GJIMNAZISTËT MES PELLAZGËVE

Pellazgët, pellazgët… Cili prej nesh nuk ka ëndërruar, në fëmini, për të kaluar pak orë në shoqërinë e tyre fisnike, ulur në hije të gurëve qiklopikë, duke shijuar me ta kofshën e pjekur të thiut thesprot, me ndonjë kupë verë mjalti a nektar?

Guri i provës për patriotin safi, në lëmë të origjinave, është qëndrimi ndaj pellazgëve.

Tradicionalisht, këta thuhet se kanë qenë një popull i lashtësisë paragreke në Ballkan – ose së paku kështu janë mbajtur prej grekëve të vjetër.

Sot e kësaj dite, për këtë popull gjysmë-mitik dihet shumë pak; madje dijetarët as janë të një mendjeje nëse pellazgët, thjesht në kuptimin e popullsisë që u parapriu grekëve në trojet e tyre, kanë qenë apo jo indoeuropianë.

Disa dijetarë gjejnë e shohin si pellazgjike toponiminë e vjetër jogreke të Greqisë dhe të ishujve të Egjeut; të tjerë i krahasojnë pellazgët me etruskët.

Interesimi i madh i Rilindësve tanë për pellazgët kish të bënte jo vetëm me nevojën për t’u dhënë edhe shqiptarëve lashtësinë e merituar, por edhe me faktin që pellazgët kishin luajtur rol në themelimin kulturor të Greqisë së lashtë.

Ndër fillesat e kulturës së Rilindjes, lidhjet shqiptare-pellazgjike i kanë interesuar në mënyrë të veçantë krahut tosk-ortodoks, përfshi këtu edhe arbëreshët e Italisë; të cilët pellazgët i kanë parë jo vetëm si themelin e shqiptarisë në lashtësi, por edhe si urën që do të lidhte shqiptarët me grekët modernë.

Teksti i Albasit u jep pellazgëve hapësirë në raport me çështjen e etnogjenezës ilire dhe, tërthorazi, edhe shqiptare. Duke iu referuar shkrimtarëve të vjetër grekë dhe romakë, Albasi thotë se “pellazgët njiheshin si popullsia më e vjetër e Ballkanit dhe ishin një popullsi paragreke e parailire; dhe se “për mënyrën e jetesës, veprimtarinë ekonomike, zakonet dhe besimin e tyre gjenden mjaft të dhëna, veçanërisht në veprën Iliada të Homerit.”

Shumë studiues, vazhdon Albasi, “dëshmojnë se pellazgët e shkruanin gjuhën e tyre, pra kishin alfabetin e tyre, të marrë nga fenikasit.”

Tezën pellazgjike, gjithnjë sipas Albasit, e mbështetin shumë historianë e studiues shqiptarë e të huaj, si rilindësit tanë (Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Sami Frashëri, etj.) studiuesi austriak Hahn, historiani suedez Hans Erich Thunmann, studiuesi francez Edouard Schneider, etj., “të cilët argumentojnë se pellazgët ishin pararendës të ilirëve, pra edhe të shqiptarëve.”

Për Albasin, pellazgologjia ka marrë formë të plotë në fund të shekullit XIX (Schneideri e ka shkruar veprën e vet në 1894 dhe duhet konsideruar modern sipas këtij standardi); meqë në tekst nuk përmenden autorë si V. Georgiev ose A.J. Windekens, të cilët janë marrë në nivel akademik të mirëfilltë me pellazgët, në vitet 1950, çka është e pashpjegueshme, në kontekstin e vendit të madh që u është lënë Hahn-it dhe Thunmann-it.

Çuditërisht, nuk thuhet gjë as për studiues shqiptarë si Spiro Konda dhe Dhimitër Pilika, të cilët lidhjeve shqiptare-pellazge u kanë kushtuar studime të plota (ku e ku më të vlefshme se ndonjë fjalë që mund të ketë thënë Pashko Vasa apo Sami Frashëri, sipas leximeve që kanë bërë andej-këndej; por të paktën autorët kanë treguar aq shije dhe integritet, sa të mos citojnë Kadarenë për këtë temë, i cili në fakt ka shkruar dikur për shqipen se “Grekëve u dhe/fjalë perëndish;” kushedi edhe nuk e kanë ditur, të presim ribotimin).

Ndërkohë, në ushtrimet nxënësve u kërkohet që të gjejnë përcaktimin që u duket më i saktë: pellazgët janë popullsi paraindoevropiane apo indoevropiane e hershme; sfidë kjo që do t’i nxirrte djersë të ftohta çdo studiuesi të Ballkanit arkaik.

Edhe teksti i Pegit i referohet Hahn-it, për të argumentuar se “shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe këta të fundit janë pasardhës të pellazgëve” – pa çka se Hahn-i i formulonte hipotezat e veta në një kohë kur as indoeuropianistika, as arkeologjia moderne, nuk e kishin thënë fjalën e tyre në lidhje me Ballkanin e lashtësisë dhe popujt që jetonin aty.

Sipas këtij teksti, hipoteza e mësipërme “shpreh karakterin autokton të formimit të popullsisë ilire nga një popullsi më e lashtë mesdhetare, e cila quhej pellazge.” Ky pohim mjafton, në vetvete, për ta hedhur poshtë krejt ngrehinën e indoeuropianistikës dhe gjithçkaje që kemi arritur të dimë për marrëdhëniet e shqipes brenda familjes gjuhësore indoeuropiane.

Ja edhe një shembull tjetër i konfuzionit konceptual dhe metodologjik që sundon te Pegi:

Duke u nisur nga faktet, në kohën e Strabonit, epirotët dhe maqedonasit ishin ende jogrekë ose barbarë, si dhe nga shumë fakte të tjera, Ha[h]ni arriti në përfundimin se termi ilirian ishte pellazg në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Përshtypja ime është se Pegit i intereson teoria pellazgjike jo në vetvete (në tekst nuk thuhet asgjë e mirëfilltë për pellazgët, në një kohë që aty gjen faqe të tëra, pambarimisht të mërzitshme, për vendbanimin e Vlushit dhe qeramikën e Kolshit), por ngaqë ajo teori i lejon t’i mëshojë tezës së autoktonisë ilire.

Po këtu, nxënësve u kërkohet ndër të tjera të lexojnë librin Shqiptarët, të Edwin Jacques. Fatmirësisht, atyre u janë kursyer figura si Nermin Vlora ose Zacharia Mayani, të cilët kanë thyer rekorde në këtë sport guximtarësh.

Edhe Uegeni u kushton vëmendje pellazgëve, duke vërejtur se “ata patën një shtrirje të gjerë, që nga Ballkani i Jugut deri në Azi të Vogël, madje edhe në gadishullin Apenin” dhe pastaj e thellon edhe më tezën:

Në studimet e arkeologëve dëshmohet se shtrirja e dokumentuar e pellazgëve përputhet me kompleksin kulturor arkeologjik ballkano-egjean të periudhës së eneolitit dhe supozohet se ky kompleks i takon popullatës pellazgjike, si paraardhëse e ilirëve.

Literatura e rekomanduar, për këtë seksion, përfshin vepra të Pilikës, Kondës dhe Mathieu Aref-it; por çuditërisht jo veprën e fundit të Shaban Demirajt (Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët), e cila është shumë më racionale dhe e balancuar, sesa tre të parat.

Në seksionin “Veprimtari praktike” nxënësit ftohen “të navigojnë edhe në Internet duke kërkuar botime amerikane me temën pellazgo-ilire. Krahasoni alfabetin pellazg të botuar nga amerikanët dhe alfabetin fenikas dhe atë grek të vjetër…”

Se ç’është ky “alfabet pellazg” i botuar nga amerikanët, unë nuk e di.

Uegeni vazhdon me dorë njëlloj të sigurt edhe në kapitullin tjetër, kushtuar etnogjenezës ilire, të cilin e hap me thënien se “Ilirët, si trashëgimtarë të pellazgëve, janë ndër banorët më të vjetër të gadishullit të Ballkanit.”

Në të tre këto tekste, pjesët kushtuar pellazgëve nuk i përmbushin kriteret elementare të një dijeje të tillë që të meritojë t’u jepet nxënësve në mënyrë jokritike.

Para së gjithash, pellazgët janë popull hipotetik; në kuptimin që për ta dihet shumë pak, dhe ajo çka dihet është një kombinim i të dhënave mitologjike dhe anekdotike, me interpretime arkeologjike dhe toponomastike të kuturisura, shpesh të papajtueshme mes tyre.

Në përgjithësi, pellazgët u interesojnë atyre që merren me parahistorinë e grekëve të lashtë dhe jo popujve të tjerë, më në veri; sepse edhe gjurmët toponomastike që i atribuohen këtij populli, gjenden mjaft më në Jug se trojet e banuara prej shqiptarëve, ilirëve, madje edhe trakëve.

Nuk ka ndonjë arsye, megjithë përpjekjet vullnetmira të disa studiuesve, që të shihen shqiptarët si pasardhës të pellazgëve.

Askush nuk ka arritur të tregojë në mënyrë bindëse që pellazgjishtja ishte gjuhë indo-europiane; në një kohë që për shqipen kjo merret tashmë si e mirëqenë.

Gjithsesi, hallka më e dobët në këto konstruksione, është ajo e lidhjeve mes pellazgëve dhe ilirëve, vërtet e përsiatur nga ndonjë studiues i huaj në të kaluarën; por që të krijohet përshtypja sikur mbahet gjallë vetëm e vetëm për të përfshirë edhe njërin popull, edhe tjetrin, në etnogjenezën shqiptare – në emër të autoktonizmit (teologjisë sonë kombëtariste).

Dija e sotme përgjithësisht nuk i konsideron si të pranueshme hipotezat për lidhjet shqiptaro-pellazge, dhe ato të tjerat, për lidhjet iliro-pellazge (kjo edhe ngaqë vetë pellazgët përbëjnë një objekt disi të rrëshqitshëm – mjaft të përmend faktin që në prestigjiozin The Oxford Introduction to Proto-Indo-European and the Proto-Indo-European World, botim i vitit 2006, pellazgët nuk përmenden asnjëherë). Kjo nuk është se i zhvlerëson këto hipoteza vetvetiu – por ama e bën të diskutueshme përfshirjen e tyre në tekstet shkollore të shkollës së mesme në Shqipëri, e cila është udhëhequr, në këtë rast, nga kritere mirëfilli ideologjike, jo shkencore.

Aq më e çuditshme bëhet hipoteza pellazgjike në këto tekste, po të krahasohet me shpërfilljen e plotë dhe të qëllimshme që i është bërë teorisë trake së prejardhjes së shqipes – e cila sot e kësaj dite ka ndjekës dhe përkrahës në universitetet anembanë botës (mjaft të përmend veprën e Gottfried Schramm-it, Anfänge des albanischen Christentums. Die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen, zweite, überarbeitete Aufl., Freiburg 1999; që shkëlqen edhe me dështimin e vet). Edhe në këtë rast, efekti i një përzgjedhjeje hipokrite, kinse “patriotike”, nga ana e autorëve, është në thelb obskurantist; sepse tekstet u servirin nxënësve një teori etnogjenetike gjysmë-fantastike, si ajo e pellazgëve, dhe nuk u thonë asgjë për teorinë tjetër, shumë më pak fantastike, si ajo e trakëve dhe e trakishtes.

Ia vlen të pyetet edhe nëse ka ndonjë lidhjeje midis këtij kombëtarizmi crudo në kapitujt për lashtësinë të teksteve të historisë për gjimnazet shqiptare, dhe faktit që në këto kapituj mbizotëron këndvështrimi arkeologjik – duke krijuar përshtypjen se njohuritë më të mira dhe më të plota për lashtësinë dhe parahistorinë shqiptare i kemi prej arkeologëve. Natyrisht kjo është e pabazë; dhe sa kohë që shqipja ose parashqipja nuk janë shkruar gjëkundi në lashtësi, arkeologët janë të pafuqishëm të na thonë gjë në lidhje me etnogjenezën tonë; sikurse edhe nuk na kanë thënë asgjë.

Shënim: tekstet e Historisë së shqiptarëve për klasën e 12-të të shkollave të mesme të cilave u referohem më lart janë ai i UEGEN (2011, nga Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Bedri Kola dhe Xhevahir Lleshi); ai i Pegi-t (2011, nga Petrika Thëngjilli, Fatmira Rama, Ajet Shahu dhe Liliana Guga) dhe ai i Botimeve Shkollore Albas (2011, nga Menduh Dërguti, Ledia Dushku, Ferit Duka dhe Sonila Boçi).

Nuk ka komente

  1. Do doja të komentoj mbi pjesën “dhe sa kohë që shqipja ose parashqipja nuk janë shkruar gjëkundi në lashtësi, arkeologët janë të pafuqishëm të na thonë gjë në lidhje me etnogjenezën tonë; sikurse edhe nuk na kanë thënë asgjë.”

    Mungesa e shkrimeve në shqip ose proto-shqip (Old Albanian ose proto-Albanian në burimet në gjuhën angleze) në lashtësi nuk përkufizon kërkimet mbi etnogjenezën shqiptare. Çdo gjuhë e sotme është rezultat i një evolucioni gjuhësor; ashtu dhe shqipja.

    Kërkime mbi fjalëformimin, fjalorin, sintaksën dhe gramatikën e shqipes dëshmojnë të dhëna të rëndësishme mbi etnogjenezën shqiptare. Për shëmbull huazimet latine kanë prejardhje nga latinishtja dalmatike dhe ajo vulgare, pra shqipja e “vjetër” ishte në përdorim në bregun adriatik dhe në pjesën qendrore të gadishullit. Gjithashtu huazimet nga dialekti dorik janë lidhur me qënien tregtare korinthiane në Shqipëri nga shumë studiues, kurse disa të tjerë i kanë lidhur me emigrim fillëstar të Dorianëve nga Shqipëria qendrore/jugore.

    1. Kjo është shumë e vërtetë – por me analiza të tilla merren gjuhëtarët. Besoj se e vutë re edhe ju, që në citat unë përmend shprehimisht “arkeologët”, si të pafuqishëm.

      1. Ndoshta, megjithëse arkeologjia moderne ka lidhje të ngushtë me gjuhësinë pasi gjuhë si latinishtja vulgare mund të trajtohen plotësisht vetëm nëpërmjet metodave arkeologjike.

  2. Eshte veshtire te besh me “faj” shqiptaret qe perpiqen te gjejne fijen qe te con prej sot deri tutje, ose e kunderta.
    Pellasget, me sa duket kane qene nje mister per shume e shume vete, qofshin ata te thjeshte apo te komplikuar ne perpjekejet e tyre.
    Aty ku te gjithe bien dakort, eshte se pellasget ishin nje popullsi para greke. Aty ku askush s`bie dakort eshte se cfare ishin dhe kush eshte trashegimtari it tyre.
    Ka shume pak te dhena mbi ta. Qofte gjuhesore ashtu edhe arkeologjike.

    Herodoti shkruan se…” cfare gjuhe … flisnin pellasget, nuk mund ta them me siguri. Pellasget flisnin nje gjuhe barbare…”. Nuk do harruar se ai shkruante nga vitet 460-425 pes.
    Ka shkrimtare te vjeter qe i nxjerrin me origjine ilire, etoliane apo edhe nga Arkadia. Homeri i permend se ata vinin nga Epiri.
    Ka nga ata qe i pershkruajne pellasget dhe i identifikojne me popullsine tirreniane. Homeri thote se ata ishin shtrire deri ne Krete.

    Herodoti thote se pellasget jetonin fillimisht ne Pellasgjia ( Pelasgiotides):
    …” duke gjykuar nga cka ngelet prej pellasgeve qe jetonin ne qytetin e Kreston, mbi Tyrsenian, dhe te cilet dikur ishin fqinj te races qe sot quhen Dore (Dorians), te cilet atehere banonin ne token qe sot quhet Thesali, si dhe prej cka mbetet prej pellasgeve qe u perqendruan ne Plakia dhe Skilake, ne rajonin e Hellespontit, te cilet para kesaj banonin ne te njejtin vend me athinasit dhe vendasit e qyteteve te tjere te ndryshem, te cilet jane ne fakt pellasge, megjithese e kane humbur emrin…
    Ne qofte se e gjithe raca pellasgjike ishte si keta, atehere raca atike, duke qene me origjine pellasgjike, ne te njejten kohe kur ndryshoi dhe u be hellenike, ajo harroi gjithashtu edhe gjuhen. Sepse banoret e Krestonit nuk flasin te njejten gjuhe me ata qe jetojne perqark tyre ; po keshtu edhe banoret e Plakia-s; por keta flasin te njejten gjuhe si njeri ashtu edhe tjetri; kjo verteton se ata e mbajten te pandryshuar formen e gjuhes qe sollen me vehte kur migruan ne keto vende…”

    Thucidi i permend po ashtu
    Euripides shkruan se “… Danaus, qe ishte babai i 50 vjazave, kur arriti ne Argos, u vendo ne qytetin e Inakus dhe nxorri nje ligj se te gjithe ata qe dikur therriteshin pellasge, ne te gjithe Greqine do te quhen tashti e tutje Danai…” .
    A i do zene bese poetit per fakte historike? Varet se cfare kerkon e kush kerkon.

    Dhe Herodoti perseri:
    …”Kushdo qe eshte i iniciuar ne misteret e Caberoi-t, te cilat kryheshin nga samothrakasit, qe i kishin marre nga pellasget, ai njeri e di se per cfare e kam fjalen; sepse po keta pellasge, qe u vendosen ne nje vend me athinasit, me perpara jetonin ne Samothrake, dhe nga ata samothrakasit i moren misteret e tyre. Dhe atehere, athinasit qene hellenet e pare qe e bene Hermesin ne formen e nje fallusi, duke e pase mesuar kete preje pellasgeve;
    Pellasget dikur i benin gjithe sakrificat duke u thirrur perendive ne lutjet e tyre, nga c`kam mesuar prej asaj qe kam degjuar ne Dodone. Por ata nuk u dhane as tituj dhe as emra per asnje nga perendite… por i quanin ato perendi nga ideja se ata kishin vene rregull ne te gjitha gjerat, dhe ne shperndarjen e tyre…”

    Pra paqartesia mbi origjinen e pellasgeve eshte te pakten nja 2500 vjet e vjeter. Dhe Xhaxhai me te drejte e ve theksin se tekstet e reja te historise se Shqiperise duken me teper si punime me baze dhe te nje natyre ideologjike.

    Megjithese per hir te se vertetes, do permendur se nuk jane shqiptaret shpikesit e kesaj metode te te mesuarit te historise.
    …nuk e solla une, por e gjeta midis jush … tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin