PËRKTHIM / ΜΕΤΑΦΡΑΣΙΣ / TRANSLATIO

Përkthim / μετάφρασις / Translatio, në prozë dhe poezi[1]

nga Sokol Çunga

Nëse gjuha është elementi zhvillimor që vjen diku menjëherë pas epokës kur njeriu primitiv mësoi të përdorë veglat e punës, komunikimi, shkëmbimi i mesazheve, forma parësore e përkthimit, ka qenë lidhja e njeriut me vendin dhe grupin, i cili, më pas, kthehet në komunitet. Në pellgun e Mesdheut, dy gjuhët e shkruara më herët dhe ende të ruajtura në forma të kuptueshme të shkrimit, greqishtja dhe latinishtja, veprimin e kalimit të ideve dhe mendimeve nga njëra gjuhë, në tjetrën, e kanë quajtur μετάφρασις dhe translatio.

Në rastin e greqishtes, emri mesjetar μετάφρασις prodhohet nga folja μεταφράζω, që përbëhet prej parashtesës μετά (që, së fundmi, do të na e ngulisë mirë në mendje dhe ish-Facebooku, si të mos mjaftonin gjithë ish-et ekzistuese), dhe foljes φέρω, dhe do të thotë “çoj, bart, transportoj diçka diku”. Nuk specifikohet terreni në të cilin kryhet kjo bartje, ndaj, nëse është i rrafshët dhe i thjeshtë për t’u përshkuar, apo i thepisur dhe i rrezikshëm, kjo mbetet për t’u gjykuar sipas rastit.

Ndërkaq, latinishtja me translatio, veçse na jep afërsisht të njëjtin ndërtim, ku trans+latio nënkuptojnë, sërish, transportin, na jep edhe një pamje më të qartë të topografisë ku zhvillohet ky transport: nga njëra anë në tjetrën, ose nga njëri breg në tjetrin (teksa latus = breg, anë). Përfytyrojmë, pra, një varkëtar a notar, i cili nga bregu ku ndodhemi, hidhet në ujë, shkon në bregun tjetër, merr mallin e nisur për t’u bartur, dhe e kalon në anën tjetër. I gjithë procesi ka një kusht: as bartësi, as barra s’duhet të shtohen a pakësohen, as të dëmtohen.

Vijmë tek shqipja jonë, ku emri përkthim vjen nga folja përkthej, ndërtuar me parashtesën fjalëformuese për dhe foljen kthej. Vetë fjala është kalk përkthimor, teksa kuptimi rreket t’u qëndrojë besnik kuptimeve të mësipërme të greqishtes dhe latinishtes, por pa sukses, them unë. Nuk nevojiten njohuri të gjuhësisë historike, për të kuptuar se folja kthej ka një sërë kuptimesh të dyshimta: përmbys, përthyej, përkul, përdredh, këmbej, apo dhe shkatërroj a vdes. Parashtesa fjalëformuese, veçse vlen si element që përforcon veprimin, s’e ndihmon dot foljen për të mbërritur pjekurinë e saj.

Një reflektim i shkurtër: rrekemi të bartim kumte nga gjuha e huaj në shqipe, dhe / ose anasjelltas, por vetë procesi në shqipe s’ka ende një emërtesë kuptimplotë. Vetëm konvencioni unanim na bën të merremi vesh se kur themi përkthej, nënkuptojmë po atë që thotë dhe translatio apo μετάφρασις.

I them këto fjalë jo për të përgojuar gjuhën shqipe, por për të sjellë shembullin tipik të vështirësive që lindin gjatë përkthimit nga gjuha e huaj në shqip, qoftë në prozë, qoftë në poezi. Besoj, në rastin e prozës, shumëkush bie dakord me mendimin se përkthimi është, deri diku, më i thjeshtë se përkthimi i poezisë. Perifrazimet, interpretimi i tekstit përmes mjeshtërisë gjuhësore dhe figurative, e ndihmojnë jo pak përkthyesin e prozës. Ndërkaq, shndërrimi i emrit a foljes në togfjalësh (rasti i zakonshëm: emër + mbiemër i nyjshëm), bartja e figurës letrare përmes një figure tjetër, ndërtuar me njësi leksikore të ndryshme nga ajo e gjuhës burimore, janë ndërmarrje ndonjëherë të domosdoshme, por të rrezikshme në poezi. Terreni pothuaj i rrafshët i prozës thepiset e vështirësohet në poezi, apo ujët e kulluar të lumit të prozës turbullohet e sjell gurë e drurë në rrjedhën e përkthimit të poezisë.

Ç’i mbetet përkthyesit të bëjë në një realitet ku, s’mund të mos e themi, gjuha shqipe sa vjen dhe më pak i përmbush nevojat për përkthimin e teksteve bashkëkohore, plot lema që bartin jo thjesht kuptim leksikor, por edhe nënkuptime kulturore e ndërkulturore, apo shtresëzime kuptimore, të vështira për t’u bartur të pacen në shqipe? E para, përmes mjeteve ekzistuese gjuhësore, të bartë mes gjuhëve barrën kuptimore. E dyta, meqenëse pjelloria gjuhësore, neologjizmat, përshtatjet apo kalket janë të vështira të evidentohen në mënyrë empirike, brenda realitetit albanologjik ku leksikologjia dhe hartimi i fjalorëve është shkencë që nuk zhvillohet prej të paktën tri dekadash, përkthyesit i mbetet të mbështetet ndoshta me dashuri, por gjithsesi me kujdes të skajshëm dhe me kompetencë në aftësitë e veta gjuhësore. Zbrazëtia e krijuar prej fjalorëve që nuk përditësohen që prej viteve ’80 të shekullit të shkuar, nuk mund të mbushet prej individit. Ama kushdo që merr përsipër këtë punë a detyrë, le ta shohë si terren të minuar që rrezikon të shkatërrojë atë vetë dhe barrën, në mënyrë që të mos sjellë nga bregu tjetër skeletin e kumtit, si Santiago skeletin e peshkut.

Element i rëndësishëm në sjelljen e një përkthimi të arrirë është dhe përzgjedhja e tekstit, në këtë rast, e poezisë. Afërsia me mënyrën si shkruan dikush, gjuha që përdor, figurat, tematika, përcaktojnë dhe rezultatin e përkthimit. Personalisht, me Antologjinë e Poezisë Bashkëkohore Greke (Berk, 2021) u përpoqa të kapërcej disa kufij personalë në përkthimin e poezisë. Të gjithë autorët/autoret e këtij vëllimi i lexoj me ëndje. Madje edhe të tjerë, që nuk janë këtu. Por jo çdokënd e përkthej me po aq lehtësi sa e lexoj. Prandaj dhe ka autorë që nuk janë këtu, por në kompjuterin tim, për një rast tjetër.

Tjetër element i rëndësishëm në përkthim është dhe marrëdhënia e tekstit me një realitet historik, gjeografik apo prosoponimik. Pa ditur se çfarë ka ndodhur në një çast të historisë, pa njohur simbolet e përdorur, nuk mund të krijohet marrëdhënie me tekstin dhe, si rrjedhojë, përkthimi nuk do të mbërrijë në formën e duhur në duar të lexuesit.

Bëj një parantezë këtu, dhe sjell shembullin e Sapfosë, poetes nga Lesbosi. Nga të paktën 10.000 vargje të saj, sot kemi diku tek 650 vargje dhe fjalë. Mirëpo, kërshëria njerëzore dhe vullneti shkencor kanë bërë që për Sapfonë të kemi më shumë studime se për poetët bashkëkohorë. Dimë thuajse gjithçka për sa u përket rrethanave politike, ekonomike, kulturore, gjuhësore (në këto të fundit një kontribut të madh e jep edhe vetë Sapfoja) të kohës së saj. Dhe studimet sapfike janë në çastin ku çdo fjalë e saj është e analizuar nga disa këndvështrime, e verifikuar dhe ballafaquar me çdo studim tjetër të mundshëm. Falë këtij studimi të imët, e kisha të mundur dhe të përfundoja (me sukses, për mua) përkthimin e fragmenteve të Sapfosë nga origjinali. Pasi enigmat e fjalës a frazës, të antroponimeve a toponimeve, janë të diskutuara dhe të saktësuara prej shumë burimesh. Po ashtu, edhe nuancat gjuhësore janë të studiuara imtësisht, pasi janë fort të dobishme për shkencën e gjuhësisë.

Për t’u kthyer sërish tek poezia bashkëkohore, përkthyesit i duhet jo thjesht të zotërojë aftësi gjuhësore (ndoshta më të thjeshta se njohja e gjuhëve të vjetra), por të ketë edhe informacion historik. Si shembuj sjell këtu më poshtë dy poezi, një nga Nikolaos Kucodhondis dhe një nga Nikos Kavadhias, të cilat nuk bartin thjesht dekore, por ashtin e poezisë. Kjo është pikërisht ajo që nënkupton shprehja se përkthyesi është ndërmjetës mes kulturash, jo thjesht zejtar që transporton fjalë nga një gjuhë, në një tjetër.

 

Nikolaos KUCODHONDIS

KAFENEJA SPITFAJËR[2]

Lavatriçet vrapojnë në rrugicat e Leukosisë
shpëlajnë kanotierat e ushtarëve
dhe të brendshmet plot lëngje onirike.
Kuadrot falimentojnë me krizën
qytetarët falimentojnë si kuadrot
komunistët e kanë fajin për të gjitha
teksa njeriu përkrah mbante erë djerse dhe fryme
marrë hua nga një grua në bordello
limuzinat rendnin në bulevardin Griva
natën përpara parakalimeve të shkollave
ku adoleshentët mbanin në duar meandre.
I binte detyrë dezhurnit të dhomës
që ushtarët t’i mbulonte kur
në ëndrra luftonin me çarçafët.
Ruante kasafortën e armëve numëronte
dhe hekuri kishte një shije
si e çara e gishtit që kemi futur në gojë.
Pajimet qenë grisur dhe çelësat
tingëllonin në lojën garipçe.
Ishte vetëm, sigurisht.

Në kodrën e Maqedonitisës ishin rreshtuar
thellë bimsave të kujtesës
hallavitesha përpara fotografive të të vdekurve.
Ishin të rinj me pantallona xhinsi
dhe më buzëqeshnin nën cullufe
teksa më tutje dukej goja e Kisingerit
aeroport i vjetër me xhama të thyer.
Kishim pasditen e leje-daljes
për te seri e hamtoreve, te kafenetë me brandy
imamët këndonin dhe në internet kafetë
gjatë pushimit bënin skajp shërbëtorët aziatikë.
Por mes gjithë gërmadhave që u bënë vijë kufitare
me dritaret dhëmbëdala
plot çimento dhe ndryshk
shqova kafenenë “Spitfajër”.
Popullohej nga insektet dhe gëzhojat e rëna
të denja për emrin e vet!
Në fund të shërbimit tim në Qipro
s’kam gjë për të kujtuar
asgjë veç një muri në fjetore
ku kishin shurruar shokët
dhe në banja
spermën e trashë derdhur përdhe.

 

Shpjegime të përkthyesit.

Në kodrën e Maqedonitisës
Kodra e Maqedonitisës, në Leukozi të Qipros greke e ka marrë emrin nga manastiri me të njëjtin emër që ndodhet në të. Pas përpjekjeve turko-qipriote, ushtarët qipriotë dhe grekë të rënë mes viteve 1967-1974 janë varrosur në një pjesë të kodrës. Më 22 korrik 1974, gjatë një operacioni sekret për transportimin e ushtarëve komando nga Greqia në Qipro, një prej aeroplanëve transportues u qëllua nga kundërajrorët e ushtarëve qipriotë-grekë, të cilët nuk ishin njoftuar për operacionit. 28 ushtarë humbën jetën nga përplasja, por edhe dhjetëra të tjerë u plagosën apo u vranë nga zjarri i forcave aleate. Ende nuk janë qartësuar rrethanat dhe shkaqet e kasaphanës që mund të ishte shmangur.

shqova kafenenë “Spitfajër”
Bar-kafe Spitfajër (Spitfire Cafe), ndërtesë emblematike në Nikozi e cila u la të rrënohej nga koha pas pushtimit të Qipros nga Turqia më 1974, pasi bar-kafeja u ndodh në vijën kufitare të zonës asnjanëse të kontrolluar nga forcat e Kombeve të Bashkuara.

Nikos KAVADHIAS

KAFAR[3]

për Jorgo Papën

Përgjithmonë të rrosh në të njëjtin qytet,
por fort ta ruash dëshirën e udhëtimit,
e mbrëmjeve, kur çapet hedh jashtë zyrës,
vuajërisht të vështrosh kafenetë e mjerimit.

Anijet dikur pata fshehtas synim,
por bota, si fletë e bardhë, seç u bë,
e njëjta gjë është si të rroj sot në Greqi,
a për Fernando Po udhëtim të zë.

Maunat s’janë për rrugë, zvarriten shumë,
topitesh në anijet e linjës me turistë,
kur muaj me radhë ngarkon oriz në Ragun
vdekje i ndjell shpirtit artist.

Polet, tashmë, s’mbet kush pa i parë,
Aurora Borealis-in e soditim ngahera,
ndër vite akujt mbulohen me kuti
sardelesh spanjolle flakur në plehra.

Në Taiti jetoi plot muaj edhe Loti;
në zbritsh ca më poshtë, atje në Markiza,
ku hanin bananet me rrënjë të egra,
tani shesin parfum të markës Coty.

Japonezkat e bardha dhe çupkat nga Kili,
ezmerkat e Marokut që shesin mjaltë,
si çdo grua e zakonshme i bënë kofshët,
dhe puthjen e japin njësoj si gjithë gratë.

Vetëvrasja u bë privilegj veç për femra;
të tilla mendime dikur pata bluar.
Pat qenë m’i lehtë fundi nga droga,
po s’ke më ku gjen drogë të pa trazuar.

Shënime të përkthyesit:

Kafar
Nga frëngjishtja cafard, trishtim, melankoli, apati katatonike, gjendje vdekjeje për së gjalli. Poeti përdor të njëjtën fjalë, por shkruar me germa greke, si për të thënë se edhe atë pak ekzoticizëm që ka vetë fjala cafard, mjedisi mbytës i qytetërimit gjysmak ia ka mbytur, as trishtimi dhe vdekja s’janë më zgjedhje fisnike.

Fernando Po
Ishulli Bioko në bregun perëndimor të Afrikës, skaji më verior i Guinesë Ekuatoriale.

Ragun
ose Yagun: kryeqytet i Birmanisë, Mianmarit të sotshëm, në Azinë Jug-Lindore.

Polet, tashmë, s’mbet kush pa i parë,
Aurora Borealis-in e soditim ngahera,
ndër vite akujt mbulohen me kuti
sardelesh spanjolle flakur në plehra

Teksa ca pak dekada më herët askush s’i dinte cilët ishin polet dhe Aurora Borealis, masivizimi i informacionit i ka bërë të gjithë të ditur, pavarësisht se askush s’ka qenë atje për t’i parë vendet apo dukuritë. Vetvetiu, s’kanë parë as ndotjet mjedisore që shkakton qytetërimi.

Loti
Pierre Loti (1850-1923), romancier francez, autor librash udhëtimi me tematika ekzotike. Udhëtimet e tij në Taiti si oficer i marinës franceze i botoi në romanin Le Rarahu ose Mariage de Loti (1880).

Coty
François Coty (1874-1934), prodhues parfumesh dhe themelues i shtëpisë së parfumeve me të njëjtin emër. Përmendja e markës Coty nënkupton depërtimin e konsumerizmit në shoqëritë e pa ndotura prej globalizmit, element i zhdukjes së individualitetit.

si çdo grua e zakonshme i bënë kofshët,
dhe puthjen e japin njësoj si gjithë gratë.

Edhe femrat ekzotike të Japonisë, Kilit apo Afrikës kanë humbur çdo shkëlqim, teksa i janë nënshtruar uniformitetit asgjësues.

Pat qenë m’i lehtë fundi nga droga,
po s’ke më ku gjen drogë të pa trazuar.

Edhe zgjidhja fatale, vetëvrasja, është kthyer në privilegj klasor dhe nuk përbën më simbol indinjate, askush s’do ta vinte re. Kurse mundësia tjetër, drogat, edhe ato nuk ofrojnë gjë, pasi nuk ekziston më droga e pastër. Gjithçka që dikur konsiderohej ves dhe anti-sociale, tashmë është bërë sociale, por është zvetënuar dhe ka humbur gjithë cilësinë që e identifikonte. Ligjëruesi mbetet pa shpresë, pa rrugëdalje. As vdekja s’është zgjidhje.

 

[1] Diskutim mbajtur në tryezën e diskutimit “Përkthimi në dritën e projektorit, poezia përballë prozës”, në kuadrin e Panairit të Librit, Tiranë, 19 nëntor 2021.
[2] Antologji e Poezisë Bashkëkohore Greke, Berk 2021, fq. 131-133, .
[3] Antologji e Poezisë Bashkëkohore Greke, Berk 2021, fq. 371-373.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin