I FUNDMI TË FIKË DRITAT

I fundmi i Mohikanëve*, thanë për të ndjerin prof. Demiraj. Rilindësi i fundit, njerëz si ai nuk vijnë më… dhe të tjera mënyra për të përcjellë idenë e një kapitulli që mbyllet, në historinë e kulturës shqipe, kushedi edhe të albanologjisë. Nuk dua të kritikoj gjë en bloc ata që janë shprehur kështu; edhe unë vetë mund ta kem thënë diçka të ngjashme: ashtu të vjen – pa çka se, kam frikë, disa prej këtyre e bëjnë që të ngushëllohen për mediokritetin e tyre, duke e nxjerrë si historikisht të pashmangshëm.

E megjithatë, pikëpyetjet mbeten. Aq më tepër që, tani vonë, për çdo figurë të njohur të dijes, të artit dhe të kulturës që ikën, njëlloj dëgjon që ta përcjellin – si të papërsëritshëm, të pazëvendësueshëm, të pareplikueshëm. Pse të ndodhë kështu, pra?

Të jetë kultura jonë dhe shoqëria jonë e sotme e paaftë për të transmetuar dijen, ekspertizën, pasionin dhe shpirtin e zotimit publik, nga njëri brez në tjetrin?

Apo të kenë qenë këta burra të vjetër, që ikin, specie të dënuara për zhdukje, dinosaurë, relikte me të ardhme reliktesh, në një kontekst kulturor të ri, ku modeli i tyre nuk mund të funksionojë më?

Në një kuptim, shteti shqiptar është aq i ri dhe shumë institucione i ka të krijuara kaq vonë, sa ne kemi pasur fatin të njohim një plejadë themeluesish – dhe kam parasysh, me këtë ne, brezin që i dha lamtumirën prof. Demirajt.

Bie fjala, unë kam njohur, në një mënyrë ose në një tjetër, prof. Çabejn, prof. Kostallarin, prof. Domin – ose njerëz që i vunë themelet gjuhësisë shqiptare moderne. Dhe themelet hidhen veç një herë, të paktën në situata normale, kur nuk është nevoja t’u biesh institucioneve me top, siç u ranë komunistët në 1944.

Dua të them – një nga një, janë larguar prej nesh themeluesit; dhe themeluesit vërtet nuk vijnë dot më, si të tillë, si themelues. Ka qenë fati i tyre, që i ka gjetur në fillim të gjërave; ka qenë merita e tyre, që u ndodhën në vendin e duhur ia dolën të ndërtojnë diçka të qëndrueshme atje ku më parë veç pihej kafeja dhe rakia në hije; madje edhe përtej ideologjive.

Ky do të ishte një argument, për të kuptuar metaforën e Mohikanit të fundit; që vlen jo vetëm për albanologjinë, por edhe për teatrin, për muzikën, për baletin. Pa harruar pastaj se shumë institucione Shqipëria i ka të reja në moshë: Universitetin Shtetëror, Akademinë e Shkencave, Akademinë e Arteve, Radiotelevizionin, Teatrin Kombëtar.

Nganjëherë ca njerëz nuk vijnë më, sepse ishin vërtet unikë në aftësitë e tyre, vizionin, përgatitjen, përkushtimin. Thonë që të tillë dalin vetëm në epoka të caktuara, të ndryshme nga kjo e tanishmja e selfie-ve, e cila përfton mediokritet me shumicë, dukje, argalisje, protagonizëm, shtirje, llafazanëri. Virtytet e heshtura nuk inkurajohen; të diturit i humbasin betejat që pa i filluar akoma – projektorët mbeten të ngjitur mbi klounët.

Nganjëherë tjetër, ca figura nuk vijnë më, sepse kushtet për transmetimin e dijes dhe të know-how-t të tyre nuk janë kënaqur dot. Bie fjala, Androkli Kostallari – aq stalinist dhe despotik sa ç’ishte – e krijoi një ekip të mirë leksikografësh, që punuan me vite për të hartuar Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Por si është gjendja sot në sektorin e Leksikologjisë dhe të Leksikografisë? Sa kanë mbetur akoma, që kanë ekspertizën e duhur teknike, për të hartuar fjalorë?

Dhe Kostallari e krijoi ekipin sepse i duhej, por edhe sepse gëzonte mbështetjen e plotë të shtetit. Dija kushton; dhe kostot e dijes shpesh nuk i mbulon dot tregu. Publiku është gati të paguajë për kultivimin e figurave kombëtare – dhe shteti i mirë, së bashku me institucionet publike dhe shoqërinë civile, duhet t’i dalë zot kësaj gatishmërie, duke vënë në dispozicion mekanizmat përkatës.

Përndryshe, epoka e sotme në gjuhësi po shquhet sidomos për “ekspertë” alternativë, që i gjejnë të meta standardit, recitojnë vjersha dhe ndryshojnë datat në kalendar. Ndërtuesve të djeshëm u kanë zënë vendin fotografët e mureve, që debatojnë për vrimat në mes të tullave; ose ri-suvatuesit e fasadave.

Më tej akoma, tradita ndërpritet sepse të mëdhenjtë, le ta pranojmë edhe këtë, kanë ndonjëherë një huq të keq: e rrethojnë veten me mediokritete, me lajkatarë dhe yesmen-ë dhe portaborse; shfrytëzues të prestigjit dhe të pushtetit, smooth operators që janë krejt sterilë, kur u kërkohet pastaj të prodhojnë diçka; të jenë krijues; t’i shtojnë dijes.

Një tjetër arsye për t’u mbajtur parasysh, është hemorragjia e trurit në vitet 1990: me mijëra, mijëra, mijëra të rinj të përgatitur u larguan nga Shqipëria, për t’u vendosur, një pjesë e mirë, në vendet ku kishin marrë specializimin. Këta u pasuan nga mijëra të tjerë, që studiuan jashtë dhe ndenjën pranë universiteteve dhe institucioneve kërkimore shkencore, ku mundën të shkëlqenin në profesionet e tyre.

Po sa mendje të ndritura mund të përftojë, në një dekadë, një popull i vogël si yni?

Më në fund – ne duket sikur nuk arrijmë të vlerësojmë e të nxitim çfarë kemi: presim që dikush të vdesë, të vritet në trafik, të mbytet në lumë, ta hajë ariu, të plagoset në gjah, t’i bjerë dambllaja dhe të humbë aftësinë për të folur, të zërë krevatin, që t’ia lartësojmë figurën, t’i japim medalje dhe pensione dhe honoris causa, t’ia botojmë veprën e plotë me kapak të fortë mukafaje, të xhirojmë dokumentarët. Nuk i duam njerëzit që kemi afër dhe që rropaten për të krijuar diçka; ndërkohë që rrimë dhe i mbajmë veshët ngrehur, për të dëgjuar se cilin prej nesh po lavdërojnë “të huajt.”

Ka një emër për dukurinë që ceka më lart, në anët e ndryshme të saj: seleksion negativ. Qëndrimi ynë ndaj institucioneve kulturore dhe të dijes është i tillë, që e mënjanon të mirën, ia zë frymën, ia mbyll derën, e mërzit, e detyron të marrë udhët e mërgimit ose të gotës. Një herë e një kohë, kësaj i kanë thënë mallkim – por kushedi termi modern e shmang supersticionin.

Çfarë nuk arrij dot t’i jap dum, është nëse vajtimi për të fundmit e Mohikanëve është faktor a efekt anësor i këtij seleksioni; simptomë e tij banale; apo shenjë shprese?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: