NDRIÇIMI RRETHUES

Më ka qëlluar këto ditë të lexoj disa libra rresht me kujtime, shkruar nga protagonistë të viteve të rinisë sime. Dhe për çdo faqe që shfletoj, më duket sikur memuaristikën shqip e ka themeluar Enver Hoxha, pa çka se kjo nuk është e vërtetë.

Të sqarohem: si shumë të tjerë të brezit tim, i kam lexuar në vitet 1980 librat me kujtime të Hoxhës; vetë me dëshirë dhe ngaqë kanë qenë lexime të detyruara. Hrushovianët, Titistët, Kur lindi Partia, Kur hidheshin themelet, Vitet e rinisë… ka qenë një seri e tërë. Në krahasim me tekstet me natyrë thjesht ideo-politike, kujtimet lexoheshin më këndshëm, madje edhe zbavitnin.

Më pas më kanë thënë se prapa këtyre veprave gjysmë letrare qëndronte puna e një instituti të tërë – atij të studimeve marksiste-leniniste; sikurse më kanë thënë se këto kujtime nuk i shkruante Enveri vetë, por dikush tjetër; një shkrimtar sa i madh aq edhe i heshtur; ose më mirë një ekip shkronjëtarësh, të stërvitur për të punuar si një mendje e vetme.

E vërtetë kjo? Nuk e kam gjetur dot përgjigjen. Çfarë kam gjetur, përkundrazi, është një unitet stilistik në kujtimet, të cilin e kam ndeshur pastaj edhe në kujtime të tjera, që nga ato të zonjës Hoxha dhe të Ramiz Alisë dhe të pushtetarëve të tjerë të lartë të asaj kohe; një teknikë e ngjashme në përshkrimin e personazheve dhe, sidomos, një manikeizëm a vështrim bardhezi i autorit ndaj botës së përcjellë.

Për çudi, të njëjtin vështrim bardhezi të botës e shoh edhe në leximet e tanishme – të cilat po i lë këtu pa identifikim; sepse emrat e autorëve nuk kanë shumë rëndësi.

Dhe po e skartoj që në fillim hipotezën se të gjitha kujtimet i shkruan një dorë e vetme; ose një super-ghost-writer, i cili ka marrë përsipër të kujdeset deri në fund për manipulimin e mendjeve tona.

Po ia lejoj vetes, për pasojë, të flas për një shkollë shqiptare të memuaristikës, të themeluar mbi manikeizmin. Së paku mbi manikeizmin.

Ja çfarë kam parasysh. Po ndërtoj një citat demonstrativ, që mund ta gjesh në cilindo nga librat që kam lexuar tani së fundi dhe jo vetëm:

Ra dera. Kur e hapëm, pamë se ishte një vajzë simpatike, e veshur thjesht dhe pastër, me flokë të dendur të krehur bukur dhe me sy të shkruar që i xixëllinin. Ishte Natasha, e bija e pianistit të talentuar Kaso Tabani.

Kjo Natasha mund të luajë ndonjë rol në vijim të ngjarjeve, por mund edhe të mos luajë; rëndësi ka që autori haptazi ushqen simpati për të, kushedi pse, dhe këtë simpati ia telegrafon menjëherë lexuesit, duke e udhëzuar se çfarë opinioni të ketë ky i fundit për personazhin.

Kjo mund të ndodhë ngaqë autori vetë është infantil, por unë këtë nuk e besoj. Më shpesh do të ndodhë ngaqë ky autor, pa ndonjë talent të spikatur në të shkruar, kujton se bota e një libri të memuaristikës nuk mund t’i përcillet publikut veçse bardhezi: këtej të mirët, të bukurit, të dëlirët, simpatikët; andej të shëmtuarit, të pistët, shpirtzinjtë.

Kuptohet se të parët janë miq e dashamirës të autorit dhe të familjes së tij, ndërsa të dytët e luftojnë atë me çdo kusht. Drita këndej, errësira andej.

Kështu fillojmë të marrim vesh edhe se ku i ka rrënjët si të thuash etike ky farë kitsch-i: tek dëshira, jo dhe aq e fshehur, e autorit për ta paraqitur veten si të mirë, të bukur, të dëlirë dhe simpatik; ose si qenie të zgjedhur dhe delikate, që i përket vetvetiu asaj elite të cilën edhe ka arritur të mbledhë pas vetes, falë masës së vet social-gravitacionale.

Karakteristikë e këtyre teksteve të dobëta edhe në stil, edhe në informacion është edhe mania – e autorëve ose e ekipeve që i ndihmojnë në heshtje – për t’i paraqitur heronjtë e kujtimeve si protagonistë të një lufte epike midis së mirës dhe së keqes; në të cilën këtyre u bashkohen gjithfarë të tjerësh – edhe ata natyrisht të mirë, të bukur dhe të dëlirë; të cilët shquhen para së gjithash ngaqë janë të zgjedhurit.

T’i kthehemi atij paragrafit më lart për Natashën: nuk mjafton që ajo është e krehur bukur dhe që i xixëllijnë sytë; por duhet shtuar edhe që është e bija e pianistit të talentuar Kaso Tabani. Dëgjo, o lexues, thotë teksti; ne nuk shoqëroheshim me njerëz çfarëdo, por me familjen e Kaso Tabanit!

Po mirë, do të më thonë këtu; mbase ashtu ka qenë vërtet; mbase familja e heroit të memuareve ka pasur miqësi me familjen e Kasos; aq më tepër që këta të mëdhenjtë e kanë një çikë zakon të rrinë bashkë, sidomos për ta mbajtur njëri-tjetrin në kontroll…

Dakord. Por Kaso Tabanin lexuesi ose e njeh, ose nuk e njeh; dhe nëse gjasat janë që ta njohë, si artist të shquar, etj., atëherë do ta ketë edhe një opinion për të; prandaj kitsch-in tek ai pasazh e sjell pikërisht epiteti i talentuar, që mbart gjithë dozën velëse të sherbetit etik.

Në fakt, autori ynë imagjinar nuk mjaftohet që të na lajmërojë – shpesh falas – për miqësinë e vet me Kaso Tabanin dhe të bijën; por na shpjegon edhe se ky Kasoja është “i talentuar” (dhe këto epitete zgjidhen zakonisht me kujdes të madh; vlerësuese dhe mikluese, por jo aq sa të errësojnë pikën e vërtetë fokale të kujtimeve).

Dhe meqë prej lexuesit pritet që ta dijë kush është Kasoja, atëherë epiteti “i talentuar” veç përcjell verdiktin e autorit të kujtimeve: Kasoja është i talentuar, sepse ashtu e kam quajtur dhe konsideruar unë (ne); madje është njohur si i tillë falë asocimit me mua (me ne).

Se nuk është vetëm Kasoja i talentuar dhe me siguri njeri i mrekullueshëm të cilit i përmendet emri në kujtimet; është edhe nëna e Kasos, Ganimeti, grua zonjë me zemër të bardhë si bora dhe kulturë të lartë, që ka studiuar në Grenoble; pa përmendur pastaj aktorin e madh tragjik Rudi Durda dhe të shoqen e tij të bukur por edhe shumë inteligjente Sabahetin; ose inxhinierin, edhe ky detyrimisht i talentuar, Abedin Abedini, që pat djegur dorën e majtë me karburant raketash; ose depozitarin e sekretit të konjakut të Korçës, zotin Alqi Raqi; ose rapsodin e fundit të Ciklit të Kreshnikëve, plakun e verbër Frrok; ose edhe, pse jo xhanëm, rrobaqepësen e urtë dhe guvernanten Tefta Tarafillaku, me origjinë të largët portugeze, që u pat qepur dikur fustanet motrave të Zogut…

Vargje me qëndisma të tilla miqsh të mahnitshëm si të arratisur nga një muze dylli kanë një funksion të vetëm: t’i thonë lexuesit, pa shih se me ç’njerëz të jashtëzakonshëm jemi shoqëruar ne, me ç’laureatë çmimesh republike dhe ish-gjeneralë dhe komandantë nëndetësesh dhe radistë radiolojash dhe regjisorë filmash të ndaluar dhe shkoqitës të Kanunit dhe ish-rekordmenë të hedhjes së çekiçit dhe të tjerë si këta madje edhe më të rrallë se këta; të gjithë të shquar, vetëm e vetëm që shquarsia e tyre të na kalojë edhe ne; sepse tek e fundit shquarsia e tyre varet nga ne. Për ca nga këta kujtimologë, deri edhe hidrauliku Vangjo që u ka shkuar t’u zhbllokojë halenë rezulton të ketë qenë nga më të mirët e Ballkanit, virtuoz i pompës thitëse dhe nuhatës i rrallë i gjirizeve…

E keqja e kitsch-it – të paktën në kontekstet që na interesojnë – nuk lidhet doemos me gënjeshtrën; madje le të bëjmë një marrëveshje dhe t’i marrim të gjitha ato që shkruhen për të vërteta; pra le të pranojmë se heronjtë e këtyre memuareve e kanë kaluar përnjëmend jetën të rrethuar nga shkëlqimi, bukuria, suksesi, virtyti dhe talenti. Mirëpo lexuesit nuk mjafton që t’ia thuash këto: duhet edhe ta bindësh, me aq mundësi sa të jep teksti. Përndryshe, që ty e bija e pianistit Kaso të është dukur simpatike, e dëlirë dhe e ëmbël, kjo nuk i duhet askujt, as i hyn kujt në punë, ndoshta me përjashtim të së bijës së pianistit Kaso vetë.

Ka edhe më. Këto qoka sterile për artistë të pashoq, femra fatale dhe familje me rrënjë në fiset e dasaretëve më kujtojnë, për fat të keq, ca miqësi që mbaja dikur në Itali; sepse kurrë s’kam dëgjuar ndonjëherë lavde më të mëdha për veten, se ç’nxirrnin nga italianët e mi të mirë, kur u duhej të më prezantonin me miqtë e tyre: ah, ky është ai profesori që folëm, studiues i shqipes, kaq i ri dhe megjithatë dijetar, di shtatë gjuhë të huaja, e flet italishten më mirë se unë… dhe e gjithë kjo, në fakt, për të përligjur praninë time prej shqiptari të rastit në ato qarqe të rafinuara; meqë përndryshe do të kish qenë poshtëruese, për këta italianë, që të kapeshin gafil në shoqërinë time.

Kështu më dëgjohen muhabetet për këto vajza fluturake dhe mollë të kuqe nga oborri dhe regjisorë operash dhe diplomatë të sapokthyer nga vende ekzotike; funksioni i tyre është të vetë-lavdërojnë tërthorazi, ose by proxy; në mënyrë që një pjesë e mirë e kujtimeve fillojnë të tingëllojnë si “shikomëni mua”; ose si ushtrime të mërzitshme narcisizmi, në një piano të çakorduar.

Në një kuptim, memuaret janë e kundërta e biografive “të paautorizuara”; mjaft të krahasosh ç’kanë shkruar për veten zoti dhe zonja Hoxha, me çfarë kanë shkruar të tjerët për ta. Edhe këtu, për fat të keq, vepron i njëjti mekanizëm infantil i manikeizmit, i cili i bën një palë autorë ta fryjnë egon e tyre deri në atë shkallë sa ta projektojnë në botën mbarë; ndërsa të tjerët të ta lajmërojnë deri edhe momentin kur ti si lexues të detyrohesh ta ndërpresësh leximin, për të nxjerrë zorrët.

Herën e ardhshme që do të merrni në duar një libër memuaresh të narcisëve që kurrë nuk na kanë munguar, mbase do t’ju kujtohet ndonjë gjë nga sa shkrova më lart.

Nuk ka komente

  1. Kujtimet e Todi Lubonjes do t’i vecoja. Edhe te Xhelal Staraveckes po ashtu. Madje kane nje stil unik. E kuptoj qe fjala mund te jete per tjeter kategori ne shkrim, por serish ato hyjne te memuaristika.

    1. Une kam pershtypjen se Xha Xhai nuk e ka fjalen per gjithe memuaristiken, por per nje kategori te veçante nostalgjikesh spitullaqe qe nuk ia vlen as t’i shfletosh kalimthi. Me fjale te tjera, shkrimi duket sikur thote, – po t’ju bien ne dore keta, mos humbisni kohen t’i lexoni, se i lexova une per ju.

      Sa per te veçuar, une do te veçoja, “Interviste me vetveten” te Petro Markos dhe “Rrno vetem per me tregue” te Zef Pllumit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin