MUJI NË KUVEND

Kryeministri Berisha, pasi dështoi në përpjekjen për t’ia imponuar me forcë Kuvendit (dhe opozitës) heqjen e imunitetit me kushtet e formuluara prej tij, kërkoi menjëherë që çështja të votohet me Referendum.

Disa zëra nga opozita thanë, në përgjigje të kësaj kërkese, se Referendumi për heqjen e imunitetit nuk mund të kryhet me kushtet e Berishës, për të njëjtat arsye dhe rrethana që dështoi votimi në Kuvend.

Të tjerë argumentuan të kundërtën.

Të dyja palët iu referuan neneve përkatëse në Kushtetutë dhe në ligjin për Referendumet.

Pa qenë në gjendje ta shoshit mirë këtë çështje, po mjaftohem të them se, duke gjykuar nga deklaratat e shumta, duket se palët nuk e njohin mirë ligjin; ose shpresojnë se, duke e shpërfillur, mund të lënë mbresa te publiku.

Vijmë kështu te çfarë kemi thënë prej kohësh në Peizazhet: dhe pikërisht që, para se të rendim për të ndryshuar rregullat e lojës, duhet t’i njohim ato më parë, t’i kemi bërë tonat; dhe t’i kemi bërë po aq tonat, sa edhe kodin gjenetik dhe pamjen që shohim përditë, kur i interpelohemi pasqyrës.

Palët në Tiranë duken të angazhuara, me një zell maniakal, për të ndryshuar Kushtetutën – hiq një paragraf këtu, shto një arnë aty, ule nga kjo anë, ngreje nga ajo ana tjetër. Shto ujë e shto miell, thoshin të vjetrit.

Duke gjykuar nga cilësia e debateve për këto çështje, duket se flamurtarët e ndryshimeve në Kushtetutë nuk e njohin mirë dokumentin themeltar të shtetit; jo se nuk ia dinë përmendësh nenet, por nuk ia kanë përvetësuar dot frymën.

Duket edhe se, këto palë, e shohin Kushtetutën dhe, në përgjithësi shtetin ligjor, jo si një kod që përfton institucionet dhe palët vetë, por si një tërësi pengesash, gardhesh, portash të kyçura, rojesh, qensh dhe telash me gjemba, që u ka dalë atyre përpara dhe nuk i lejon të bëjnë ç’të duan.

Veçanërisht, me spektaklin e këtyre ditëve dhe me retorikën e lodhur prej kalemxhinjsh të gazetave të provincës, kryeministri Berisha dhe të vetët treguan se po i qasen Ligjit me mendësinë e bajraktarit periferik të Perandorisë, ose të një Muji kreshnik të mumifikuar, që ende ëndërron se mund të realizojë lirinë e vet në hapësirat ose intersticet e ligjit.

Gjithsesi, 6 gushti do të zërë vend në kalendarin e Republikës si ditë turpi.

Nuk ka komente

  1. Per sa i perket 6 gushtit dhe hyrjes se kesaj date “ne histori” per mendimin tim mbajne pergjegjesi sidomos mediat (meqe Berishes, ia njohim koken tashme). Mbajne pergjegjesi per shpelarjen mendore qe i bene opinionit publik per nje date qe nuk ka lidhje as me flamure te rrezuar, as me flamure te ngritur, por thjesht me qellime te pastra baterdisjeje te opinionit publik, qe nga e gjithe kjo mesele do mbajne mend vetem “miliarderet”, “integrimi i munguar” e te tjera te llojit.

    Sa per nenet ne Kushtetute, referendumi per rishikimin e Kushtetutes nuk mund te iniciohet nga Berisha apo grupi i mbeshtetesve te tij. Per ta cuar ne referendum nje projektamendament kushtetues (si ky mbi imunitetet) kerkohet vendimi paraprak i 2/3 te Kuvendit (par. 4, neni 177 kusht.). Referendumi parashikohet edhe lidhur me amendamentet kushtetuese te miratuara (par.5, neni 177 kusht.) dhe pikerisht cilesimi “te miratuara” nenkupton serish voten pro, te 2/3 te te gjithe deputeteve. Duhet te behen bashke pra pozite e opozite, qofte per referendumin mbi projektamendamente, qofte per referendumin mbi amendamente te miratuara.

    Ndoshta perfshirja e njerezve (nese do arrihet shumica prej 2/3), do te sjelle te vetmen te mire, qe do t’i detyroje politikanet te komunikojne me shume e me seriozisht me zgjedhesit (ata qe kane te drejte vote). Ruaj sidoqofte nje sere rezervash mbi efektshmerine e ketij kontakti me zgjedhesit, ne konsiderate te species politikane qe na udheheq, si dhe pare tendencen ndaj propogandes dhe rolin aspak informues te mediave ne kete kuptim.

    Per sa i perket njohjes se ligjit themeltar, historia shqiptare ka deshmuar renditjen e saj ne faqet e fundit te axhendes politike. Prioritetet shkojne ne drejtim te mendje-blerjes e mendje-shplarjes kolektive, e jo te edukimit me vlera e standarde, aq me teper kushtetuese – ligjore.

    Na lodhen.

  2. Diten kur ndodhi ky “turpi” gjendesha ne Tirane dhe e ndoqa permbledhjen e “monologut” te Berishes, pasi TV shqiptar transmetoi vetem fjalen e tij (montazhin), a thua se ne kuvend nuk ishte asnje nga opozita. Kanalet e tjera transmetuan edhe fjalen e opozites. Por TVSH vetem te Saliut, ku ai duke dale nga lekura, leshoi proçka me lidhje e pa lidhje (nuk e mohoj se u argetova), u beri thirrje, por nuk merrej vesh a po lutej, a po u jepte urdher apo po i kercenonte opozitaret. Sigurisht ne qender te shenjestres ishte ai (kupto Edi Rama) e ka mbajtur nje fjalim delirant – per koqen e qejfit.
    Me nje fjale te urte te vjeter: mbytja sinjori!, e perkthyer ne zhargon modern: futja pordhes!
    U habita pse priste tja votonin, fytyra here i skuqej, here i zbardhej, akuzonte ne hatlla jo trau i doganes se ketij etj., kur soji e sorollopi i tij jane ekzemplare te korrupsionit.
    Me nje fjale u argetova, se lidhur me thelbin te ceshtjes u binda fare (per gjithe jeten) se NUK KA SHTET SHQIPERIA!

  3. Vetëm punë argëtimi nuk është kjo. Këtu ka një lloj PERVERSITETI në mënyrën sesi kryeministri ynë sillet me pushtetin që mban. Ai me sjelljen e tij, dhe publikimin e saj ndjell një lloj skizofrenie, e cila transmetohet më pas edhe shtrihet në masat e njerëzve.

    Vëreni humnerën si ndjesore dhe llogjike midis fjalimeve të tij, dhe kronikave të zeza anë e mbanë vendit. Apo midis turpit të ekipit olimpik kombëtar dhe madhështisë së shtirur për rekordin e ri të “notit” (se vendosi dhe rekord të dytë).

    Për çdo njeri të ndërgjegjshëm, kjo vetëm për të qeshur nuk është.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin