PREMTIMOLOGJI

pinokuKatedra e Premtimologjisë në Fakultetin e shkencave politikane pranë Universitetit Xhamllëk të Vaqarrit festoi pesë vjetorin e saj të parë, çka u shndërrua në rast të volitshëm, përballë gazetarëve të huaj e të jashtëm, për të bërë një bilanc të shkurtër të veprimtarisë së saj.

Shefi i Katedrës më të re në Shqipëri, prof. Premtim Mbajtja, u shpreh midis të tjerash se “kjo shkencë fisnike, që studion me metoda shumëpërmasore premtimet e dhëna e të padhëna, të mbajtura e të pambajtura, para e pas zgjedhjeve, para e pas martesës”, nuk mund të mos zhvillohej në Shqipëri, ku politika ofron humusin kryesor për premtimet dhe studimin e tyre shkencor. “Pa politikanë nuk do të kishim premtime e pa premtime nuk do të kishim premtimologji e pa premtimologji nuk do të kishim demokraci”, tha me patos prof. Mbajtja. “Pra faleminderit politikës dhe kujdesit të saj për të mos harruar gjënë më kryesore: premtimet”.

Ndërhyrjet gjatë ceremonisë vunë theksin në rëndësinë e premtimeve në politikë e në shoqëri, pa të cilat (premtimet pra) nuk do të kishte pjesëmarrje në zgjedhje, entuziazëm për të ardhmen, në analizë të fundit në demokraci. Premtimet, u tha në aktivitet, duhet të studiohen në shumë plane e nga profesionistë të ndryshëm: matematikanë, fizikanë, mjekë, regjizorë, magjistarë, por edhe nga sociologë, antropologë, psikologë, humoristë, shamanë, e kështu me radhë e pa radhë.

Fjala që mbajti zv/shefja e Katedrës, prof. Besa Zotimi, u përqendrua kryesisht në listën e gjatë të aktiviteteve që kjo qendër akademike ka zhvilluar kohët e fundit dhe në botimet e shumta që ka nxjerrë nëpërmjet shtëpisë botuese “Angazhohem”, që ka degë në të gjitha krahinat e vendit. Ja lista e plotë e konferencave dhe botimeve të Katedrës së njohur:

– Premtim Mbajtja, “Politikanët shqiptarë: fantazia e premtimit“, Tiranë 2010.

– “Si pasnesër! Premtimet e politikanëve shqiptarë: dje, sot, nesër“, analizë sasiore e cilësore, (autorë të ndryshëm), vëllimi I – XX, Roskovec 2010 (botim tremujor).

– Kolod Shqiptari, “Pinoku në politikën shqiptare. Dallimi i përrallës nga realiteti“, Leskovik 2010.

– Gëzim Plenumi, “Nga premtimet pesëvjeçare tek premtimet e përditshme“, Kuçovë 2011.

– “Shkolla, çerdhe, kopshte, spitale. Analizë leksiko-hapësinore e zgjedhjeve“, (autorë të ndryshëm), Orikum 2011.

– Besnik Dredhcaku, “Mbajtja e fjalës apo e premtimit?“, Kombinat 2011.

– “Përse premton koha?” (autorë të ndryshëm), Rroskovec 2012.

– Shpresa Jetoni, “Premtimi e gënjeshtra: dy anë të medaljes tjetër“, Rrushbull 2012.

Cetto La Qualunque “Vende pune e dashuri për të gjithë“, përkthimi Anton Shqiptari, Kurvelesh 2012.

– Sazan Pallavra, “Besa dhe premtimi në traditën shqiptare. Antropologji kulturore“, Gjongecaj 2013.

– Mjedan Mejdani, “Premtimet elektorale midis rraskapitjes e dyshimit“, Lagja e Parisit 2013.

– Zoton Fushata, “Unë premtoj, ti premton, ai premton. Ne e hamë, ju e hani, ata e hanë. Paradigma e premtimeve në zgjedhjet shqiptare“, Koliq 2013.

– “Premto premto se diçka mbetet“, Konferencë ndërkombëtare për analizën e fushatave elektorale në botë, Trebishtë 2014.

– “Kur shoqëria ka besim tek tjetri. Për një sociologji të premtimit të pambajtur“, (autorë të ndryshëm), Xhuxhë 2014.

– “E ardhmja në dy pjesëza (do të)“, konferencë ndërterritoriale Poliçan 2014.

– Dhaskal Barna, “Vartësia nga premtimet. Droga kulturore e shekullit të ardhshëm?“, Ulëz 2015.

– “Koha e foljes politike: Do të“, seminar në Universitetin Xhamllëk, 2015.

– Pablo Dante, “Karremi në fushatë si premtimi në grep” (poezi të përzgjedhura), Vithkuq 2015.

– “Shqipëria si do të ishte sipas premtimeve“, (autorë të ndryshëm), Eden 2015.

– “Premtimi i pambajtshëm: do të jemi të ndershëm“, (autorë të ndryshëm), Shpuzë 2015.

Ndryshe nga premtimi fillestar, lista e mësipërme është e paplotë. Në rast se mungojnë botime të tjera, jeni të lutur t’i shtoni, me premtimin se nuk do të shkruani gjëra të pasakta.

Nuk ka komente

  1. I nderuar,

    Ju paska munguar informacioni mbi dy konferencat e fundit me permasa ndërkombatëre, si më poshtë:

    “Shqipëria dhe anëtarësimi në BE: lineariteti i premtim-zotimeve dhe ndërshkëmbimi reciprok i fjalës së pambajtur”. Konferenca u mbajt në Universitetin e Rrogozhinës në mars 2015 nën kujdesin e posaçëm të ish presidentit Gole Shumica.
    “Premtimi për stabilitet në Ballkan”, tryezë e rrumbullakët e nivelit të lartë mbajtur në maj 2015 në Bjeshkët e Premtueme, nën kujdesin e lartë të kryeministrit sllav Premto Zotimoviç Premtovski dhe të atij vendas Besim Gjato Muji.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: