NUK ZË

Gjatë një bisede pak ditë më parë për ndërvarësinë e shoqërisë civile në Shqipëri nga “donacionet” e huaja, ra fjala te shoqata “Mjaft” dhe fakti që kjo, edhe pse e suksesshme në veprimtaritë e veta (ose më mirë pikërisht pse), ka përfunduar sot e kooptuar – ose kooptuese – në krye të ekzekutivit. Dje shoqëri civile, sot pushtet: efekt anësor apo fatalitet?

Këtë bisedë mund ta vijosh në disa drejtime; por le të ndalemi te institucionet e shoqërisë civile dhe tek enigma se pse disa nga këto nuk funksionojnë mirë, ose nuk mbijetojnë edhe atëherë kur funksionojnë mirë, edhe atëherë kur përfitojnë shuma të mëdha si injeksione nga jashtë. Pse pra? Përmenda “Mjaft” më lart pse ajo ka qenë OJQ nga më të suksesshmet, së paku për nga ekspozimi dhe aftësia për t’u imponuar edhe si model; por shembuj të tjerë nuk mungojnë.

Pyetja lidhet me një pyetje tjetër, që ka të bëjë me format vërtet të suksesshme të shoqërisë civile sot në Shqipëri; dhe këtu e para vjen në vështrim kafe(ne)ja, ku njerëzit kalojnë orë të tëra, me debate të ngeshme shpesh politike, por jo rrallë edhe kulturore, antropologjike, artistike; dhe që kurrsesi nuk mund të shpërfillet si manifestim i rëndomtë i biznesit të shërbimeve. Në kafe(ne)të përpunohet mendimi dhe kultura e pjesëmarrjes qytetare më shumë e më natyrshëm se në sheshet, në sallat e mbledhjeve politike, para ekranit të televizionit ose në Facebook; pa çka se askush nuk ëndërron të kërkojë donacion dhe aq më pak prej të huajve, për mbështetjen e kafe(ne)ve.

Pse, pra, kafe(ne)të po dhe OJQ-të jo? Një arsye, që do ta shtjelloj pak më gjerë këtu, ka të bëjë me traditën, e cila në rastin e parë është ruajtur me gjithë zellin “Arbeit macht frei” të totalitarizmit; ndërsa në rastin e dytë nuk është krijuar dot, me gjithë paratë që nuk kanë munguar. Kjo do të thotë edhe se të financosh një OJQ nuk mjafton; dhe se duhet që modeli i financuar prej teje të krijojë një traditë; dhe se këtë traditë nuk mund ta krijosh thjesht me financime, meqë duhet që institucioni i ngritur në këmbë prej teje të përmbushë një nevojë sociale, për ta krijuar traditën brenda shoqërisë civile ose si institucion publik. Nuk mjafton ta hedhësh farën – duhet edhe që farës t’i pëlqejë toka dhe klima.

Krypa: Self-Reliance

Krypa: Self-Reliance

Përndryshe mbetemi në nivelin privat. Një librari e specializuar në literaturë shahu mund të mbahet e hapur nga dikush që e ka si hobby dhe nuk ia kursen shpenzimet që i nxjerr nga xhepi ose që ia jep, bie fjala, Kasparovi; pa çka se do të shesë vetëm dy ose tre libra në muaj. Por askush nuk pret nga kjo librari që të luajë rol në shoqërinë civile dhe në amortizimin e raporteve të shtetit me qytetarin.

Një shembull tjetër: indiferenca me të cilën është pritur, së paku publikisht, ideja se në Shqipëri mund të sanksionohen martesat gay. Disa mund të jenë entuziazmuar me këtë, duke harruar se vendeve të tjera perëndimore, edhe atyre me tradita nga më liberalet, u është dashur të kalojnë përmes debatesh dhe betejash juridike, ideologjike dhe kulturore shpesh të ashpra dhe me kosto të lartë sociale, derisa kanë arritur që martesa gay të normalizohet. Nëse në shoqërinë shqiptare kjo nuk ka ndodhur, një shkak kryesor do të jetë, besoj unë, që tek ne martesa – si institucion – shihet si çështje private jo publike dhe aq më pak juridike. Që këtej edhe rezistenca ndaj saj do të ketë natyrë ekskluzivisht private, siç edhe ka.

Të huajt kanë derdhur shumë para në Shqipëri, disa thjesht për nevojat e tyre, të tjerë nga dëshira për të ndihmuar; dhe të tjerë akoma ngaqë disa kultura e kanë për traditë të shpenzojnë në këtë mënyrë. Nga këto para të derdhura pa dyshim kanë përfituar palë private; por përfitimi publik mbetet për t’u konfirmuar, dhe ashtu do të mbetet, derisa të krijohet tradita përkatëse. Në fakt, një pjesë e institucioneve të ngritura në këmbë me këto financime nuk kanë përmbushur nevoja të brendshme të shoqërisë shqiptare; madje disa janë ngritur edhe në mënyrë eksperimentale. Për fat të keq, një nga karakteristikat e eksperimenteve është se, në shumicën e rasteve, ato dështojnë.

Prej së shkuarës, shoqëria shqiptare ka trashëguar natyrisht një morí institucionesh – duke përfshirë këtu edhe institucionet e ngritura gjatë gjysmë shekulli totalitarizëm. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, realiteti i sotëm shqiptar nuk mund të krahasohet lirisht me atë të vendeve Perëndimore, që nuk e kanë njohur kurrë, bie fjala, shkatërrimin e institucioneve të pronës private, të pluralizmit dhe të fesë së organizuar. Mendësia e kultivuar gjatë totalitarizmit mbijeton jo vetëm në qytetarët që e kanë përjetuar atë kohë, por edhe si kujtesë e institucionalizuar; dhe ashtu do të vazhdojë të mbijetojë e të riprodhohet, derisa të mos jetë zëvendësuar nga një tjetër.

Një institucion që totalitarizmi e luftoi, por nuk e çrrënjosi dot, është kriminaliteti i organizuar; ose lehtësia me të cilën shqiptarët bashkëpunojnë, kur u duhet të shkelin ligjin. Jo më kot dëgjon ndonjëherë të thuhet që sot kriminaliteti i organizuar ka kapur sektorë të rëndësishëm të pushtetit dhe të shtetit, sidomos ato që kanë të bëjnë me tregtinë dhe rishpërndarjen e të ardhurave. Kjo ka ndodhur ngaqë një forcë e organizuar dhe e motivuar mirë gjithnjë do të ketë epërsi ndaj indiferencës, inercisë ose paaftësisë së burokracive për t’iu kundërvënë.

Kontradikta që e ka zënë sot për fyti shoqërinë civile në Shqipëri është ajo midis nevojës për krijim tradite dhe nevojës për riprodhim (self-perpetuation) të çdo institucioni. Një OJQ e cila mbahet në këmbë me fonde nga jashtë, do të bëjë të pamundurën që këto fonde t’i vijnë madje t’i shtohen edhe në të ardhmen; dhe kjo thjesht lidhet me instinktin institucional për mbijetesë. Përkundrazi, tradita ka të bëjë me nevojën publike për funksionin ose shërbimin që ofron institucioni. Edhe vetëm kjo arsye, ose mungesa e një lidhjeje organike midis burimit të fondeve dhe funksionit social, mjafton për ta vënë në pikëpyetje dobinë mirëfilli qytetare të parasë së huaj, që është derdhur në Shqipëri gjatë këtyre 20-25 vjetëve të fundit.

Nuk ka komente

  1. A mendon xhaxha se varesia e madhe e OJQ-teve nga financime te huaja –qe ben qe bima te rritet sa kohe qe e ujisin te jashtmit–lidhet edhe me kulturen e varfer te vullnetarizmit qe ne perendim ka qene shprehi e iniciatives civile, si psh filantropia? E varfer ose tashme me reputacion te keq qe prej zboreve socialiste .

    1. Sa e vërtetë – dhe ja një traditë që do duhej kultivuar: vullnetarizmi. Por kësaj tradite ende i mungon baza sociale. Sa për filantropinë, ka pasur një traditë që këtë e bënin institucionet fetare: edhe për myslimanët edhe për të krishterët, kjo ka qenë tradicionalisht e rëndësishme; pa çka se shumë nga ata që japin, e bëjnë për të ndihmuar (shpirtërisht) veten e tyre, jo marrësit. Problemi që kam unë me paranë e huaj është se ajo hyn në sistem nga jashtë dhe shpesh sikurse hyn ashtu edhe del, duke krijuar vetëm iluzionin e një kontributi. Një shoqëri që ka vërtet nevojë për diçka, i gjen edhe paratë që i duhen për ta bërë. Fondet që vijnë nga brenda, sjellin edhe përgjegjshmërinë; ato që vijnë nga jashtë, jo gjithnjë. Ta zëmë se do të restaurosh një çezëm të vjetër të lagjes; normalisht vetë komuniteti do të mblidhte ca fonde brenda për brenda që të paguante punimet restauruese, sepse çezma është e atyre. Por në qoftë se të vjen një shoqatë ose OJQ nga Irlanda ose Irani dhe paguajnë ata për këtë restaurim, nëpërmjet një OJQ-je të ngritur ad hoc në Shqipëri, atëherë kjo bën më shumë dëm. Çezma vërtet mund të bëhet si e re, por komuniteti nuk do ta konsiderojë dhe aq si të vetën: tek e fundit, nuk u ka kushtuar asgjë restaurimi. Për çezmën do të dalë kryetari i Bashkisë në darkë në TV ose do të shkruajë në FB se është edhe një fitore tjetër e radhës e administratës së tij; dhe nëse ndokush mund të ketë dyshime për mënyrën si u shpenzuan fondet, për këtë restauratorët nuk i japin llogari publikut ose qytetarëve, por atyre tipave nga Irlanda ose Irani.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: