NËN LËKURËN E ARTIT TË FJALËS

nga Ajkuna Dakli

Kur flasim për fiction ose krijim letrar, pritshmëria e parë e lexuesit është që ngjarjet, karakteret etj., të jenë të trilluara nga autori. Mund të jetë kjo arsyeja që një lexues i ndodhur në një rreth të afërt njohjeje me autorin, mundohet instinktivisht të gjejë  një përputhje të ngjarjeve apo karaktereve të veprës me dikë/diçka të njohur, duke u përpjekur të krijojë kështu një shortcut, lidhje të drejtpërdrejtë me çka rrëfehet në libër, veprim ky, që kushtëzohet nga kureshtja dhe dëshira për ta trupëzuar dhe për t’i dhënë jetë asaj që lexon.

Por, a është letërsia artistike (fiction) një riprodhim i së vërtetës dhe deri në çmasë?

Për krijmin e Nicholas Temelcoff, njërit nga karakteret e novelës së tij  “In the skin of a lion”shkrimtari kanadez Michael Ondaatje u bazua në një individ real, emigrantin maqedonas me të njëjtin emër i cili jetoi dhe ndërroi jetë në 12 shtator të vitit 1988 në Toronto. Kujtimet e e tij Ondaatje i lexoi në shënimet e historianes Lillian Petroff mbi kontributin e disa grupeve etnike të emigrantëve në ndërtimin e Torontos.

Në vepër gjen edhe karaktere të tjera që u referohen individëve dhe historive reale si Ambrose Small, manjati kanadez që u zhduk në 1919, Rowland Harris një nga zyrtarët kanadezë të kohës etj.

Vepra i referohet një periudhe historike reale, ndërtimit të Bloor Street në Toronto përgjatë viteve 1920 -1930 dhe për këtë arsye klasifikohet si historical fiction ose në shqip roman historik, një zhanër i prozës letrare në të cilën ngjarjet zhvillohen në një periudhë historike të caktuar dhe përmbajnë elemente shoqërore, ekonomike, hapësinore të asaj periudhe dhe/ose figura historike të njohura.

Megjithatë, ndonëse bazohet në ngjarje dhe individë realë, novela nuk i qëndron besnike historisë në çdo aspekt të saj.

Ondaatje e ndërthur historinë, atë çka ka ndodhur realisht, me fantazinë e tij për të sjellë tek lexuesi një jetë të gjallë të Torontos së asaj kohe dhe i rindërton karakteret e tij duke i veshur me ato cilësi që i shërbejnë për të nxjerrë në pah një pjesë të historisë të pashkruar dhe të pa dokumentuar në arkivat zyrtare të kohës.

Unë nuk kam ndonjë subjekt kur filloj të shkruaj” – thotë Ondaatje në një intervistë të tij – “nuk kam ndonjë plan madhështor. Unë filloj me një fragment që më ngacmon ose që më ngjall kureshtje, zakonisht me një imazh. Nuk bëj kërkime paraprakisht dhe pastaj të vendos të shkruaj. Shkruaj dhe kërkoj gjatë rrugës, dhe kështu krijohet historia

Një tjetër zhanër i krijimit letrar i bazuar mbi karaktere dhe ngjarje reale është ai që quhet biographic fictionose në shqip romani biografik, një lloj i romanit historik  i cili bazohet mbi jetën e një individi historik real dhe rikrijon ngjarje dhe elemente të jetës së tij/saj.

Në romanin e saj “The Paris wife”, autorja amerikane Paula McLain shkruan mbi mardhënien e Ernest Hemingway-t dhe bashkëshortes së tij Hadley Richardson në Parisin e viteve 1920.

Libri bazohet në ngjarje reale dhe përfshin figura të njohura të botës letrare si Gertrude Stein, Ezra Pound, Scott dhe Zelda Fitzgerald, Pauline Pfeiffer.

Në një intervistë të saj Mclain thotë se ngacmimi i parë ishte mbyllja e memuar-it A movable Feast “ ose më saktë një rresht që shkrimtari i njohur ia kushton  bashkëshortes së tij Hadley Rchardson:

I wished I had died before I loved anyone but her”,

ai që e ngacmoi, e nxiti të lexojë biografitë e Hemingway-t dhe Richardson-it, dhe më pas të vendosë të shkruajë librin.

Autorja pohon se për ti rindërtuar ngjarjet dhe personazhet, përpos leximit disa herë të A movable Feast iu desh të hulumtojë hollësisht një numër të madh materialesh biografike si letërkëmbim, dokumente të arkivuara, foto, librari etj.

Një shkrim i mirëfilltë biografik do duhet të ishte sa më afër së vërtetës dhe qëllimi i një shkrimi biografik do ishte të riprodhonte sa më besnikërisht historinë. Në romanin e saj biografik, ndonëse e ndërton atë mbi një bazë historike të vërtetë, McLain nuk ka për qëllim të riprodhojë historinë, as të tregojë një ngjarje por të tregojë një marrëdhënie njerëzore.

Duke rikrijuar historinë e dashurisë së shkrimtarit të njohur me gruan e tij të re, autorja hedh dritë mbi marrëdhënien e tyre për të arritur pastaj në një nivel përgjithësues. Si i tillë romani, ndonëse ngrihet mbi një histori reale, mund t’i japë vetes lirinë të mos përputhet domosdoshmërisht me historinë.

Në të dy rastet që përmenda më sipër narrativi është ngritur mbi ngjarje ose individë reale dhe si i tillë përmban elemente historike të vërteta.

Po a mund të jetë letërsia tërësisht e trilluar, një krijim i mirëfilltë i autorit?

Le të sjellim këtu një nga librat fiction me të spikatur “Harry Potter”serinë e njohur të shtatë  fantasy novels ose romaneve fantazi, një zhanër letrar ky, që përdor magjinë ose fenomene të mbinatyrshme dhe/ose krijesa të mbinatyrshme në rrëfim dhe në subjekt.

Në një vështrim të shpejtë duket se libri është kryekëput një trillim i autores britanike Joanne Rowling  (e njohur si J. K. Rowling).

Por në një intervistë të saj Rowling tregon se fëmijërinë e kaloi pranë pyllit Dean i cili përshkruhet gjerë e gjatë në vëllimin “Harry Potter and the Deathly Hallows”.

Rowling pohon gjithashtu, se për krijimin e fjalëve magjike, u mbështet  në gjuhët latine dhe mitologjinë greke nga ku huazoi fjalët dhe nuancat e tyre kuptimore. Më pas, e pyetur nëse e kishte pasur të vështirë të gjente emrat e përbindëshave, Rowling pohon se disa nga përbindëshat i ka huazuar nga folklori dhe nuk i ka krijuar vetë.

Është shumë e rëndësishme të lexoni sa më shumë – i këshillon Rowling krijuesit e rinj” – “kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë e përbën një shkrim të mirë dhe të zgjeroni fjalorin. Shkruani në fillim për gjërat që njihni, përvojat tuaja, ndjesitë tuaja. Kjo është mënyra ime

Sipas shkencës, një njeri që ka lindur i verbër nuk mund të shohë ëndrra vizuale me objekte, forma e ngjyra.

E njëjta gjë vlen për artin në përgjithësi dhe artin e të shkruarit si një lloj i tij. Asnjë krijim letrar sado i trilluar të duket, nuk mund të krijohet nga boshi. Çdo krijim e ka një bazë reale diku, bazë kjo që përbën shkëndijën e parë, atë çka e nxit shkrimtarin të krijojë.

Por nëse letërsia ndërtohet mbi imazhe, karaktere, ngjarje dhe emocione reale, pse e quajmë krijim?

Kur merr në dorë një libër letrar, lexuesi pret të mësojë një fabul, ose ngjarjen, e cila nga pikëpamja strukturore, përbën skeletin e një vepre letrare në prozë. Fabula përbën gjithashtu elementin që e tërheq lexuesin të marrë një dorë e të lexojë një vepër. Nëse e mendojmë një vepër letrare si një qenie të gjallë, fabula, karakteret, objektet, detajet, figurat letrare janë ato që e trupëzojnë një vepër dhe të lidhura nëpërmjet narratives e bëjnë të marrë frymë dhe t’i flasë lexuesit.

Por qëllimi i letërsisë nuk është të rrëfejë një ngjarje per se.

Duke hedhur dritë mbi një ngjarje, nga këndvështrime të ndryshme, dhe duke e ndihmuar lexuesin të shohë nën një dritë tjetër autori i një vepre letrare i jep atij një kumt.

Pikërisht ky kumt është ajo çka krijon autoriarsyeja që e shtyn atë ta shkruajë një vepër letrare, ajo çka lexuesi merr pasi e lexon një vepër letrare, çka letërsia ofron si art i të shkruarit dhe e bën atë të veçantë dhe të pa zëvendësueshme mes zhanreve të tjera të lëvrimit të fjalës.

 

Siç thotë Ondaatje në librin e tij “In the skin of a lion:

Historitë zyrtare, lajmet na rrethojnë çdo ditë, por ngjarjet e artit na arrijnë shumë vonë, udhëtojnë gjatë si mesazhi në një shishe.

Vetëm arti i arrirë mund të vërë rregull në rrëmujën kaotike të ngjarjeve. Vetëm arti i arrirë mund ta rindërtojnë kaosin për të na e treguar kaosin dhe rendin që do të do të vijë.

Rreshti i parë i çdo romani duhet të ishte “Më besoni, këtu ka rregull. Shumë të zbehtë, shumë njerëzor.”

 

(c) 2021, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Referenca :

https://core.ac.uk/download/pdf/4947601.pdf

http://docs.lib.purdue.edu/clcweb/vol6/iss3/10

https://www.thehemingwayproject.com/2018/08/22/an-interview-with-paula-mclain-author-of-the-paris-wife/

https://www.insider.com/jk-rowling-harry-potter-author-biography-2017-7#she-lived-in-a-small-flat-while-going-to-cafes-to-write-harry-potter-and-the-sorcerers-stone-6

https://www.scholastic.com/teachers/articles/teaching-content/jk-rowling-interview/

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin