POLITIKA FITON MEDALJEN E KASHTËS

Sportit shqiptar në Olimpiadën e Londrës po i shkojnë punët si mos më keq: jo vetëm asnjë medalje, as ndonjë arritje sportive për t’u shënuar, por edhe një varg i njëpasnjëshëm lajmesh për përjashtime, doping, dëmtime fizike, eliminime të menjëhershme dhe vende të fundit e të parafundit në disiplinat përkatëse.

Pakkush priste prej këtyre sportistëve që të shkëlqenin në Londër; sepse konkurrimi i suksesshëm në olimpiadë kërkon jo vetëm talent, përkushtim dhe moral të lartë, por edhe përgatitje sistematike, organizim, mbështetje nga shteti ose nga ndonjë sponsor serioz, kulturë dhe teknologji dhe, sidomos, largpamje – cilësi këto të cilat shqiptarëve në këtë moment të historisë u mungojnë jo vetëm në sporte, por edhe në fusha të tjera ku e ku më kritike se sporti.

Megjithatë, çfarë e bën tej mase irrituese këtë fiasko të radhës është pompa me të cilën u shoqërua, nga mediat, vizita në Londër, me rastin e Olimpiadës, e delegacioneve të nivelit më të lartë nga Shqipëria dhe Kosova; ose momenti kur qeveritë e të dy vendeve kërkuan edhe një herë të shalojnë kalin e publicitetit, për të fituar pikë me opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kësaj komedie i shtojmë edhe farsën e pashembullt të notimit sezonal, me stil lumor, të kryeministrit Berisha në detin Jon; ngjarje e cila përkoi, nuk di nëse qëllimisht apo jo, me garat e shumta olimpike të notit në Londër; sikurse i shtojmë edhe poshtërimin e parapakditshëm të disfatës së bujshme 5:0 të SK Tiranës në Norvegji, disfatë e cila erdhi edhe me akuzën zyrtare, nga ana e Federatës Norvegjeze të Futbollit, se Tirana e kish shitur rezultatin.

Futbolli në Shqipëri ka kohë që është katandisur në një slot machine, ose suport material për kompanitë e basteve; sikurse duket edhe nga stadiumet gjithnjë e më të zbrazëta. E trishtueshme të mendosh se kjo ndodh në një vend ku, deri 20-25 vjet më parë, nuk gjeje biletë për t’u futur në stadiumet, madje edhe kur luanin ekipet e volejbollit dhe të basketbollit për femra. Ka njerëz sot që, kur ua kujton këtë, të thonë se aso kohe njerëzit “nuk kishin ç’të bënin tjetër”, prandaj i mbushin stadiumet; edhe pse unë nuk dua të mendoj se me çfarë e kanë zëvendësuar, të sotmit, eksperiencën e djeshme të stadiumeve (mos më thoni se po shkojnë të dëgjojnë, truma-truma, kuartetet e harqeve të Bartokut).

Natyrisht, interesi për sportin vuan dyfish – sa kohë që edhe fëmijët e të rinjtë nuk kanë më terrene sportive ku të ushtrohen, as pishina dhe palestra të përshtatshme; ndërsa klubet sportive, zakonisht të futbollit, shpenzojnë pará me origjinë ndonjëherë të dyshimtë për të blerë gjithfarë lojëtarësh e trajnerësh, të cilët ikin ashtu siç vijnë, ose si mercenarë të paguar për manipulime bastesh dhe batakçillëqe të tjera.

Ne si shqiptarë nuk kemi pretenduar ndonjëherë të shkëlqejnë në olimpiadat; edhe pse tek-tuk ndonjë sportist apo ekip të klasit të parë e kemi nxjerrë. Sporte si qitja, ngritja e peshave, mundja klasike, boksi e ndonjë tjetër kanë pasur edhe një traditë të tyren disa brezash, e cila tani edhe ajo ka përfunduar në gjokse të fryra me medalje dhe vetrina në muzeumet e federatave. Shteti, nga ana e vet, nuk tregon ndonjë interes për sportin, përveçse kur ka ndonjë event të kalibrit olimpik, ku të vrapojnë pushtetarët për foto-ope, së bashku me Demkat e tyre, gazetarët, trupat televizive me mikrofonat ngjyra-ngjyra dhe buzëqeshjet triumfaliste. Përndryshe, sikur edhe vetëm valuta e shpenzuar për vizitën e kryeministrit Berisha dhe të shpurës së vet në Londër të përdorej për të blerë pajisje trajnimi dhe financuar hapësirat e nevojshme për sportistët shqiptarë gjatë vitit që kaloi, ndoshta do të kishim bërë sot figurë më të mirë.

Ende gjen njerëz, sidomos psikopatë të forumeve online, që shqetësohen kur dëgjojnë se ndonjë sportist shqiptar i talentuar ka vendosur të konkurrojë për një shtet tjetër; fluturojnë, me këtë rast, akuzat për mungesë patriotizmi, shitje për 30 aspra, mosmirënjohje dhe gjepura të tjera tashmë të mirënjohura. Në fakt, çfarë duhet të na habitë, është që ka sportistë të talentuar të cilët, megjithë indiferencën madje kafshërinë institucionale, ende ngulin këmbë të përfaqësojnë flamurin shqiptar – të njëjtin flamur që sponsorizuesit e tyre, qoftë publikë qoftë privatë, e kanë përdhosur me sjelljet, argalisjet dhe pisllëqet e tyre. Janë pikërisht këta sportistë, që po ua japin pushtetarëve tanë alibitë e nevojshme, për t’u hequr si mecenatë të sporteve dhe tedoforë të pishtarit olimpik shqiptar.

Sporti ia jep fytyrën një kombi – duke ndihmuar që brezi i ri të rritet i bukur, i shëndetshëm dhe ekstrovert; dhe duke i edukuar të rinjtë me shpirtin e bashkëpunimit, të skuadrës dhe të ambicies për fitore. E kam fjalën, natyrisht, për sportin e vogël dhe kapilar, në klasa dhe në fusha sportive, ku angazhohen të vegjëlit dhe adoleshentët; dhe i cili herë pas here përfton kampionët, të cilët i duam dhe i admirojmë të gjithë. Nga ana tjetër, suksesi i një sportisti në arenën ndërkombëtare është edhe sukses i një kulture, i një qasjeje të caktuar ndaj ekzistencës, i një afirmimi përballë kombeve të tjera; jo për shkak të gjakut dhe të geneve, por për shkak të faktit të thjeshtë se kampionin tënd do ta ketë nxjerrë e njëjta kulturë që të ka nxjerrë edhe ty dhe shqiptarët e tjerë. Afirmimi shërben kështu edhe si konfirmim.

Kryeministri Berisha do të bënte mirë t’i kish pritur sportistët shqiptarë, së bashku me autoritetet dhe krerët e institucioneve përkatëse, pasi këta të ktheheshin nga Olimpiada; të ulej dhe të bisedonte me ta shtruar, në vend që të pozonte për fotografët; të qante hallet e tyre, të dëgjonte kërkesat e tyre, të zotohej publikisht për investime – jo vetëm monetare – të shtetit në sport.

Përkundrazi, me shfrytëzimin cinik që ia bëri një ngjarjeje si Olimpiada – e cila, sido që të jetë, u përket sportistëve për ta festuar jo politikanëve – ai na tregoi të gjithëve se ky shtet, kjo republikë e këtyre 20 vjetëve, nuk mund të shpëtohet më; pse është shndërruar në një fasadë, tashmë vende-vende të shpuar dhe të rrjepur nga skandalet, pisllëqet, krimet dhe, sidomos, nga paaftësia për të qenë qoftë edhe në lartësinë e qytetarëve të vet.

Nuk ka komente

  1. Eshte tamam sic e thote autori. Nje performance e olimpionikeve shqiptare qe qendron si per gjendjen e mjere te sportit ashtu dhe ate te kultures e qytetarise shqiptare sot. Keta jane sportistet e Shqiperise … se kafeve te basteve, te barqeve te birres, te bingove, te betonizimit supradimensional si dhe te liderve historike qe megjithe katastrofat e njepasnjeshme te ketyre 20 viteve asnjehere nuk i mungojne mercenaret e te gjitha niveleve (e ketu fus dhe ata online). Mire se na gjete 100 vjetor.

    Se harrova: O sa mire me kene shqiptar!

  2. Not me stil “lumor”- shume e gjetur kjo per xhaxhi salen. Sa per ta zgjeruar pak, do te thoja se stili “lumor” i notit konsiston ne perpjekjet e njeriut (notarit ne rastin e sali-ut-lol) per te qendruar ose pluskuar mbi uje, ndersa levizja e tij kryhet nga forca e rjedhes se ujit. Kuptohet qe ne kete rast trupi leviz ne drejtim te rjedhes se lumit dhe jo anasjelltas. Mirpo ne det nje stil noti i tille nuk te ben te perparosh as drejt thellesive apo drejt bregut, pra thjesht qendron mbi uje si nje kaperton i braktisur. Dhe ne fakt sali-u nuk noton por pluskon dhe rekordin e ri e vendosi per zgjatjen e kohes se pluskimit dhe jo te notimit. Kete gje fare mire cdo kush mund ta realizoje edhe ne vasken e banjes se tij, pa qene nevoja te ndyesh detin; pasi jam i sigurt qe duke ndenjur mbi 2 ore ne det mesiguri qe ka urinuar te pakten 3 here! Rezik edhe te trashen mund ta kete leshuar ashtu si pa kuptuar.

  3. Perkova nje dite ne aeroportin “Nene Tereza” (nuk e dija qe Nene Tereza kishte qene pilote, e dinit ju?) me ardhjen e ekipit olimpik nga Olimpiada e Londres. Jashte qendronin 6-7 telekamera dhe kameramanet te cilet krruanin hundet dhe pinin cigare, si dhe gazetaret, te cilet cuditerisht ishin me pak ne raport me kamerat. Me pas gjate intervistes vura re qe mikrofonet ishin me shume ne raport me kamerat dhe ne koken time u instalua nje konfuzion ne lidhje me mediat (4 gazetare, 7 kamera, 9 mikrofone???). Qe ketu duket serioziteti i medias qe informon kombin e gjore, i cili u beson verberisht. Intervistuan dy personalitete, te cilat ishin me sa kuptova kryetari i delegacionit dhe mjeku. Kryetarit te delegacionit iu be nje pyetje dhe pergjigja qe ai ktheu zgjati diku te 25 minutat, ndersa me i sulmuari ishte mjeku, te cilin e bombarduan me pyetje ne lidhje me ceshtjen e atij sportistit te dopuar. Duke qene se mjeku ca vite ne jeten e vet i ka kaluar te pakten duke lexuar traktate, me qartesi arriti t’i kthente pergjigje te qarta pyetjeve te pakuptimta te “ngrenesve te farave para intervistes”. Dhe ne fund fare mjekut te gjore qe nuk i takon fare te shpjegoje rezultatet e ekipit olimpik, i vjen papritmas pyetja me idiote ne historine e gazetarise sportive: “A DO T’I KERKONI FALJE POPULLIT SHQIPTAR?” Pra, mendja e ndritur e gazetarit qe mbante dy mikrofone ne dore me logot TCH dhe SS, u perfaqesua nga kjo pyetje e cila pretendonte te kerkuarit falje per rezultatet e dhiera qe arriti ekipi olimpik. Per ta shpjeguar me nje shprehje rruge: kam vdek gazit! Ky njeri, i cili e di shume mire se ne c’gjendje eshte sporti shqipar, sidomos kategorite individuale, te cilat jane te vetmet qe arrijne te na perfaqesojne ne olimpiade, pretendon kerkim faljeje ne emer te popullit. pretendon te kerkojne falje ata qe kane bere stervitje ne toka me dhe e gure (ne vend te palestrave te posacme) duke ngrene groshe (ne vend te dietes se pershtatshme). Kur ti ke kete person, i cili me nje pordhe stratosferike, pretendon te perfaqesoje informuesin ndaj popullit ne lidhje me sportin dhe mendon se e kryen detyren e tij me se miri, cfare dreqin pret nga perfaqesia e larte e qeverise dhe prijesi i saj?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin