin, e kishte ngjizur me gjarprin- Perëndi. Është e çuditshme se si përzihen nivelet e narrativës për këtë figurë të jashtëzakonshme.

Sapo u vendosën në Epir dhe në Iliri, thotë autori duke cituar Giustinon, Olimpia nxit për luftë të vëllain, Aleksandër Mollosin, ndërsa Aleksandri « si era recata presso non meglio noti « re dell’Illiria, ad reges Illyriorum » (f. 50),pra në një vendndodhje të papërcaktuar në Iliri. Ky është i vetmi shënim për ikjen e Aleksandrit në Iliri. Qëllimi i të dyve? pyet autori. Me shumë gjasa, përmbysja e Filipit. Ky i fundit e ndjeu rrezikun që mund t’i vinte dhe, si fillim, largoi miqtë e Aleksandrit, të birit, nga Maqedonia. Pastaj, për ta zbutur Aleksandër Mollosin, vëllain e Olimpias, i propozoi atij që t’i jepte për grua Kleopatrën, vajzën që kishte me Olimpian. Për të neutralizuar rrezikun që mund t’i vinte nga Olimpia dhe Mollosi, Filipi thirri në oborrin e tij Aleksandrin. Më në fund, nënë e bir u gjendën përsëri në oborrin mbretëror, thuajse të çarmatosur; Olimpia për shkak se pas martesës së Mollosit me Kleopatrën, mes Epirit dhe Maqedonisë u vendos paqja. Mollosi tani kishte në oborrin maqedonas jo vetëm motrën, por edhe vjehrrën. Aleksandri duhej të merrte rolin dhe statusin e tij. Ndërsa të dy bashkë, Olimpia dhe Aleksandri duhet të bënin vetëm një gjë: ta shfronësonin Filipin. Kështu, Olimpia dhe Aleksandri u ribashkuan në korrik të vitit 336, thotë autori. Aleksandri, për gjithçka kishte ndodhur, shihej me dyshim nga Filipi. Olimpia erdhi e shoqëruar nga një karvan epirotas dhe e ftuar nga Mollosi, jo nga Filipi, pra një e toleruar, por pa asnjë rol zyrtar, por në hije, thotë autori. Shpirti i saj përshkohej nga dy gjendje të kundërta: nga ajo e nënës që dridhet nga emocioni për martesën e së vetmes vajzë dhe nga ajo e bashkëshortes së ofenduar dhe të mbushur me hakmarrje.

NJË MARTESË DHE VRASJA E MBRETIT

Po vjen një nga momentet më të rrëfyera në libra historie apo edhe në forma të tjera, dhe, po ashtu, më të komentuara. Eshtë fjala për vrasjen e Filipit. Si ndodhi ajo? Kush e urdhëroi vrasjen e tij? Ishte komplot? Ja si e tregon autori i librit tonë këtë ngjarje.

Siç e thamë më lart, Filipi, përmes Mollosit, fton Olimpian në dasmën ku do të martohej ai vetë me Kleopatrën, vajzën e vetme të Olimpias dhe motrën e Aleksandrit. Autori citon një historian tjetër Parke-Wormell (f.51) i cili e përshkruan kështu tragjedinë që do të vinte më pas, sepse në këtë dasmë vritet Filipi. Në fillim ai përmend një profeci delfike:

Al toro incoronato di corona
s’approssima la fine ;
s’appressa gia l’addeto al sacrificio,

që mund ta përkthejmë pak a shumë kështu: Demit të kurorëzuar, po i afrohet fundi, atij sakrifica po i vjen. Filipi kërkonte që kjo profeci të lidhej me inkursionin e tij në Persi dhe me ndeshjen përballë Mbretit të madh. Mirëpo, thotë autori, duke cituar Pausanian, (duhet të dallojmë Pausania il Pereigeta, historian dhe gjeograf grek shek. II era e re dhe Pausania di Oreste që ishte truprojë e Filipit dhe ai që e vrau atë), kjo profeci, në fakt, i drejtohej atij. Jemi në vitin 336 p.e.r. dhe vrasja e papritur e Filipit ndodh gjatë martesës së vajzës së tij dhe të Olimpias, Kleopatrës, me Aleksandër Mollosin, mbretin sovran të Epirit. Autori e ka dhënë në mënyrë të gjallë këtë moment dhe përshkrimi që ai i bën, të kujton Hamletin e Shekspirit. Pavarësisht se Filipi ishte rrethuar e ngjeshur – ashtu si demi i profecisë – nga një numër i madh kurorash, të dhuruara me këtë rast nga qytetet greke, vijon autori, ai nuk ushqente asnjë dyshim për profecinë që ishte parathënë. Me këtë rast, një aktor i famshëm i kohës, Neotolemoja reciton vargje që i bëjnë jehonë marshimit të tij përtej Egjeut. Por, thotë autori, le t’ia lëmë fjalën Diodorit e të shohim se si e përshkruan ai momentin e vrasjes:

« Teatri tashmë ishte plot dhe Filipi vetë nis të ecë i veshur me një mantel të bardhë. U kishte thënë truprojave që të rrinin pak larg sepse donte t’u tregonte të pranishmëve se ai mbrohej nga mirësia e të gjithë grekëve dhe nuk kishte nevojë për mbrojtje tjetër. Mirëpo, pikërisht kur kishte mbërritur te lavdërimet pafund që i bëheshin nga të katër anët dhe të gjithë thërrisnin emrin e tij dhe ai ndihej i lumtur, mbreti, në mënyrë të papritur, u zu në befasi nga një komplot i urdhëruar kundër tij, pra nga komploti i vdekjes. » (f.53)

Nëse ka qenë « komplot » –epiboulē–, thotë autori, gjesti i Pauzanias, sepse kështu quhej truproja që e goditi me thikë, nuk mund të ishte një veprim i izoluar. Disa burime të tjera thonë që Pauzania e vrau Filipin se ai nuk kishte marrë masa ndaj Attalos, xhaxhait të Kleopatrës/Euridika, i cili e kishte përdhunuar. Por, vijon autori, nuk mund të vritet një mbret për pakënaqësi personale ndaj një personi të tretë. Ndërkaq, historianë të tjerë përmendin se Pauzania ishte bir i aristokracisë maqedonase dhe disa e lidhin këtë vrasje me një takim me sofistin e njohur Ermokrate, të cilit Pauzania i kishte kërkuar se si mund të bëhej i famshëm dhe i pavdekshëm dhe ai i ishte përgjigjur se nëse ai do të kishte vrarë një njeri të madh. Kështu, ai do të përkujtohej bashkë me të. Pra, një zinxhir lidhjesh që mund të çojnë edhe te ky filozof, që i manipulon vetëdijen, ashtu sikundër është edhe një dramë në të cilën nuk mund të jenë dorëjashtë as i biri, Aleksandri, as i vëllai i Olimpias, Mollosi. Skena tetrale e krimit, vijon autori, nxjerr në pah Filipin që dallohet nga të tjerët me mantelin e bardhë dhe në krah të tij, i biri, Aleksandri dhe dhëndri, Aleksandër Mollosi, siç nënvizon Giustino. Olimpia, për çudinë më të madhe dhe për tekat e fatit, bëhet vjehrra e vëllait, po ashtu vjehrra me një djalë që do të ishte kunati i dajës (Mollosi ishte vëllai i Olimpias). Autori thotë se tradita e historiografisë antike ia ngarkon asaj përgjegjësinë e vrasjes së dhunshme të Filipit. Ishte vërtet ajo arkitektja e atij projekti dhe urdhëruesja reale?- pyet autori. Le të shohim më nga afër, vijon ai, dhe të hedhim dritë mbi këtë problem, por më parë na duhet të themi, shton ai, se vdekja e Filipit ishte vetëm fillimi i një tragjedie më të gjerë që do të përmbytet në një banjë gjaku dhe në një seri vdekjesh, për të cilat përgjegjësja direkte do të jetë Olimpia. (f. 54).  Pas vdekjes së të atit, Aleksandri shpallet menjëherë mbret nga Asambleja Ushtarake e Aristokracisë maqedonase. Autori thekson se vetëm kjo nuk mjaftonte që Aleksandri të ndihej i plotë dhe i pashqetësuar në fronin e mbretit të Maqedonisë, sepse ishte maqedonas vetëm nga ana e të atit dhe ishte e ligjshme të pritej se çfarë do të lindte nusja e re e të atit, e cila, në momentin kur u vra Filipi, ishte shtatzënë. Kjo ishte arsyeja që duhej vepruar me shpejtësi. Aleksandri, siç shkruan Diodoro, hoqi qafe Attalon, ndërsa Olimpia, siç shkruan Giustino, u ngarkua të vriste Kleopatrën bashkë me të sapolindurën Europa. Ajo, shkruan Giustino, e shtrëngoi Kleopatrën të varej bashkë me të sapolindurën në krah. Me këtë vrasje plotësohej hakmarrja ndaj Filipit, me të cilën ajo ishte mbushur përbrenda. (f. 55) Ishte kthyer kështu shpirti i shfrenuar i bakantes me një ndjeshmëri të dyfishtë – hakmarrje kundër bashkëshortes maqedonase  dhe dashuri e ethshme e prindit për një bir që duhet të ishte mbret i lirë nga çdo ngasje e jashtme.

URDHËRUESI I MBRETVRASJES

Po, veç varjes së Kleopatrës dhe mbytjes së Europës së vogël, për disa një paidíon (fëmijëvrasëse) e padëgjuar më parë, Olimpia mbante në ndërgjegje edhe organizimin apo urdhrin për të vrarë të shoqin?- pyet autori. Të ishte vërtet larje llogarish personale, apo një komplot? Vetë Aleksandri, të paktën zyrtarisht, siç thotë Plutarku, nisi të kërkojë bashkëpunëtorët që t’i dënonte. Kush e armatosi dorën e Pauzanias? Mbreti i Madh i Persisë për të bllokuar ofensivën tokësore për në Azi? Athina demokratike për t’u hakmarrë nga humbja e Keronës dhe përfshirja e detyruar në Lidhjen e Korintit? Olimpia që dontë të hakmerrej jo vetëm për arsye personale, por edhe për të garantuar fronin për të birin? Vazhdimësi që nuk mund të llogaritet mirë pas përplasjes së të atit me të birin dhe mospërfshirjen e këtij të fundi në fushatën ushtarake përtej Egjeut, siç shkruan Ernst Badian, thotë autori. (f.56). Ai i shqyrton të gjithë këto hipoteza dhe shkruan se mbreti i Persisë, qoftë për krenari, qoftë edhe për fuqinë që kishte, nuk do të përfshihej në një komplot të tillë që e rrëzonte imazhin e një prej fuqive më të mëdha të kohës. Nuk do të ishte më mirë që të dënohej arroganca e Filipit në fushën e betejës? Plutarku, thotë autori, e përfill përfshirjen e mbretit të Persisë në këtë komplot. Ndërsa autori ynë thotë se do të ishte e vështirë të vendosej një lidhje mes filozofit Ermoktate dhe mbretit të Persisë. Ermoktate ishte ai që e nxiti Pauzanian në vrasje kur ai e pyeti se si mund të bëhesh i pavdekshëm. Por, thotë autori, është e dyshimtë, po ashtu, edhe një lajm që e përfshin Mbretin e Madh të Persisë në vrasjen e Filipit. Bëhet fjalë për një letër drejtuar Aleksandrit, që i jep të drejtë këtij të fundit që të pushtojë e shkatërrojë Persinë. Për këtë, thotë autori, shkruajnë Arriano dhe Curzio Ruffo. I pari përmend nxitësit e betuar nga Persia, i dyti përmend paratë që kishin armatosur dorën e Pauzanias. Sipas epistolarit të Aleksandrit, gjurmët e çuan atë te vëllezërit Eromene e Arrabeo të principatës së Lincestides, që, sipas fjalorit enciklopedik italian, ishte një provincë veriore në kufi me Ilirinë. Akuzë kjo, thotë autori, mjaft komode, si për t’ia hedhur si ushqim opinionit, si edhe për t’u liruar nga eksponentët e rrezikshëm të një elite ushtarake që mund të kërkonin pushtetin pas një vrasjeje të tillë. Vijmë te hipoteza e dytë, thotë autori, që urdhëruesit mund të kenë qenë nga Athina. Hipotezë, thotë ai, që e shtjellon historiani Faraguna. Hipoteza në këtë rast lidhet me emrin e Demozdenit dhe oratorëve të tjerë demokratë, të cilët mund të kishin zjgjedhur vrasjen e tiranit si instrument të luftës së tyre politike. Kjo hipotezë, të paktën në dukje, vijon autori, është më e pranueshme sepse lidhet me klimën politike, e cila u bë e zjarrtë sapo u mor vesh vrasja e Filipit. Shkruan Plutarku, thotë autori: « Sapo mbërrit lajmi i vrasjes së Filipit, Këshilli i Qytetarëve ofruan flijime dhe falenderime për Perënditë dhe e nderuan me një kurorë Pauzanian, « vrasësin ». Demozdeni doli në publik me një veshje plot ngjyra ekstravagante dhe të zbukuruar me lule dhe duke thënë, madje, se pasardhësi i Filipit ishte një i varfër dhe gjysmak nga mendja. (F. 57-58). Autori e shtjellon me hollësi këtë hipotezë dhe vëren disa kundërshti. Athina- e mundur nga Filipi dhe e pafuqishme për të reaguar ndaj tij. Pauzania që nuk ishte athinas, por qytetar maqedonas dhe jo vrasës profesionist, por truprojë nga familje aristokratike. Ndaj, entuziazmi për Pauzianian, pra për  një vrasës që  vret një tiran, nuk mund të lidhej aq shumë me Athinën sepse, thotë autori, po të mbajmë në vështrim prejardhjen, më shumë mund të ndikohej nga Persia, sesa nga Athina.

Por le të vijmë te hipoteza e tretë që urdhëruesja mund të ketë qenë Olimpia. Për këtë autori ia lë fjalën Giustinos, i cili shkruan:

« Edhe Olimpia e nxiti për luftë të vëllain, Aleksandrin, mbretin e Epirit dhe do ta kishte shtyrë më tej nëse Filipi nuk do t’i kishte propozuar për nuse vajzën e tij e të Olimpias, Kleopatrën dhe e bëri kështu dhëndrin e tij. Besohet se të dy e nxitën Pauzanian, që ishte i lënduar nga mosdënimi i përdhunuesit të tij, që të kryente aktin e rëndë. Ajo që është e sigurtë, është se Olimpia mbante gati kuajt për largimin e vrasësit. Ajo, pasi mori vesh vrasjen e mbretit, u kthye me pretekstin që të nderonte të vdekurin dhe, në të njëjtën kohë që mbërrin aty, i vendos një kurorë edhe Pausanias të varur në kryq, gjë që askush veç saj nuk mund ta bënte duke qenë se ishte gjallë ende djali i Filipit[…] E gjithë kjo tregonte hapur dhe nuk të bënte të dyshoje se krimi kishte ardhur prej saj » (f.60)

Pra, trekëndëshi mbyllet kështu, sipas autorit. Pauzania ishte i mbushur me vrerin e hakmarrjes sepse Filipi nuk kishte ndëshkuar Attalon, xhaxhain e Kleopatrës, gruas së fundit të Filipit, Aleksandri, djali i Olimpias, ziente nga urrejtja për shkak se nuk kishte të siguruar fronin. Ndaj, thotë autori, të dy Aleksandrat, që ishin në krah Filipit kur ai gjeti vdekjen, mezi prisnin ta shihnin të plandosur në tokë. Sipas Diodorit, ata as nuk tentuan ta mbronin mbretin dhe as të ndiqnin vrasësin. Ishte Leonato dhe Perdika që e bënë këtë. Olimpia ka një alibi. Ajo nuk ishte aty kur ndodhi tragjedia, por erdhi menjëherë për të marrë pjesë në nderimet për të vrarin. Dikush ka hamendësuar se ajo ishte larg dhe, nëse atentati do të kishte dështuar, ajo të kishte mundësi të arratisej. Kur u kthye, ajo, përkundër të gjithëve, shkoi në vendin ku ishte shtrirë vrasësi dhe i vendosi një kurorë me lule në ballë. Këtu është e nevojshme të bëjmë një sqarim. Këtë nderim vetëm ajo mund të guxonte ta bënte, sepse ishte nënë e Aleksandrit, thotë autori. Teatraliteti i këtij gjesti e shenjonte atë si urdhëruesen e këtij akti. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me veprimet që do të pasonin

MYRTALE, NJË EMËR I RILINDUR

 Sipas Giustinos, vijon autori, « disa ditë më pas ajo, pranë trupit të të shoqit, Filipit, dogji edhe trupin e vrasësit dhe i varrosi të dy në të njëjtin varr dhe përhapi në popull një supersticion, urdhëroi, po ashtu, që çdo vit të bëhej një sakrificë funebre[…] Në fund, nën emrin Myrtale, i blatoi Apollonit shpatën me të cilën ishte goditur Filipi » (f. 62). Kështu, thotë autori, mbreti i vrarë dhe vrasësi i mbretit bëjnë të njëjtën udhë për në Ferr, duke lënë në botën e të gjallëve hirin e tyre. Nga ajo që mbeti prej trupit të tyre pas krematoriumit, një pjesë u mor dhe u vendos në varrin kushtuar Filipit, zbuluar më vonë në Verghina- Egjeu antik. Ky model i trajtimit të vrasjes së tiranit dhe të vrasësit të tij, thotë autori, imitonte ritin e Athinës. Olimpia dontë t’i ndërtonte një objekt kulti Pauzanias, ashtu siç kishin bërë në Athinë për vrasësit e djalit të Pisistratos. Me ardhjen e demokracisë në Athinë, gjesti i tyre, sipas ndjeshmërisë së përgjithshme, vështrohej si një ndëshkim për çdo lloj despotizmi. Autori thotë se Olimpia, ndoshta edhe për shkak të ndikimit të Aristotelit që kishte qëndruar në oborrin e tyre duke edukuar Aleksandrin, kishte marrë frymëzimin kulturor të demokracisë athinase. Po përse vendosi emrin e saj, Myrtale, në përkushtimin ndaj Apolonit kur i dhuroi atij shpatën që kishte vrarë Filipin? E para, sepse  ky emër lidhet me « mirton », bimën me efekt të dyfishtë : nga njëra anë simbol i gëzimit dhe vitalitetit dhe i rilindjes së botës vegjetale, por e lidhur me tokën përmes rrënjëve ajo shkon thellë drejt mbretërisë së Hadit, mbretërisë së të vdekurve. Një emër, përfundon autori, që mund të bëjë aluzion për mbivendosjen e dyfishtë të të vdekurve, të despotit dhe të vrasësit të tij. (f. 63). Autori shtyhet më tej dhe, duke u mbështetur në historianë të ndryshëm të antikitetit, e nxjerr më në reliev portretin e jashtëzakonshëm të Olimpias. E lidhur me kultet e gjallërimit të natyrës, me festat e shfrenuara dioniziake, ajo ishte bërë pjesë edhe e praktikave fetare mistike. Protagonistë të këtyre riteve ishin femra të zotëruara nga tërbime dhe frenezi të papërmbajtshme. Plutarku, siç e kemi përmendur, thotë autori, shkruan se Olimpia i praktikonte këto rite në mënyrën më të egër. Kështu, vijon ai, ky emër, Myrtale, u zgjua në momentin e hakmarrjes së thellë dhe me atë shpirt vrau Kleopatrën, që i kishte zënë vendin në oborr, mbyti Europën e vogël që mos të rrezikonte fronin e djalit dhe, me shumë mundësi, armatosi edhe dorën e Pauzanias për të vrarë Filipin. Duket një Ledy Makbeth dhe si e tillë paraqitet nga autorët antikë. Por, pavarësisht autorëve antikë, sipas pikëvështrimit të saj, ajo donte ta blindonte trashëgiminë e birit të saj në fronin e Maqedonisë. I biri, nën hijen e saj, mes heshtjes dhe mosreagimit, e miratoi gjithë veprën e së ëmës. Nuk duhet të harrojmë, thotë autori, se këto veprime që ne i përmendim në mënyrë teatrale e patetike, ishin një normë ligjore gati e pranuar e vrasësve politikë, e praktikuar në mënyrë të gjerë në të gjitha ngjarjet që lidhen me trashëgiminë e fronit, ku mbretvrasja ishte e përhapur. Është interesant një detaj në lidhje me kushtimin që ajo i bëri Apollonit kur i blatoi atij shpatën e Pauzanias që kishte vrarë Filipin. Një këngë popullore në Athinë, që nderon mbretvrasësit, ka një varg në të cilin përmendet emri « mirto »- nel ramo sia avvolto di mirto (në degëzën e kurorëzuar me një mirtë) (f. 64). Ky emër i Myrtales për glorifikimin pas vdekjes krijoi një traditë edhe në Athinë, traditë që të çon te emri i Olimpias.

MASKA E MEDEAS

Pas verës së përgjakshme të vitit 336, Aleksandri, thotë autori, shfaqte  një sjellje dyfytyrëshe. Nga njëra anë respektonte kujtimin e të atit, e, nga ana tjetër, mbulonte të ëmën nga çdo dyshim. Plutarku shkruan:

“Kur Pauzania vrau Filipin, faji më i madh iu ngjit Olimpias […], por një lloj akuze iu bë edhe Aleksandrit. Në fakt, thuhet se, kur Pauzania e takoi atë pasi ishte përdhunuar dhe vuante nga turpi, ai i citoi një varg të famshëm nga Medea : « … ai që ka dhënë vajzën e tij për martesë dhe dhëndrin dhe nusen ». Megjithatë, Aleksandri i ndoqi dhe i dënoi fajtorët e këtij komploti dhe u irritua ashpër me të ëmën, e cila, në mungesë të tij, e kishte trajtuar keq Kleopatrën » (f. 65)

Autori më tej sqaron me hollësi paralelen e Olimpias me Medean, pastaj thotë se Aleksandri pas 15 vjetësh do të vizitojë oazin e Siwah ku orakulli i Zeus Ammon-it do ta njoftojë për origjinën e tij hyjnore. Autori na zbulon se mes Aleksandrit dhe së ëmës ka pasur një letërkëmbim të dendur dhe në një letër të tillë ai i zbulon atë që i kishte ndodhur me orakullin.

Pjesa e katërt e librit merret me inkursionet e mëdha të Aleksandrit në Azi dhe Mollosit në Itali. Autori thotë se në qendër të këtij projekti, pra për të krijuar perandorinë universale pa kufij, në Lindje e në Perëndim, është Olimpia. Është një kapitull i tërë që autori ia kushton komunikimit epistolar mes Aleksandrit dhe së ëmës. Ka një moment aty, në këto letra, ku autori thotë se vetëm e ëma e kupton të birin kur ai, me pushtimet e tij spektakolare, donte të ndërtonte Perandorinë universale pa kufij. Janë me interes të vështrohen edhe marrëdhënia e Olimpias me Demozdenin dhe Dodonën, tempullin e famshëm epirot që është disa herë i pranishëm në aktet e Olimpias. Me të, thuhet në libër, ajo kishte vendosur një raport gati telepatik. (f. 101) Janë faqe të tëra që mbeten për t’u zbuluar nga lexuesi kur libri të jetë edhe në shqip.  P.sh., si u vra Olimpia? Si i mbijetoi ajo tërbimit të kundërshtarëve të të birit kur ai vdiq? Këto faqe ku autori tregon se si Olimpia arriti të luftonte me çdo mjet për të siguruar vijimësinë e fronit pas vdekjes së Aleksandrit, janë me të vërtetë të jashtëzakonshme. Këto dhe shumë mistere të tjera për jetën e Olimpias, po i lë që lexuesi t’i zbulojë vetë kur të ketë në dorë këtë libër, që shumë shpejt do të jetë edhe në shqip. Për ta përfunduar kam zgjedhur paragrafin e parë të Epilogut të kësaj vepre. Aty Braçezi shkruan: “Olimpia është personaliteti i femrës dhe i mbretëreshës absolutisht jashtë skemave, por një personalitet që, në të mirë e në të keq, shkëlqen me pavarësinë e saj duke treguar aftësi politike, karakter të kalitur të kundërshtarit dhe gjallëri e forcë burrërore. Një tërësi aftësish karakteriale që historiografia tradicionale- si gjithnjë me orientim maskilist- nuk mund t’ia falte. Armiqësia ndaj saj e autorëve antikë shpjegohet me dy arsye: denigrimi për arsye politike dhe urrejtja për shkak të gjinisë… Ajo ishte grua, por, edhe si e tillë, kishte ushtruar një pushtet real si në Maqedoni, ashtu edhe në Epir, duke mos pranuar të vihej mënjanë ” (f.143)

(fund)

(c) 2026 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading