A janë të kënaqur emigrantët shqiptarë në Itali? Sa besim kanë tek të tjerët? Janë diskriminuar ndonjëherë në vendin ku jetojnë? Disa përgjigje mund të gjenden tek kërkimi shkencor i Istat-it italian me titull “Perceptimi i qytetarëve të huaj: kënaqësia, besimi e diskriminimi”, që u botua në fund të tetorit (periudha e referimit 2011-2012).
Para se të zbulojmë të dhënat që kanë të bëjnë me shqiptarët, le t’u hedhim një sy përfundimeve të përgjithshme. Pjesa më e madhe e të huajve në Itali janë të kënaqur me jetën në përgjithësi. 60,8% jep pikë të larta për kënaqësinë ndaj jetës. Më të kënaqur shprehen femrat dhe të rinjtë.
Megjithëse klima e mosbesimit i ka kapluar të gjithë, duket se italianët e ndjejnë më shumë negativitetin e saj. Në përgjithësi, të huajt kanë më shumë besim tek të tjerët. Që italianët janë më mosbesues e vërtetojnë gjithashtu pyetjet për kthimin e portofolit të humbur: kanë më pak besim se do t’u kthehet në xhep.
Shumë të huaj deklarojnë se kanë pësuar akte diskriminimi gjatë jetës së tyre. Disa pohojnë se janë diskriminuar për tiparet fizike, prejardhjen, të tjerë pranojnë se janë diskriminuar në punë, në shkollë ose gjatë kërkimit të banesës.
Kënaqësia e jetës
Po shqiptarët çfarë thonë? Pyetjes “Aktualisht, sa e ndjen veten të kënaqur për jetën në përgjithësi?” shqiptarët i përgjigjen me optimizëm: vlera mesatare 7,7. Mirëpo duhet të marrim parasysh ndonjë të dhënë tjetër, meqë 0,4% e të intervistuarve janë shprehur se nuk janë aspak të kënaqur nga jeta e tyre, sikurse ka të tjerë që nga 1-10 kanë dhëne vlerësimin prej 4 ose 5 pikësh, praktikisht diçka të mesme. Megjithatë, pjesa më e madhe e të intervistuarve (32,2%) kanë shënuar pikët 8 për të komunikuar kënaqësinë e tyre. Përgjithësisht, nga studimi i Istat del qartë se pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë janë të kënaqur nga jeta e tyre.
Për kureshtje mund të kujtojmë se kinezët, marokenët e tunizianët shprehen më pak të kënaqur se shqiptarët, kurse rumunët, moldavët, filipinasit e polakët, sa për të përmendur katër prejardhje të ndryshme, deklarohen mesatarisht, më të kënaqur.
Portofoli i humbur
Situata e përfytyruar është kjo. Të intervistuarit i humbet portofoli me parà. Pyetja që i bëhet është kjo: “E konsideroni shumë apo mjaft të mundshëm dorëzimin e portofolit nga…“, duke i lënë mundësinë të zgjedhë nga përgjigjet e mëposhtme: “Pjesa më e madhe e njerëzve është e denjë për besim”; “Duhet të jemi shumë të vëmendshëm”; “Një komshi”; “Një anëtar i forcave të rendit”; “Një person krejt i panjohur”.
Italianët duket se kanë më pak besim se të huajt. Vetëm 21% e tyre mendon se njerëzve mund t’u besosh, kurse të huajt kapin përqindjen 27,8.
Po shqiptarët çfarë mendojnë për mundësitë e portofolit? 21,8% e tyre mendon se pjesa më e madhe e njerëzve meriton besim; 78,2% pohon se duhet të jemi shumë të vëmendshëm; 58,8% mendon se portofolin do t’ia kthejë një komshi; 75% thotë se do t’ia sjellë dikush nga forcat e rendit; 11,2% shprehet se mund t’ia dorëzojë një person krejtësisht i panjohur.
Pikë së pari vihet re se shqiptarët nuk dallojnë shumë nga italianët në fushën e besimit tek tjetri. Madje në pikën e dytë, ku kërkohet të jemi të vëmendshëm paraqesin shqetësim edhe më të lartë në përqindje se italianët (77,2%). Së dyti kemi marrëdhëniet me komshinjtë. Shqiptarët nuk duket se ushqejnë shumë besim, kurse italianët e kanë ende të lartë (70,7%). E njëjta gjë mund të thuhet kur flasim për besimin tek forcat e rendit. Shqiptarët janë pak më skeptikë se sa italianët. Tendenca vijon edhe kur u referohen personave të panjohur, ndonëse përqindjet nuk janë shumë të ndryshme.
Po në krahasim me të huajt e tjerë, çfarë mund të themi për qëndrimin e emigrantëve shqiptarë? Gjithnjë sipas studimit të Istat-it italian, shqiptarët kanë besim tek njerëzit më shumë se tunizianët, por janë poshtë të gjithë të tjerëve. Në fakt, duke filluar nga filipinasit e moldavët, deri tek kinezët e ukrainasit (vlera më e lartë), të gjithë mendojnë se pjesa më e madhe e njerëzve meriton besim.
Gjithnjë duke i krahasuar shqiptarët me kombësitë e tjera, vihet re se kujdesi ose frika që shprehin shqiptarët (duhet të jemi shumë të vëmendshëm) është më e madhe se ajo që shprehin kinezët, ukrainasit, indianët, etj., por më e vogël se sa tunizianët, këta të fundit të vetmit që ua kalojnë me përqindje.
Po tek komshiu sa besim kanë shqiptarët e të tjerët? Këtu situata paraqitet disi e nyjtuar, sepse vlera rezulton mesatare e gjithsesi ka kombësi të tjera që besojnë më pak tek komshinjtë. Emigrantët kinezë besojnë shumë pak (45,1%), pak a shumë kështu edhe të tjerë si tunizianët, indianët, etj. Ka të tjerë që i shikojnë më me dashamirësi komshinjtë. Është fjala për filipinasit, marokenët, ukrainasit.
Interesante të dhënat për forcat e rendit, ose më saktë për besimin se një anëtar i tyre do t’ua kthejë portofolin me të holla. Shqiptarët përgjithësisht kanë besim tek forcat italiane të rendit, por më pak se ukrainasit, moldavët, marokenët, indianët, dhe më shumë se sa kinezët, filipinasit, polakët, rumunët, etj.
Së fundi, besimi tek personi krejtësisht i panjohur. Shqiptarët shprehin besim në vlera disi të ulëta, po të krahasohen me popullsi të tjera si ukrainasit, marokenët, polakët, e kështu me radhë. Por kanë besim tek tjetri i panjohur më shumë se sa kinezët, indianët, rumunët.
Arsyet e fshehura
Studimi i mësipërm është pa dyshim tejet interesant, sepse na jep kuadrin e disa ndjenjave kryesore të emigrantëve që jetojnë në Itali. Si çdo studim me karakter sasior, ka avantazhin e saktësisë, sepse na jep me saktësinë e parashikuar, përqindjen e shqiptarëve që besojnë ta zëmë tek komshiu. Megjithatë, sikurse ndodh me studime të këtij lloji, vështirë t’i kuptojmë arsyet që qëndrojnë pas përqindjeve, edhe kur janë befasuese. Siç mund të përfytyrohet fare lehtë, qëndrimi ndaj komshiut, ose forcave të rendit, nuk mund të shkëputet nga kultura që bart emigranti. Nëse ky vjen nga një kulturë ku figura e komshiut ose e forcave të rendit, ose qoftë vlera e mikpritjes, ka një farë peshe, atëherë mund të supozohet se pohimi i emigrantit sot është gjithsesi i ndikuar nga prejardhja e tij.
Nga ana tjetër, të dhënat që sapo paraqitëm në mënyrë të përmbledhur duhen zbërthyer më tej, përderisa brenda kategorive të mëdha kemi qëndrimin e grave, të rinjve, grupmoshave të ndryshme, sipas arsimit, sipas vendbanimit, e kështu me radhë. Janë të gjithë faktorë ndikues me peshë specifike të vetën. Rëndësi ka që të nisemi nga parimi kryesor që ka të bëjë me rëndësinë e mendimit të emigrantëve. Në këtë kuptim, fillimi i mbarë është gjysma e punës.