MENDIME TË PAKREHURA (LXIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Edhe një happy end një lloj fundi është.

Një botë pa psikopatë? Nuk do të ishte normale.

Shumë gjëra s’e kanë parë dritën e diellit, ngaqë nuk u vinin dot emër.

Le të shmangim përrenjtë e gjakut dhe të krijojmë titullin e heroit honorifik.

Mos harroni që çmimi që duhet paguar për lirinë ulet, sa kohë që rritet kërkesa.

Kur nuk ke më dhëmbë, gjuha sikur fiton pak më shumë liri.

Të mos ndërtojmë azile për varfërinë intelektuale.

A do të vijë dita kur njeriu të arrijë një nivel etik të tillë, sa të krijojë për endacakët burgje ambulante?

Për fat të keq, vlerat e amshuara nuk kanë datë skadimi.

Njerëzit ngatërrojnë legjislacionin me legjislaturën.

Njeriu: persona non grata.

Edhe analfabetizmi i tjetrit nuk të lë të shkruash.

Sa përmbytje ka pasur, por pa Noe!

Kam parë kafaze fluturuese, me shqiponja brenda.

Ekziston një botë ideale e shpifjes, ku gjithçka është e vërtetë.

Akte që nuk kanë ndodhur shpesh sjellin me vete një mungesë katastrofike pasojash.

Duhet popullarizuar elitizmi!

Triumfi i njohurive mbi njeriun: dosjet e policisë sekrete.

Le të tregohemi me takt dhe të mos i pyesim njerëzit nëse janë gjallë.

Edhe shkopinjtë e gomës tregojnë drejtimin.

Aktori gjithnjë duhet të ketë diçka për të thënë, edhe kur luan një rol të heshtur.

Mbase Shekspiri nuk ishte Shekspiri. X, gjithsesi, me siguri nuk është.

Ja një sistem nga ku nuk do të dalim dot për ca kohë: diellori.

Çdo spektator vjen në teatër me akustikën e vet.

Aktorët dalin nga skena, pasi ta kenë luajtur rolin e tyre. Në teatër.

Shkrimtarë, mos shkruani me bojë, por me gjak! Veç jo me gjakun e tjetrit.

Luajmë shpesh komedi pa pritur që të na duartrokasin.

Plagjiatorët e bëjnë gjumin të qetë: Muza është grua dhe zakonisht nuk ia thotë kujt emrin e të parit.

Sa tragjedi të admirueshme mund të shndërroheshin në komedi, me një duartrokitje të vetme!

Mos u zini besë temave që s’i shmangni dot.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin