ENCIKLOPEDIA QË NXORI DETI

Kot lodhesh, më thotë një mik.

Lexoj këto ditë një recension tejet pozitiv të librit tim Cose portate dal mare (Besa Muci, 2020, përkthyer nga Valentina Notaro), nga Anna Lattanzi, në faqen SoloLibri.net.

Mendoj menjëherë se një recension të tillë, të thjeshtë por të nevojshëm, nuk do ta gjeja kurrë në ndonjë media shqip, madje as për këtë libër që dikur në Shqipëri pat fituar çmimin “Ardian Klosi”.

Lexoj dhe arrij fundin dhe pastaj befasohem nga profili im:

Scrittore e traduttore, Ardian Vehbu [sic] vive attualmente a New York. Decisamente famosa la sua polemica contro la persona di Ismail Kadare, portata avanti attraverso articoli pubblicati su alcuni giornali albanesi e sul suo blog personale Peizazhe.com. Una controversia molto accesa la sua, in particolare riguardo alla contestazione dell’origine degli albanesi, a suo avviso asiatico-orientale, visione totalmente contraria a quella di Kadare, che ne vede una esclusivamente europea.

Ka kaq pasaktësi dhe gjëra të paqena, duke filluar nga emri i shkruar keq, te cilësimi i peizazhe.com si blogun tim personal (nuk është blog por revistë, nuk është personal, pse kanë shkruar mbi 150 firma në rrjedhë të viteve), sa nuk di nga ta filloj.

Doemos nuk më pëlqen që, nga gjërat e ndryshme që kam bërë në kulturë, të përmendem për një gjë fare anësore, si polemikat “kundër personit të Ismail Kadaresë”.

Dhe aq më tepër, që polemika të tilla paskan qenë veçanërisht të lidhura me “origjinën e shqiptarëve”, që sipas meje qenka “aziatike-orientale”, një vizion “totalisht i kundërt me atë të Kadaresë”, që e sheh si ekskluzivisht europiane.

Vras mendjen se ku i ka gjetur Anna Lattanzi këto të dhëna.

S’kam bërë ndonjëherë polemikë me Kadarenë për “origjinën e shqiptarëve”; dhe aq më pak e kam parë këtë origjinë si “aziatike-orientale”.

Nuk më duhet shumë për ta gjetur burimin e dizinformimit: faqja italishte për Ardian Vehbiun, në Wikipedia.

Në këtë faqe, kundërshtive të mia me Kadarenë u kushtohet një kapitull më vete (Controversie riguardo Kadare), ku thuhet:

Vehbiu e riconosciuto come uno dei critici più accesi della persona di Ismail Kadare; nel corso degli anni Vehbiu è stato al centro dell’attenzione e ha sollevato polemiche riguardo Kadare e la sua persona, attraverso articoli nella stampa albanese o scrivendo nel suo blog personale Peizazhe.com. Alfred Lela in un articolo nel giornale MAPO tentando di fare una classificazione, divide i detrattori di Kadare in due gruppi: filo-sovietici e ottomanisti. Una separazione simile viene fatta anche da altri giornalisti, scrittori e critici, tenendo conto anche delle precedenti polemiche di Kadare con Rexhep Qosja – in riferimento all’identità degli albanesi – in cui questo ultimo sostiene che gli albanesi hanno radici asiatico-orientali, a differenza di Kadare che racconta di un’identità europea degli albanesi.

Ky paragraf i referohet, për autoritet, Alfred Lelës, i cili ka bërë një klasifikim të “detraktorëve të Kadaresë”, çfarë mund të jetë e vërtetë, por nuk ka lidhje me mua, as me shkrimet e mia dhe aq më pak me profilin tim, meqë nuk besoj se Lela më konsideron si filo-sovjetik dhe as si “otomanist (dumbabist)” (këtu edhe cilësohet “Peizazhe të fjalës” si blogu im personal). Thuhet pastaj se ky klasifikim mban parasysh edhe polemikat e mëparshme të Kadaresë me Rexhep Qosen, në lidhje me identitetin e shqiptarëve, në të cilat ky i fundit (Rexhep Qosja) mbron idenë se shqiptarët kanë rrënjë “aziatike-orientale”.

Alfred Lela do të habitej, po të merrte vesh se një artikull i tiji rutinë nga MAPO është shndërruar në burim autoritar për Wikipedia-n italiane – nuk di ta ketë pretenduar ndonjëherë rolin e arbitrit në debatet intelektuale në kulturën shqipe bashkëkohore. Nga ana tjetër, Kadareja si autor dhe si figurë publike është aq i pranishëm në diskursin kulturor bashkëkohor, sa nuk e shmang dot edhe po të duash – por unë do të preferoja të mbahesha mend si njohës i mirë dhe interpretues i veprës së tij, jo si polemizues me të (ky rol do t’u shkonte më mirë ca të tjerëve); kushdo që merr mundimin të më analizojë ç’kam shkruar në vite, mund ta verifikojë.

Siç do ta keni parë tashmë, Anna Lattanzi, e recensionit të lartpërmendur te SoloLibri, është ngatërruar duke e kaluar cilësimin për “rrënjët aziatiko-orientale” të shqiptarëve nga Rexhep Qosja tek unë – besoj ngaqë nuk e ka lexuar mirë paragrafin.

Faqja ime, në Wikipedian italiane, është për të vënë kujën – aty flitet më shumë dhe më thellë për Ismail Kadarenë dhe Alfred Lelën (ky i fundit përmendet në referencë ndaj meje më shumë edhe se në faqen e vet), se për mua. Dhe duke qenë kaq e zhbalancuar dhe kaotike, përveçse e mangët në informacion, e rrezaton efektin negativ përtej hapësirës së vet, siç e provon recensioni i Anna Lattanzi-t, i cili përcjell dashur pa dashur një portret të gabuar dhe dizinformues për autorin e librit.

Për t’u shënuar edhe se, nga gjashtë referencat që kanë sjellë autorët e kësaj faqeje për veprimtarinë time si autor, pesë kanë lidhje drejtpërdrejt me Ismail Kadarenë (dhe janë nga Agron Gjekmarkaj, Alfred Lela, Minella Aleksi dhe Kadareja vetë), ndërsa e gjashta të çon te një Gabim 404  – kjo duhej të ishte, me arsye, dëshmia që libri im Shqipja totalitare pat fituar çmimin “Gjergj Fishta”, si eseja më e mirë në 2009.

Natyrisht, Ministria e Kulturës, që e ka dhënë këtë çmim, nuk ka një faqe me informacion, ku të referohen të interesuarit; edhe pse jep njoftimin për mua si fitues i çmimit “Ardian Klosi”, me librin Sende që nxirrte deti, në 2014 (një çmim që u dha nga Fondacioni Fischer). Ky njoftim i referohet një linku te Panorama.com.al, i cili gjithashtu çon te një Gabim 404.

Wikipedia është një e mirë publike (commons), nga e cila përfitojnë falas me dhjetëra miliona përdorues çdo ditë. Edhe unë e përdor shpesh për punët dhe interesat e mia, dhe më shërben kaq shumë, sa prej vitesh e mbështes me dhurime financiare të përmuajshme.

Ndoshta katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në universitetet italiane, mund t’ua jepnin si detyrë, me përparësi, studentëve të atjeshëm, që të mirëmbajnë faqet kushtuar kulturës shqiptare dhe autorëve të saj, në Wikipedian italiane (dhe të mos ua linin këto faqe në dorë lexuesve shkeleshko të tabloidëve të Tiranës). Fakt është që edhe autorja dashamirëse e recensionit më lart, për të gjetur informacion për mua, shkoi dhe e kërkoi natyrshëm në Wikipedia – pa e ditur se Wikipedia këtë herë do ta linte në baltë.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin