Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

KULTURË E PENGUAR

I botuar në anglisht tani së fundi nga Counterpoint Press, romani E penguara i Ismail Kadaresë, me titull të ndryshuar në A Girl in Exile (Requiem for Linda B.), sapo u recensionua nga Cynthia Haven në The New York Times, në një shkrim të titulluar “Ismail Kadare Grapples With the Supernatural”. Brenda ditës, njoftimi për këtë recension së bashku me përkthimin dolën në versionin online të gazetës TemA.

Siç mund të merret me mend, recensioni në gazetën e rëndësishme amerikane përshëndet një ngjarje me rëndësi për kulturën në SHBA dhe ia prezanton romanin lexuesit të kësaj gazete, i cili ka një profil të caktuar, edhe kulturor. Dhe shkrimi i Haven-it, në zhargonin karakteristik të faqeve kulturore-letrare të kësaj gazete, i ka të gjitha karakteristikat e një përshkrimi të shpejtë dhe elegant, të përshtatshëm për pritjet dhe shijet letrare të lexuesit amerikan, ndaj një vepre nga një shkrimtar tashmë i njohur, por që i përket një letërsie praktikisht të panjohur për këtë lexues.

Kadareja romanin e ka shkruar në shqip dhe e ka botuar së pari në Shqipëri; me gjasë, me lexuesin shqiptar në mendje. Tema e këtij romani, personazhet dhe konflikti janë të tilla që lexuesit shqiptar t’i ndjellin asociacione dhe përjetime specifike, madje unike, duke qenë ky i fundit “lexuesi model” i veprës.

Përkundrazi, lexuesi i sotëm amerikan, përfshi këtu edhe atë që shfleton The New York Times, do t’i qaset romanit të Kadaresë ndryshe, në bazë të enciklopedisë së tij për Luftën e Ftohtë, totalitarizmin dhe njohjen që mund të ketë për Kadarenë vetë si autor veprash të tjera të përkthyera në anglisht. Në çdo rast, ky lexues ka nevojë të “udhëzohet” për t’u futur në vepër në një mënyrë krejt tjetër nga lexuesi shqiptar.

Sikur në Shqipëri të ish shkruar dhe botuar një analizë super-kompetente për romanin E penguara, kur u botua herën e parë ose më vonë, me siguri një media gjeneraliste si TemA nuk do të kish njoftuar; pa çka se lexuesi i sotëm shqip ka nevojë për prezantime rishtas të nivelit të lartë të veprës së Kadaresë më shumë se ç’ka nevojë për lajme për thashetheme, gjepura dhe dosje të hapura e të mbyllura, që i referohen jetës personale të këtij shkrimtari dhe përplasjeve të tij me rivalët, intrigantët dhe armiqtë në politikë dhe në kulturë.[1]

Kjo më lejon të nxjerr një përfundim, sado tentativ, se lajmi i tanishëm në TemA nuk ka lidhje as me letërsinë shqipe dhe as me pritjen e kësaj letërsie, kur përkthehet në anglishte, botohet në SHBA dhe recensionohet nga The New York Times.

Duke botuar lajme të tilla, TemA nuk është se shkel ndonjë traditë a i shmanget ndonjë rutine, përkundrazi: mediat shqip e kanë bërë tashmë zakon që të mos lënë lajm pa dhënë, në lidhje me pritjet dhe prezantimet që u bëhen Shqipërisë, shqiptarëve dhe artit e kulturës sonë në botë, sidomos në Perëndim. Madje këto media janë të mbushura me materiale të shpëlara për turizmin, bukuritë natyrore, veshjet popullore, lashtësinë, arkitekturën, historinë dhe të tjera vlera që gjejnë a që shohin të huajt te ne, por që nuk është se na i thonë e na i komunikojnë ne; për të mos folur pastaj për të gjitha ato herë kur artikuj të tillë i promovojnë pikërisht ato palë që i kanë paguar.[2]

Në fakt, kultura shqiptare duhet të jetë në gjendje t’ia japë ajo vetë lexuesit autorët, artistët dhe veprat bashkëkohore, të shoqëruara me aparatin kritik përkatës; dhe dështimi tashmë flagrant për ta realizuar këtë nuk mund të kompensohet duke sjellë gjithfarë lajmërimesh dhe recensionesh rutinë, që përcjellin këta autorë, artistë dhe vepra, në ballafaqim me publikun në Perëndim ose kudo gjetiu.

Kjo praktikë, e përkthimit (dhe e “përkthimit”) të reagimeve pozitive të botës ndaj produkteve tona kulturore dhe natyrore, duket sikur përpiqet të arrijë synime të tjera; dhe në rastin e Kadaresë, të përfshihet në gjakosjen tashmë shumëvjeçare midis idhujtarëve dhe detraktorëve të këtij personi (nuk po them “shkrimtari”, sepse kjo gjakosje nuk ka shumë lidhje me letërsinë), që shtjellohet faqe pas faqeje, në mjedisin prej tabloidi të mediave.

Lajmi në TemA për recensionin e The New York Times është qitja pushkë e radhës, nga ana e krahut të idhujtarëve, të cilët përkthimin dhe suksesin e veprave të Kadaresë në SHBA duan ta përdorin në favor të tyre. Kjo kauzë – e idhujtarëve – nuk duhet ngatërruar me fatin dhe ndikimin real të veprave të Kadaresë mes lexuesve shqiptarë dhe aq më pak në botë. Tek e fundit, askush nuk ua ka besuar dhe as ngarkuar idhujtarëve detyrën të kujdesen për imazhin e Kadaresë dhe për imponimin e këtij imazhi si ikonë kombëtariste – aq më tepër që, një pjesë e mirë e tyre, lejen që u është dhënë për t’u ulur në tavolina me idhullin e tyre e për t’i mbajtur këtij valixhet në aeroport, po e përdorin tashmë si autorizim “për t’u kujdesur” për trashëgiminë e shkrimtarit.

Shkurt, nuk më duket se këta po i bëjnë ndonjë favor Kadaresë shkrimtar, madje as Kadaresë njeri dhe qytetar; sepse e vetmja arritje e tyre e mirëfilltë është që e kanë ulur autorin më të mirë shqiptar të këtyre 50 vjetëve të fundit në nivelin e vulgut, ose atje ku Kadarenë në fakt nuk e lexojnë, sepse nuk e lexojnë dot, ose thjesht sepse nuk lexojnë: u mjafton të tundin flamujt sa herë që Kadareja të fitojë Eurosong-un, ose diçka e ngjashme me këtë. Ky është niveli i mjeruar i stadiumit, niveli i “o sa mirë me qenë shqiptar”, niveli i “nuk të lejoj të ma prekësh kuqezinë”; kjo është gangrena që po i kërcënohet kulturës shqip të këtij fillimshekulli, teksa “armata” e artdashësve të vetvetishëm po zëvendësohet, mu nën hundën tonë, nga një çetë mercenarësh që veç “e kanë për nder” të mbikëqyrin, me vështrim të rrebtë dhe gishtin në këmbëz, ritualet e riprodhimit të hierarkive.

Një recension pozitiv për një roman të përkthyer i shërben dhe i bën mirë edhe kulturës burimore, sikurse i shërben dhe i bën mirë autorit vetë dhe reputacionit të tij, kombëtar dhe botëror.[3] Mua si lexues të hershëm dhe të regjur të veprës së Kadaresë, më bëhet qejfi kur shoh të promovuar dhe të pritur mirë nga publiku në Perëndim i një vepre prej tij; në atë masë që me atë vepër ende arrij të identifikohem. Njëlloj e kam të lehtë të të përfytyroj lexues dhe dashamirës të Kadaresë dhe të veprës E penguara që të ngazëllehen ngaqë një gazetë e kalibrit të The New York Times të shkruajë për këtë vepër. Megjithatë, nuk besoj se ata prej nesh – lexuesve shqiptarë bashkëkohës të Kadaresë – do të mund të përfitojnë ndonjë gjë nga ky tekst i tanishëm, i cili i drejtohet lexuesit amerikan dhe synon të plotësojë nevojat specifike të atij lexuesi. Adoptimi dhe promovimi i materialeve të tilla, që ndodh rregullisht në mediat shqip, është gjest në thelb parazitar. Për ta thënë thjesht: ne nuk kemi nevojë për lexuesin dhe interpretuesin amerikan të shkrimtarit Kadare, që ta kuptojmë se çfarë përfaqëson kjo vepër e ky shkrimtar për ne – dhe këtë e them si për ata që e konsiderojnë këtë roman si kryevepër, si për ata të tjerët që e gjejnë mesatar, si për ata të tjerët që e kanë lënë përgjysmë, sepse u është dukur i palexueshëm; dhe njëlloj, si për ata që e adhurojnë shkrimtarin, si për ata që i qasen me ambivalencë, si për ata që e refuzojnë.

Dy detaje të lajmit tek TemA më bëjnë të dyshoj edhe më: titulli i shkrimit: “Lexuesit në gjithë botën habiten si nuk e merr Nobelin”, i cili e shtrembëron origjinalin “Ismail Kadare’s readers are astonished every year when the Nobel committee overlooks him”; jo vetëm duke shtuar këtë “në gjithë botën”, si për t’i hedhur pak ketchup salsës së domateve; por edhe ngaqë vetë shkrimi i The New York Times nuk ka shumë lidhje me Nobelin dhe me padrejtësinë që i bëhet Kadaresë duke ia mohuar këtë nderim. Detaji i dytë është se TemA, e cila përndryshe shquhet për lirinë e shfrenuar që lejon në hapësirën e komenteve, për këtë lajm nuk lejon të tilla. Të njëjtën praktikë ndjek edhe Panorama, në shkrime me argument të ngjashëm. Duke pasur parasysh se ç’pisllëqe shkruhen në të tilla raste, e mirëkuptoj që kjo heshtje mund të jetë kërkuar nga kushdo që merret me mbrojtjen e figurës publike të Kadaresë; por, në të njëjtën kohë, prania e komenteve në tema dhe shkrime të tjera, tradhton një politikë editoriale të caktuar, e cila manifestohet si censurim ndaj çdo kritike që mund t’i vijë autoritetit; që gjithsesi, nuk është pozicioni i pritshëm prej një medie të angazhuar në konfliktet politike, ideologjike dhe kulturore të ditës.

Gjeste si ky i ribotimit, përkthimit të rrufeshëm, përcjelljes, transmetimit të çdo materiali të gjetur (këtu duhet vënë theksi – te të qenit i gjetur, jo i menduar as i destinuar për ty që e përdor) janë tashmë normalizuar – aq sa e kam të qartë se do të ketë lexues që thjesht nuk do ta kuptojnë arsyen e këtij shkrimi prej meje, ose do ta likuidojnë si “e ka nga zilia” ose me reagime të tjera tipike. Çfarë nuk është veçse simptomë e një degradimi bazal të komunikimit kulturor, po shndërrohet në kod a në alfabet të pritjes që iu dashka bërë kulturës sonë bashkëkohore nga publiku. Dhe kjo kryesisht ngaqë ka njerëz të cilët dëshirën e tyre për pushtet duan ta maskojnë si preokupim të tyre “madhor” me çështjen kombëtare dhe përkushtim në mbrojtje a kinse në mbrojtje të çfarë ata vetë e kanë idhullzuar. Një luftë banale për pushtet po na shitet si debat kulturor dhe përplasje mes së mirës dhe së keqes.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo riprodhim në mediat. Kundërvajtësit do të ndiqen penalisht.


[1] Lajme të tilla, ose kjo para-letërsi që e errëson, në mos ndonjëherë e mbulon krejt veprën e Kadaresë, kanë vlerë historike për të kuptuar statusin e shkrimtarit të suksesshëm në totalitarizëm dhe marrëdhënien e tij të ndërlikuar me liderin Hoxha dhe aparatin burokratik të diktaturës; por ato nuk mund të zëvendësojnë veprën dhe as të ndihmojnë seriozisht për ta prezantuar këtë vepër. Pavarësisht se për ç’arsye, mediat ia kanë arritur ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga vepra e Kadaresë te jeta e tij; edhe pse kjo e fundit shpesh nuk mund të sillet veçse në trajtë të një dëshmie historike për periudhën, jo si provë meritash kulturore të posaçme.

[2] Kësaj sëmundjeje të çuditshme, për t’i konsideruar të huajt si autoritete morale, estetike dhe të shijes, në mos si arbitra të mosmarrëveshjeve politike dhe konstitucionale, nuk i ka shpëtuar as kryeministri Rama, i cili rëndom e shpall dhe e përdor pëlqimin që ka dhënë për diçka “Europa” si argument të llojit shuplakë, kundër atyre që atë diçka e hedhin poshtë ose nuk e gjejnë me vend. Sipas të njëjtës logjikë, të huajt do të duhet të vendosin edhe se cilët shkrimtarë shqiptarë duhet të lexojmë – prandaj, para se të vendosim për hierarkitë dhe të zgjedhim, çdo javë, “il numero uno”, duhet të presim njëherë që të marrim vesh se ç’ka shkruar një gazetë skoceze ose një revistë argjentinase. Presupozimi që i nënvendoset këtij zakoni të neveritshëm është se ne vetë, brenda për brenda, jemi tepër të anshëm dhe të pagdhendur, për të identifikuar dhe mbrojtur vlerat që përftojmë; prandaj duhet të thërrasim në ndihmë të huajt, që të arbitrojnë për ne.

[3] Sikur të qëllojë që nesër Kadareja të fitojë çmimin Nobel, kjo nuk do të ndryshonte për mua asgjë në përjetimin që ia kam dhënë dhe që ia jap, si lexues, veprës së tij. Shpresoj të ndihmojë që përjetimet e mia, si lexues dhe ndjekës dikur i rregullt, të riprodhohen njëfarësoj edhe nga brezat më të rinj; leximi i një shkrimtari me të cilin kam qenë identifikuar ndihmon për të përçuar edhe ato vlera me të cilat unë ende identifikohem, si subjekt politik, moral dhe estetik. Shpresoj të ndihmojë edhe gjallërimin e produksionit letrar dhe artistik mes shqiptarëve sot, përkundrejt fosilizimit të vlerave dhe të hierarkive, që synojnë idhujtarët e të gjitha ngjyrave. Por kushdo që e ka pasion letërsinë, nuk ka nevojë për mua që t’i them se, për t’u shijuar një vepër, Nobeli i autorit nuk ngre dhe aq peshë; dhe aq më pak ngre peshë një recension në një gazetë amerikane.

1 Koment

  1. Isha rritur midis Kadare mohuesve&idhujtareve,shkoj ne ltali si mergimtar,ne Rome,hyj ne nje librari,isha pa pune,ushqehesha ne Caritas,shoh ne nje kend”Palazzo degli sogni,Aprile spezzato Generale della armata morta etc”njeri blen nje liber,sapo del nga libraria,fishkellen alarmi me kap hajdutin,”Na falni por nuk e kishim hequr fillin e argjendë”u gjegj shitsja,shfletoja librat e Kadarese,gjeja fillin e argjende e hiqja,dhe i futja ne gji librat,ishte dimer kisha nje xhup te stermadh me xhepa te brendshem,lirova edhe rrypin e xhinsave,u mbusha plot,alarmi nuk fishkelleu,leximi i atyre veprave ishte nje zbulese hyjnore,e dyfishte kur i lexova ne shqip,shto te gjitha veprat nga”Qyteti pa reklama”perkujdesja e Kadarese&Shtepise botuese Onufri me Bardhyl Demiraj,mundesuan botimin luksoz te10 veprave te bardha me shirit te arte kesaj here,te Martin Camaj qe i lexova te gjitha ne biblioteke dy here,brenda nje dhjetvjeçari,nje tjeter zbules hyjnore,i nxitur nga Kadare,lexoj Tregime-Galtina-Oh(roman)te Anton Pashkut,nje trini e shenjte,i nxitur nga Kadare lexoj A.Vehbiun,nje perimtues hulumtues i pashoq,qe gersheton te qenurit hokatar,shpotites ndaj veseseve te panumerta te Shqiptareve,dhe i pameshire ndaj te kaluares se erret komuniste,qe Shqiptaret nuk duan te ballafaqohen,si burracake qe jane,i nxitur nga Kadare kryej nje tjeter zbulese,Bashkim Shehu shkrimtar&perkthyes i pashoq,shto Poradecin e pangjashem,uraganin Migjeni,Nolin e stuhishem&perkthimet e pashoqe,desh harrova zbulimin e Zef Zorbes&Frederik Rreshpjes,po nga Kadare,dy poete teper bashkohore,shto edhe poetet Kosovare dhe panorama e letersise Shqiptare plotsohet,perzierjet e kohes&haoesires,atmosfera e zymte gotike,malli per Europen e humbur,lakuriqsia e gjuhes shpotitese lidhur me donkishotizmin&mercenarizmin Shqiptar,dhembshuria per virtytet e lavdishme te humbura,nga Shqiptaret,metaforat qe i merr nga mitet, nga qytetrimet e lashta Helene,Egjiptiane etc,qe kryen Kadareja, qe gjuhen Shqipe e sheh pertej kombesise,si besim fetar,e bejne ate nje nga shkrimtaret me te medhenj te shekullit XX,çmimi Nobel as nuk e rrit,as nuk e ul vleren e perbotshme letrare,te gjeniut Kadare qe themeloj nje shkolle nga asgjeja per tu ndjekur,duke arritur te pa’arritshmen,lidhjen permes nje filli te arte te Eskilit-Shekspirit-Servantesit!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin