TË ISHE ANGLEZ

Një epitet që ka qenë mjaft popullor, në zhargonin e rinisë tiranase në vitet 1970 dhe kushedi edhe më parë, pa çka se tani mund të ketë dalë nga përdorimi: anglez.

Ky epitet vinte me ngjyrim emocional pozitiv, shprehte miratim dhe simpati për të karakterizuarin; anglezi përfaqësonte një lloj modeli të rolit.

Në vështrim të parë, anglez tingëllonte si një sinonim bisedor për flegmatikun, dikë që nuk entuziazmohej kollaj, as rrëmbehej e irritohej – pra që parapëlqente arsyen ndaj emocionit dhe, sidomos, që “nuk përzihej.”

Megjithatë, popullariteti i këtij termi bisedor mes të rinjve lë të kuptohet se anglezi, thjesht me praninë e vet në margjinat sociale, përçonte diçka rebele, anti-konformiste, kundërshtuese – pa çka se kjo do të binte ndesh me vetë të qenët anglez.

Edhe vetë prejardhja e termit është kurioze: pas gjase, anglezët njiheshin në popull si flegmatikë, të përmbajtur, të ekuilibruar; çka diktohej, në analizë të fundit, prej temperamentit të tyre kaq të ndryshëm prej tonit, ashtu siç rezultonte nga kontaktet reale por edhe e sidomos nga letërsia.

Atje ku ne, jugorët, ishim pasionantë, të përfshirë, sentimentalë, ndonjëherë deri edhe histerikë, anglezët përkundrazi tregonin drejtpeshim dhe qetësi, vetëpërmbajtje deri në hermetizëm.

Megjithatë, kontaktet e drejtpërdrejta të shqiptarëve me anglezët, në vitet 1960-1970, ishin minimale, në mos inekzistente; anglezë në Shqipëri nuk vinin më, për shkak se marrëdhëniet mes dy vendeve ishin prishur, menjëherë pas mbarimit të Luftës.

Edhe pse në literaturë mund të gjenden referenca ndaj “temperamentit anglez”, si shembëlltyrë e flegmatikut, gjasat janë që popullariteti i anglezit në zhargonin urban të rinisë sime të ketë pasur lidhje me filmin.

Filmi i tregonte publikut shqiptar një lloj të ndryshëm të qasjes ndaj marrëdhënieve ndërpersonale – ku pas flegmatizmit dhe indiferencës fshihej një lloj respekti absolut për autonominë individuale, mos-ndërhyrjen dhe diversitetin.

Anna Wierzbicka, e cila i ka studiuar në imtësi ato që ajo i quan “cultural scripts” në sjelljen e anglo-saksonëve, në krahasim edhe me skripte të tjera, p.sh. ato të Mesdheut ose të Lindjes së Mesme, flet për vetinë e të qenit cool, si diçka që i dallon anglo-saksonët prej jugorëve (English, Meaning and Culture, O.U.P. 2006, ff. 20-60).

Thelbi i të qenit cool, në këto kontekste, lidhet me përparësinë që i jepet mendimit ndaj emocionit, arsyes ndaj ndjenjës.

Në këtë vështrim, anglezi jo se është emocionalisht inert; por thjesht nuk i jep rëndësi emocionit, si shtysë në qëndrimet e veta ndaj botës dhe sidomos ndaj së tjerëve.

Ky vlerësim i cool-it tashmë është gati universalizuar, edhe pse nuk ka ndonjë bazë universale.

Edhe anglezi ynë, ose personazhi që aq shumë e admironim, pse i qasej jetës me mendje “të ftohtë”, ishte në thelb pararoja e këtij universalizimi, që synonte zëvendësimin e emocionit me arsyen dhe, në analizë të fundit, të përshtypjeve me faktet.

Wierzbicka ia kërkon rrënjët këtij “revolucioni” antropologjik në filozofinë e John Locke-ut; duke e lidhur edhe me nocionin, aq kritik, të tolerancës.

Në jetën e përditshme, tolerancën anglo-saksone mund edhe ta përkthejmë me shprehjen live and let live, që ndonjëherë, në shqipe, e dëgjojmë edhe si lëre të vrasë veten.

Kulturorisht, ne shqiptarët – të paktën në hapësirat urbane – jemi mësuar me diversitetin; por marrëdhënien me tolerancën e kemi më komplekse.

Tregojmë tolerancë midis grupeve sociale (p.sh. komunitetet fetare), si një lloj armëpushimi pragmatik; por këtë e kompensojmë pastaj me intolerancë totale brenda grupit.

Që këtej, personazhi i anglezit, që shihej me aq admirim nga rinia urbane antikonformiste e viteve të diktaturës, vjen e merr domethënie të re.

Anglezi, ose ai që lives and lets live, që nuk angazhohet emocionalisht me ty, por që mban qëndrim të tërhequr nga punët e të tjerëve, bie në kundërshtim – do të thoja flagrant – me modelin e njeriut të ri socialist, të riut revolucionar, që ndërhyn orë e çast në shoqëri, për të sjellë “të renë”, për të luftuar “të vjetrën”, për të mbajtur lart “frymën revolucionare” dhe “vigjilencën”.

Vitet 1960-1970 kanë qenë kohë të turbullta: më parë, për shkak të revolucionarizimit të jetës së vendit dhe prishjes së strukturave sociale tradicionale; më pas, për shkak të luftës kundër “shfaqjeve të huaja”.

Të gjitha këto procese politike, me reperkusione sociale të thella, frymëzoheshin vërtet nga lart, por kërkonin angazhimin kapilar të masave, veçanërisht të masës rinore.

Prej të riut pritej të “aktivizohej” ose “të angazhohej” gjallërisht në punët e organizatës (së Rinisë); çka parakuptonte, në radhë të parë, të përzierit në punët e të tjerëve.

Indiferenca, qëndrimi mënjanë, mefshtësia, mbyllja në vetvete, shiheshin si shfaqje (mbeturina) mikroborgjeze, të tilla që duheshin çrrënjosur.

Një nga “luftërat” ideologjike ishte ajo kundër “indiferentizmit.”

Të riut i kërkohej edhe vigjilencë; edhe pse kjo vigjilencë nuk do të pasohej doemos nga kallëzimi përkatës. Kishte kallëzim dhe denoncim, por kishte edhe punë kokë më kokë me atë që kish gabuar. Veçanërisht në kontekste jo-antagoniste, e rëndësishme ishte të ndërhyje, ta shpëtoje tjetrin nga “shkelja në dërrasë të kalbur”, t’i tregoje rrugën e drejtë, të punoje me të hap pas hapi, derisa sa ta bëje si veten.

E gjithë kjo çonte, dhe nuk mund të mos të çonte, në triumfin publik të konformizmit: zgjidhjen e kishin të gjithë të qartë, sepse diktohej nga lart; tani duheshin identifikuar dhe shtruar problemet.

Dhe nëse është kështu, figura e anglezit merr përmasat dhe atributet e një anti-heroi: sepse anglezi i përgjigjet konformizmit me distancim dhe indiferencë; në emër të “mendjes së ftohtë” (coolness), ai refuzon të përfshihet në histerinë kolektive; dhe në vend që të futë hundët në punët e të tjerëve, ai parapëlqen të shohë punën e vet.

Në shoqërinë shqiptare aq intolerante të viteve 1960-1970, anglezi mishëron virtytin e butë të tolerancës; meqë është ai që të pranon, pavarësisht nga çfarë je dhe çfarë të gërryen së brendshmi. Në shoqëri me të, askush nuk ndihet i kërcënuar, në sytë e tij vesi dhe virtyti relativizohen, deri atje sa edhe të ndërrojnë vendet; normat morale degradohen deri në statusin e rregullave të një loje bixhosi.

Ky idhullzim i anglezit ishte edhe mënyra jonë rudimentare për t’u ndier anti-konformistë pa rrezikuar shumë.

Përplasjet midis aktivistëve të rinisë, militantëve, masovikëve dhe zbatuesve vullnetarë të luftës së klasave nga njëra anë dhe anglezëve nga ana tjetër ishin gjithnjë spektakulare: anglezi, në përpjekje për të mos u ekspozuar politikisht, jo rrallë kish si armë të vetën ironinë, të cilën e përdorte edhe për të shkrehur tensionin.

Kishte dy lloj anglezësh: një palë që vinin nga familje të lidhura me pushtetin dhe i kishin shpatullat të ngrohta, ngaqë askush nuk do të guxonte t’i dënonte për shfaqje të vogla të tolerancës a liberalizmit, ose për “indiferentizëm”; dhe një palë tjetër, që vinin nga familje të distancuara nga pushteti, dhe që nuk gënjeheshin kollaj nga dokrrat e propagandës së përditshme. Prej këtyre, disa e kishin ruajtur fisnikërinë e vjetër, pavarësisht prej përmbysjes në status.

Jo rrallë këto dy lloje anglezësh rrinin bashkë; duke u bashkërenduar kështu arroganca e të parëve, prej fëmijësh të përkëdhelur (djemtë e beut) me rebelimin e të dytëve, prej djemsh të rrugës (edhe ndonjëherë edhe këta djem të beut, për nga origjina). Ironikisht, të parët donin t’u ngjanin të dytëve, sepse ia kishin kuptuar vlerën të qenit anglez.

Anglez mund të ishte edhe mësuesi ose prindi – ose kushdo tjetër, mishërim i autoritetit; sa kohë që nuk përpiqej ta shfrytëzonte autoritetin për të administruar imtësitë e sjelljes sate personale; por të linte “gjallë”, në mjerimin tënd (live and let live). Autoriteti anglez nuk të bërtiste, nuk të kërcënonte, nuk të ndëshkonte – por i linte punët dhe ngatërresat të rrëshqisnin tutje.

Sa kohë që autoriteti, ne të rinjve të atëhershëm, na shfaqej si ndërhyrje në punët e brendshme, si forcë që na detyronte të bënim çfarë duhej, të ndryshme nga çfarë dëshironim, atëherë çdo shenjë sado e vogël tolerance ose mirëkuptimi do t’ia meritonte epitetin anglez autorit.

Natyrisht, sapo anglezi shndërrohet në mishërim të virtytit anti-konformist, do të dalin menjëherë ata që do ta adoptojnë këtë si modë, duke u konformuar me të. Por zhargoni ynë e kishte gati një epitet edhe për këta: anglez ven(d)i, shprehje që duhet kuptuar edhe në kontekstin autarkik të Shqipërisë së atëhershme, kur gjithçka që merrte atributin “vendi” ishte vetvetiu e dorës së dytë, e cilësisë së ulët ose “skarco” (ja një fjalë tjetër kurioze), më shumë surrogato, se e vërtetë (“prodhim vendi”).

Anglezi i ven(d)it vetëm sa hiqej si anglez, duke u përpjekur të tërhiqte vëmendjen dhe admirimin e të tjerëve; por virtyti i të qenit tolerant dhe mendje-ftohtë nuk i buronte së brendshmi.

Përndryshe, anglezi mbetej faktor turbullues, në tablonë e përgjithshme të konformizmit social. Të mbajmë parasysh se ky konformizëm politik, i imponuar nga monizmi ideologjik, kish gjetur taban të përshtatshëm në konformizmin tradicional të shoqërisë shqiptare, ku të gjithë futnin hundët te njëri-tjetri, për të verifikuar se gjithçka shkonte konform rregullave.

Dhe, e kotë ta shtoj këtu në fund, anglezi u venit dhe më pas u shua krejt, si personazh i jetës urbane, që nga momenti kur kohezionit social i erdhi fundi; dhe komunitetet erdhën e u shpërbënë në mënyrë katastrofike. Prandaj edhe do ta konsideroja më shumë si një kuriozitet të historisë sociale-antropologjike, të Shqipërisë urbane nën regjimin totalitar – si përkujtesë dhe shpresë, elegante deri në fund, se kishte gjithnjë mënyra për ta kundërshtuar statu quo-në sistematikisht dhe në përditshmëri.

Nuk ka komente

  1. Bukur. Nje epitet qe mund te konsiderohet tashme i fosilizuar. Mbaj mend qe ne Shqiperi, per here te fundit e kam degjuar andej nga mesi i viteve 2000, nga njerez qe e kishin kaluar rinine ne vitet 70-te apo edhe 80-te.

  2. Kur e lexova, pyeta veten në ka ndonjë lidhje mes këtij vizatimi të “anglezit” dhe numrit të vogël të tifozëve të Anglisë në futboll. Kam parasysh numrin e madh të tifozëve të Italisë dhe Gjermanisë në Shqipërinë e atyre viteve, që sot unë, në vija të trasha, i vizatoj përkatësisht si grupet e “tironsve” dhe “tiranasve”, në do më lejohej të bëja një mishmash kohësh.

  3. Anglezi, ose ai që lives and lets live, që nuk angazhohet emocionalisht me ty, por që mban qëndrim të tërhequr nga punët e të tjerëve, bie në kundërshtim – do të thoja flagrant – me modelin e njeriut të ri socialist, të riut revolucionar, që ndërhyn orë e çast në shoqëri, për të sjellë “të renë”, për të luftuar “të vjetrën”, për të mbajtur lart “frymën revolucionare” dhe “vigjilencën”.

    Ai modeli i Njeriut te Ri Socialist, sic e keni perkufizuar ketu, eshte ne fakt oriental. Hebrejte kane ate thirrjen e tyre “tikun olam”, “ndreqe nje bote qe eshte e prishur”. Inglizi (sic thoshte gjyshi im) eshte nje qenie moderne par excellence. S’kane asgje per te ndrequr, pasi sic thoshte himni Austro-Hungarez ‘gjithcka vete si jo me mire’.

  4. Edhe amerikani thote if ain’t broke don’t fix–po s’eshte prishur, mos e rregullo. Ndreqja s’duket hall vec. oriental.
    Po sa per indiference, perdorej edhe tip menefrego dhe menefregist. I bie qe indiferenti mund te kishte anim anglez edhe italian, por jo shqiptar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin