NGA GJAKMARRJA NË KOMB

Kur më ka qëlluar të pyes, poshtë e lart nëpër Shqipëri, për origjinën e kësaj apo të asaj familjeje, jo rrallë më janë përgjigjur se të parët e atyre erdhën në qytet (në fshat) për t’i shpëtuar gjakmarrjes.

Informacion të ngjashëm merr edhe në botimet që janë bërë, në lidhje me demografinë e qyteteve shqiptare: për shembull Shkodrës.

Edhe tani ndesha në një informacion për familjet e vjetra të Tiranës – dhe aspak nuk u habita, kur lexova se mes tyre kishte të ikur prej gjakmarrjes.

Përndryshe të qëllon të dëgjosh rastësisht se dikush – një katragjysh, një patriark, një i parë i fisit – ka ardhur aty pasi ka vrarë dikë. Edhe kur nuk ta thonë, gjasat janë që ky t’i jetë arratisur jo dorës së ligjit, por marrjes së shpagës; madje edhe në vise ku Kanuni nuk vepron si i tillë.

Gjakmarrja si faktor i migrimit të brendshëm: a është e mundshme kjo hipotezë?

Antropologët do të më shpjegojnë se, në raste të caktuara, edhe vetë Kanuni e parashikon dëbimin e një familjeje nga fshati ose komuniteti; të paktën si opsion.

Në raste të tjera, mbrojtja ndaj vrasjes rituale e kërkon njëfarësoj “daljen” nga jeta e përditshme, nëpërmjet ose ngujimit, ose shpërnguljes. E çuditshme si këto dy përgjigje të kundërta – mbyllja a izolimi në një kullë dhe arratisja tjetërkund – vijnë dhe shënjojnë në thelb të njëjtin lloj reagimi në emër të mbijetesës.

Ikja për shkak të gjakut sjell me vete jo vetëm distancën, por edhe shkëputjen e lidhjeve me komunitetin e zanafillës.

Të ardhurve rishtas u duhet të integrohen në komunitetin mikpritës: shkëmbehen dhurata, vizita, fjalë dhe, tek e fundit, edhe nuse.

Për ata vendës që nuk udhëtonin dhe nuk e njihnin Shqipërinë, migrimi i brendshëm, ose ardhja e mysafirëve nga halli në komunitet, ishte njëlloj si të vinte Shqipëria atje për t’i vizituar.

Në rrethanat ku ligji kanunor ose kodi zakonor vepronte brenda një zone dhe një grupi të caktuar komunitetesh, dhe ku ligji “shtetëror” mbulonte më tepër marrëdhëniet e pushtetit me periferitë, shqiptaria gjeografike funksiononte edhe si hapësirë e lirisë.

Një malësor qëllonte që zbriste në fushë, një katundar vendosej në qytet, një verior e ndalte vrapin në Jug, një bari rrëmbente plugun, një karpentier mësonte të kulloste bagëtinë.

Kush për t’u fshehur më mirë, kush për të nxjerrë bukën e gojës, kush për të provuar një “vete” tjetër, pas dramës së lënë prapa.

Pa folur pastaj për atë që të ardhurit janë të pambrojtur, pse nuk kanë më komunitet; dhe si të pambrojtur, japin dhe marrin shumë më tepër me pritësit.

Janë faktor instabiliteti, por edhe shans kompleksiteti.

Janë Tjetri që nuk është më tjetër; ose mundësia e rrallë për të eksploruar në qetësi tabunë.

Dhe, po të mendosh që kjo ka ndodhur për shekuj, në krejt hapësirën shqipfolëse, atëherë kushedi të lejohet të formulosh edhe një hipotezë pune për gjakmarrjen, si faktor të tërthortë të njësimit kombëtar.

 

Nuk ka komente

  1. Sa mund të ketë ndikuar në kombformim nuk di ta them, por rastet që njoh personalisht nga pellgu i Korçës janë të shumta, si nga brenda krahinave e rrotull, ashtu edhe prej krahinash të tjera, krejt larg.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin