MUNDËSIA E DYSHEMESË SË HUMBUR

nga Teuta Sadiku

Lava pjatat shpejt e shpejt para se të pritej uji e të më mbeteshin pa shpëlarë. Atë moment më ra në sy rrugica drejtkëndëshe e thurur me lecka që shtronte nëna në vend të tapetit, çka nuk m’u shoqërua nga ndonjë mendim, as ide të re që të më kalonte nëpër mendje për të. Ishte thjesht një pamje e zakonshme që këmbëngulte poshtë thembrës sime se ishte një kujtim nga e shkuara. Mundohesha mos të kapja ndonjë kuptim që mund të kishte apo merrte atë çast ajo festë përvjetori, por më kot. Nënkuptohet që vinte nga e kaluara ashtu siç vijnë kujtimet, për nënën, gjyshen e të afërmit nga bota e përtejme.

Për momentin dëfreja me idenë se ndoshta kishte të bënte jo me një kujtim nga e kaluara, por me një shfaqje të së ardhmes –si rezultat i një defekti që mund të kishte pësuar mekanizmi i kohës. Ndoshta e kishte fajin ndriçimi i dobët që vinte përtej dritares, pasi dritat fikeshin shpesh në atë qytet-shtet. Edhe pse ishte gjysmë errësirë, pamja nuk pranonte të ishte misterioze. Hodha një hap drejt qendrës së tapetit dhe m’u duk sikur zbrita një shkallë të paqenë.

Rashë në boshësi dhe u tremba se kushedi se çfarë tjetër do të ndodhte në atë dhomë, atë ditë feste. Përvjetor hesapi.

Dhomë?! Nuk kishte dhomë kurrkund. Si mund të kishte dhomë, kur jo vetëm nuk kishte dysheme, por nuk ekzistonte as dyshimi më i vogël se kishte pasur ndonjëherë dysheme poshtë asaj rrugice thurur me lecka. Shtriva dorën dhe zgjata gishtërinjtë e shtrembëruar nga pesha e flamujve. Në mure pashë radiografinë e shpirtit të shpendit të zi që linte shenja në papiruse të dala boje, çka të tjerët i flaknin në kazanët e plehrave të ndërgjegjes, çdo mëngjes kur kalonte karroca e plehrave. Dritat akoma nuk po vinin, ndaj u hodha një vrap në errësirën poshtë rrugicës për ta nxjerrë në dritë dashurinë e atij vendi. E dija që sapo të shihnin të njëjtin flamur, do ta bënin copë- copë, derisa yjet të uleshin në një copë tjetër qielli blu. Nuk mundej që i njëjti shpend i zi të fluturonte në një pellg gjaku. Poetët u këndonin yjeve në qiell, pasi mbaruan së thururi vargje hënës. Thonë se yjet ishin ankuar, nga frika se mos shuheshin nga faqja e dheut. Duhej patjetër diku të mbeteshin në një copë pëlhure. Dhe ashtu u bë.

Nuk ndihesha mirë as unë, as nëna e cila ndodhej në atë periudhën kalimtare të moshës, kur menstruacionet herë i vinin e herë e linin, sipas gjasës. Nuk kisha dëgjuar të përmendej nëna ime në zijafetet e organizuara enkas nga oratorët e mëdhenj, ashtu siç nuk kisha parë ndonjë fjalë të shkruar në qitapët e kohës. Ishte e pamundur të ecej më kështu, ku as nuk shihja përpara, po as nuk më vinte ndonjë ide e re në kokë. Kishim mbetur në vendnumëro këtu e vite. Vazhdimisht bija në një brimë të pashpjegueshme dhe pa taban. Për tavan nuk bëhej fjalë fare, ishte thjesht një qiell, ku çdo risi e merrte era dhe e vërviste tutje në hallkën e këputur ballkanike ku bëhej një boshatisje e rrethinave. Poshtë thembrës mbi rrugicën e shtruar në mes e ndieja akoma atë sëmbimin e telave me gjemba përreth avllisë, gjembin e telave të lëvizte tutje-tëhu ditën me diell ku drita tepronte dhe ujët e detit më vinte deri te këmbët e krevatit ku notonin lajmet. Ngado patrullojnë fjalë të armatosura deri në dhëmbë, largojnë mendimet shtrigëliga apo fjalët e mallkuara që askush nuk i lexon.

Ktheva kokën nga autostrada, prej nga dëgjova hingëllimën e kalit të zotnisë rënë nga vakti, por ja që ish-nusja po e çonte të ngratin t’i mbathnin patkonjtë në një nga hanet më të dëgjuara të botës. Oh çfarë çmendurie kur kalova nëpër mend se dasma po gatitej në një kohë kur krushqit kishin ngrirë para bankave zvicerane të bllokuara. Dreq o punë, po ku i shpie kjo mushkë drutë e këtij vendi, a bëhen dasma në këtë kohë, thirra sa pata në kokë. U dëgjua një zë nga kamarja pranë. Ishte fqinji që më kërkonte hua një pëllëmbë dheu për të mbjellë diçka. Nuk e kuptova mirë, ndoshta kërkonte një govatë ujë, qoftë edhe të kripur, për t’u larë sepse shtëpisë së tij po i bëhet kontroll kapital. Kur pashë luftën që bëhej brenda meje, nga frika se mos fitonte logjika, shtrëngova më tepër rripin e pantallonave, të çitjaneve doja të thosha. Njerëzit brenda tyre ecejaknin mbi rrugicën e shtruar enkas.

Isha në ëndërr dhe për çudinë më të madhe shihja po të njëjtën ëndërr. Makthin e kullës, kullës ku luheshin rolet që nga antikiteti. Aktorët donin të mbeteshin brenda mureve të kullës, kurse personazhet donin të dilnin rrugëve e sokakëve të botës një orë e më parë. Mos o zot. Sikur ishte festë apo jo, dhe ishte e vetmja mundësi e dyshemesë së humbur. Po sikur të rrëzoheshin muret e kullës? Jo nuk do rrëzoheshin vetë, nga vjetërsia, donin t’i rrëzonin para se të gremiseshin e të na zinin të gjithëve brenda. Në raste të tilla pritej lindja e një muri të ri. Po a mundej dyshemeja e humbur të ngrinte një mur të ri? Vrisja mendjen të kujtoja se ku e kisha parë për herë të fundit këtë skenë. Si nuk e kisha parashikuar një gjë të tillë. Po më shfaqej përsëri e njëjta ëndërr.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: