ARBËRESHËT E ÇARTUR

nga Relapso

Në veprën Romantizmi në Europë lindore dhe juglindore dhe në literaturën shqiptare, shkruar në vitin 1945, Çabej thoshte:

Romantizmi…, pjellë e thjeshtë e botës së kulturës perëndimore, para se të themelohej si shkollë në Gjermani nga fillimi i shek. XIX dhe para se të dilte emri “romantik”, që në gjysmën e dytë të shek. XVIII ishte pregatitur si frymë e kohës dhe si atmosferë shpirtërore.

Kjo “frymë dhe atmosferë shpirtërore” që përgatiti terrenin për lindjen e lëvizjeve nacionaliste nëpër Europë, vinte natyrshëm në vazhdën e humanizmit e iluminizmit dhe shprehej në interesin për prejardhjen historike, gjuhën, folklorin, traditat, zakonet dhe tiparet e veçanta që e dallonin një grup etnik nga një tjetër. Falë këtyre lëvizjeve kulturore që u zhvilluan përgjatë gjithë shek. XVIII u bë i mundur krijimi i vetëdijeve “kombëtare”, pra i kombeve, e që pastaj u shndërruan në lëvizje politike të cilat sollën krijimin e shteteve kombëtare.

Shqiptarët nuk bëjnë përjashtim nga kjo skemë. Edhe romantizmi shqiptar si “pjellë e thjeshtë e botës së kulturës perëndimore” nuk mund ta zinte fillin veçse ndër arbëreshët që për nga pikëpamja kulturore ndodheshin mu në zemër të Perëndimit. Në veprat e intelektualëve arbëreshë të shek. XVIII i gjejmë të gjitha elementet kulturore që pollën romantizmin. Ishin po arbëreshët që gjatë gjysmës së parë të shek. XIX kaluan nga romantizmi kulturor në një ideologji mirëfilli nacionaliste me kërkesa të qarta politike. Duke filluar nga mesi i shek. XIX kjo lëvizje tashmë ideologjike zuri të përhapej e të hidhte rrënjë dalë nga dalë edhe ndër shqiptarët e Ballkanit. Vetëm fazën e fundit gjysmëshekullore të këtij procesi që në fakt zgjati për më se një shekull e gjysmë ne jemi mësuar ta quajmë Rilindje Kombëtare.

T’i hedhim një vështrim të shpejtë disa fakteve… bibliografike.

***

Gjergj Guxeta (Giorgio Guzzetta 1682-1756) dhe vepra e tij përbëjnë nyjën ku lidhet filli i “atmosferës kulturore” që solli Rilindjen. Është përmendur shpesh si themeluesi i Seminarit arbëresh të Palermos (1734), si prelat me ndikim të madh te bashkëkohësit, madje dhe si njeri i shenjtë, aq sa arbëreshët i kanë kërkuar Vatikanit lumnimin e tij dhe eventualisht shpalljen e tij si shenjt. Fare pak është folur për veprat që shkroi.

Guxeta la disa shkrime dhe vepra me karakter fetar, historik dhe gjuhësor, një panoramë të plotë të të cilave mund ta gjeni në librin e studiuesit M. Mandalà Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe, botuar nga “Çabej” në 2006. Por vepra më e rëndësishme është padyshim ajo me titullin De Albanensium Italiae rite excolendis ut sibi totique S. Ecclesiae prosint (Ndjekja e ritit nga arbëreshët e Italisë për të ndihmuar veten dhe tërë kishën), shkruar diku nga viti 1735. Në këtë vepër autori, pasi përshkruan historinë e ngulimeve arbëreshe, luftërat e Skënderbeut, mërgimin në Itali për të ruajtur besimin e të parëve, ndalet në veçanti në sqarimin e identitetit të arbëreshëve, të cilët asokohe ngatërroheshin me grekët për shkak të ritit bizantin që ndiqnin në kishë. Me një sërë argumentesh historike, etnokulturore, folklorike dhe gjuhësore ai rreket të vërtetojë se arbëreshët janë krejt ndryshe nga grekët, kanë një prejardhje më fisnike, sepse rrjedhin nga maqedonasit dhe epirotët e lashtë, flasin një gjuhë më të fisme se greqishtja etj. Në funksion të kësaj ideje të fundit autori ndërmerr edhe analizën “etimologjike” të rreth 200 fjalëve të shqipes që i nxjerr të prejardhura kryesisht nga maqedonishtja dhe pjesërisht nga latinishtja. Asnjë fjalë nuk i del nga greqishtja, sepse synimi ishte pikërisht ky: të vërtetonte se shqiptarët nuk i lidh asgjë, as për së largu, me grekët.

Ishte Guxeta që përdori i pari germën “ë”, e cila duke kaluar nga një autor te tjetri arriti deri në Kongresin e Manastirit.

Guxeta pati marrëdhënie të ngushta e të vazhdueshme me shqiptarët e Ballkanit, gegë dhe toskë. Një pjesë të tyre i kishte pasur nxënës, madje ai zgjodhi si rektor të parë të Seminarit pikërisht një himarjot, Pjetër Andrean. Kishte marrëdhënie edhe me Zmajeviçin, organizuesin dhe drejtuesin e “Kuvendit të Arbënit”. Qysh nga koha e studimeve në Romë kishte lidhur miqësi të ngushtë me ipeshkvin e Shkupit, gjakovarin Gjon Nikollë Kazazi. Ishte pikërisht ky i fundit që në një letër të famshme që i shkruan Guxetës nga Roma në vitin 1743, e njofton me entuziazëm për gjetjen e Mesharit të Buzukut, e i dërgon bashkëngjitur edhe një fragment nga libri. Por sipas B. Demirajt, Guxeta duhej ta njihte veprën e Buzukut, sepse në bibliotekën e seminarit ruhej një kopje me dorë e librit.

Paolo Maria Parrino (1711-1765), nxënës i Guxetës dhe pasuesi i Pjetër Andreas në krye të seminarit vijoi punën e Guxetës duke shkruar një mori veprash ku u mëshon po atyre çështjeve që kishte trajtuar edhe Guxeta.

Nikollë Filja (Nicolò Figlia 1693-1769), edhe ky nxënës i Guxetës, është mbledhësi i parë i folklorit arbëresh. Njihet mbi të gjitha si autor i “Kodikut të Kieutit” (1736-1739), një dorëshkrim që përfshinte vepra të ndryshme në shqip: një katekizëm, një tufë me poezi të Filjes, poezi të Nilo Katalanos dhe Nikollë Brankatit, por mbi të gjitha përmbante një përmbledhje me 18 këngë popullore. Duke filluar me Filjen praktikisht të gjithë autorët arbëreshë të shek. XVIII e XIX deri te Kamarda (1866), do të interesohen për folklorin. Duhet të kalojnë gati 150 vjet nga Kodiku i Kieutit para se edhe shqiptarët në Ballkan më në fund të fillojnë e të mbledhin folklor me Bletën shqiptare të Thimi Mitkos (1878). Dëshmitë më të vjetra e më autentike të folklorit tonë, si baladën e Kostandinit dhe Doruntinës; këngën e Nik Petës, këngën e Pal Golemit, Kostandini i vogëlith etj. i kemi nga arbëreshët. Të mos harrojmë se interesi për folklorin dhe traditat popullore përbënte një nga elementet kryesore të romantizmit dhe të ideologjive nacionaliste. Pa folklor nuk mund të kishte as romantizëm e as rilindje kombëtare. Edhe pse këto fakte njihen nga studiuesit, çuditërisht tekstet tona akademike dhe shkollore e fillojnë historinë e folkloristikës shqiptare me Thimi Mitkon.

Nikollë Keta (Nicolò Chetta 1741-1803) është autori më i rëndësishëm dhe më poliedrik arbëresh i shek. XVIII. La disa vepra që po i përmend shkurt:

Tesoro di notizie su de Macedoni është një traktat i vëllimshëm shkruar në italisht ku autori, në vazhdën e pararendësve të tij, rrëfen lashtësinë dhe fisnikërinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Shqiptarët i nxjerr pasardhës të maqedonasve të lavdishëm të cilët nga ana e tyre, së bashku me hebrenjtë, ishin kombi më i lashtë i botës. Sipas tij kishin prejardhje hyjnore sepse lidheshin drejtpërdrejt me gjenezën biblike.

Keta shkroi disa vepra të rëndësishme në shqip: vepra teologjike, si Urtësia e kërshte, Ndëlgisa e barisë të gjithë Rruzullimit (Shpjegimi i krijimit të Rruzullimit), Barisia e gjith Rruzullimit (Krijimi i Rruzullimit); dhjetëra poezi lirike me motive laike dhe fetare, si edhe folklor arbëresh.

Po sjell këtu sa për ilustrim disa vargje të Ketës nga poezia e parë patriotike që njohim në letërsinë shqipe, shkruar aty nga viti 1780:

Kush Arbrit s’i ruan krahtë me gjak edhe,
Arbër s’ësht, e gjakun e dhelprësë ka,
I ndritmë Arbër e i ndermë, kurrë thënë kle,
Kush të huajtë ndih, e përkëmb Arbrinë tha.
Përse Arbri ndien dhunë, ka nder, e he,
Arbri qimen ndërroi, zakonë s’e la.
Me kordhë, me difek, Arbri përble,
Për gjakunë e tij po gjak Arbri dha.

Keta është i pari autor që në mënyrë të vetëdijshme përpiqet të shkruajë një shqipe ndërdialektore. Ai i njihte mirë veprat e autorëve të Veriut, Bardhit, Budit, Bogdanit dhe, sikurse Filja para tij, përdori shumë gegizma, madje edhe paskajoren gege. Është edhe i pari purist që njohim, sepse në gjithë veprën e tij në shqip prej qindra faqesh e mijëra vargjesh nuk gjendet as edhe një italianizëm. Përveç neologjizmave që mori prej Bogdanit, si rruzullim, Hyj etj, iu desh të krijonte vetë dhjetëra të tjerë për të zëvendësuar italianizmat që fshiu dhe për të shprehur konceptet abstrakte teologjike e filozofike të veprave të tij. Pati marrëdhënie të ngushta me shumë shqiptarë nga Shqipëria, sepse shërbeu si kapelan i Regjimentit Maqedonas, një repart ushtarak special i mbretërisë së Napolit që përbëhej vetëm nga ushtarë dhe oficerë të rekrutuar në Shqipëri. Njërit prej tyre, njëfarë Jani Gjika që njohu në Napoli, Keta i dha në vitet 1791-92 dorëshkrimet e tri veprave, tashmë të humbura, që t’ia dorëzonte Careshës së Rusisë, Katerinës II, për t’i botuar atje. Ndërkohë ai kishte pasur letërkëmbim të gjatë me oborrin rus, sepse ushqente shpresa që Rusia, e cila asokohe ishte në luftë me Perandorinë Osmane, mund t’i ndihmonte shqiptarët të çliroheshin nga zgjedha turke.

Engjëll Mashi (Angelo Masci 1758-1821), arbëresh nga Kalabria, përveç veprave me karakter juridiko-politik që shkroi në italisht, botoi edhe një vepër me titullin Ese mbi origjinën, zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar, e cila u përkthye në frëngjisht e u botua nga Malte-Brun në revistën “Annales des Voyages” në vitin 1809. Ky botim mund të shkarkohet këtu (Vepra fillon nga faqja 145).

Sikurse edhe pararendësit, Mashi përpiqet të zbulojë historinë e lashtë e të lavdishme të shqiptarëve si edhe të vërtetojë përmes analizave gjuhësore se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre në Perëndim të Ballkanit dhe nuk vijnë prej Kaukazit, sikurse thotë ndonjë autor para tij.

Zef Krispi (Giuseppe Crispi 1781-1859) profesor i greqishtes në Universitetin e Palermos, ka shkruar disa vepra. Në veprën Memoria sulla origine e fondazione di Palazzo Adriano, botuar në vitin 1827, Krispi, duke theksuar nevojën e mësimit dhe të lëvrimit të shqipes, thotë hapur se “Gjuha i mban gjallë zakonet dhe traditat e kombit, dhe s’ka dyshim se kombet rrojnë a vdesin në atë masë që rron a vdes gjuha e tyre”.

Gjuhës shqipe Krispi i kushton veprën e tij më të rëndësishme Memoria sulla lingua albanese, botuar në vitin 1831, ku, duke marrë shkas edhe nga vepra e Mashit, përmes krahasimesh gjuhësore dhe analizash etimologjike përpiqet të vërtetojë lashtësinë e shqipes, të cilën jo vetëm që e nxjerr vijuese të drejtpërdrejtë të pellazgjishtes dhe e sheh të lidhur ngushtë me frigjishten dhe maqedonishten, por e konsideron si mëmën e greqishtes. Nuk po zgjatem për këtë vepër, sepse, kush dëshiron hollësira, mund ta shkarkojë këtu.

Vinçenc Dorsa (Vincenzo Dorsa 1823-1855) është ndër autorët më të rëndësishëm arbëreshë dhe, sipas meje, ideologu i parë që përmblodhi, sistemoi, sintetizoi dhe shpalli në një vepër të vetme programin e plotë ideologjik të Rilindjes kombëtare shqiptare.

Vepra e tij monumentale Su gli Albanesi: Ricerche e pensieri, botuar në Napoli në vitin 1847, hapet qysh në rreshtat e parë me synimin për t’i treguar opinionit publik të drejtat e kombit shqiptar dhe mbyllet me një projekt politik kryengritjeje të armatosur kombëtare për një shtet të pavarur. Ne mes, shpërndarë në 20 kapituj, është gjithë ideologjia e Rilindjes kombëtare: historia e lavdishme e kombit, pellazgët, maqedonasit, ilirët, Skënderbeu, gjuha shqipe, folklori, traditat dhe zakonet popullore, letërsia: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e kombit. Për më tej vepra mund të shkarkohet këtu.

Në kohën kur Dorsa shkruante këtë vepër (1846), Naum Veqilharxhi që konsiderohet nga tekstet tona zyrtare si ideologu i parë i Rilindjes, i shkruante një letër të nipit grekofil që asokohe ishte student në Vienë. Letra në të vërtetë është një përgjigje për kritikat që i bënte i nipi, sipas të cilit Veqilharxhi gabonte kur kërkonte të shpikte një komb shqiptar që në fakt nuk ekzistonte e për të cilin nuk kishte shkruar askush më parë. Ungji i përgjigjet duke i përmendur pikërisht arbëreshët Krispi, Bidera dhe De Rada.

– Po ti i dashur nip, – i thotë Veqilharxhi, – s’ke faj që nuk i njeh, sepse ke bërë shkolla greke dhe atje nuk t’i kanë mësuar këto gjëra.

Në kohën kur botohej libri i Dorsës Naim Frashëri ishte në shpërgënj, ndërsa Samiu, që nuk kishte lindur akoma, do të botonte pas 52 vjetësh, pra në 1899, veprën që e konsakroi si ideolog të Rilindjes Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Në fakt vepra e Samiut, marrëdhëniet e të cilit me arbëreshët dihen, nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje e përpunuar e veprës së Dorsës, përshtatur në shqip dhe përditësuar me zhvillimet politike të kohës. Po ajo strukturë, po ato ide, po ai impiant ideologjik.

Nuk përmenda këtu De Radën, jo se e harrova, por sepse, së pari, vepra e tij njihet, së dyti, nuk ia dal dot të përmbledh në pak rreshta kontributin e tij. Dua vetëm të citoj ç’ka thënë Çabej për De Radën qysh në vitin 1945:

“Merita e poetit duhet çmuar aq më lart kur të mendojmë që vepra e tij letrare dhe nacional-politike fillon që nga mesi i shek. XIX në një kohë kur në Shqipëri dhe shumica edhe në kolonitë shqiptare në Sofje, Bukuresht, Stamboll dhe Egjipt të tjerët ishin ende në gjumë”.

***

Prof. Altimari që i dha shkas këtij diskutimi në PTF, në kumtesën e tij në Prishtinë solli fakte dhe të dhëna të reja që, pavarësisht shpërdorimeve dhe shtrembërimeve të gazetave, do t’i mësojmë kur të botohen aktet e Seminarit. Por edhe këto që u përpoqa të përmbledh më lart besoj se do të mjaftonin për të shtruar pyetjen: A është vlerësuar drejt nga studimet e deritashme dhe nga historiografia zyrtare roli dhe kontributi i  arbëreshëve në Rilindjen kombëtare shqiptare? Për ta thënë me fjalët e Çabejt, a është vlerësuar drejt ajo “frymë kulturore dhe atmosferë shpirtërore” që vetëm arbëreshët ditën të krijojnë?

Procese të tilla epokale si zgjimi i një vetëdije kombëtare dhe krijimi i një kombi kërkojnë kohë që të zhvillohen, kërkojnë truall edhe humus të posaçëm; nuk mbijnë dot si kërpudhat pa shiut. Për më tepër ato duhen krijuar në kohën e përshtatshme, brenda një kuadri historiko-kulturor të caktuar, sepse koha nuk të pret.

Më vijnë ndër mend p.sh. kurdët, një popull indoeuropian dhjetëfish më i madh në numër se shqiptarët, me një histori, kulturë dhe letërsi shumë më të lashtë se e shqiptarëve, por që nuk ditën të krijojnë në kohën e duhur atë “frymë dhe atmosferë shpirtërore” që do t’i kishte shndërruar në komb. Edhe sot janë të përçarë, madje nuk kanë unifikuar ende as alfabetin, sepse e humbën trenin e historisë.

Intelektualët arbëreshë, ky grusht ëndërrimtarësh dhe vizionarësh të çartur, filluan të flisnin për komb e atdhe njëkohësisht me europianët perëndimorë, ndoshta sepse në dhè të huaj ku ishin, kishin nevojë më tepër se shqiptarët për një “tokë të premtuar”. Fillimisht e ëndërruan atë, pastaj e hodhën në letër dhe ua dhanë shqiptarëve, të cilët ëndrrën ua kthyen në zhgjëndërr. E pastaj qetë-qetë dolën nga skena, sepse tashmë nuk ishin më jetimë, e patën atdheun që donin. Dhe sepse kohët kishin ndryshuar; atdheu nuk kishte më nevojë për ta.

Bibliografi e rralluar:

Altimari F. , “Traces d’infinitifs anciens dans l’albanais d’Italie”. Në Wir sind die Deinen, (botuar nga B. Demiraj), Wiesbaden: Harrassowitz Verlag, 2010.

Altimari F. – “Shkronja flamur “Ë”: Lidhjet e gjata kulturore shqiptaro-arbëreshe përmes historisë së shkurtër të një shkronje të thjeshtë”, në Gjuha jonë, n.1-4, 2008.

Altimari F. – “Miti i Skënderbeut ndër Arbëreshët e Italisë”, në Skënderbeu dhe Evropa, Tiranë, 2006.

Altimari F. – “Rapsoditë” e De Radës në letërsinë romantike evropiane, në Gjurmime albanologike, 1991.

Demiraj B. – “Një dorëshkrim ritual në gjuhën tonë” që duhet kërkuar, në Hylli i Dritës, nr. 1, 2007.

Demiraj B. – “Sprovë për një lexim kritik të lëndës gjuhësore në veprën e A. Mashit”, në Studime Filologjike, nr. 1-2, 2002.

Chetta N. Testi letterari in albanese, botuar nga M. Mandalà, Caltanissetta, 2004.

Çabej E. “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, në Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, botimet “Çabej”, 2006.

Fortino I.- “Sami Frashëri, Jeronim De Radës: shënime rreth një letre”, në Perla, nr. 2, 2004.

Figlia N. – Il Codice Chieutino, botuar nga M. Mandalà, Mezzojuso, 1995.

Islami M. – Naum Bredhi-Veqilharxhi, Tiranë, 1977.

Mandalà M. – Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe, botimet “Çabej”, 2006. (Kryesisht nga ky libër që përmban, veç të tjerash, studime të veçanta për veprën e Gjergj Guxetës, Parrinos, Filjes, dhe Ketës, i kam marrë të dhënat për këta autorë).

10 Komente

  1. Sa më poshtë do kuptuar si një përpjekje imja për të vazhduar debatin rreth tezave të parashtruara në shkrim, pjesërisht ngaqë disa gjëra do të doja t’i dija më me hollësi, pjesërisht ngaqë nuk jam dakord me ca prej përfundimeve, përfshi edhe ato të Altimarit në Prishtinë, dhe pjesërisht thjesht për të bërë avokatin e djallit.

    Kur flasim për Rilindje shqiptare, kemi parasysh atë lëvizje që çoi në kristalizimin e vetëdijes kombëtare dhe në pavarësinë prej Perandorisë Osmane – pra lëvizje edhe kulturore, edhe politike. Kjo lëvizje kishte nevojë, mes të tjerash, (1) për një ideologji kombëtare; (2) për mbështetje politike; (3) për mbështetje financiare; (3) për botime shqip, libra dhe gazeta; (3) për shkollën shqipe.

    Tani, ku gjenden arbëreshët në këtë mes. Nuk ka dyshim se tek ta i gjen disa elemente të ideologjisë kombëtare shumë më herët se gjetiu – kjo ngaqë ishin më afër Europës, iluminizmit; por edhe ngaqë kultivimi i vizioneve dhe fantazive kombëtariste mes tyre nuk sillte asnjë rrezik.

    Prej arbëreshëve i trashëgoi Rilindja shqiptare teoritë pellazgjike (në thelb pa bazë) dhe obsesionin për marrëdhëniet shqiptaro-greke në lashtësi; pjesërisht edhe kultin e Skënderbeut.

    Nga ana tjetër, roli politik i arbëreshëve mbetet i diskutueshëm: fatet e shqiptarëve, nga pikëpamja politike, vendoseshin gjetiu, atje ku zëri i arbëreshëve dëgjohej vetëm tërthorazi, kur dëgjohej. Nuk më rezulton të ketë pasur angazhim të drejtpërdrejtë të elitave arbëreshe në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, me përjashtim të letërkëmbimeve dhe ndonjë gazete tek-tuk.

    Sa për zbulimet që bëhen sot nëpër arkiva, sidomos të dorëshkrimeve e të letrave, këto kanë vendin dhe rëndësinë e tyre; por materialet e pabotuara, pikërisht ngaqë nuk janë botuar kurrë, nuk mund të kenë luajtur rol në lëvizjen kombëtare: ato dëshmojnë më shumë për çfarë mendonin autorët e tyre.

    Nga ana tjetër, letërsia arbëreshe, e një niveli shumë të lartë në vetvete dhe krejt e pakrahasueshme me përpjekjet që bëheshin mes shqiptarëve në Ballkan, kishte handikapin që nuk mund të lexohej dot. Edhe sikur të mbërrinte në Ballkan ndonjë libër ose gazetë e De Radës, kush vallë do ta lexonte?

    Praktikisht, komunikimi mes shqiptarëve në Ballkan dhe arbëreshëve ndodhi në nivel elitash – prej të cilave ajo arbëreshe ishte më e kulturuar (ndoshta), por edhe pa kurrfarë mjetesh. Më rezulton se arbëreshët e Italisë kanë qenë fare të varfër – dhe nuk mund të ndihmonin dot, me mjete financiare, shqiptarët përtej detit.

    Më tej akoma, unë nuk arrij ta kuptoj mirë arsyet e rënies së veprimtarisë patriotike, mes arbëreshëve të Italisë, pikërisht kur në Ballkan po krijoheshin rrethanat kritike për ta shkëputur Shqipërinë prej Perandorisë Osmane. Ç’rol do të kishin dashur të luanin arbëreshët në këtë mes? Si nxitës të lëvizjes e si frymëzues, apo si pjesëmarrës? A i shihnin një rol vetes në Shqipërinë e nesërme? Vallë të lidhet me këtë fakti që, me zhvillimet politike që po ndodhnin, Shqipëria e nesërme po i largohej gjithnjë e më tepër Greqisë?

    Tani, sa për shkollën shqipe – le të jemi të sinqertë me veten: shkolla kombëtare ka nevojë për para, për tekste dhe për leje nga pushteti. Ku gjenden arbëreshët në këtë ekuacion? Siç e thamë, ata para nuk kishin; as për të ndihmuar mësuesit, as për të ndihmuar shtypjen e teksteve. Vetë tekstet shkollore nuk mund të përdornin materiale të shkruara arbërisht, edhe sikur t’i gjenin; sepse ato materiale nuk i kuptonte shqiptari në Ballkan. Prandaj, po të shohim punën që u bë për t’i dhënë shkollës një minimum të nevojshëm tekstesh – për nxënësit por edhe, sidomos, për mësuesit vetë – aty arbëreshët nuk i gjejmë, veçse si ndërmjetës dyfish të larguar, të teorive ose më mirë të themi miteve kombëtariste të pellazgëve. Sa për Skënderbeun, kam përshtypjen se poema e Naimit ia dha edhe bazën e nevojshme mitit kombëtarist – ishte e lehtë, madje mund të mësohej përmendësh; dhe e përshtatshme për shkollat.

    Në një nivel tjetër, rol kritik në Rilindjen e shkruar pat luajtur Kristoforidhi: me përkthimet e veta dhe punën titanike gjuhësore. Pas Kristoforidhit qëndronte Shoqëria Biblike e Londrës; sërish, arbëreshët nuk më dalin gjëkundi.

    Shkolla shqipe, nga ana tjetër, kish nevojë për financime – për mësues, tekste dhe pajisje të tjera. Disa nga këto financime vijnë nga tregtarët e kolonive shqiptare në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Egjipt; të tjera, sidomos për Veriun katolik, vijnë nga Austro-Hungaria. Por nuk shoh të përmendet shumë Italia, as arbëreshët. Këtu më duhet të pranoj padijen time – pse kjo heshtje?

    Problemi me arbëreshët ka qenë, siç mund të kuptohet, distanca: distanca e tyre gjeografike dhe gjuhësore nga shqiptarët e Ballkanit dhe distanca e tyre politike dhe kulturore nga qendrat (Roma). Ka një kontradiktë mes vizioneve të tyre – planeve për të ardhmen e Arbrit, imazhit që kanë për të shkuarën e tyre veçanërisht Skënderbeun, fantazitë pellazgjike – dhe mundësive të tyre reale. Ndoshta kjo shpjegon edhe tërheqjen e tyre, kur ka ardhur puna për t’i bërë këto vizione dhe plane realitet.

    Dhe, siç e thashë, ka dy mënyra për t’i vlerësuar kontributet e tyre: duke parë impaktin e tyre praktik në përpjekjet shqiptare për pavarësi; dhe duke vlerësuar, pavarësisht nga impakti, përmbajtjen e veprave dhe dorëshkrimeve që vazhdojnë të gjenden. Në rastin e dytë, materialet e zbuluara rishtas nuk mund të vlerësohen, besoj unë, veçse tërthorazi.

    Ka edhe një faktor tjetër, që duhet përmendur: sa arbëreshë vunë kokën në rrezik, për pavarësinë e shqiptarëve, për gjuhën dhe kulturën shqipe, për shkronjat shqipe? Rilindja nuk ka qenë punë letërkëmbimesh, dëshirash dhe urimesh, as evokimesh të kaluarash mitike dhe historike – por një përpjekje shpesh dramatike, që ka pasur deri edhe dëshmorët e saj. Deri edhe një politikan shqiptar mysliman, në Stamboll, që përpiqej për autonominë, mund të çohej në litar brenda natës. Prandaj, le ta marrim parasysh edhe faktorin e rrezikut, kur bëjmë bilancin përfundimtar – më duket e drejtë dhe e moralshme.

    Unë ende s’kam kuptuar pse nuk erdhën në masë arbëreshët, pas shpalljes së Pavarësisë, për të ndihmuar në mëkëmbjen e shtetit të parë shqiptar që prej viteve të qëndresës së Skënderbeut. Ndoshta ngaqë Austria nuk donte të kish nëpër këmbë njerëz që vinin nga Italia? Apo ngaqë situata në Shqipëri ishte e turbullt? Apo ngaqë arbëreshët thjesht nuk e panë veten në këtë shtet të shqiptarëve? Apo ngaqë prisnin më shumë mirënjohje, prej elitave që morën në dorë fatet e shtetit të ri?

    Shihni, bie fjala, sa e pakët në mos e papërfillshme është prania e arbëreshëve në Kongresin Shqiptar të Triestes:

    http://en.wikipedia.org/wiki/Albanian_Congress_of_Trieste
    (aty keni edhe një listë të delegatëve).

    Pak a shumë të njëjtat pyetje do të bëja edhe për periudhën e Pavarësisë: fare të paktë ishin ata arbëreshë që u hodhën këndej – më kujtohet Terenc Toçi (të cilin pastaj e pushkatoi Enver Hoxha), por jo ndokush tjetër. Italia fashiste kish plane të sillte kolonë italianë në Shqipëri – por nuk kam dëgjuar kurrë të flitet për ndonjë plan për kthim të arbëreshëve në atë kohë dhe më parë.

    Paradoksalisht, në vitet 1870, banorë arbëreshë të katundit Badessa, në Italinë e Jugut, kërkuan me të madhe dhe arritën të sigurojnë shpërnguljen ose, siç e quajtën ata vetë, “riatdhesimin” në Greqi, duke u vendosur në katundet arvanitase të Sulimohorëve të Trifilias; pas tyre, të tjerë arbëreshë të Italisë, pas gjase për arsye ekonomike, kërkuan edhe ata të shpërnguleshin drejt “mëmëdheut”, por nuk u pranuan nga shteti grek (Aristidh Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2002, f. 232).

    Më në fund, le të mos harrojmë se marrëdhëniet mes shqiptarëve në Shqipëri dhe arbëreshëve të Italisë njohën një “rilindje” (ta quajmë këtë “rilindje të tretë”?) gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Nuk jam në gjendje të them nëse kjo u shoqërua me financime dhe ndihma, nga ana e Tiranës, për komunitetet gjysmë të izoluara të arbëreshëve në Italinë e Jugut; sidomos, në furnizimin me libra dhe literaturë nga Shqipëria. Përkundrazi, di që shumë arbëreshë vinin vazhdimisht, si turistë dhe si mysafirë, në Shqipëri – në një kohë që vendi ishte praktikisht i mbyllur ndaj turizmit të huaj.

    E përsërit, shpresoj të mirëkuptohem për sa më lart, gjithë duke pranuar padijen time për shumë nga këto zhvillime historike shpesh anësore.

  2. Une mendoj se roli i arberesheve qe vendimtar ne fazen e pare te Rilindjes kombetare, sidomos ne krijimin e frymes kulturore dhe ne perpunimin e ideologjise kombetare. Misioni i tyre ishte te zgjonin shqiptaret nga gjumi. Me “shqiptare” ketu nuk kam parasysh masat, por eliten kulturore. Kete mision ata e permbushen me sukses te plote.

    Rilindesit shqiptare, Veqilharxhi, Pashko Vasa, vellezerit Frasheri, Thimi Mitko etj. u ndikuan shume kulturalisht dhe ideologjikisht nga arbereshet.

    Meqe fole per ndihma financiare, kete mision arbereshet e permbushen pa asnje ndihme financiare nga jashte, por vetem me parate e xhepit. De Rada veprat dhe dy gazetat qe nxori (L’albanese d’Italia dhe Fjamur i Arberit”) i botoi me parate e tij. Shkriu gjithe pasurine qe i la i ati per çeshtjen shqiptare dhe vdiq ne mjerim te plote, as parate e varrit nuk la. Edhe Kamarda vepren e botoi me parate e tij.

    Kur pastaj u kalua ne terrenin politik, pra ne zbatimin praktik te asaj ideologjie, aty punen e moren ne dore vete shqiptaret. Tek e fundit ky ishte qellimi i arberesheve, te zgjonin nga gjumi dhe te vinin ne levizje eliten kulturore dhe politike shqiptare. Me shume nuk mund te benin.

    Ne te vertete aty nga fundi i shek. XIX pati disa thirrje entuziaste dhe nisma per mobilizime arbereshesh dhe dergime ekspeditash ushtarake nga Italia per te çliriuar Shqiperine, por ishin teper utopike per t’u realizuar.

    Xha Xha, te jemi realiste!

    Beteja finale per pavaresine e Shqiperise nuk u luftua as me poezi patriotike, as me kryengritje te armatosura, e as me hapje shkollash. Keto ndihmuan, sigurisht, por vetem si garniture. Beteja e vertete u luftua ne tryezat diplomatike te Fuqive te Medha.

    Edhe Kongresi i Triestes, qe u organizua me parate dhe mbeshtetjen e Austro-Hungarise, ishte ne te vertete nje arene ku u ndeshen interesat e Fuqive te Medha, kryesisht te Italise dhe te Austro-Hungarise. Listen e pjesemarresve e hartuan austro-hungarezet.
    Aty luhej ne fushen austro-hungareze dhe ligjin e beri ajo. Shqiptaret ne ate Kongres shkuan me shpresen se do te gjenin perkrahjen historike te Austro-Hungarise, por dolen te zhgenjyer.

    Aty zhgenjimin me te madh e pesoi figura kryesore, Faik Konica. Ai kongres shenoi prishjen perfundimtare te Faikut me austriaket, te cilet deri ne ate çast e kishin financuar dhe mbeshtetur ne te gjithe veprimtarine e tij. Edhe Faiku deri ne ate çast i kishte mbeshtetur austriaket, duke u grindur me te gjithe patriotet shqiptare qe guxonin te “flisnin keq” per ta.

    Ndersa ata pak arbereshe qe ishin aty, Schirò, Tocci, Lorecchio, ne te vertete perfaqesonin interesat e Italise. Ne menyren e tyre edhe ata patriote ishin: parashtruan dhe mbeshteten kerkesa po aq patriotike sa te Faikut, por nga nje front tjeter, ai i Italise. Tek e fundit te gjithe donin te njejten gje: ruajtjen e teresise tokesore te trojeve shqiptare brenda kufijve te nje shteti shqiptar. Te gjithe u zhgenjyen!

    Ti pyet, pse nuk erdhen ne mase arbereshet pas shpalljes se Pavaresise.
    Ismail Qemali ne kujtimet e tij thote se gjate vizites qe beri tek arbereshet ne prag te shpalljes se pavaresise, nje nga shoqeruesit e tij (s’e mbaj mend emrin) i ftoi arbereshet te ktheheshin e “te punonin dherat e te pareve”. Po ku te shkonin? Te punonin dherat e bejlereve? Shqiperine ne ate kohe e pllakosi zia e urise. Pastaj plasi Lufta I Boterore dhe me mijera arbereshe, djem te rinj, vdiqen ne lufte ne radhet e ushtrise italiane.

    E perseris: roli i arberesheve mbaroi kur filloi ai i shqiptareve. Ate rol duhet t’ia njohim, se deri tani nuk ia kemi njohur siç duhet.

    1. Nuk është se u vë kush faj arbëreshëve, dhe aq më pak unë. Problemi është tek ekzagjerimi. Jemi dakord që dijetarët arbëreshë patën ndikim tek elitat kulturore të Rilindjes shqiptare në Ballkan – prandaj mund të diskutojmë vetëm për masën dhe cilësinë e atij ndikimi.

      Por kultura arbëreshe nuk pati ndonjë kontakt me masën e shqiptarëve, madje as me masën e shkolluar – për shkak të pamundësisë për të kapërcyer barrierat gjeografike dhe gjuhësore. Arbërishtja ishte e pakuptueshme për masën e shqiptarëve, prandaj tekstet nuk udhëtonin dot; dhe vetë arbëreshët nuk udhëtuan: ishin shumë të varfër, për ta bërë këtë.

      Kjo më kujton njëfarësoj gatishmërinë e komunave arbëreshe, për të mikpritur disa prej refugjatëve shqiptarë në pranverë të vitit 1991. Ishte gatishmëri e sinqertë, prekëse. Mirëpo kur shkuan shqiptarët atje, zhgënjimi nuk vonoi, nga të dy anët – mjaftuan pak ditë për t’i bërë pluhur vizionet qindvjeçare të gjakut të shprishur.

      1. “Por kultura arbëreshe nuk pati ndonjë kontakt me masën e shqiptarëve, madje as me masën e shkolluar – për shkak të pamundësisë për të kapërcyer barrierat gjeografike dhe gjuhësore. Arbërishtja ishte e pakuptueshme për masën e shqiptarëve, prandaj tekstet nuk udhëtonin dot; dhe vetë arbëreshët nuk udhëtuan: ishin shumë të varfër, për ta bërë këtë.”

        Per masen as qe behet fjale. Masa ishte per 98% analfabete.
        Masat nuk kane pune fare me keto procese. Fshatari bente ç’i thoshte i pari fshatit, kryeplaku, bajraktari apo beu, pa e pyetur veten per arsyet.

        Ndersa elita kulturore, ajo “masa e shkolluar” qe thua ti, qe ne te vertete nuk perbente mase, e kuptonte fare mire arberishten, sikurse elita arbereshe i kuptonte te gjitha dialektet e shqipes. I shkruanin njeri-tjetrit aq shume e kuptoheshin aq mire sa eshte vertet per t’u habitur. De Rades i mberrinin letra, shkrime, artikuj per t’i botuar te nga te gjitha anet e Ballkanit, te Turqise e te Egjiptit, ne te gjitha salcat e shqipes dhe ai, edhe kur nuk kishte mundesi t’i botonte, u kthente pergjigje, ndonjehere direkt nga faqet e gazetes. Shkruante: na ka mberritur nje shkrim i gjate nga filani qe per arsye vendi nuk e botojme dot, e qe na njofton per kete e kete.

        Shkrimeve qe botonte ne shqip u vinte edhe perkthimin italisht perkrah dhe nga perkthimi kuptohet qe kapte sakte edhe nuancat me te holla te shqipes. Kur te shkosh ne Tirane, merr ne biblioteken kombetare koleksionin e “Fjamurit” dhe do te shohesh qe, kur te mos kuptosh ndonje lloj shqipeje, do t’i kerkosh ndihme perkthimit te De Rades ne kolonen perkrah.

        Arbereshet vertet nuk udhetuan shume, por librat dhe gazetat udhetonin rregullisht.

        Lorecchio-s, po t’i bllokonte a t’i vononte dogana turke ndonje pako me libra e me gazeta, bente namin, fillimisht me denoncime ne faqet e gazetes qe botonte (La Nazione Albanese), pastaj me ankesa prane konsullatave. Arriti deri atje sa u ankua ne gazete pse dogana turke ne vitin 1911 kishte bllokuar ne Durres nje sasi te madhe pushkesh mausere qe destinoheshin per kryengritesit e Malesise se Madhe 🙂

        Nga pikepamja postare, ky ishte nje shkembim qe shpesh e anashkalonte Shqiperine sepse shqiptaret qe komunikonin me arbereshet ne shumicen derrmuese nuk banonin ne Shqiperi. Nga pikepamja gjuhesore ata ishin te gjithe poliglote. Ishin mesuar te kuptonin shume gjuhe dhe dialekte. E kishin te mprehte shqisen e gjuhes.

        1. Relapso, unë të falënderoj për informacionin e pasur që sjell – sepse ashtu mësoj edhe unë, edhe besoj lexuesit e tjerë të blogut.

          Nga ana tjetër, unë nuk bindem që një debat për Rilindjen duhet të mbetet i kufizuar tek elitat. Fakt është që deri edhe një poet i kalibrit të Naimit, u detyrua të shkruajë vjershëza për fëmijë, që këto të mësoheshin në shkolla.

          Këtë e ndesh në shumë autorë shqiptarë të Rilindjes – preokupimin për ta përcjellë fjalën shqipe te masat, nëpërmjet shkollës. Unë nuk besoj se mund të flasim për Rilindje të mirëfilltë, po ta lëmë jashtë përpjekjet e elitave për të arsimuar këto masa.

          Duke skematizuar, mund të themi se arbëreshët ngecën në fazën e parë të Rilindjes: iluminimi i elitave. Sërish, nuk e them gjë për t’i qortuar, por vetëm për të vënë pak rregull në ato që dimë.

          1. Ishte nje proces i gjate e i nderlikuar qe do pare ne dialektiken e vet, larg shablloneve te ngulitura e bajate te historiografise sone.

            Nuk diskutohen perpjekjet e jashtezakonshme qe bene rilindesit, dhe Naimi, per masivizimin e ideve, per shkrime tekstesh shkollore, hapje shkollash etj., por sa efekt paten realisht? Ato perpjekje nuk dhane rezultate te menjehershme ne masa. Masa filloi te shkruaje e te lexoje vetem gjate mbreterise se Zogut, sepse vetem atehere u hapen shkolla gjithandej.

            Masa asokohe “shkonte pas berihait”. Te mendosh qe krere popullore qe ishin ne gjendje te ngrinin ne kembe e te mobilizonin mijera pushke brenda nates, ishin analfabete!

            Isa Boletini qe merrte pjese ne delegacione e perfaqesi nderkombetare, s’dinte te shkruante emrin e vet.

            Bajram Curri, kolonel i ushtrise shqiptare, s’dinte te shkruante emrin e vet. Ec e merre vesh si u be kolonel.

            Xha Xha, une kam nje alergji te madhe nga togfjalesha te tejshperdoruar qe mbushin tekstet tona te historise “si masat popullore”: “masat popullore e kuptuan qe…” “masat popullore u ndergjegjesuan…” etj.

            “Masat popullore” eshte nje nga mitet qe na la trashegim historiografia komuniste.

            Masat popullore asokohe ishin grigja qe shkonin pas bariut, luftonin e vdisnin pa e ditur se pse. Po ta pyesje, ku po shkon, nuk dinte te pergjigjej, se ate pune e dinte baca.

            Shoqeria shqiptare kishte nje strukture thellesisht klanore, nuk ishte bere ende “shoqeri civile”. E gjithe loja behej nga elitat, madje edhe keto shpesh vepronin te shtyra nga interesa e arsye klanore, miqesira, lidhje me bese etj.

            Une edhe sot une nuk jam i bindur se “masat tona popullore” e dine se ç’bejne. Mendo vetem turmat qe mbushin mitingjet e partive. Po t’i pyesesh per pikat e programit te partise nuk dine ç’te thone. A mendon ti se vertet votuesit e shumte te Metes dine ndonje pike te programit? – E votova se i dhashe fjalen, ose se me futi djalin ne pune.

            Jam i bindur se historia jone ka qene gjithmone nje histori elitash.

            1. Relapso, kur flas për “masa” dhe “masivizim” kam parasysh diçka tjetër. Jo argatët, as barinjtë – por atë shtresë të mesme që, vite më pas, do t’i jepte shtyllën kurrizore shtetit shqiptar (nga 1920 e këtej).

              Dhe brenda kufijve të këtij diskutimi, po mjaftohem të përmend, nga njëra anë, përhapjen e librit shqip (p.sh. botimet e shoqërisë biblike të Londrës) dhe të gazetave shqipe (p.sh. Drita e Shahin Kolonjës), të cilat kaloheshin dorë më dorë mes grupesh të caktuara, myslimanë e të krishterë, të bashkuar tashmë nën shenjën e “patriotizmit”; dhe nga ana tjetër, tërheqjen masive të myslimanëve shqiptarë në projektin e Rilindjes, nëpërmjet veprimtarisë së tarikateve.

              Përhapjen dhe leximin e gazetave shqip e ndihmonin edhe konsullatat e huaja; por pastaj ekzemplarët kalonin dorë më dorë, mes nëpunësve të Perandorisë, tregtarëve dhe profesionistëve të tjerë.

              Problem kyç i Rilindjes kombëtare ishte si të angazhoheshin në të myslimanët shqiptarë: një shumicë. Bektashizmi u tregua vendimtar në këtë pikë; por edhe përkrahja që erdhi prej shumë bejlerëve të shkolluar.

              Edhe shkolla shqipe, sado e vonuar dhe e kufizuar në mjete dhe burime financiare, u bë shkas për shtypshkrimin dhe pastaj përhapjen e teksteve; mjaft të përmend kërkesat e mëdha që kishte, në atë kohë, për abetaret e shqipes: dhe jo pikërisht nga fëmijët.

              Fatet e shqiptarisë vendoseshin vërtet në kanceleritë europiane, por edhe gjendja në terren luante një rol jo të vogël, sidomos në formimin e vetëdijes kombëtare. Kjo vetëdije shprehej në mënyra të ndryshme, në shtresa të ndryshme: p.sh. shpesh si vetëdije negative, në zonat kufitare; ose si vetëdije edhe fetare, në rastin e pakicave.

              Në përgjithësi, Pavarësisë i paraprinë jo vetëm kryengritje të armatosura dhe veprimtari çetash, por edhe veprimtari kulturore, ku do të veçoja shkollat dhe përhapjen e teksteve. Se kush i lexonte gazetat e asaj kohe, kjo mund të deduktohet vetëm nga raportet e konsullatave – por një farë përhapjeje e kishin, dhe pikërisht në ato zona ku vetëdija kombëtare do të përvijohej dhe pastaj kristalizohej më shpejt.

              Nathalie Clayer, e cila i ka analizuar rrjetet e leximit shqip në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, dhe nga ku po i marr të dhënat e mësipërme, vëren se materialet e shtypura shqip qarkullonin sidomos në zonat e Korçës, të Kolonjës, të Gjirokastrës, të Janinës, të Manastirit dhe deri diku të Beratit; dhe pastaj mes katolikëve të qytetit të Shkodrës dhe në Gjakovë. Kjo varej, në masë të madhe, nga prejardhja krahinore e vetë elitave që i shkruanin këto materiale dhe përkrahësit financiarë të shtypshkrimit; prania e konsullatave të huaja; rrjeti i bektashinjve “të iluminuar”; veprimtaritë e shoqërisë biblike të Londrës (protestantët: Kristoforidhi, Kullurioti, Gj. Qiriazi); ekzistenca e një shtrese të mesme të shkolluar (mes të krishterëve në qytetin e Shkodrës dhe në shumë zona të Jugut); dhe financimet austro-hungareze. Nga botimet arbëreshe, ajo përmend gazetën e Anselmo Lorecchio-s, që kish njëfarë përhapjeje në Shkodër – por jo më tepër.

          2. “Duke skematizuar, mund të themi se arbëreshët ngecën në fazën e parë të Rilindjes: iluminimi i elitave. Sërish, nuk e them gjë për t’i qortuar, por vetëm për të vënë pak rregull në ato që dimë.”

            Pikerisht ketu eshte puna, te kontributi i arberesheve ne iluminimin e elitave shqiptare. Kjo eshte e reja ne gjithe kete histori.

            Nuk ka gje per te qortuar ketu. Clayer, Altimari. Mandalà e co. jane studiues qe kontribuojne te gjithe ne rindertimin e te njejtit proces historik. Kush e sheh nga nje kend e kush nga nje kend tjeter. Tek e fundit, plotesojne njeri-tjetrin.

            Ajo qe me ben pershtypje mua eshte nje gje tjeter, nuk e di a e ke vene re edhe ti apo jo:

            Ka vite qe lexojme e diskutojme per kontributet e njepasnjeshme te studiuesve te huaj (perfshi ketu edhe Schmitt-in). Po ne me duket se kemi nje akademi shkencash qe duhet te merret me keto pune. Ç’u be? Ku ka humbur? Pastaj kemi edhe gjithe ato universitete publike e private, qendra albanologjike etj.

            Mire dikur qe duhej te vinin doemos te huajt te na iluminonin, se neve na kishte humbur kandili, po sot?

            Kjo natyrisht nuk ishte pyetje per ty: ishte ashtu, thjesht nje mendim, qe me shkoi nder mend dhe e shkrova. Pa dashur te qortoj kend.

  3. unë nuk arrij ta kuptoj mirë arsyet e rënies së veprimtarisë patriotike, mes arbëreshëve të Italisë, pikërisht kur në Ballkan po krijoheshin rrethanat kritike për ta shkëputur Shqipërinë prej Perandorisë Osmane. Ç’rol do të kishin dashur të luanin arbëreshët në këtë mes?

    Nuk di se me cfare kuti matet ‘renia e veprimtarise arbereshe’, por Terenc Toci besoj se eshte nje shembull i mire qe deshmon se veprimtarie arbereshe qe shendosh e mire.
    Madje me duket se nje nip i Garibaldit kishte nder mend te ngrinte nje armate prej 10,000 arberesh per ekspedite ne Shqiperine Osmane. Por qeveria italiane sa e mori vesh kete e ndaloi pernjehere.

    http://www.ngagajdhuret.com/home/archivio-2013/terenzio-tocci-una-vita-per-l-albania/

    1. Ndërsa mua një Terenc Toci i vetëm më provon distancën mes entuziazmit dhe rezultateve – të paktën mes elitave arbëreshe.

      Arsyet që sjell Relapso në komentin e vet janë shumë më të besueshme. Kur kam qenë në Itali (në Napoli) dëgjoja plane për Shqipërinë, si ky i nipit të Garibaldit, një ditë po një ditë jo – edhe pse jo doemos nga arbëreshët.

      Thua: “nuk di se me cfarë kuti matet…” – në fakt, do të mjaftonte krahasimi me veprimtarinë e mëparshme.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin