FJALË TË PESHKUARA

Para shumë vjetësh, pata përdorur fjalën kormoran në një poezi për Himarën – e pranoj, kam shkruar edhe unë vargje dhe nuk është e thënë të mos shkruaj sërish; e pata përdorur pra, këtë fjalë, edhe pse nuk mbaja mend të kisha parë ndonjëherë kormoran; dhe gjithsesi nuk e kisha idenë ç’ishte ky zog, përveçse që jetonte në breg të detit, ku ushqehej me peshk; me siguri do ta kisha ndeshur të përmendur në ndonjë prej librave me aventura që kisha lexuar në fëmijëri. E përdora dhe pastaj nisa të dyshoj se mos ashtu po e mashtroja lexuesin dhe pikërisht, po e ftoja të përfytyronte diçka që unë vetë nuk e kisha përfytyruar; ose po sillesha jo si artist, por si artizan, duke e ndërtuar poezinë time mbi efekte ekzotike dhe duke evokuar imazhe dhe mbresa të garantuara për të emocionuar: deti, zogjtë ujorë, piskamat që dëgjohen mes zhurmës së valëve… Me fjalë të tjera, kitsch.

Edhe pse në atë kohë nuk kishtë Google gjithnjë mund të shfletoja enciklopedinë dhe ta shihja kormoranin tim; por kjo nuk do t’i ndryshonte gjë përdorimit që ia kisha bërë fjalës. Përndryshe atë poezi pak vetë e lexuan dhe askush nuk më pyeti se nga e kisha gjetur kormoranin, sa kohë që në Himarë dhe gjetiu në zonën e bregut s’mbaj mend të kem parë të tillë; por kjo nuk më bëri gjë më indulgjent me veten; meqë gjithnjë më dukej sikur kisha shkruar poezinë e dikujt tjetër, ose pikërisht të atij që e kish parë vërtet kormoranin dhe kushedi ish ngashëryer nga pamja ose atmosfera.

Ky trazim intim m’u kujtua kur lexoja sot një bustina të Eco-s, kushtuar një libri kushtuar poetit Montale, nga e dashura dhe partnerja e tij Maria Luisa Spaziani; dhe ku Eco-s i pat tërhequr vëmendjen një episod që, sipas tij, “duhet studiuar në shkollë.” Dhe pikërisht, Spaziani dhe Montale, duke shëtitur, kalojnë përbri një leheje me lule shtogu (italisht sambuco, anglisht elder), lule që Montale e pat përmendur në një nga njëmbëdhjetërrokëshit e tij: “Alte tremano guglie di sambuchi”; dhe që vetë Spaziani-t i pëlqente deri në ekstazë, pse i kujtonte qiellin plot yje. Kur e pa Spaziani-n të mahnitur para luleve, Montale vërejti “sa e bukur kjo lule”, dhe pastaj e pyeti si quhej; dhe këtu Spaziani nuk e përmbajti dot një ulërimë “prej bishe të plagosur.” Si ishte e mundur që poeti e kish shndërruar lulen e shtogut në një imazh poetik të mrekullueshëm, e megjithatë nuk kish qenë në gjendje ta shquante, në natyrë? Montale u shfajësua, duke thënë: “Po ti e di që poezia bëhet me fjalë.”

Më duket shumë domethënës ky episod, shkruan Eco-ja, për të kuptuar dallimin mes poezisë dhe prozës; meqë e dyta flet për sende, ndërsa kur shkruan poezi, më parë dashurohesh me fjalët, dhe pjesa tjetër vjen vetvetiu: verba tene, res sequentur. S’e paskësha pasur krejt gabim edhe unë, pra, kur guxova të flas për kormoranë, në poezinë time, pa i parë kurrë këta shpesë të bekuar? Ndoshta nuk duhet të ngutem: çfarë i lejohet Montale-s, mund të mos i lejohet një “poeti të së dielës”; meqë këtij të fundit i duhet gjithnjë të matet me të mëdhenjtë, në një kohë që të mëdhenjtë e krijojnë masën vetë. Dhe jam i sigurt se ka pasur edhe plot “kormoranë” të tjerë në vargjet e mia; por tani të paktën më ngushëllon ideja se disa lloj shpesësh i gjen vetëm në ornitologjinë leksikore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin