NDJENJA E KOHËS

Njeriu dhe besimi në Zot mbetet një nga misteret e përhershme, ndaj janë të shumtë shkrimtarët e poetët që kanë ngritur dilema të tilla në veprat e tyre. Giuseppe Ungaretti, një ndër poetët më të mëdhenj italianë të shekullit të kaluar, ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Hyun, por më 1928 konvertohet plotësisht në fenë katolike, ndaj i kushton një seksion më vete kësaj dikotomie në vëllimin “Ndjenja e kohës”. Siç ka shkruar dhe vetë ai, “Himne” “do të ishte shfaqja e parë i kthimit tim në besimin kristian që, ndonëse fshihej brenda meje e synime të tjera më joshnin, nuk reshtte së prituri. Lindi gjatë Javës së Shenjtë, në manastirin e Subiaco-s, ku isha mysafir te miku im i vjetër Francesco Vignanelli, murg në Montecassino”.

Këtu kemi sjellë disa poezive më përfaqësuese të këtij seksioni, shkëputur nga “Ndjenja e kohës”, sjellë në shqip nga Aida Baro.

 

DHEMBSHURIA
1928

1

Njeri i brengosur jam.

E të ikja do të doja
Të mbërrija më së fundi,
Dhembshuri, atje ku njeriu
Mban vesh vetveten.

Veç kreni dhe mirësi më kanë mbetur.

I mërguar ndihem mes njerëzish.

Por për ata po tretem.
S’e kam hak vetvetes t’i kthehem?

Me emra heshtjen kam populluar.

Zemër e mendje i bëra copë e çikë
Skllav i fjalëve për t’u bërë?

Mbret i hijeve jam.

O gjethe të vyshkura,
Shpirt i endur tej e tëhu…

Jo, zët e kam erën dhe zëthin e saj
Prej bishe të pamoshë.

Zot, ata që të përgjërohen
Veç emrin të njohin tashmë?

Më zbove nga jeta.

Do të më zbosh edhe nga morti?

Ndoshta njeriu s’e meriton shpresën.

Është tharë edhe burim’ i pendimit?

Ç’vlerë ka mëkati,
Kur te dëlirësia më s’të shpie.

Mishi bën mund të kujtojë
Që dikur i fortë ish.

I marrë e i vjetruar, shpirti.

Zot, ruajna nga dobësitë tona.

Jepna një shenjë.

Më nuk po na shpotit?

Mëshirona aherë, mizori.

S’duroj dot i murosur
Në dëshirën pa dashuri.

Tregona një fije drejtësi.

Ligji yt cili është?

Lësho rrufetë mbi pasionet e mia mjerane,
E nga trazimi çliromë.

U lodha pa zë duke britur.

 

2

O i trishtë mish
Ku dikur vlonte gazmendi,
Sy gjysmë të mbyllur lodhur në zgjim,
E sheh, o shpirt fort i arrirë,
Ç’më pret, në dhé kur të bie?

Te të gjallët është udha e të fjeturve,

Ne jemi lumi i hijeve,

Ato janë fara që na bulon në ëndërr,

Tyrja është largësira që na mbetet,

Tyrja është hija që peshë u jep emrave.

Shpresë për një grusht hijesh
E më asgjë është fati ynë?

E ti na qenkësh veç një ëndërr, o Zot?

Guximtarë, një ëndërr së paku
Duam të të ngjajë.

Fryt i marrëzisë më të kthjellët është.

Nuk dridhet në re degësh
Si harabelat mëngjeseve
Në buzë të qepallave.

Përbrenda po na lëngon, plagë e mistershme.

 

3

Drita që na sëmbon
Është një fill përherë e më i hollë.

Më nuk na lëbyr, pa na vrarë?

Falma këtë të rrallë hare.

 

4

Njeriu, o gjithësi e përjetshme,
Kamjen pandeh se shumon
E nga t’tijat duar të ethshme
Pareshtur veç kufij dalin.

Mbërthyer pas boshit
Në t’vetën cergë merimange,
S’i druhet e nuk ngashënjen gjë
pos britmës së vet.

Kalbjen sfidon tek ngre varre,
E kur mendon për ty, I Amshuar,
Veç blasfemitë i kanë mbet’.

 

KAINI
1928

Rend mbi rërat përrallore
E lehtë këmba e tij.

O bari ujqish,
Me dhëmbët dritë vetëtimtare
Që shkon tej për tej ditët tona.

Llahtari, hove,
Grahma pyjesh, me atë dorë
Që si hiçmosgjë thyen lisa të moçëm,
Sipas shëmbëlltyrës së zemrës je krijuar.

Dhe kur terri pllakos ngado,
O trup lastar
Ti je mes pemëve të magjepsura?

E tek pëlcas nga lakmia,
Ndërron moti, i frikësuar endesh,
Me timin çap më shket duarsh.

Si një burim nën mriz, për të fjetur!

Kur mëngjesi ende i fshehtë të jetë,
Një valë e çlodhur, o shpirt,
Do të të presë.

O shpirt, kurrë s’do të di të të qetoj?

Më s’do të shoh gjak mes nate?

Bijë e pacipë e mërzisë,
Kujtesë, kujtesë e pashuar,
S’ka erë që t’i marrë me vete
Retë e tisit tënd?

Sytë të pafaj do t’më ishin,
Pranverën e amshuar do të shihja

Dhe, më së fundi e re,
O kujtesë, e çiltër do të ishe.

 

SHPIRTHUMBUR
1931

Si gurin e ashpër të vullkanit,
Si gurin e brejtur të përroit,
Si natën e vetmuar e gollomesh,
O frymë, prej hobesh e llahtaresh
Pse lart nuk të ngre
Dora e sigurt e Zotit?

Kjo frymë
Që zemrës ia njeh kotësitë
Dhe të pabesat ngashënjime ia njeh
Dhe botës ia di masën
Dhe planet e mendjes sonë
kryelartësi i quan,

Pse vetëm rrëmbime tokësore
Mund të heqë e vuajë?

Më sytë nuk m’i hedh, o Zot…

Dhe s’kërkoj veç harrim
Në verbërinë e mishit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin